Edi Rama drejt ligjit që kontrollin median e shkruar, unik në botën...

Edi Rama drejt ligjit që kontrollin median e shkruar, unik në botën demokratike

74
0
Shares

Nga Gjergj Erebara

Kuvendi i Shqipërisë pritet të fillojë të martën shqyrtimin e projektligjeve kontroverse të njohura si “paketa anti-shpifje”, për të cilat organizatat vendase dhe ato ndërkombëtare të lirisë së shprehjes kanë paralajmëruar se rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë nga një vend me demokraci hibride, në një vend jodemokratik.

Versioni i fundit i projektligjit, një kopje e së cilit disponohet nga BIRN, synon të transformojë Autoritetin e Medias Audiovizive në një Autoritet të Medias Shqiptare dhe ligjin që deri më sot ka licencuar televizionet kombëtare dhe lokale në ligj “për shërbimet e medias”.

Në mënyrë unike në botën demokratike, qeveria shqiptare ka vendosur t’i japë fuqinë për të mbikëqyrur median online një zyre të quajtur “Këshilli i Ankesave” pranë AMA-s, e cila merr gjithashtu të drejtën për vendosur gjoba deri në 2 milionë lekë si dhe për të cenuar integritetin e mediave online, duke instaluar në faqet e tyre njoftime të llojit “pop up”, kur ky këshill gjykon se media online ka shkelur ligjin.

Projektligji i qeverisë synon të rregullojë edhe parimet etike, të tilla si e drejta e përgjigjes, ndërkohë që vendimet e Këshillit të Ankesave parashikohet të shfaqen gjithashtu në formën e një dritareje të njohur teknikisht si pop up, që u hapet automatikisht përdoruesve kur vizitojnë faqen e internetit.

Ndryshe nga draftet e mëparshme, qeveria duket se ka kënaqur kritikat e OSBE-së përmes vendosjes së një paragrafi në projektligj ku parashikohet se “vendimet e AMA-s mund të kundërshtohen në Gjykatën e Tiranës”.

Megjithatë, ankimet në gjykatë nuk mund të pezullojnë ekzekutimin e vendimit të Këshillit të Ankesave. Sipas projektligjit, gjobat e vendosura bëhen menjëherë të ekzekutueshme.

Ligj unik në botën demokratike

Në rast se do të miratohet, Shqipëria do të bëhet vendi i parë në botën demokratike që krijon një regjim kontrolli administrativ mbi median në internet. Deri më sot, në botën demokratike është pranuar rregullimi i tregut të medias audiovizuale për shkak të përdorimit nga ana e televizioneve ose radiove, të frekuencave televizive, të cilat janë nën pronësi publike.

Edhe në këtë rast, mbikëqyrja është kufizuar te aspektet e komunikimeve me karakter tregtar dhe jo në botën e lajmit dhe informacionit. Në asnjë vend të botës demokratike dhe në asnjë vend anëtar të Bashkimit Europian nuk ka ndonjë ligj që vendos nën mbikëqyrje median në internet në shkallën e propozuar nga qeveria shqiptare.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka rreth një vit që flirton me idenë e krijimit të një sistemi mbikëqyrjeje, gjobitjeje dhe kontrolli teknik të medias online me supozimin e shpallur se synon të “disiplinojë” median online. Në draftin që po diskutohet aktualisht vërehet një rritje e masës së gjobës të parashikuar në dy variantet e mëparshme.

Projektligjet e qeverisë “Rama” kanë marrë kritika të ashpra nga komuniteti i gazetarëve si dhe nga organizatat vendase dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca i ka kritikuar ato në dy raste, në të cilat theksoi se përqasja në Bashkimin Europian është vetërregullimi i medias dhe jo mbikëqyrja.

E drejta për t’u ankuar

Etika në media zakonisht u kërkon gazetarëve që t’i japin palës së prekur nga një akuzë të drejtën për të folur mbi këtë akuzë, ndërsa në ligjin aktual për Median Audiovizive, në nenin 53, [link] parashikohet si kërkesë ndaj televizioneve dhe radiove publikimi i një ankese nga një individ i prekur nga një lajm, por ligji ekzistues nuk parashikon sanksione në rast se televizionet ose radiot refuzojnë të publikojnë përgjigjen.

Ndryshe nga ligji ekzistues, propozimi aktual i Ramës është që autoriteti i medias të vendosë gjoba deri në 800 mijë lekë bazuar mbi këtë parim të etikës./BIRN – Reporter.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY