DOSJA/ Kushëriri i Eduard Shalësit, miliona dëme shtetit

DOSJA/ Kushëriri i Eduard Shalësit, miliona dëme shtetit

102
0
Shares

Dëmi total ekonomik – 217.142 milion lekë
Efekti financiar negativ – 169.43 milion lekë
Mospërmbushje e detyrimeve koncensionare për investime – rreth 6.6 miliard lekë

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 415/1, datë 20.04.2016, i ndryshuar ka zhvilluar auditim në Autoritetin Portual Durrës, për periudhën 01.11.2013 – 30.04.2016 të veprimtarisë së këtij autoriteti, në përfundim të të cilit KLSH ka rekomanduar 50 masa organizative, 35 masa për shpërblim dëmi dhe 21 masa disiplinore, si dhe me shkresën nr. 415/21, datë 2.11.2016 i ka përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, kallëzimin penal ndaj Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të APD, z. Gazmend Shalsi, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Nga auditimi ka rezultuar që APD dhe Buxhetit të Shtetit i është shkaktuar një dëm total ekonomik në vlerën 217,142 mijë lekë, një efekt financiar negativ në vlerën 169,432 mijë lekë, dhe një mospërmbushje e detyrimeve koncensionare për investime në vlerën rreth 6.6 miliard lekë, si më poshtë:

Dëmi ekonomik
-Në fushën e investimeve 122,707 mijë lekë,
-Në fushën e zbatimit të kontratave 49,898 mijë lekë,
-Në fushën e prokurimeve 20,918 mijë lekë,
-Në fushën e pagesave të kundërligjshme në shpenzimet operative 10,902 mijë lekë,
-Në fushën e shitjes apo dhënies me koncesion të pasurisë në vlerën 9,417 mijë lekë,
-Në fushën e pagave dhe shpërblimeve 3,300 mijë lekë.

Efekti financiar negativ
-Në fushën e të ardhurave nga qiratë & privatizimi 125,453 mijë lekë,
-Në fushën e investimeve 26,096 mijë lekë,
-Në fushën e shpenzimeve korente 17,883 mijë lekë,

Mospërmbushje e detyrimeve kontraktore për investime
-Detyrimi i konçesionarit [X-4] është në vlerën 4,143,000 EUR,
-Detyrimi i konçesionarit [X-5] është në vlerën 2,069,371 mijë lekë,
-Detyrimi i konçesionarit [X-6] është në vlerën 32,500,000 USD

Nga auditimi rezultuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi dhe më konkretisht:

1. Shkeljet e konstatuara në lidhje me procesin e shkarkimit, depozitimit dhe evadimit i tubacioneve, materialeve të nevojshme si dhe makinerive të projektit TAP.
Nga auditimi rezultoi që:
•Procesi i shkarkimit, depozitimit dhe evadimit të tubacioneve, materialeve të nevojshme si dhe makinerive të projektit TAP është realizuar nga kompania [X-1] dhe jo nga vetë Porti i Durrësit, i cili sipas ligjit është i vetmi Autoritet Portual në Republikën e Shqipërisë që gëzon të drejtën për organizimin e shpërndarjen e ngarkesave (cargo) nëpër terminalet e tij, duke krijuar kështu të ardhura të munguara për APD dhe Buxhetin e Shtetit në vlerë 71,168,800 lekë.
•Kompania EMS-APO e cila ka kryer shkarkimin e tubacioneve dhe të materialeve të tjera të TAP nuk ka pasur licencën e stivadorit dhe për rrjedhojë kompania [X-1] nuk i ka paguar APD-së tarifën e ushtrimit të një aktiviteti të tillë, në vlerën 3,600,000 lekë, vlerë e cila është e ardhur e munguar për APD dhe Buxhetin e Shtetit.
•Porti i Durrësit nuk ka zhvilluar asnjë procedurë konkuruese për përzgjedhjen e kompanisë stivadore dhe kompania [X-1] është lejuar të ushtrojë veprimtarinë e saj në kushtet e një monopoli, duke mos lejuar shoqëritë e licencuara të ngarkim-shkarkimit (stivadorët) të kryejnë përpunimin e anijeve.
•Kompania [X-1] nuk ka disponuar kapacitet e nevojshme për të kryer këtë shërbim, sipas kërkesave të dërguara nga TAP me shkresën nr. 2170, datë 06.07.2015 dhe gjithashtu kompania [X-1] nuk ka vënë dispozicion dokumentacionin e kërkuar nga APD në kundërshtim me nenin 12.1.5 të marrëveshjes koncensionare.

2. Shkeljet e konstatuara në lidhje me marrëveshjen e lidhur për vlerësimin e planit të sigurisë.
Nga auditimi rezultoi që:
•Marrëveshja nr. 614, datë 25.02.2015, për vlerësimin e planit të sigurisë, ndërmjet APD, DPD dhe shoqërisë [X-2], në vlerën 126,000 EUR, është lidhur në kundërshtim dhe në keqinterpretim të përcaktimeve ligjore të bëra në Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar, me qëllimin e shmangies së konkurrencës.
•Referuar ekstraktit të regjistrit tregtar, 75% e aksioneve të kompanisë [X-2] zotërohen nga aksioner të huaj të panjohur dhe të pa autorizuar nga organet e ngarkuara me ligj për sigurinë kombëtare.
•Me shkresën nr. 115/8, datë 30.10.2014, është caktuar që përgatitja e vlerësimit të sigurisë dhe hartimin e planeve të sigurisë në Portin e Durrësit do të bëhej nga kompania [X-2], dhe me Vendimin nr. 38, datë 05.11.2014 2014 Këshilli Drejtues i APD-së ka miratuar krijimin e një fondi për këtë qëllim, në vlerën 16,000,000 lekë, duke mos u bazuar në asnjë referencë për sa i përket përcaktimit të kësaj vlere.
•Vlera prej 126,000 Euro që i është likuiduar pa asnjë procedurë prokurimi shoqërisë [X-2] konsiderohet si dëm ekonomik për APD dhe Buxhetin e Shtetit.

3. Shkeljet e konstatuara në lidhje me likuidimet e bëra ndaj shoqërisë [X-3].
Nga auditimi rezultoi që:
•Autoriteti Portual Durrës (APD) ka likuiduar për llogari Projektit BEI-BERZH dhe shoqërisë [X-3] për kalatën 7 dhe 8, vlerën prej 1,168,120.51 EUR.
Për likuidimin e kësaj vlere janë lidhur dy aktmarrëveshje në vlerat 371,237 EUR dhe 726,073 EUR në kundërshtim me:
-Ligjin nr. 9691, datë 08.03.2007 “Për ratifikimin e “Marrëveshjes financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) për financimin me kredi të Projektit “Ndërtimi i terminalit të trageteve dhe shesheve përreth në Portin e Durrësit”.
-Ligjin nr. 9758, datë 21.06.2007 “Për ratifikimin e “Marrëveshjes së garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për marrëveshjen e kredisë ndërmjet Autoritetit Portual Durrës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit “Ndërtimi i terminalit të trageteve dhe i shesheve përreth në Portin e Durrësit”.
-VKM nr. 775, datë 24.09.2010 “Për administrimin e financimeve të huaja në Republikën e Shqipërisë”; pika 2, 12, 17, 21, 22.
-VKM nr. 692, datë 10. 11.2005 “Për miratimin e strategjisë së ripunuar “Konsolidimi i një sistemi planifikimi të integruar në Shqipëri”, pika 6.
-Rregulloren e brendshme të miratuar me Vendimin e Këshillit Drejtues nr. 69 datë 15.10.2012 të Këshillit Drejtues të APD, pika 4, nënpika 7/i.
-VKM nr. 596, datë 10.9.2004 “Për miratimin e statutit të Autoritetit Portual Durrës dhe për riorganizimin e tij”, neni 9, pika 3.
-Udhëzimin e MF nr. 36, datë 10.08. 2009 “Për hartimin e regjistrit të borxhit shtetëror dhe garancive shtetërore të huas”, neni 2.
-Udhëzimin e MF nr. 22, datë 05.10.2011 “Për publikimin e të dhënave të borxhit të qeverisjes se përgjithshme dhe hartimin e raportit te tij”, neni 7, pikat 5 dhe 6.
•Referuar shkresës së Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës nr. 7541, datë 12.12.2014, protokolluar në APD me nr. 689, datë 11.12.2014, Raporti i Ekspertit teknik i njeh kontraktorit, vlerën prej 813,860.58 EUR, të përbërë nga:
Punime shtesë në vlerën 149,178.15 EUR.
Rregullime në çmim në vlerën -252,214.21 EUR.
Paraja e mbajtur 829,109.12 EUR.
Vonesa në pagesa 79.131.52 EUR
50 % e kostos së DAP 8,656 EUR
Sa më sipër, vlera prej 354,260.51 EUR, e cila përfaqëson diferencën ndërmjet vlerës së likuiduar ndaj PIU-t dhe shoqërisë [X-3] prej 1,168,120 EUR (respektivisht në vlerat 1,097,310 EUR dhe70,810.40 EUR) dhe vlerës së njohur nga Raporti i Ekspertit, prej 813,860 EUR, konsiderohet si dëm ekonomik shkaktuar buxhetit të shtetit.
Në rast se vlerës prej 354,260.51 EUR do ti shtonim edhe vlerën prej 87,787 EUR, e cila përfaqëson penalitetet e bankës për mosparaqitjen në kohë të dokumentacionit dhe tërheqjen e fondeve të akorduara, dhe vlerën prej 44,330 EUR e cila përfaqëson interesat që APD ka humbur nga kalimi i vlerave për llogari të PIUT, dëmi total ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të shtetit është 486,377 EUR.

4. Gjetje të tjera nga auditimi.
Nga auditimi rezultoi që:
•Nga ana e APD-së nuk është vënë në punë peshorja elektronike, me vlerë investimi prej 47,994,000 lekë, qëllimi i së cilës ishte përshpejtimi i procedurave të brendshme të operimit, rritja e sigurinë së veprimeve të brendshme, miradministrimi i të ardhurave të APD-së dhe rritja e cilësisë dhe shpejtësisë përkundrejt operatorëve, duke mos justifikuar kështu kryerjen e këtij shpenzimi.
Përpos kësaj në Terminalin e kontejnerëve në vitin 2015 është ndërtuar një peshore tjetër, pa asnjë dokumentacion nga Dogana Durrës e cila disponon faktikisht dy peshore.
•Kompanitë koncensionare [X-4], [X-5], [X-6] nuk kanë zbatuar detyrimin kontraktor për të investuar në terminalet respektive të marra me konçesion. Konkretisht detyrimet që kompanitë koncensionare duhet të investojnë për të gjithë periudhën e koncesionit, janë:
-Detyrimi i konçesionarit [X-4] është në vlerën 4,143,000 EUR,
-Detyrimi i konçesionarit [X-5] është në vlerën 2,069,371 mijë lekë,
-Detyrimi i konçesionarit [X-6] është në vlerën 32,500,000 USD
Deri më datën 30.04.2016 2016 nuk provohet të ketë investuar asnjë vlerë dhe nuk ka raportim zyrtar nga njësia e zbatimit të projektit pranë MTI, si autoritet kontraktor për këtë kontratë koncesionare, për investimin e kryer.
Për këtë situatë, nga APD i është kërkuar informacion zyrtar Njësisë së zbatimit të projektit pranë MTI, e cila nuk ka vënë në dispozicion asnjë lloj informacioni në lidhje me investimet e kryera nga kompanitë koncesionare [X-5] si dhe [X-6] edhe pse është një detyrim kontraktual. Deri më datë 12.08.2016, datë në të cilën përfundoi auditimi, nga APD nuk konfirmohet asnjë investim i kryer prej tyre.
Sipas KLSH, marrëveshjet me kompanitë koncensionare të përshkruara më sipër, duke mos kryer investimet e përcaktuara në kontratat koncensionare respektive, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të Shtetit, si dhe kanë favorizuar këto kompani, çka përbën jo vetëm shkelje të rëndë të legjislacionit në fuqi, por është dhe një shprehje flagrante e mos zbatimit të ligjit.
Në lidhje me këtë, KLSH ka rekomanduar që nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD-së të prezantohen në organet drejtuese vlerat e investimeve që kompanitë koncensionare kanë detyrimin kontraktor për ti investuar, të cilat në total arrijnë në vlerën rreth 6.6 miliard lekë (sipas kursit të këmbimit valutor të BSH të datës 04.11.2016) dhe në rast të moskryerjes së investimeve të përcaktuara në marrëveshjet koncensionare, të kryhet pezullimi i menjëhershëm i marrëveshjeve koncesionare, deri në kryerjen e investimeve sipas marrëveshjes ose në rast të kundërt të zbatohen procedurat ligjore për sanksionet përkatëse.
•Kompania [X-4] ka në përdorim pajisje të sistemit të checkin-it elektronik në pronësi të APD në vlerën 12,537,316 lekë, dhe nuk paguan asnjë detyrim ndaj APD.
•Në 25 procedura tenderimi, kualifikimi, shpallja fitues e operatorëve ekonomik nga KVO, si dhe lidhja e kontratave, është kryer në mënyrë të padrejtë, veprim në kundërshtim me Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006, i ndryshuar, VKM nr. 914 datë 29.12.2014 “Rregullat e Prokurimit”, Ligjin nr. 8485, datë 12.05.1999 “Kodi i procedurës administrative të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, nenet 115-120, çka ngarkon me përgjegjësi komisionet e vlerësimit të ofertave.
•Në 3 raste dokumentacioni teknik i zbatimit dhe kolaudimit të punimeve të ndërtimit nuk ka qenë i plotë dhe i saktë; në 3 raste korrespondencat e subjekteve kontraktore dhe APD në lidhje me ndërprerjet e punimeve dhe kërkesat për zgjatje afati nuk kanë qenë të justifikuara; në 3 raste dokumentacioni teknik dhe ligjor i blerjes së mjeteve, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit dhe në 1 rast i blerjes së vajra dhe lubrifikante, nuk ka qenë i plotë dhe i saktë duke krijuar në total një dëm ekonomik në vlerën 41,200 mijë lekë dhe një efekt financiar negativ në vlerën 26,095 mijë lekë.
•Për periudhën objekt auditimi, në APD janë punësuar gjithsej 190 punonjës, si dhe i janë ndërprerë marrëdhëniet e punës 383 punonjësve. APD është palë në 63 procese gjyqësore, nga të cilët kanë përfunduar 34 prej tyre, ku në 18 raste APD ka humbur dhe në 16 raste APD ka fituar procesin gjyqësor.
Nga proceset gjyqësore të përfunduara deri më datë 30.04.2016, APD ka paguar vlerën 17,882,656.44 lekë për 17 punonjës, vlerë e cila për APD përbën efekt financiar negativ. Pavarësisht ndjekjes në të gjitha shkallët e gjykimit dhe kontestimeve nga APD të vendimeve të gjykatave, për dëmshpërblimet, si pasojë e zgjidhjes së marrëdhënieve të punës, konstatohet se vendimet e marra për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës kanë qenë të padrejta përderisa vendimet janë në shumicën e rasteve në favor të punonjësve të larguar dhe për rrjedhojë, në të ardhmen, situata financiare e autoritetit pritet të cenohet akoma dhe më shumë duke ndikuar kështu në zhvillimin normal të aktivitetit ekonomiko-financiar.
•U konstatua se marrëdhëniet e punës për periudhën objekt auditimi në APD, janë rregulluar me anë të kontratës kolektive dhe kontratave individuale. Kontrata Kolektive (nr. 1851, datë 15.06.2012), është lidhur për periudhën qershor 2012-qershor 2016, midis APD në cilësinë e punëdhënësit dhe Sindikatës së Pavarur të APD`së, në cilësinë e punëmarrësit. Por kjo referuar nenit 47 të saj, ka përfunduar më datë 18.06.2016. Deri më 12.08.2016, datë në të cilën përfundoi auditimi, nga APD nuk kanë filluar procedurat për lidhjen e kontratës kolektive.
Shkeljet e mësipërme trajtohen më hollësisht në Raportin Përfundimtar të Auditimit të evaduar me Vendimin nr. 126, datë 30.09.2016 të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në lidhje me këto shkelje KLSH, me shkresën nr. 415/15, datë 10.10.2016, i ka përcjellë Ministrit të MTI rekomandimin për largimin nga puna të Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të APD-së z. G.Sh.


Shënim
Me shkresën nr. 2961 prot, datë 24.10.2016 Drejtuar Ministrit të MTI, Kryeministrit të Shqipërisë dhe Kryetarit të KLSH-së (protokolluar në KLSH me nr. 415/19, datë 26.10.2016) Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD-së ka përcjellë në KLSH një sërë pretendimesh në lidhje me konstatimet dhe rekomandimet e KLSH-së. Në përgjigje dhe në sqarim të këtyre pretendimeve, të cilat KLSH i ka konsideruar si të pabaza dhe të bëra në keqinterpretim të dokumentacioneve shkresore që KLSH ka konstatuar gjatë auditimit, KLSH me shkresën nr. 415/22, datë 03.11.2016, drejtuar Ministrit të MTI dhe Kryeministrit të Shqipërisë, iu ka paraqitur atyre në mënyrë të detajuar çdo sqarim në lidhje me pabazueshmërinë e këtyre pretendimeve.
Në pritje të reagimit zyrtar nga ana e këtyre institucioneve, KLSH do të publikojë në web materialet e plota në lidhje me auditimin e zhvilluar në APD.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY