INTERVISTA/”Maqedonia e pësoi prej Ramës për negociatat”, Pollo flet dhe për qeveri...

INTERVISTA/”Maqedonia e pësoi prej Ramës për negociatat”, Pollo flet dhe për qeveri tranzitore para zgjedhjeve: Kundër listave të hapura

73
0
Shares

Ish-kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit, Genc Pollo, shprehet se Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e pësoi nga Edi Rama duke shkuar në zgjedhje të parakohshme, edhe pse ndaj vendit të tij Këshilli Europian nuk kishte asnjë rezervë.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Pollo e sheh në favor të Shqipërisë kërkesën e Francës, ndërsa shton se edhe nëse do të kishte një vendim pozitiv në 18 tetor, përsëri nuk do kishim hapje të negociatave.

Duke folur për Reformën Zgjedhore, ish-deputeti i PD-së kundërshton listat e hapura, ndërsa i qëndron propozimit për qeveri tranzitore në zgjedhje.

Tre javë pas Këshillit Europian që nuk çeli negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut janë mjaftueshëm për të parë me qartësi  tablonë e madhe: a erdhi kjo nga problemet brenda Bashkimit Europian apo nga ato të qeverisë Rama.

Do t’ju shpjegoj shkoqur më pas pse një vendim pozitiv në 18 tetor për Shqipërinë, ndryshe nga Maqedonia e Veriut, nuk do të thoshte çelje negociatash.Por fillimisht dua të them se jam pak i surprizuar nga reagimi gati apokaliptik që pasoi (mos)vendimmarjen e Këshillit Europian. Edhe reagimet verbale në nivel europian kanë qenë me terma të forta, çka është e pazakonshme për keto samite ku zakonisht para kamerave flitet urtë e butë pasi janë arritur, me ose pa sherr, kompromiset prapa kuintave.

Ndoshta pikërisht ngaqë nuk u arrit kompromisi, kaq tipik në kulturën politike europiane; ndoshta ngaqë disa zyrtarë në Bruksel në fund të mandatit të tyre i dëshironin negociatat si trofe përmbyllëse (kjo aspak negative). Ose ka edhe arsye të tjera. Mbase kjo klimë ndikon në një vendim pozitiv pas gjashtë muajsh në samitin e Zagrebit.

Vendim për antarësim ne BE apo në zonën ekokomike te BE-së?

Pikërisht! Për mua shqetësuese ishte teza e prezantuar nga zëra të ndryshme në tre  javët e fundit se Shqipërisë e shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, mund t’u akordohet jo antarësia në BE, siç ndodhi së fundmi me Kroacinë, e më herët me Bullgarinë e Rumaninë,  por një partneritet special politiko-ekonomik. Ishte pozitive e në kohë që presidentët Meta e Pendarovski në Tiranë u shprehën në kohë e pa ekuivok vetëm për antarsinë si objektiv i vetëm i shteteve tona duke përjashtuar alternativa të tjera.

Edhe kryeministri Rama e ka thënë këtë!

Nuk e paskam dëgjuar. Ai ka qenë shumë i zëshëm në shpjegimin se “fajin e ka Macron-i” duke kontribuar kështu në komplikacione shtesë në samitin e Zagrebit.

Sërish: faji i Brukselit apo faji i Tiranës?

Kthehemi tek Këshilli: në rast vendimi pozitiv Maqedonia do të ishte ulur fill në tryezë për të negociuar kapitujt e traktatit të antarësimit në BE.  Përkundrazi, Shqipërisë, për shkak të kushteve gjermane (Bundestagu) do t’i duhej të paktën një vit që të fillonte realisht negociatat dhe kjo nëse gjithçka do të shkonte fjollë. Gjithmonë nëse Franca nuk shton kushte, si emigracioni i paligjshëm apo Hollanda nuk ashpërson kushtet gjermane në  drejtim të shtetit ligjor, krimit e korrupsionit.

