JOZEFINA TOPALLI/ Njerëzit e idealit në u mbytshin për së gjalli, nderohen...

JOZEFINA TOPALLI/ Njerëzit e idealit në u mbytshin për së gjalli, nderohen për së vdekuri, ndërsa te ne ata mbyten dy herë dhe harrohen

75
0
Shares

Fjala në Parlament e deputetes së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli

Të nderuar deputetë,
Unë nuk kam ndër mend të flas as për suficitin primar, as për deficitin primar, as për sigurimet shoqërore, por do të flas për një ngjarje shumë unike të kombit tonë. Më 5 nëntor do të kremtohet shpallja e lumnimit të 40 martirëve të kishës katolike. Kjo ngjarje nuk është parë dhe nuk është dëgjuar në asnjë vend tjetër, sepse asnjë vend tjetër, as në kohën e komunizmit, nuk ka përjetuar atë që ka përjetuar kleri në përgjithësi dhe ai katolik në veçanti në vendin tonë. E bëj këtë dhe nuk kam dëshirë ta lë diskutimin për në fund, duke u nisur nga një thënie e at Gjon Shllakut, njërit prej 40 martirëve, i cili thoshte: “Një komb që lind ka nevojë për fatosa që vdesin, por këta fatosa që vdesin nuk kanë çfarë të bëjnë në një komb që i harron dhe i përbuz. Tjetërkund, njerëzit e idealit në u mbytshin për së gjalli, nderohen për së vdekuri, ndërsa te ne ata mbyten dy herë dhe harrohen.”
Unë nuk dëshiroj fare që kjo të ndodhë qoftë edhe sot, kur është për t’u përshëndetur, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, i cili ka sjellë një rezolutë për këtë ngjarje.
Ndër 40 martirët shqiptarë të shpallur nga Papa Françesku, si të lumturuar, 38 të të cilëve janë ipeshkvë, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar në kohën e diktaturës komuniste, u vranë; 20 u pushkatuan dhe trupat e tyre u hodhën dhe mbetën pa varre; 18 prej tyre vdiqën nga torturat dhe nga persekutimi. Nuk mungonte asgjë më diabolike që mendja njerëzore mund të imagjinonte. Nëna e njërit prej tyre (priftit Lazër Shantoja), iu lut vrasësve të tij t’ia vrisnin djalin se ua paguante ajo plumbat. Ky ishte rasti më ekstrem, më tragjik, ku edhe Shekspiri me tragjeditë e tij ndoshta ishte pak larg. Djalit të saj i kishin thyer krahët, këmbët dhe e kishin hedhur në një qeli. Nëna që e shihte djalin e saj për të vetmin shkak se ishte prift, iu lut katilit ta vriste, edhe duke ia paguar plumbin.
Të gjithë martirët treguan një vendosmëri të jashtëzakonshme shpirtërore në këtë Via Crucis të gjatë e të tmerrshme, të mbushur me tortura, si korrenti elektrik, kripa në gojë, koka në ujë të ngrirë për ditë të tëra, por asnjëri prej tyre nuk u përkul.
Po t’i marrësh një për një historitë e tyre, të lënë pa frymë. Mes persekutimeve të mëdha kundër të krishterëve të shekullit të kaluar, ajo e Shqipërisë ka qenë më e egra dhe më e pashpirtshmja. Ka figura martirësh, që u referohen persekutimit nazist, atij spanjoll dhe atij meksikan, por deri kur u mbyll ky proces, nuk kishin parë dhe nuk e kishin idenë, se çfarë ka ndodhur në Shqipërinë tonë, ku ishte kapërcyer krimi nazist, stalinist e të tjerë, që ka njohur historia. Natyrisht, kjo ka ndodhur nga një mendje diabolike, që ka krijuar këtë vuajtje të tmerrshme të papërshkrueshme për të cilën është folur pak, edhe gjatë këtyre 25 vjetëve, pavarësisht se në vitet e para, Presidenti i asaj kohe, zoti Berisha, i ka shpallur “Pishtarë të demokracisë” disa prej tyre.
Në nderim dhe në dëshmi të martirizimit të kishës katolike, Papa Françesku shpalli kardinal të vetmin prift të mbijetuar nga priftërinjtë martirë, pas kardinal Koliqit. Dy herë i dënuar me pushkatim, dënim i konvertuar më pas në 28 vjet burgim me punë të detyruar, e barabartë me 11 mijë ditë burgim. Një kalvar i filluar në natën e Krishtlindjeve të vitit 1963, për të vetmin faj, se ishte prift. Ai u izolua në qeli dhe u dënua me vdekje. Më 5 dhjetor 1990 është liruar. Akti i tij i parë pas lirimit, qe falja e persekutorëve.
Lista e martirëve të Kishës Katolike, emrat e të cilëve dua t’i lexoj këtu së bashku me ju, fillon nga imzot Prendushi. Justin Rrota thotë për të: “Prendushi mund të mbahet mend, si poeti i qytetit të vet, mbasi gjithçka të hijshme që gjeti në fjalë dhe frazeologji të këtij dialekti, e mblodhi si bleta dhe e vendosi me shije të madhe në shkrimet e veta”. Dërrasa ku e kishin shtrirë ishte plot me gozhdë dhe gozhdë filluan të ngulnin mbi trupin e tij.
Imzot Vinçenc Prendushi, françeskan i qytetit të Durrësit, u burgos dhe u torturua, sepse nuk pranoi të mohojë besimin e tij. Ai dha shpirt më 19 mars 1949 në birucën e burgut, i shtrirë këmbëzbathur në dheun e lagësht e të ftohtë.
Imzot Frano Gjini, Ipeshkv, martirizimi i të cilit ia kaloi çdo fantazie kriminale e njerëzore. I papërkulur para torturave, sepse nuk pranoi ta shkëpuste kishën nga Vatikani. U dënua me vdekje dhe u pushkatua më 11 mars 1948.
Imzot Jul Bonati, meshtar i madh intelektual, i cili pasi u mbyll për torturë në çmendinë, provoi tmerre të padëgjuara nëpër qelitë e ndryshme të Sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit pranë imzot Prendushit, i cili i jepte shujtën në kodin kristian.
Dom Alfons Tracki, prifti gjerman, më shqiptar se shqiptarët, bir i Breslau-t, u torturua dhe u pushkatua më 25 qershor 1946, në moshën 50 vjeçe.
Dom Anton Muzaj, u torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm se nuk pranoi të mohonte besimin e tij. Si i thyen këmbë e duar, e liruan nga burgu dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme pas pak ditësh, në moshën 29 vjeçare.
Dom Anton Zogaj, famullitar i Durrësit, sekretar i imzot Prendushit, meshtar jashtëzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjë të qelbur, teksa priste ditën e pushkatimit, 31 dhjetorin e vitit 1946.
Dom Dedë Maçaj, i akuzuar si spiun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua për rezistencën e tij heroike fetare, në moshën 27 vjeçare.
Dom Dedë Malaj, mbetet i paharruar në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike, që i bëri besimit të tij në gjyqin që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959, në moshën 39 vjeçare.
Dom Dedë Plani, dha shpirt në spital më 30 prill 1949, pasi nuk pranoi asnjë akuzë dhe u bëri ballë heroikisht torturave çnjerëzore.
Dom Ejëll Deda, famullitar i Bushatit, i arrestuar vetëm pse ishte prift, vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, mbas torturave çnjerëzore.
Dom Jak Bushatin e akuzuan se ndihmonte diversantët, se bënte agjitacion e propagandë, pretekste për të cilat u pushkatua pa gjyq më 12 shkurt 1949.
Papa Josif Mihali, njeri i Zotit, e arrestuan dhe e torturuan veç me këtë akuzë. U mbyt për së gjalli në baltën e kënetës në kampin e shfarosjes të Maliqit.
Dom Zef Maksen (meshtar gjerman) u pushkatua në vitin 1946 duke shqiptuar fjalët: “Des i lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve, si meshtar i fesë së Krishterë”.
Dom Lazër Shantoja (meshtar i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë dhe i artit) u masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta pushkatonin një orë e më parë, gjë që nuk munguan ta bënin në fushat e shkreta të Tiranës në moshën e tij 54-vjeçare.
Dom Lekë Sirdani (personalitet i shquar i Kishës Katolike, prift, patriot, shkrimtar) u torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.
Dom Luigj Prendushi u arrestua, u torturua dhe u pushkatua si spiun i Vatikanit më 24 janar të vitit 1947.
Dom Martin Shkurti u shugurua meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura, në atë të heshtimit dhe guxoi të vijojë heroikisht shërbimin meshtar në kohën e terrorit. U arrestua, prej andej u torturua dhe u pushkatua në vitin 1969.
Dom Mark Gjani u arrestua për veprimtarinë e tij meshtare dhe u shua gjatë torturave të tmerrshme në duart e katilëve në qeli në vitin 1945.
Dom Mikel Beltoja u pushkatua më 10 shkurt të vitit 1974 pasi mbrojti heroikisht dhe haptazi idealet e tij fetare, gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash i cili e dënoi me vdekje.
Dom Ndoc Suma vdiq dy vjet pasi ishte liruar i shkatërruar nga burgu, ku u torturua me akuza për të cilat thoshte: “Vetëm kur dola në gjyq e mora vesh pse isha arrestuar”.
Dom Ndré Zadeja (prift, poet) i pushkatuar pa gjyq në qytetin e Shkodrës, duke u bërë kështu martiri i parë viktimë e diktaturës komuniste.
Dom Pjetër Çuni (prift) vdiq i varur me kokë poshtë mbi gropën e ujërave të zeza.
Dom Shtjefën Kurti (prift) u pushkatua para banorëve të Gurzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë furrat e bukës.
At Bernardin Palaj (frat e poet i madh) do të vdiste në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, shndërruar në burg për 700 të burgosur të pafajshëm. Nën torturat e Sigurimit mori tetanosin. Ishte mbledhësi i parë i eposit të kreshnikëve, mitolog i shquar, por edhe muzikant, pianist i talentuar, gjeni i letrave shqiptare, pasardhës i denjë i Fishtës së madh; i mbytur, por edhe i harruar.
At Çiprian Nika (françeskan) vdiq nën akuzën e rëndë dhe shpifëse se kishte fshehur armë në altarin e Shën Ndout në kishën françeskane të Gjuhadolit.
At Gaspër Suma (rregulltar pinjoll i një familjeje, që u shua nga komunistët) u arrestua në vitin 1947 dhe vdiq në burg.
At Gjon Shllaku (frat i madh, filozof) u pushkatua së bashku me jezuitët At Xhovani Fausti, misionar italian, dhe At Daniel Dajani, po ashtu, italian, si dhe me seminaristin Mark Çuni, djalë i ri. Në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik u akuzua për tentativë arratisjeje dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që të katërtëve shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën “Martir i demokracisë” në vitet e para të ’90-ës.
Për sa i përket At Gjergj Gjon Shllakut do të kisha dashur të lexoja pak më shumë për CV-në e tij: “Në mëngjesin e zymtë, të vrenjtur dhe me shi Shkodre të 4 marsit 1946, zemrat e shkodranëve u dridhën nga breshëritë e automatikëve dhe jehonat që vinin nga Zalli i Kirit, vendi i namun ku pushkatoheshin “mëkatarët” e kohës së kuqe. Nën plumbat e skuadrës ekzekutuese ranë njëri pas tjetrit përdhe trupat e shtatë të dënuarve me vdekje, ndër të cilët katër ishin klerikë katolikë. At Gjon Shllaku ishte njëri ndër ata. Nuk ishte hera e parë që në të zbardhur të dritës në qytet të dëgjoheshin të shtime të tilla me ushtimë të “xanun”, si ato që bien në mish njeriu. Në zakonin e fituar rishtazi, pushkatimet e heretikëve bëheshin në orët e para kur njerëzit ishin ende në shtroja.
Pas pushkatimit zakonisht trupat e të vdekurve liheshin ashtu njëri mbi tjetrin sikur të ishin thasë plehu në dispozicion të qytetarëve për tërë ditën. Në muzg, ashtu grumbull siç ishin, hidheshin në një gropë të përbashkët që mbulohej mirë, që mundësisht të mos mund të dallohej më”. Ky qe edhe fati që e la pastaj edhe gjatë kësaj periudhe në harresë At Gjon Shllakun.
Por kush ishte At Gjon Shllaku? Kreu shkëlqyeshëm liceun dhe kursin e filozofisë në atdhe. Më vonë u dërgua, si shumë studentë të tjerë, përjashta e pikërisht në Holandë, ku kreu teologjinë. Më 15 mars të vitit 1931 u shugurua meshtar, por në këtë vit u dërgua nga Provinciali i atëhershëm, Vinçens Prendushi, në Louvaine të Francës. Atje Patër Gjoni ndoqi degën e Shkencave, më vonë atë të historisë dhe të filozofisë, duke u lauruar me tezë të shkëlqyer në filozofi në vitin 1936.
Vazhdojmë me listën.
At Karl Serreqi, frati që nuk pranoi të kallëzojë rrëfimin e një të plagosuri në ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 4 prill të vitit 1954. Ai është një ndër martirët e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e kishës universale.
At Mati Prendushi (frati që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq) u përndoq dhe u fal nga krajl Nikolla dhe nga mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi “gjyq komunist”. Nuk i dihet as varri.
At Serafin Koda (frat françeskan) dha shpirt pasi hetuesit komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme, ia shqyen fytin me thonj.
Vëlla Gjon Pentalia (jezuit) u arrestua ndër të parët dhe vdiq në spital pasi vuajti tmerre të papërshkrueshme.
Fran Miraka, Qerim Sadiku dhe Gjelosh Lulashi (të rinj që edukoheshin ndër jezuitë) u vranë për besimet e tyre. Edhe një vajzë e re, Maria Tuci, u torturua duke e mbytur, e futën në thes dhe e hodhën.
At Luigj Paliqi dhe Dom Gjon Gazulli janë të vetmit martirë që i takojnë kohës para komunizmit. At Luigj Paliqi u vra në atentat nga serbët, ndërsa Dom Gjon Gazulli u var nga Zogu në një shesh të Shkodrës në vitin 1927.
Mendoj se është dita për të kërkuar ndjesë të gjithë bashkë për atë çfarë ka ndodhur shumë vite më parë.
Është dita për të folur më shumë për historinë tonë tragjike dhe është momenti, si një dëshmi e nderimit, për t’u ngritur në këmbë një minutë në heshtje në nderim të të gjithë këtyre martirëve.
(Mbahet një minutë heshtje.)
I përjetshëm kujtimi i tyre!
Faleminderit!

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY