Presidenti Nishani do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar mbi situatën e kanabisit, më 11 nëntor në orë 18:00.
Presidenca tashmë u ka nisur ftesat anëtarëve të Këshillit përfshirë, Kryeministrin Rama, disa ministra, shefin e shërbimit sekret dhe shefin e opozitës. Në ftesë Presidenti Nishani ka theksuar se synimi i takimit është këshillimi dhe informimi me anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare mbi situatën e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike në territorin e Republikës së Shqipërisë, nisur nga informacionet zyrtare të agjencive ligjzbatuese, të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, informacionit publik dhe rezultateve të publikuara nga organizmat ndërkombëtare.
Presidenti kërkon të dijë nga aktorët përgjegjës të insitucioneve shtetërore se cilat janë shkaqet që erdhëm deri këtu dhe si do të jetë perspektiva e luftës ndaj këtij fenomeni, që duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Axhenda e takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare parashikon raportimin e Ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.
Një ditë më parë gjatë vizitës në Shkodër Presidenti njoftoi se do të thërrasë këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Është një fenomen serioz që ka marrë përmasa kombëtare. Për shkak të marrjes së këtyre përmasave dhe shqetësimit që tashmë është jo vetëm nga agjencitë ligjzbatuese të inteligjencës të vendit por edhe ato partnere, unë së shpejti kam vendosur që të thërras Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar në lidhje me problematikën dhe mënyrën se si ne duhet që ta përballojmë këtë sfidë serioze në vendin tonë”, u shpreh kreu i shtetit Bujar Nishani.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/