Për ambasadorin amerikan Donald Lu nuk ka plan B për vetting-un dhe reformën në drejtësi, ai është një dhe i vetëm: implementimi.
“Përpara se gjykata të vendosë ka dy opsione: i pari, gjykata vendos të pranojë ligjin, çka do të thotë që menjëherë Qeveria dhe Parlamenti do ta impelementojnë atë me mbështetjen e vëzhguesve ndërkombëtarë. I dyti, gjykata mund të konstatojë se ligji ka probleme dhe do të kërkojë që të bëhen ndryshime. Do ta dërgojë sërish në Parlament dhe shpresa ime është që Parlamenti shumë shpejt do t’i bëjë ato ndryshime dhe do të rimiratojë ligjin”, ka thënë Lu.
Por ambasadori Lu iu drejtua dhe qytetarëve, të cilët janë të shqetësuar lidhur me zbatimin e kësaj reforme, madje duke cituar dhe një thënie nga një film.
“Nuk ka më kthim pas, nuk mund të ndryshohet kjo reformë. Gjithashtu, të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë në krah të qytetarëve shqiptarë për t’i siguruar që ka një nivel të lartë të implementimit të reformës. Është një film që unë pëlqej shumë, i titulluar “Apollo 13” dhe aty ka një thënie që unë mendoj se është e përshtatshme për reformën: dështimi nuk është opsion”, ka deklaruar Lu.
Ne bashkëbisedimin e parë në Facebook me qytetarët, ambasadori i Shteteve të Bashkuara foli për herë të parë edhe për kanabisin.
“Ajo që është e qartë për mua është se puna e Guardia di Finanza, duke vëzhguar nga ajri prodhimin e paligjshëm të drogës, ka dalë në përfundimin që kultivimi është rritur gjatë viteve të fundit. E kam thënë më parë dhe e përsëris edhe tani, që e gjithë qeveria shqiptare duhet të bëjë më shumë. Si partner i huaj, mendoj se edhe ne duhet të bëjmë më shumë. Më lejoni të listoj disa nga gjërat që SHBA janë duke bërë aktualisht. DEA është duke punuar shumë ngushtë me autoritetet shqiptare për të arrestuar trafikantë droge, “peshq të mëdhenj” dhe ne jemi të foksuar te ata që trafikojnë heroinë dhe kokainë nëpërmjet këtij vendi”, ka vijuar Lu.
Në fund, Donald Lu u pyet dhe mbi performancën e qeverisë dhe notat që do t’i vinte bashkëqeverisjes PS-LSI.
“Disa ministrave të kësaj qeverie unë do t’i vija notën 10, të tjerëve do t’i vija zero. Kjo qeveri po bën punë shumë të rëndësishme për reformat, por një pjesë e qeverisë po zhgënjen njerëzit në Shqipëri duke mos përmbushur pritshmëritë e tyre”, ka shtuar Lu.tch
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/