Kolegu i babait të dy fëmijëve, 44-vjeçarit Artan Hoxha që u vra mëngjesin e djeshëm në punë, në një pikë karburanti, në Qafë Gjashtë të Sarandës, dëshmitar në vrasje tregon momentet e grabitjes dhe arsyet pse personi i maskuar qëlloi mbi Artanin. Ai thotë Artani bashkë me Mandin, kamerieri ishin të ulur te tavolina në mjediset e jashtme të lokalit.
Dëshmitari 34 vjeçar Arbër Katiraj tregon se Artani u qëllua vetëm pse lëvizi nga vendi.
“Ndodhesha në zyrë në momentin kur erdhi një person me motor të kuq dhe dëgjova që tha: Kjo është grabitje. Lekët, lekët! Kamarieri Mandi dhe Artani ishin bashkë të ulur tek tavolina jashtë. Mandi, kamarieri u ngrit i pari dhe i tha nuk kam lekë me vete dhe iku me shpejtësi brenda. Në atë kohë Artani lëvizi, personi me skafandër në kokë nuk foli por qëlloi mbi të me armë dhe u fut me shpejtësi në lokal. Atje kamarieri i hodhi lekët që kishte në tokë. Hajduti i mblodhi ato në tokë dhe u largua. Hajduti nuk dinte që isha edhe unë brenda në zyrë, se ndoshta edhe mbi mua do kish qëlluar”.
Mësohet se 44-vjeçari Artan Hoxha, ishte punësuar prej disa kohësh në karburantin ku la frymën e fundit, ndërkohë që vëllai i tij kishte marrë me qira një lavazh në të njëjtin vend. Viktima ishte prind i dy fëmijëve, një djali 21-vjeçar dhe një vajze. Gjendja ekonomike e familjes së tij ishte e vështirë, këtë vështirësi dyfishonte sëmundja e rëndë e vajzës së tij.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/