Pse mendoni se Hollanda mund t’a bëjë këtë?                                                      

Në orët e mëngjesit të 18 tetorit kryeministri hollandez Rutte doli nga salla e mbledhjes së Këshillit për të njoftuar gazetarët mbi negociatat dhe deklaroi se “Shqipëria ka një problem me ndarjen e pushteteve”.  Është hera e parë që një prononcim i tillë artikulohet në nivelin e shefit të qeverisë; deri tashti këtë kritike e kishin bërë shumë deputetë europianë. Ky ka qënë dhe qëndrimi i opozitës tonë e i shumë analistëve brenda e jashtë vendit: pra se kemi përfunduar në një shtet të kapur e pa ligjshmëri. Pra me fjalë të tjera, për Hollandën problemet me bandat shqiptare në Rotterdam nuk zgjidhen thjeshtë me shtimin e bashkëpunimit me Ministrinë e Brendëshme e Policinë e Shtetit siç thuhej deri para një viti; përkundrazi problemi qëndron tek interlokutorët e tyre në Tiranë. Këtë kam parasysh kur flas për mundësinë e kushteve shtesë.

Ju keni shkruar se  shtetet që nuk ishin pro negociatave me Shqipërinë si Franca, Hollanda, Spanja e Danimarka drejtohen nga të majtët dhe kjo e shton rëndon pozitën e qeverisë tonë.

Pozitën e qeverisë e rëndojnë në radhë të parë  shtetasit pa leje në Francë, e malli i paligjshëm në Rotterdam. Por meqë Rama në punët e tija e sheh fajin përherë jashtë vetes e në punët e Evropës shpesh tek opozita, do të duhej të na e shpjegonte këtë refuzim nga familja politike  e tij.

Të mos harrojmë se kryeministrat nga PPE apo nga Konservatorët (Londra, Varshava) ishin të gjithë pro. Dhe nga ata të katërt që refuzuan dy janë socialistë e dy liberalë të qendrës së majtë. Në vendimmarrjen e BE ndikojnë shumë faktorë, por partitë politike kanë peshë siç e keni vërejtur. Pra kur t’a dëgjoni Ramën në studio televizive të flasë për baltën anglisht të opozitës, mund t’a pyesni nëse i ka shpjeguar  sukseset qeveritare, në frëngjishte të mirë p.sh., ashtu si duhet brenda familjes politike së tij.

Mbase edhe z. Zaev si socialist duhet të shpjegohet;

Maqedonia nuk i çeli ngociatat prej Shqipërisë; Zaevi shkoi në zgjedhje të parakohshme prej Ramës. Ose më saktë edhe Maqedonia edhe Zaevi e pësuan prej Ramës pasi nëntë kushtet po t’i analizosh një nga një janë probleme të shkaktuara nga qeveria e mazhoranca direkt ose indirekt. Edhe rezervat e tjera lidhen po me qeverinë. Për Maqedoninë e Veriut kishte konsensus pozitiv. Jo se çoç kanë bërë në planin e brendshëm; por të paktën normalizuan marrëdheniet me dy shtete fqinjë antare të BE-së. Arsyen pse u dogj edhe Maqedonia, e shpjegoi fare mirë kancelarja gjermane pas samitit. Opsioni “vetëm Maqedonia” tha znj. Merkel para gazetarëve ishin dakord pothuajse të tërë, por sipas disa liderëve europianë kishte shqetësim se si mund të reagonte popullsia shqiptare në Maqedoni. Prandaj u lane të dyja jashtë. Fakt i përmendur së fundmi edhe nga presidenti Macron. Personalisht mendoj se ata  i kanë fryrë kosit pasi janë të superndjeshëm ndaj stabilitetit; siç edhe druaj se shqiptarët mes Qafë-Thanës e Shkupit ndihen ligsht në këtë rol përballë bashkëqytetarëve të shumicës. Se mos na del nga goja se fajin e ka Edi! Sakën aman!

Konkluzionet e Këshillit Europian nuk i përmendin kushtet e Bundestagut, prandaj sipas disa zërave  në Tiranë se këto kushte nuk janë më në fuqi. Ju çfarë thoni?

Me ligj  qeveria gjermane është e detyrar të kushtëzojë një vendim pozitiv europian për negociatat me kushtet e miratuara në Bundestag. Vendimet në Këshill janë unanime, pra jo vetëm Gjermania e madhe, por teorikisht  edhe Estonia e vogël mund te imponojë kushte apo edhe te vërë veton. Nëntë kushtet bien, vetëm nëse Bundestagu i anullon ato me një rezolutë të dytë. Veç kini parasysh sa vijon: 1/3 e deputeteve gjermanë (socialdemokratë e të gjelbër) mund të jenë për negociata me Shqipërinë pa kushte; 1/3 (CDU/CSU) janë për negociatat pasi të përmbushen  9 kushtet; 1/3 (liberalë, AfD, të majtë) janë kundra. Edhe një Bundestag i ri, ta zemë se ka zgjedhje, nuk ka për të ndryshuar gjë dot gjë pasi 1/3 nuk ka shanse të bëhet 51%. Por këta zera që dalin nga gypet e qeverisë, tregojnë se kjo e fundit as nuk ka harruar e as nuk ka mësuar gjë. Dhe mendon se me nojma e gënjeshtra llustrafine…

Çfarë gënjeshtrash llustrafine?

Mosmiratimi i negociatave ishte i padëshiruar për ne të tërë; por në rastin pozitiv do të jetë një vonesë gjashtëmujore. Por nga ana tjetër një avantazh: është  kërkesa e Francës për rishikimin e metodikës së zgjerimit të BE-së. Sot ka një debat intensiv për këtë e në përgjithësi bihet  dakord se pavarësisht raporteve të ëmbla të Komisionit Europian, në Mal të Zi ka status quo, në Serbi ka regres, në  Maqedoninë e Veriut kemi progres në raport me fqinjët dhe Shqipërinë tashti, ndryshe nga tre vjet më parë,  kanë siklet t’a përmendin për mirë.

Ne në Shqipëri e kuptojmë më mirë këtë, pasi kushtet e Bundestagut Komisioni  do të duhej  t’i kish vënë prej kohësh Komisioni Europian. Është praktikisht konfirmimi i një dështimi. Por të shohim përpara! Shpresoj që me një metodë të re, dhe sidomos me vullnet politik, Komisioni von der Leyen do të jetë më rigoroz e si pasojë më ndihmues për sa i përket shtetit ligjor.

Por kryeministri Rama thotë se Komisioni ka mijëra ekspertë dhe verifikon shumë më saktë se dhjetë deputetë me duar në xhepa.

Po, por raportet i hartojnë sipas udhëzimeve të krerëve politikë! Jam impresionuar jashtë mase kur zonja Mogherini në Tiranë në 9 majin e shkuar, e  përgëzoi zotin Rama për suksesin këtë vit në luftën kundë kanabisit. Të harrojmë një çast se shumica e kanabistëve janë kthyer në kokainistë. Dhe ata syresh që nuk janë kthyer, kanë mbjellur “bar” me shumicë si vitin e kaluar, Nëse masim vetëm ndalimet e sivjetshme nga policia greke e italiane në kufi. Por edhe të mos ishte kjo, prapë Rama mbetet kryeministri i  një ministri që në 2016 e ktheu policinë në brigadë kultivimi te kanabisit e gjelbëroi atdheun anekënd  dhe që sot është nën akuzë penale për këtë.  A thua se  ai  vepronte me kokën e vet dhe i shefi ishte veç një  sylesh i pafajshëm.  A mund të imagjinohet kryeminstri De Gasperi të përgëzojë Stalinin se këtë vit ka çuar në gulag më pak disidentë se vjet?

Llustrimet kësisoj kanë forcuar ndjesinë e pandëshkueshmerisë tek pushtetarët dhe si pasojë indirekt kanë nxitur lidhjen e tyre me mafien për para e për vota. Dhe kanë vështirësuar i integrimit europian të Shqipërisë siç e tregoi një verifikim i ndershëm e me filtra seriozë si Bundestagu.

Aksioni i opozites ka kaluar nga protestat te zgjidhja me Reformen Zgjedhore. Eshte ndryshim taktik apo strategji?

Zgjedhjet e lira e të ndershme realizohen vetëm atëherë kur të dënohen ata që manipuluan zgjedhjet e më parshme. Kur ai që do të  tentojë edhe dotë  mendojë, se mund të behet shok qelie me atë që e bëri e u dënua. Kështu ka funksionuar njerëzimi para e pas Dhjetë Urdhërimve të Moisiut. Imagjinoni diku nje vend ku hajdutët e deleve jo vetëm nuk ndëshkohen por caktohen kryebashkiakë e deputetë. A është serioze apo ironike që aty dënimin për vjedhje bagëtie t’a rrisësh nga gjashtë muaj burg në nëntë.

Por ka edhe aspekte ku ndryshimi ligjor sjell përmirësime efektive, si financimi i partive politike.  Por, gjithsesi, protestat mbeten mjeti i vetëm potencial për të detyruar klikën në pushtet për zgjedhje të parakohshme të dyfishta, qendrore e vendore.

Po qeveria tranzitore?

Patjetër! Shihni Maqedoninë! Gruevski mund të ketë patur njëqind e një probleme por pleksjen me kartelet e drogës nuk kam dëgjuar t’ja përmendin. Ai arriti marrëveshje me opozitën, pas skandaleve e protestave, që të instalohet një qeveri tranzitore para  zgjedhjeve për të ngjallur besim se pushteti nuk do të abuzohet. Tashti që z. Zaev propozoi zgjedhje parlamentare e partitë ranë dakord t’i mbajnë në prill, qeveria tranzitore do të emërohet në dhjetor, sipas mediave. Pse të ndruhemi nga ky model nëse na shërben. Shqipëria nuk është ndonjë fuqi bërthamore që Edi Rama të mos ndahet dot nga valixhja e komandës.

Ka nje debat per sistemin zgjedhor, a duhet te vazhdoje ky sistem ku pushtetin e kane kryetaret apo duhet proporcional me lista te hapura ose maxhoritar.

Unë e kam propozuar e përkrahur proporcionalin rajonal para afro 20 vjetësh, sepse kishte shenja se të fortët me mjetet e tyre mund të kapnin zona zgjedhore njëemërore (ne sistemin mazhoritar). Të fortët e atëhershem të dalë nga 97-ta, ishin prapë një karikaturë e Niçes, Rumit e Lalës që sot emërojnë kandidatët e partisë së kryeministrit. Një arsye tjetër ishte që 30% vota të majta në Shkodër e 40% të djathta në Vlorë të gjenin përfaqësim parlamentar, që mazhoritari nuk e mundësonte. Kurse me listat e hapura kam përvojën direkte të Partisë Demokrate të Re në vitin 2001 e 2005 dhe që atëhere nuk kam ndonjë entuziazëm për këtë formulë. Kam lexuar se është aplikuar gjetiu herë me e herë pa sukses. Por ku themi “t’a vendosë populli” debati bëhet shpesh populist e madje folklorik. Popullin e projektojmë si spekatorët e një konkursi bukurie që permes smartfonit zgjedhin Miss-in. Mbase është rasti të kujtoj, se partitë janë organizata me propozime politike e me njerëzit që do t’i realizojnë ato propozime; elektoratit i jepet mundësia të besojë me votë njërin nga garuesit.

Pra jo lista të hapura?

Të kthehemi tek hallet e rënda se për hallet e lluksit ka kohë plot. Problemi i zgjedhjeve është që të mos shtrembërohet vota. Nëse flasim për sistemin zgjedhor lipset t’a shohim në këtë sfond. Fatkeqsisht shoh kjo temë po përdoret për të lënë jashtë vëmendjes problemin e madh real.

Nëse i kthehemi djegies se mandatave, a ishte ai vendimi i duhur duke parë rezultatin që sot Parlamenti eshte ai qe eshte me emrat qe kane firmosur Basha e Meta dhe PS ka dhe 100 perqind të pushtetit lokal vec atij qendror. A është pjesemarrja ne procesin e Reformes Zgjedhore nje zgjidhje per te rihyrë ne sistem?

Lëvizja e madhe popullore e pranverës pati dy efekte të mëdha: së pari i tregoi opinionit publik shqiptar, sidomos pjesës së tulatur të tij, se ka një masë kritike njerëzish që dalin në rrugë e riskojnë për të luftuar kundër të padrejtëve. Ndërsa në planin e jashtëm, ata ndërkombëtare që kanë influencë në Shqipëri e kuptuan me realizëm thellësinë e rrënjën e problemit që edhe mund t’a kishin neglizhuar mes shumë problemeve që ka bota. Sa për emrat e firmosur janë një arsye më shumë, të cilën publiku televiziv e përjeton si makth psikologjik, për të zgjedhur një Kuvend dinjitoz. Sa për kryebashkiakët monistë po rezulton se përqindja e atyre me precedentë penalë është po aq sa e deputetëve të ngjashëm në grupin parlamentar rilindist të dalë nga zgjedhjet e 2013. Një arsye më shumë për të mbajtur zgjedhje të dyfishta vitin e ardhshëm.

A ka shanse që Reforma në Drejtësi të ketë rezultat dhe a ka ndryshuar pozicioni i PD ne raport me të si nje perpjekje per te marre mbeshtetje nga faktori ndërkombëtar.

PD lipset të përkrahë një reformë në drejtësi me synimin e mirë që çon në gjyqësor të pavarur dhe efektiv. Ky proces është kompleks dhe është e natyrshme që të ketë probleme. Por ato duhen trajtuar hapur me dëshirën pér t’i zgjidhur. Pretendimi jorealist se probleme nuk ka nuk e ndihmon synimin e mirë. Pothuajse e “natyrshme” është edhe prirja e pushtetit për të influencuar institucionet e reja të drejtësisë. Përfshi edhe SPAKun që po ngrihet me një numër jo kushtetues të prokurorëve, ndërkohë që vetingu i listës prioritare në mënyrë të pashpjegueshme është ndërprerë.

Aludoni për influencim apo kapje?

Do të ishte gjynah nga Zoti të mos bësh aludim apo edhe më shumë për pushtetin rilindist. Madje çdo pushtet, sado i përkorë, do të tundohej. Shihni si kanë vepruar me prokurorinë: jo vetëm për të mbrojtur veten nga akuzat që bëjnë mú me prova që duken sheshit, si në rastin e kompanisë  “amerikane” të  Unazës së Re. Por edhe me keqpërdorimin e prokurorëve si pisqollë e kollajshme. Për më tepër prokurore nën veting. Shihni karagjozllëkun me “financimet ruse” të PD; shihni dëshmtarin Alizoti; shikoni edhe brenda gardhit rilindist si po hetohet ndonjë zevzek.

Por ata të korruptuar apo me probleme që largoi vetingu nuk e kanë vendin në gjyqësor apo jo?

Unë nuk mund të bie dakord me Edi Ramën kur thotë për mungesën disavjeçare të gjykatave supreme, se më mirë djepi bosh se me shejtanin brenda. Sepse po të bija dakord e të e të masja me një kut do të thosha se jemi mirë edhe pa qeveri e pa parlament, pasi këto të sotmit janë shejtan e kaluar shejtanit. Por kjo do të thotë anarki, kaos e gjendje natyrore. Hobbes, më duket,  ka thënë se më mirë me qeveri të keqe se pa qeveri fare. Një demokrat i përgjegjshëm synon përmirësimin e institucioneve  jo eliminimin e tyre.

Merrni rastin e Gjykatës së Lartë, se Kushtetuesja është debatuar mjaftueshëm. Po shkon mbi 32 mijë  mijë numri i dosjeve që presin gjykim. Ka studjues që nxjerrin përqindje të frikshme të personave palë që bazuar në jetëgjatësinë mesatare nuk do arrjinë në të gjallë të tyre vendimin përfundimtar. Është shkelje e jashtëzakonisht e rëndë e të drejtave të njeriut. Dikur disa nga shoqëria civile dilnin ne proteste me parullën “drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”. Sot nuk i shoh të protestojnë më! Nuk e di pse. Por kjo katraurë mund të ishte evituar nëse do të ishin dëgjuar me seriozitet disa nga propozimet e opozitës. Ose  mund të kishin krijuar ndërkohë mekanizma kredibel për emrime të përkohshëm; ose të gjenin diçka tjetër.

Asgjë nga këto, vetëm deklaratata çdo tre  muaj se gjykatat do të ngrihen në tre muajt e ardhshëm. Edhe tashit që flasim po e shkelin Kushtetutën ditën për diell që të pilotojnë kë duan në Gjykatën Kushtetuese.

Por zoti Palmer i Dërguari Special i Secretarit të Shtetit Pompeo në Ballkan tha se denimi i Kelmend Balilit është një arritje e drejtësisë së re.

Balili është një ndër të shumtët  e denoncuar nga PD si banditë të shndërruar në ofiqarë publikë nga qeveria Rama. Tersi i tij ishte që në operacionin policor ndërkombëtar kundër bandës së tij ishte e përfshirë edhe DEA, policia antidrogë e ShBA; ne duhet të falenderojmë autoritet amerikane se pa trysninë e ambasadës së tyre, Balili do të kishte vazhduar karrierën e nga drejtor rajonal transporti mbase do të ishte sot drejtor i përgjithshëm në pritje të negociatave me Komisionin Europian për të diskutuar kapitullin 14 “Politikat e transportit”. E megjithë këtë trysni qeverisë ju desh mbi dy vjet që t’a bindte të dorëzohej e ta transportonte me limuzinë pasi për arrestim mirëfilli nuk kishte kurajo. Jam kurioz të shoh nëse do të arrihet konfiskimi i pronave të klanit të tij, pasi ka sinjale që dorëzim/dënimi i Kelmendit ishte qengji i sakrificë në altarin e pushtetit për të ruajtur interesin ekonomik. Por dhe goditjet e policisë p.sh ndaj bandave në Durrës e Shkodër, kanë qenë  zbatime të kërkesave nga Gjermania, Belgjika etj. me dosja të kopsitura të ardhura prej andej. Nuk ka e nuk ka si të ketë veprim të qeverisë kundër bandave politike.

Pra jo sukses i drejtësisë së re?

Deri para një viti na njoftohej çdo muaj kapja së shpejti e “peshkut të madh”. E pastaj na thanë se ishte kapur në Turqi. Një peshk i panjohur mbase (qesh). Seriozisht tashti!: Gjyqësori ynë e ballafaqua me rastin Saimir Tahiri, vërtet një peshk jo i vogël. Dosje e hetuar përciptaz nga prokurorë të vetuar dhe që pati me vendim gjykate zhgënjyes; aq zhgënjyes sa që edhe angloamerikanët pazakonshëm e shprehën hapur zhgenjimin.

Pra nuk ka suksese?

Disa priren t’a shikojnë reformën në drejtësi  siç po kryhet kryer si teologji, si dogmë fetare që meriton bindje absolute e ku skepticizmi barazohet me mëkatin fillestar. Asnjë reformë në shtet nuk meriton të tillë qasje, aq me pak një reformë kaq të thellë qe tejkalon të tjerat për nga kompleksiteti. Ato lipsen të mbeten në rishqyrtim periodik, pasi të paktën probleme anësore janë të pashmangshme dhe sipas rastit mund  të nevojitet edhe pershtatje e mbase edhe ndryshim i  legjislacionit.

Kryeministri do e quante negativist këtë përshkrim të gjendjes. Sipas tij institucionet sot funksionojnë më mirë se dje dhe sjell shembullin e KQZ, që shkarkoi menjëherë Kajmakun e Vorës.

Kryeministri ka shpjeguar se ai e partia nuk dinin gjë për kajmakët, se thjesht i kapi dora mollën e kalbur edhe pse disi shpesh; por nuk ka shpjeguar se si është e mundur që PD,  me mjetet e kufizuara që ka një opozitë, i zbulon një e nga një kokrrat e këtij sorollopi. Sa për KQZ-në ju kujtoj se ca kohë më parë antarët nga PS që tashti shkarkuan Kajmakun nuk donin t’i hiqnin mandatin një deputeti që asokohe ishte mik i ngushtë i Ramës. Nga halli pasi kishin urdhër nga lart,  Pa pyetur fare  për ligjin, për PD-në, e cila  kishte denoncuar rastin dhe për opinionin publik. U desh, siç kam dëgjuar, një ndërhyrje e fortë dhe e përsëritur e ndërkombëtarëve në nivel KQZ-je e kryeministrie me kërcënim se do t’a dënonin publikisht “qokën” që i detyroi Bibën e të tjerët të votonin siç duhej. Faktin që për Kajmakun nuk ka qenë e nevojshme një ndërhyrje e tillë, më pëlqen t’a shoh si fuqizim të opozitës e të opinionit publik për të imponuar ligjshmërinë si dhe pafuqi në rritje e rilindistëve për të bërë arroganto-banditin në ofiqe publike.

Duke u marrë kaq shumë me kritikën ndaj qeverisë Rama a mos keni neglizhuar ofertën alternative të PD.

Druaj se kështu është. Por problemi i madh me shtetin ligjor fatkeqsisht ka ngushtuar hapësirën e debatit mbi politikat konvencionale. Pakkush e ka dëgjuar se PD është për taksë të sheshtë 9%. Jo 10% sa ishte deri ne 2013 por 9%. Aq sa e ka prej kohësh Hungaria që ka një rritje ekonomike supersolide. Edhe kryeminsitri i porsaemëruar në Rumani zoti Orban ( kështu quhet edhe ai) synon të fusë taksën e sheshtë. Opozita italiane e qendrës së djathtë po ashtu. Madje edhe qeveria maqedonase e Zaevit deklaroi para një jave se do t’i rikthehej kësaj takse të aplikuar me sukses nga qeveria e mëparshme. E kuptoi Zaevi vetëm pas dy vitesh në pushtet. Nuk don t’a kuptojë Edi Rama se mendon nuk e mjel dot produktin. Edhe e vetmja ulje takse që bëri, atë të dividendit, ishte e mbrapshtë në thelb: favorizonte ne rradhë të parë oligarkët dhe më e keqja ishte prapavepruese, si rrjedhojë jokushtetuese.

Edhe diçka në media është folur për një tjetër kryeministër apo kryeministre të PD.

Nuk është rasti i vetëm kur mund t’u vlente këshilla se heshtja është flori. Por PD ka një rast të çuditshëm  nga viti 2001 kur pa shpjeguar arsyet, shpalli Ridvan Boden kandidat për kryeministër. Për ndryshe PD i ka qëndruar parimit të përgjegjësisë se lidershipit legjitim. PS krijoi një model tjetër ne vitet 1997-2005 me tre kryeministra që u këmbyen nga dy herë secili. Mbase thirrjet aktuale të disa socialistëve veteranë për zëvendësimin e Ramës në qeveri me një tjetër po nga PS synojnë rikthim në atë model. Me arsye të ngjashme e të reja.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY