Kreu i opozitës letër bankave: Mos rrezikoni me financimin e PPP-ve që...

Kreu i opozitës letër bankave: Mos rrezikoni me financimin e PPP-ve që pastrojnë para të drogës dhe korrupsionit!

163
0
Shares

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka dërguar bankave të nivelit të dytë dhe për dijeni Guvernatorit te Bankës së Shqipërisë një letër.

Basha me anë të letrës u bën thirrje që mos të rrezikojnë me financimin e PPP-ve, pasi sipas tij janë para te pista.

Basha thekson se nga aktiviteti i paligjshëm i prodhimit të drogës dhe trafikimit të saj nga Shqipëria, gjatë këtyre viteve të fundit, janë prodhuar miliarda euro, një pjesë e të cilave “janë përdorur për të korruptuar qeveritarë dhe punonjës publikë me qëllim pastrimin e parave të përfituara nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike apo/dhe korrupsioni.”

Në letrën e tij, lideri i PD-së vë në dukje paralajmërimet e tij të herëpashershme se “sektori bankar është më i ekspozuari nga bashkëpunimi mes qeveritarëve të korruptuar me disa kompani që po përdorin sektorin e ndërtimit për të pastruar paratë e fituara nga aktivitetet e paligjshme.”

Të dyja kontratat publike, haptazi, cënojnë interesin publik dhe dëmtojnë në mënyrë të rëndë interesat financiare të shtetit shqiptar, duke u siguruar përfitime të padrejta zyrtarëve të korruptuar dhe kompanive private. Nga vlerësimi i kapaciteteve financiare dhe teknike të kompanive private, të përfshira në këto dy projekte, rezulton se ato nuk kanë mundësi për t’i përfunduar projektet me mjetet e tyre dhe, për pasojë, parashikohet marrja e kredive bankare. Mirëpo, këto kompani nuk kanë mundësinë reale për të kthyer kredinë që do të kërkojnë nga ju, pas momentit të anullimit të financimit të paligjshëm shtetëror, që kanë përfituar si pasojë e veprimeve korruptive.

Duke përfituar nga ky rast, ju kërkojmë zyrtarisht që të vlerësoni me seriozitet informacionin e përcjellë. Ne shprehim besimin e plotë që ju do të distancoheni dhe nuk do të bëheni palë në akte që provojnë mbështetjen ndaj projekteve korruptive dhe që cënojnë interesin publik. Ne presim që banka juaj të aplikojë procesin e “vigjilencës së zgjeruar” në çdo transaksion ku përfshihen subjekte që janë angazhuar në aktivitetet e sipërcituara, veçanërisht, duke patur parasysh indiciet që janë publike jo vetëm nga PD, por edhe nga raportet e institucioneve të specializuara ndërkombëtare.

Ne mirëpresim çdo propozim që do të ndihmonte në krijimin e një ambienti më të mirë në sektorin bankar në funksion të kreditimit të ekonomisë reale dhe jo asaj të mbështur në paratë e krimit dhe të korrupsionit.”– shprehet kreu i opozitës Lulzim Basha në letrën drejtuar bankave të nivelit të dytë në vend dhe, për dijeni, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Letra e plotë

Drejtuar:         Z.  Administrator i Bankës

 Per dijeni:       Z. Gent Sejko

Guvernator i Bankës së Shqipërisë

I nderuar [●],

Po ju drejtohem me këtë letër për të ndarë një shqetësim timin dhe Partisë Demokratike (“PD”), që ka të bëjë me përpjekjet evidente të shumë aktorëve për të pastruar shuma të mëdha parash nëpërmjet aktiviteteve të licensuara apo të kontrolluara nga sektori publik.

Ne kemi vlerësuar gjithmonë se sektori bankar është një nga asetet më të rëndësishme që ka ekonomia shqiptare dhe, padyshim, që do të bëjmë ç’është e mundur që ta ruajmë si të tillë. Në këtë drejtim, krijimi i kushteve për të ndaluar që sektori  bankar të përfshihet direkt apo indirekt në financimin e aktiviteteve që mbartin risk për aktivitete të paligjshme, është një objektiv njësoj i rëndësishëm për PD dhe bankën që ju drejtoni dhe, gjithashtu, është i domosdoshëm për të ruajtur të paprekur reputacionin e çdo banke si operator tregu i besueshëm.

Prej shumë kohësh PD ka bërë publike faktin (tashmë të pranuar edhe nga institucionet ndërkombëtare dhe institucionet ligjzbatuese të vendit), që vendi është përfshirë në kultivimin dhe tregtimin e lëndëve narkotike, si dhe është bërë rrugë tranziti për lëndët narkotike nga vendet e ndryshme drejt Europës Perëndimore. I gjithë ky aktivitet i paligjshëm gjykohet që ka prodhuar miliarda Euro, një pjesë e të cilave janë përdorur edhe për të paguar qeveritarët dhe punonjës publikë, në formën e korrupsionit.

Kjo ka qënë arsyeja që PD ka paralajmëruar se shumë aktorë janë përfshirë në operacione të mbështetura nga të njëjtët punonjës publikë (përfshi nivelet më të larta të qeverisë), për të pastruar paratë e përfituara nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike apo/dhe korrupsioni.

Ne kemi tërhequr vëmendjen se, në veçanti, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, punonjës publikë të korruptuar dhe kompani afër këtyre të fundit, po përdorin sektorin e ndërtimit si mjet për të financuar dhe pastruar paratë e fituara nga aktivitete të paligjshme. Sistemi bankar është më i ekspozuari ndër shumë sektorë të tjerë për t’u përdorur për këtë qëllim nga të tillë subjekte.

Natyrisht, që ne nuk mendojmë se çdo biznes i angazhuar në këtë sektor është duke kryer një aktivitet të paligjshëm dhe, madje, vlerësojmë se aktiviteti i ndërtimit është shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit. Nga ana tjetër nuk mund të mos vëmë re se disa kompani kanë marrë leje ndërtimi dhe kontrata publike në nivele të tilla që nuk justifikohen as nga eksperiencat e tyre dhe as nga mundësitë financiare që ato kanë. Pa përmendur këtu, çmimet me të cilat ato ndërtojnë dhe/apo shesin produktet dhe shërbimet e tyre.

Ky bashkëpunim dhe ajo çfarë parashtruam më sipër, ishte evidente edhe në vendimmarrjen në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, të datës 12 Shtator 2019, ku u miratua shpallja fituese pa garë dhe lidhja e kontratës së partneritetit publik privat për projektet:

  1. “Për projektimin, ndërtimin, dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Balldren”.
  2. “Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”.

Të dyja kontratat publike të mësipërme, haptazi, cënojnë interesin publik dhe dëmtojnë në mënyrë të rëndë interesat financiare të shtetit shqiptar, duke u siguruar përfitime të padrejta zyrtarëve të korruptuar dhe kompanive private (shoqërisë “ANK” sh.p.k., shoqërisë “Bardh konstruksion” sh.p.k., shoqërisë “Gjikuria” sh.p.k. dhe shoqërisë “Rruga Orikum – Llogara” sh.p.k.).

Nga vlerësimi i kapaciteteve financiare dhe teknike të kompanive private të përfshira në këto dy projekte, rezulton se ato nuk kanë mundësi për t’i përfunduar ato me mjetet e tyre dhe,  për pasojë, parashikohet marrja e kredive bankare.  Mirëpo, këto kompani nuk kanë mundësinë reale për të kthyer kredinë që do të kërkojnë nga ju, pas momentit të anullimit të financimit të paligjshëm shtetëror që kanë përfituar si pasojë e veprimeve korruptive.

Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Opozita e Bashkuar, duke e vlerësuar të një rëndësie madhore për mbrojtjen e interesit publik, stabilitetin e sistemit bankar në vend, vlerësoi të arsyeshme të informojë bankën tuaj mbi fatin e shpejtë që do të kenë këto dy projekte korruptive. Duke përfituar nga ky rast, ju kërkojmë zyrtarisht që të vlerësoni me seriozitet informacionin e përcjellë. Ne shprehim besimin e plotë që ju do të distancoheni dhe nuk do të bëheni palë në akte që provojnë mbështetjen ndaj projekteve korruptive, që cënojnë interesin publik.

Ne, vazhdimisht, jemi angazhuar që të bëjmë publike këtë skemë dhe të mbrojmë ekonominë shqiptare nga pasojat shumë negative që sjell një aktivitet i tillë, përfshirë, por pa u kufizuar në shkatërrimin e konkurencës së ndershme, fuqizimin e grupeve kriminale, kapjen e shtetit, në përgjithësi, me pasoja të pariparueshme në reputacionin e vendit dhe, për rrjedhojë, reduktimin e investimeve të huaja.

PD ka një projekt të qartë dhe me masa drastike e konkrete për të luftuar këto fenomene dhe për të vënë përpara përgjegjësisë personat e përshirë në to. Të tilla janë, por pa u kufizuar vetëm në to, ngritja e strukturave që do të verifikojnë plotësimin e kushteve nga operatorët ekonomikë privatë që kanë përfituar leje ndërtimi apo kontrata publike, mundësitë financiare që këta operatorë kanë pasur duke i krahasuar me kostot reale të investimeve të kryera dhe çmimet e shitjes së produkteve e shërbimeve të tyre, gjurmimin e financimeve të tyre etj. Të gjitha këto masa do të shoqërohen, gjithashtu, me veprime të tjera nga ana e organeve tatimore/ligjzbatuese, të tilla si revokimin e lejeve apo përfundimin e kontratave të dhëna në mashtrim me ligjin apo në kundërshtim me të, kalimin në favor të shtetit të gjithë pasurisë së fituar nëpërmjet apo të përfshirë në të tilla aktivitete etj.

Ne jemi të bindur ndërkohë që edhe ju jeni po kaq të shqetësuar dhe po kaq të interesuar që të bëni të mundur që paratë e qytetarëve shqiptarë, të depozituara në bankën tuaj, të përdoren vetëm për të financuar biznese të ndershme dhe të rregullta, si dhe të vendosni barriera për të gjithë bizneset që dyshohen se janë përfshirë në aktivitete të paligjshme. Të gjithë bashkë duhet të ndalojmë që subjekte të tilla, të mos e përdorin bankën si infrastrukturë për pastrimin e produkteve që rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm.

Financimi i të tilla projekteve, të cilat qartësisht kanë si qëllim pastrimin e parave të trafiqeve dhe korrupsionit, jo vetëm që s’duhet të lejohet, por do të përbënte dhe kriminalizimin e atij personi a institucioni që ka bashkëpunuar në këtë drejtim. Prandaj ne presim që banka juaj të aplikojë procesin e “vigjilencës së zgjeruar” në çdo transaksion ku përfshihen subjekte që janë angazhuar në aktivitetet e sipërcituara, veçanërisht, duke pasur parasysh indiciet që janë publike jo vetëm nga PD, por edhe nga raportet e institucioneve të specializuara ndërkombëtare.

Ne vlerësojmë se ju jeni një aktor shumë i rëndësishëm në ndalimin e fenomeve të tilla, ndaj, mirëpresim çdo propozim që mund të na jepni për t’u bërë pjesë e programit për luftën ndaj pastrimit të parave dhe korrupsionit. Siç e keni vënë re, kjo letër i është drejtuar edhe Bankës së Shqipërisë, sepse ne besojmë se institucionet rregullatorë duhet të kenë gjithashtu një rol aktiv në garantimin e integritetit dhe reputacionit të sistemit bankar, pavarësisht presioneve nga degët e tjera të pushtetit. Në fund, më lejoni t’ju shpreh angazhimin tonë, që, me të njëjtën forcë që do të godasim dhe luftojmë fenomenet negative dhe personat e përfshirë në to, me të njëjtën forcë dhe vullnet do të mbështesim të gjithë ata operatorë dhe subjekte që besojnë në konkurrencën dhe tregun e ndershëm, si dhe punojnë në përputhje me ligjet e vendit dhe praktikat e gjithëpranuara ndërkombëtare. Ne mirëpresim,  gjithashtu, çdo propozim që do të ndihmonte në krijimin e një ambienti më të mirë në sektorin bankar në funksion të kreditimit të ekonomisë reale dhe jo asaj të mbështetur në paratë e krimit dhe të korrupsionit. Me besimin se ndajmë qëndrim të përbashkët dhe do të gjejmë mirëkuptimin tuaj në këtë betejë ndaj fenomenit të pastrimit të parave dhe korrupsionit, ju lutem pranoni përshëndetjet e mia më të përzemërta.

Me respekt,

KRYETARI

LULZIM BASHA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY