FOTO/200 VIP-at e vitit 2018 dhe koncesionarët e rinj

FOTO/200 VIP-at e vitit 2018 dhe koncesionarët e rinj

170
0
Shares

Risk pothuajse zero, fitim i garantuar, ndoshta dhe dyshifror, për më shumë se një dekadë. Tingëllon si ideale, por në vendin më të varfër të Europës, me konsum minimal, produktivitet të ulët, paradoksalisht mund ta gjesh. Kuptohet, ky biznes nuk është i disponueshëm për shumëkënd, por për një pakicë që arrin të garantojë një kontratë koncesionare (shumica, në mos të gjitha, “të pakërkuara”) të formës së Partneritetit Publik- Privat (PPP) me shtetin.

Risia e vetme që arritëm të gjenim në renditjen e 200 kompanive më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor për vitin 2018, një publikim që “Monitor” e bën rregullisht prej 16 vitesh, ishte hyrja e tre kompanive të reja koncesionare, “Gjoka 87”, “Albania Highway Concession” dhe “Sani Service”, me dy të fundit që raportuan norma të larta fitimi dyshifrore. Dhe ky është vetëm fillimi. Numri i kompanive koncesionare pritet të shtohet, teksa në 15 vitet e ardhshme (2019-2032), qeveria është angazhuar në projekte PPP, për të cilat do të duhet të paguajë në total 2 miliardë euro, të cilat do të vijnë nga paratë, që mbledh nga taksapaguesit.

Shteti do të garantojë në 15 vitet e ardhshme një biznes mesatar vjetor prej rreth 133 milionë eurosh, ndërsa në kahun tjetër mungon një analizë e qartë kosto-përfitime dhe ndarje rreziku, nëse zgjedhja për t’i dhënë shumë shërbime me koncesion ka qenë alternativa më e mirë. Përvoja po tregon se në shumë raste, kostot kanë rezultuar të fryra dhe vazhdojnë të rriten pa kontroll (si te Milot-Balldren), apo se kompanitë po i gëzohen një fitimi të sigurt, madje me një normë përfitueshmërie që shumë ua kanë zili, pa marrë përsipër asnjë rrezik (si në rastin e koncesioneve në mjekësi).

Përveç koncesioneve, panorama duket e njëjtë prej vitesh. Në renditjen e më të mëdhenjve mbizotërojnë sipërmarrjet tregtuese, që kanalizojnë importet pranë konsumatorit lokal. Ato vetëm faturojnë e rrisin artificialisht xhiron e ekonomisë dhe kanë një normë fitimi tepër të ulët, ndërsa përpunuesit po zhvendosen gjithnjë e më shumë drejt fundit të listës. Ndryshe nga rajoni, ku kryesojnë kompanitë prodhuese, kryesisht mbështetëse të industrisë automotive dhe po zhvillohet teknologjia e informacionit,

Shqipëria nuk po njeh hyrje të tilla në listën e më të mëdhenjve. Specialen e një viti më parë e titulluam “Në kurthin e ndërtimit”, teksa numri i subjekteve nga ky sektor në listë arriti në një nivel rekord, për shkak të hyrjeve të reja (40% e totalit), rritjes së kompanive ekzistuese dhe orientimit të kapitaleve të lira, kryesisht në segmentin rezidencial. Por, në një sinjal se ndërtimi nuk mund të garantojë rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë, kompanitë e sektorit rezidencial që hynë në listë vitin e kaluar, duket se kanë rënë shumë shpejt në këtë “kurth”, pasi në vitin 2018, ato kanë rezultuar me stanjacion, apo dhe rënie. E pritshme kjo, pasi një biznes nuk mund të bazohet pa fund në një kërkesë që nuk vjen natyrshëm!

200 kompanitë më të mëdha qarkulluan në vitin 2018 rreth 8.4 miliardë euro, ose rreth 65% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në raport me një vit më parë, qarkullimi i 200 VIP-ave është rritur me 9.2%. Por më shumë se një zgjerim të aktivitetit ekonomik në përgjithësi, kjo tendencë lidhet me rritjen e aktivitetit të nënkontraktorëve të TAP, që ishte në kulmin e ndërtimit, performancën e mirë të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, të ndikuar nga moti me reshje dhe shtimin e xhiros së tregtuesve të naftës, të lidhur me koniunkturën e çmimeve të karburanteve. Në fuqizim janë dhe dy grupet më të mëdha në vend “Kastrati” dhe “Balfin”, që duket se kanë krijuar ekonominë e nevojshme të shkallës, për t’u rritur në një mjedis me konsum relativisht të dobët.

Përkundrejt rritjes së të mëdhenjve, kufiri i qarkullimit vjetor i subjekteve që kanë hyrë tek 200 më të mëdhenjtë, ishte pak më i ulët se i një viti më parë, pra në renditje kanë hyrë biznese që kishin të ardhura më të ulëta se në 2017. (Sipërmarrja e klasifikuar në vendin e 200, vjet kishte 1.6 miliardë lekë të ardhura, nga 1.5 miliardë lekë, që ishte kufiri këtë vit).

Që rritja nuk ishte e qëndrueshme u konfirmua në gjysmën e parë të 2019-s, kur zgjerimi ekonomik u përgjysmua nga 4% në rreth 2%, pas përfundimit të efektit “reshje”, që uli eksportet e energjisë!

Gazsjellësi TAP ka dhënë ndikim të dukshëm në rritjen e xhiros së ekonomisë edhe në 2018-n, por efekti i tij po mbaron, teksa në vitin 2019 projekti po shkon drejt fundit. Përfundimi i TAP do të ndërpresë një nga burimet më të mëdha të rritjes ekonomike, që siç kanë paralajmëruar edhe institucionet ndërkombëtare, duhet zëvendësuar me sektorë me vlerë të shtuar të lartë. Katër kompanitë e lidhura direkt me punimet për ndërtimin e TAP (“Spiecapag–Shqipëria”, “Spiecapag Transadriatica”, “Joint Venture Renco Terna”, “Bessac”) qarkulluan së bashku rreth 73 miliardë lekë në 2018-n, me një rritje prej 47% me bazë vjetore, duke përbërë rreth 7% të totalit të qarkulluar nga 200 VIP-at, ose rreth 4.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Vlera e shtuar e këtyre katër kompanive ishte sa 1.4% e PBB-së në vitin 2018.

2018-a ishte viti i fundit i aktivitetit të lojërave të fatit, pas vendimit të qeverisë për mbylljen e tyre. Likuiditetet e tyre po orientohen drejt ndërtimit.

“Monitor” ka hartuar si çdo vit renditjen e 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend, sipas të ardhurave, bazuar në listën me emra nga Tatimet dhe xhirove të deklaruara nga subjektet në bilancet e dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Në numër mbizotërojnë subjektet me aktivitet në fushën e tregtisë, të ndjekura nga ndërtimi, financa, nafta, industria përpunuese (shih grafikun).

10 MË TË MËDHENJTË

1.“Kastrati sh.a.”

Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë në vend, “Kastrati SH.A”. është renditur më e madhja në vend, sipas qarkullimit vjetor, në 2018, duke zbritur nga froni Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, që prej vitesh kryesonte listën “MONITOR 200” të më të mëdhenjve të Biznesit në Shqipëri.

Ndryshe nga tre vitet e kaluara, kur të ardhurat ishin në rënie të lehtë, ato kanë kërcyer ndjeshëm në vitin 2018. Kompania raportoi 61.7 miliardë lekë qarkullim vjetor (rreth 480 milionë euro), me një rritje të fortë prej 42% në raport me vitin e kaluar, sipas të dhënave nga bilanci i saj.

Luigj Aliaj, drejtues në këtë shoqëri, si gjithnjë nuk është shumë entuziast lidhur me luhatjet e të ardhurave. Ai shton se xhiro në kompanitë e tregtimit të karburanteve nuk është shumë e rëndësishme, pasi është e varur nga çmimet e naftës. Mosfunksionimi i kompanisë prodhuese vendase ARMO, që ka kapacitete për të mbuluar 30% të kërkesës, është një tjetër arsye që ka ndikuar në rritjen e aktivitetit të “Kastratit”. Në raport me të ardhurat, fitimet mbeten minimale, në 1.7 miliardë lekë para taksave, me një normë përfitueshmërie prej 2.4% (rënie 0.3 pikë përqindje në raport me normën e vitit të kaluar).

2.Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka kaluar në sipërmarrjen e dytë më të madhe në vend për qarkullimin vjetor. Të ardhurat totale në vitin 2018 ishin 56.6 miliardë lekë (rreth 440 milionë euro), me një rënie prej 6.3% me bazë vjetore.

2018-a ishte viti i fundit i mbizotërimit të operatorit të shpërndarjes, pasi ai është ndarë tashmë në tri kompani bija të shpërndarjes, furnizimit dhe shërbimit, si një detyrim ligjor, në bazë të paketës së energjisë, por synon edhe një menaxhim më të mirë.

“Gjatë 2018-s shoqëria arriti të rikuperojë situatën e vështirë financiare, shkaktuar nga thatësira e vitit 2017, e cila detyroi OSHEE të realizojë një plan më të reduktuar investimesh krahasuar me biznes-planin 5-vjeçar”, thotë administratori i OSHEE, z. Ardian Çela.

 3.“Banka Kombëtare Tregtare”

“Banka Kombëtare Tregtare” (BKT), që prej disa vitesh, është banka më e madhe në vend në të gjitha drejtimet, asetet, kredinë, depozitat dhe të ardhurat, ka vijuar të ruajë pozicionin e saj në 10 më të mëdhenjtë. Qarkullimi i saj vjetor, sipas burimeve zyrtare nga banka, ishte rreth 46.2 miliardë lekë, me një rritje prej 2% në raport me vitin e mëparshëm. Të dhënat janë të konsoliduara, së bashku me degën e Kosovës, ndërsa nga 1 janari 2019, dy filialet operojnë të ndara. Seyhan Pencapligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i “Bankës Kombëtare Tregtare” (BKT) është shprehur optimist në një intervistë të mëparshme për “Monitor”, se banka e mbylli vitin 2018 me një fitim rekord, ndërsa treguesit financiarë vazhduan të përmirësohen.

4.“Spiecapag – Shqipëria”

“Spiecapag-Shqipëria”, me seli qendrore në Francë, ka fituar kontratën për projektet inxhinierike, prokurimin dhe ndërtimin e një loti prej 185 km në Greqi, midis Kipoi dhe Kavala, si dhe dy lote në Shqipëri (215 km në total), nga Bilishti në Topojë, në kuadër të gazsjellësit TAP. Në Shqipëri ka dy kompani, “SPIECAPAG – Shqipëria” dhe “SPIECAPAG Transadriatica”, të krijuara në vitin 2016. Ndërtimi i tubacioneve në terrene të vështira, me profile sfiduese dhe me afate të përcaktuara, janë fusha të ekspertizës së Spiecapag.

“SPIECAPAG – Shqipëria” ka ruajtur pozicionin e katërt në 2018-n, duke arritur një qarkullim vjetor prej 34 miliardë lekësh, me rritje 17.5% me bazë vjetore, pas zgjerimit me rreth 80% vitin e mëparshëm. Aktiviteti i saj në Shqipëri pritet të shkojë drejt fundit, teksa punimet për ndërtimin e TAP në Shqipëri thuajse kanë përfunduar.

Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, pohon se “për sa i përket ecurisë së punimeve në Shqipëri, thuajse i gjithë tubacioni është futur nën tokë. Rreth 95% e punimeve për pjesën tokësore në Shqipëri kanë përfunduar, përfshirë tubacionin në vetvete, stacionet e valvulave të bllokimit, stacionin matës dhe atë të kompresorëve, rikthimin në gjendje fillestare, daljen nga toka, etj. Këtu përfshihet edhe pjesa e punimeve për seksionin detar në ujërat shqiptare”.

5.“Bankers Petroleum”

“Bankers Petroleum”, prodhuesi kryesor i naftës, që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, Patos Marinzën, ka ruajtur vendin e pestë, me një zgjerim prej rreth 18%, në rreth 28 miliardë lekë. Përmirësimi i koniunkturës së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar pozitivisht për “Bankers” për të dytin vit radhazi, që vijon gjithsesi të deklarojë humbje. Presidenti i “Bankers Petroleum Albania”, Xingyun Sun, pohon se në vitin 2018, prodhimi i naftës ishte 792,000 tonë dhe shpenzimet e përgjithshme të “Bankers Petroleum Albania” rreth 195 milionë dollarë.  Prej dy vitesh “Bankers” është nën kontrollin e kinezëve të “Geo-Jade Petroleum Corporation” (“Geo-Jade”), e cila bleu në shtator të 2016-s të gjitha aksionet e zakonshme të emetuara dhe në qarkullim të “Bankers Petroleum Ltd.”.

6.“Kurum Albania”

“Kurum Albania”, në vitin e tretë të ristrukturimit për efekt falimenti, ka vijuar aktivitetin me rritje. Të ardhurat e prodhuesit dhe përpunuesit të çelikut arritën në rreth 26 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 30%, që vjen pas rritjes prej 44% vitin e mëparshëm. Kompania dyfishoi fitimet në 692 milionë lekë.

Më 16 mars 2016, kompania u fut në një proces “falimenti të kontrolluar” në Gjykatën e Tiranës dhe më pas, më 15 prill, u hap procedura e falimentit për efekt ristrukturimi. Kompania parashikoi që në të ardhmen e afërt, do të kishte pamundësi për të paguar detyrimet afatshkurtra, ndaj u vendos që të kërkonte falimentimin për efekt ristrukturimi. Në 2016-n u bë verifikimi i gjendjeve financiare dhe i pretendimeve të kreditorëve, që rezultoi rreth 226 milionë euro, u negociua me kreditorët dhe në mes të vitit 2017 u miratua plani i organizimit të kompanisë që parashikonte kthimin e detyrimit dhe interesave deri në vitin 2023 dhe u ristrukturuan kreditë.

Ky është rasti i parë në Shqipëri që ristrukturimi për efekt falimenti përfundon me sukses. Nga rezultati i shfaqur në 2018, kompania tashmë aktive si në fushën e prodhimit të energjisë, ashtu edhe në atë të prodhimit të çelikut, duket e vendosur jo keq në rrugën e kthimit në përfitueshmërinë që e ka karakterizuar prej shumë vitesh aktiviteti në vend.

Arif Shkalla, drejtor i financës i “Kurum”, pohon se edhe gjatë vitit 2018, Shoqëria vijoi me planin e miratuar të Ristrukturimit, duke përmbushur kushtet e tij, në zbatim të Vendimit të Gjykatës, datë 30.6.2017. “Gjatë këtij viti janë paguar kreditorët sipas parashikimeve në plan, duke filluar edhe pagesat e principaleve për të dyja grupet e kreditorëve, qoftë për kreditorët e siguruar, ashtu dhe për ata të pasiguruar. Sipas vlerësimeve të bëra, në total janë shlyer rreth 13 milionë euro në principale dhe rreth 3.5 milionë euro interesa ndaj kreditorëve”.

7.SPIECAPAG Transadriatica

Sipërmarrja tjetër, “SPIECAPAG Transadriatica”, që ka si objektiv aktivitetin e ndërtimit të linjës furnizuese të gazsjellësit TAP, ka hyrë në 10 më të mëdhatë (vitin e kaluar ishte e 11). Të ardhurat e kompanisë u rritën me 44%, në 24.6 miliardë lekë.

Edhe dy kompani të tjera tek 200 më të mëdhatë janë të lidhura direkt me aktivitetin e TAP. “Joint Venture Renco Terna – dega e Shqipërisë”, kryen punime infrastrukturore për TAP dhe ka parë pothuajse katërfishim të të ardhurave në vitin 2018, për të arritur në 12 miliardë lekë (vendi i 18-të).

“Bessac” është një sipërmarrje e re, e krijuar në korrik të vitit 2017, si degë e shoqërisë së huaj franceze me të njëjtin emër, e specializuar në hapjen e mikrotuneleve dhe ka fituar kontratën me TAP për ndërtimin e mikrotunelit të Çorovodës, ku po punon me shoqërinë tjetër franceze, Spiecapag. Në vitin e parë të aktivitetit raportoi 2.6 miliardë lekë të ardhura.

8.“Genklaudis”

“Genklaudis SH.A” është renditur në vitin 2018 si operatori i dytë më i madh i naftës në vend, duke ia kaluar sërish konkurrentit tjetër në të njëjtën fushë “Europetrol Durrës Albania”. Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 22.8 miliardë lekësh, me një rritje 10% me bazë vjetore, ndërsa ka rezultuar me fitime minimale (normë 0.6%).

9.Korporata Elektroenergjetike Shqiptare

Prodhuesi shtetëror i energjisë kishte një aktivitet pozitiv në vitin 2018, i ndihmuar nga moti me reshje. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), rriti të ardhurat me 4%, në 18.2 miliardë lekë (përfshirë të ardhurat financiare). “Aktiviteti i shoqërisë KESH sh.a., për vitin 2018, u karakterizua nga zhvillime pozitive në pjesën më të madhe të vitit, nga ku si rezultat i kushteve të favorshme klimatike në pjesën e parë të vitit, u arrit që në fund të 2018, të prodhoheshin 5,851 GWh, ose 68.4% të prodhimit vendas, apo rreth 76% e konsumit”, pohon z. Benet Beci, administratori i shoqërisë.

10.Europetrol Durrës Albania

“Europetrol Durrës Albania” ka zbritur në operatorin e tretë të tregtimit të naftës në vend dhe është prej disa vitesh ndër 10 më të mëdhenjtë. Ndryshe nga sipërmarrjet e tjera të karburanteve, që u rritën ndjeshëm në 2018, Europetrol raportoi rënie me 20% të të ardhurave, në 17.3 miliardë lekë.

KONCESIONARËT E RINJ

Tri shoqëri të reja koncesionare kanë hyrë në listën e më të mëdhenjve në vitin 2018, duke reflektuar valën e re të projekteve të Partneritetit Publik-Privat, ku po angazhohet qeveria shqiptare.

“GJOKA 87”, e krijuar në prill 2018, në pronësi të “Gjoka Konstruksion”, që po ndërton me koncesion Rrugën e Arbrit, ka raportuar 5.8 miliardë lekë të ardhura, sipas të dhënave nga Tatimet, teksa bilanci zyrtar nuk është dorëzuar ende, duke u renditur në vend të 47 ndër 200 më të mëdhenjtë.

Kompania po zbaton kontratën koncensionare/PPP “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”. Rruga e Arbrit ka nisur punimet në qershor të vitit 2018, pasi fitoi garën me një vlerë 33.6 miliardë lekë (pas bonusit me ofertën e pakërkuar), shumë që pritet ta marrë gradualisht deri në vitin 2030.

“Albanian Highway Concession” ka fituar koncesionin për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës Milot – Morinë, me afat 30 vjet, e miratuar në vitin 2016, por zbatimi i saj filloi vetëm në shtator të 2018-s. Ajo është një konsorcium mes dy sipërmarrjeve të mëdha, “Kastrati” dhe “Salillari” (me nga 50% secila). Ndonëse koncesionari do t’i marrë pjesën më të madhe të të ardhurave nga tarifat e kalimit prej 5 eurosh për autoveturë dhe 22 euro për kamion, buxheti parashikon t’i paguajë nga fondet e taksapaguesve edhe 12.4 miliardë lekë për periudhën 2019-2032, si kompensim për trafikun e munguar.

Në 2018, kompania raportoi të ardhura prej 2.8 miliardë lekësh, duke u renditur në vend të 90. Sipas të dhënave nga bilanci, 46% e qarkullimit vjetor ishte nga zbatimi i së drejtës koncesionare, ndërsa 41% ishin “Të ardhura nga kontratat e ndërtimit”, që janë pagesa nga buxheti. Kompania raportoi fitime të larta prej 908 milionë lekë para taksave, me një normë prej 32%. Burime nga kompania pohuan se norma e lartë e fitimit shpjegohet me faktin se në fazën e parë të projektit nuk pritet të ketë shpenzime të mëdha, pasi kryesisht ka mirëmbajtje, por po gjenerohet likuiditet pasi kostot  pritet të rriten ndjeshëm më vonë, teksa 18-20 vitesh, asfalti do të duhet të ndërrohet tërësisht.

“Sani Service” fitoi në vitin 2015, koncesionin për “Ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, për një afat 10-vjeçar. Deri në vitin 2025, buxheti duhet t’i paguajë kompanisë edhe 12.3 miliardë lekë, sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave. Në vitin 2018, kompania dyfishoi të ardhurat në 1.73 miliardë lekë.

Pagesat që mori subjekti në 2018 ishin rreth 1 milion euro, apo 8% më shumë sesa planifikimi i buxhetit për faturën vjetore që i duhej paguar këtij koncesioni. Sipas tabelave zyrtare të listës së koncesioneve /PPP me mbështetje buxhetore, pagesa e planifikuar ishte 1.6 miliardë lekë. Kjo bëri që Ministria e Shëndetësisë të kufizonte ndërhyrjet kirurgjikale në spitalet shtetërore dhe të shtynte operacionet për pacientët. “Sani Service” katërfishoi fitimet në 265 milionë lekë, me një normë prej 15% (para taksave). Për çdo operacion që ofrohet në sallat shqiptare të operacionit, “Sani Service” paguhet 37,700 lekë për ndërhyrjet me intensitet të lartë, 22,300 lekë për ndërhyrjet me intensitet të mesëm, 13,900 lekë për ndërhyrjet me intensitet të ulët.

Koncesionari tjetër në shëndetësi, “3P Life Logistic” merr rreth 876 milionë lekë pagesa për shërbimet që kryen. Kompania ka fituar koncesionin e Ofrimit të Shërbimit të Kontrollit Bazë (Check-Up), e cila është nënshkruar në vitin 2015 dhe afati i saj është 10 vjet. Vlera totale e saj ishte 8.7 miliardë lekë dhe deri në përfundim të saj, në vitin 2024, buxheti pritet të disbursojë edhe 5.2 miliardë lekë.

Kompania tjetër “DiaVita”, e cila ofron shërbimin e dializës nëpërmjet një koncesioni, raportoi në vitin 2018 643 milionë lekë të ardhura, të cilat janë financime nga buxheti i shtetit për shërbimin e dializës që kompania ofron prej dy vitesh në disa qytete të vendit. Sipas kontratës me qeverinë, “DiaVita” do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan. Buxheti ka për t’i paguar kompanisë edhe 5.4 miliardë lekë deri në vitin 2025.

Pas dy vitesh pezull, në prill të këtij viti, qeveria miratoi kontratën koncesionare “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës”. Koncesioni i laboratorëve ishte fituar në prill 2017 nga konsorciumi i tre kompanive; “Labopharma sh.p.k” me 41.7%, “Exalab France” me 25% dhe “AB Laboratory Solution BV”, një kompani guaskë e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium. Për këtë koncesion do të paguhet 8.7 miliardë lekë për 10 vjet.

Nga koncesionet e tjera të reja, “Integrated Technology Services”, që po zbaton projektet e inceneratorëve, raportoi të ardhura prej rreth 1.3 miliardë lekësh, me një rënie të lehtë me bazë vjetore, duke mos e kaluar pragun për të hyrë mes 200 të mëdhenjve. Për të tre inceneratorët, atij të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, buxheti pritet të paguajë edhe 46 miliardë lekë deri në 2046. Projekti më afatgjatë është inceneratori i Tiranës, që është i shtrirë deri në vitin 2046 dhe do të marrë pagesa nga buxheti në total prej gati 40 miliardë lekësh (314 milionë euro) për periudhën 2019-2046.

Biznesi i qëndrueshëm i koncesioneve “të vjetra”

Dy koncesionarët më të mëdhenj janë “Bankers Petroleum” (për nxjerrje nafte) dhe “Albchrome” (për nxjerrje kromi), me të ardhura përkatësisht 28.2 dhe 11.2 miliardë lekë.

“Tirana International Airport” (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, ka deklaruar të ardhura prej 6.4 miliardë lekësh, me një zgjerim vjetor prej 7%, teksa fluksi i pasagjerëve që udhëtojnë nëpërmjet Rinasit po rritet vit pas viti. Norma e fitimit të TIA ishte rreth 49% në 2018-n, duke arritur një nivel rekord.

“ALEAT”, që ka me koncesion prodhimin e dokumenteve të shqiptarëve, ka deklaruar rënie të të ardhurave për të tretin vit radhazi, me 3% në 2.2 miliardë lekë. “S2 Albania”, që zbaton marrëveshjen e koncesionit të skanimit, që u kundërshtua nga bizneset, ka raportuar të ardhura prej 1.5 miliardë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm, duke hyrë sërish në listën e më të mëdhenjve, për shkak të uljes së kufirit të qarkullimit vjetor të 200 më të mëdhenjve.

“SGS Albania”, që ofron shërbimin e kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore, raportoi të ardhura prej 944 milionë lekësh, me rritje prej 5% me bazë vjetore. Për shkak të qarkullimit të ulët nuk renditet te 200 më të mëdhenjtë. Norma e fitimit të koncesionarit ishte 27%, nga 23.5% një vit më parë.

KONSOLIDOHET SEGMENTI I NAFTËS

Importet e karburanteve u rritën sërish në 2018-n, me 25%, pas rënies së tyre me 21%, pasi prodhimi vendas kishte fituar terren. Në vitin 2018, problemet që kishte kompania prodhuese ARMO ndikuan në ofertën në vend, duke lënë më shumë terren për importuesit.

Tre sipërmarrje në fushën e tregtimit me shumicë të hidrokarbureve renditen ndër 10 më të mëdhenjtë në vitin 2018. Në ndryshim nga viti i kaluar, kur ishin 4 subjekte, ka dalë nga 10 më të mëdhenjtë “Eroil” (ky i fundit hyri për herë të parë në dhjetëshe në vitin 2017, pas trefishimit të aktivitetit). Në 2018-n, Eroil pa një rënie të ardhurash me 16%, duke zbritur në vendin e 13.

“Kastrati” është pozicionuar prej vitesh si operatori më i madh në tregtimin e naftës dhe po fiton terren çdo vit e më shumë. Në 2018-n, për shkak të rritjes së fortë, “Kastrati” ka një qarkullim tre herë më të lartë se konkurrenti i dytë në listë, “Genklaudis”. Pas tyre vjen “Europetrol Durrës Albania”. Subjektet e tjera kanë luhatje të mëdha vit pas viti, ndonëse dy vitet e fundit, tregu duket më i stabilizuar, pa hyrje-dalje të mëdha dhe po përqendrohet në një grusht kompanish.

“Tosk Energy”, që tregton kryesisht naftën e përpunuar nga ARMO, ka vijuar rritjen e fortë në vitin 2018, duke dyfishuar të ardhurat në 10 miliardë lekë. Në qershor të vitit 2016, Tosk Energy e bleu CFD Conseils Sarl, një shoqëri e së drejtës zvicerane, e përfaqësuar nga z. Christophe Darbord, i cili është administrator i ARMO-s.

“Bolv Oil” deklaroi rënie të ardhurash me 14%, në 8 miliardë lekë.

“Gega Center GKG” u rrit me 22%, teksa deklaroi të ardhura prej 4.6 miliardë lekësh. Edhe kompania tjetër e grupit, “Gega Oil” shënoi rritje të ndjeshme me 41% të të ardhurave, në 3.5 miliardë lekë, duke shënuar të dytin vit radhazi me zgjerim të fortë.

“RDA Petrol” rriti të hyrat me 46%, në 4.4 miliardë lekë, për të dytin vit radhazi, me zgjerim të fortë.

“Tenet”, me aktivitet në transportin dhe tregtimin me shumicë të naftës e gazit, e krijuar në fillim të 2017-s, raporti 3.3 miliardë lekë të ardhura në vitin e dytë të aktivitetit, me një rritje të fortë prej 74%. Kompania është 50% në pronësi të “Kastrati”.

“2 A & 2 E” dhe “Ex Fis” panë rënie të të ardhurave përkatësisht me 8 dhe 14%. Në rënie të fortë ishte dhe “AFT Petroleum” me -37%.

“Enkein-Oil”, i krijuar në vitin 2016, është një hyrje e re në fushën e tregtimit me shumicë të hidrokarbureve, që është rritur me ritme dyshifrore në 2017-2018.

“Everest Oil”, në aktivitetin e tregtimit me shumicë të karburanteve, ka hyrë sërish në listë, pasi ka katërfishuar të ardhurat në 2 miliardë lekë.

“Al.Global Oil”, që bleu rafinerinë e bitumit të ARMO-s mbi dy vjet më parë, ka raportuar të ardhura prej 1.6 miliardë lekësh, në vitin e parë të plotë të aktivitetit.

Nga lista këtë vit kanë dalë “Zico Sha” dhe “Krasniqi”. Në 2017-n dolën nga më të mëdhenjtë “Klodi SH.A” dhe “A.K.F. Petroleum”.

Të gjithë operatorët e tregtimit të karburanteve (pa përfshirë prodhuesin “Bankers Petroleum”), qarkulluan 187 miliardë lekë, rreth 1.5 miliardë euro (rritje 18% me bazë vjetore), ose gati 17% të xhiros së 200 VIP-ave. Në një pjesë të madhe, xhiro e kompanive rritet fiktivisht, duke kaluar nga një subjekt në tjetrin, për pasojë të tregtimit me dy nivele (me shumicë e me pakicë) në mënyrën se si është i strukturuar tregu në Shqipëri sot.

TELEKOMUNIKACIONET NË STANJACION

Në vitin e parë, pasi sipërmarrësi me kapital vendas “Plus Communication” doli nga tregu, tre operatorët e tjerë janë përpjekur më shumë “të përfitojnë” nga ikja e më të voglit se sa të rrisin tregun. Vitet e fundit, tregu i telefonisë celulare po riformatohet me shpejtësi, në linjë me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë dhe internetit. Ai po orientohet drejt datave, broadband, teknologjive të reja dhe shërbimeve nëpërmjet celularit dhe internetit, duke përfshirë shërbimet financiare dhe bankare, si dhe transportin.

Interneti e ka bërë komunikimin më të lirë, duke ndikuar në uljen e ndjeshme të trafikut ndërkombëtar, që është një nga burimet kryesore të të ardhurave të kompanive. Sipas të dhënave nga bilancet, të ardhurat e tre operatorëve ekzistues, “Vodafone”, “Telekom Albania” dhe “Albtelecom” ishin 33.2 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej 2.4%. Vitin e kaluar, të katër operatorët qarkulluan gati 35 miliardë lekë, çka nënkupton se tregu i telefonisë fikse dhe celulare ka rënë me rreth 5% me bazë vjetore.

“Plus Communication”, operatori i katërt i telefonisë celulare, një investim i sipërmarrësve shqiptarë, u tërhoq nga tregu në fund të 2017-s, tetë vjet pasi kishte filluar aktivitetin, duke lënë terren të lirë për operatorët e tjerë.

Operatorë fitimprurës po dalin prej disa vitesh me humbje të mëdha (“Telekom Albania”), “Albtelecom” vijon të jetë me humbje, ndonëse po reduktohen, ndërsa “Vodafone” iu rikthye fitimeve. Performanca e tyre është larg viteve të arta kur subjektet kishin një normë përfitueshmërie prej rreth 50%.

“Vodafone” mbetet më i madhi në tregun e telefonisë celulare dhe ka shënuar rritjen më të madhe në treg në vitin 2018. Të ardhurat u zgjeruan me 7.5%, në 16.3 miliardë. Kompania iu rikthye rezultatit pozitiv, duke raportuar fitime para taksave prej 1.7 miliardë lekësh, nga humbjet prej 790 milionë lekësh të vitit të mëparshëm.

“Telekom Albania”, operatori i dytë më i madh në treg, pa një rënie të të ardhurave (për të dytin vit radhazi) me 3.7% në 8.8 miliardë lekë. Në vitin 2017, sipas deklarimeve në bilanc, për herë të parë që kur nisi aktivitetin, “Telekom Albania”, dikur një prej më fitimprurësve në vend, deklaroi një humbje të thellë prej 4.8 miliardë lekësh. Në vitin 2018, humbjet u thelluan në 5.4 miliardë lekë. “Telekom Albania” shënoi një zhvillim të rëndësishëm në vitin 2018, teksa Grupi grek OTE – i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, “Deutsche Telecom” – dhe zotëronte 99.79% të aksioneve të “Telekom Albania”, e nxori atë në shitje. Në janar 2019 u njoftua se blerësi ishte sipërmarrja bullgare “Albania Telecom Invest AD”, për një shumë totale prej 50 milionë eurosh. “Albania Telecom Invest AD” kontrollohet nga z. Spas Roussev, aksioner kryesor i operatorit të telefonisë bullgare “Vivacom”, dhe nga z. Elvin Guri, një investitor shqiptaro-bullgar.

“Albtelecom”, me aktivitet në telefoninë fikse dhe celulare, raportoi të ardhura prej 8.1 miliardë lekësh, e pandryshuar nga një vit më parë, pas rënies në 2017-n. Kompania arriti të reduktojë humbjet nga 1.1 miliardë lekë, në 330 milionë lekë.

“Abcom”, një tjetër operator në telekomunikacione, me shërbimet e trefishta (telefoni, televizion, internet), ka përshpejtuar aktivitetin në 2018-n, duke rritur të ardhurat me 12% në 2 miliardë lekë. Sipas burimeve nga tregu, “Abcom” është në negociata për t’u shitur te “Vodafone”, por nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga asnjë nga palët.

Vitet e fundit po shënojnë rritje operatorët që veprojnë në tregun e telekomunikacioneve përmes shitjes së shërbimeve në tregjet e huaja, ose menaxhimin e faturimit të trafikut telefonik.

“Info Telecom” ka vijuar të ketë të ardhura të larta, që arritën në 14.6 miliardë lekë, duke shënuar për herë të parë një rënie të lehtë prej 2.2%, pas rritjes dyshifrore të viteve të kaluara. Sipas specifikimeve në bilancin zyrtar, 99% e të ardhurave të kompanisë janë nga eksportet e shërbimeve (dhe 99% të shpenzimeve janë importe) dhe vetëm 1% janë të ardhura nga shërbimet e komunikimeve elektronike nga Shqipëria.

“BWB”, e krijuar në vitin 2014-n, me aktivitet në instalimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e impianteve për rrjete telefonie fikse dhe mobile, si dhe menaxhimin e faturimit për trafikun telefonik brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka ulur të ardhurat me 10.8% në 7.5 miliardë lekë, pas katërfishimit të vitit të kaluar.

“Alpi-Com Holding” (blerja apo disponimi mbi pjesëmarrje në kapital në korporata/ telekomunikacion), raportoi të ardhura prej 1.9 miliardë lekësh në 2017-n, ndërsa në 2018 pothuajse ka dalë nga tregu, teksa kishte të ardhura minimale prej 23 milionë lekësh.

DISTRIBUTORËT, NË RRITJE NGA PËRMIRËSIMI I KONSUMIT

Distributorët, të përqendruar në segmentin FMCG (mallrat e konsumit që lëvizin shpejt nga raftet) që është mjaft i ndjeshëm ndaj prirjeve të konsumatorëve për të shpenzuar, kanë vijuar të kenë një vit pozitiv edhe për vitin 2018, ndonëse të mëdhenjtë panë një zgjerim minimal, duke u lënë terren më të vegjëlve. Konsumi final i popullatës, sipas të dhënave të INSTAT, u përshpejtua në 2.65% në vitin 2018, nga 2.25% vitin e mëparshëm.

Grupi AGNA, me dy kompanitë “AGNA” dhe “Alfa”, ka ruajtur pozicionin si distributori më i madh në vend. “AGNA” kishte një qarkullim vjetor prej 15 miliardë lekësh, me rritje vjetore prej 1.5%, duke u renditur e para. “Alfa” renditej në vend të katërt, me të ardhura 10.2 miliardë lekë (rritje 2.8%).

“Inter Distribution Service” (pjesë e grupit INFOSOFT), është operatori i dytë më i madh në tregun e distributorëve. Të ardhurat e kompanisë u rritën me rreth 1% në 13.8 miliardë lekë.

“Philip Morris Albania” është zgjeruar me rreth 1%, në 10.8 miliardë lekë, duke ruajtur vendin e tretë.

“Marketing & Distribution” është pozicionuar në distributorin e pestë më të madh në vend. Në vitin 2018 deklaroi të hyra prej 8.5 miliardë lekësh, me një rritje prej 5% me bazë vjetore, pas tre viteve radhazi me rënie.

Rritjen më të fortë e kanë raportuar dhe “Tobacco Holding Group” dhe “Interlogistic”, përkatësisht me 42% dhe 37.5%.

 

 

 

 

 

 

TREGTIA ME PAKICË

Elektroshtëpiaket

“Neptun” mbetet tregtuesi më i madh i produkteve elektroshtëpiake dhe elektronike në vend. Teksa konkurrenca në këtë segment është shtuar, në vitin 2018, të ardhurat e “Neptun” ranë me 4.4%, në 7.2 miliardë lekë.

“Globe Shops” ka ruajtur ritmet e larta të rritjes, duke u zgjeruar me ritme dyshifrore në 2018-n, me 16% në 2.2 miliardë lekë.

“AZA Elektroshtëpiake” raportoi të ardhura 1.75 miliardë lekë (5.3% rritje).

“ICT Trading”, një kompani e re e krijuar në janar 2018, kryesisht me tregtimin e produkteve kompjuterike, ka hyrë mes 200 të mëdhenjve, pasi ka raportuar të ardhura 1.9 miliardë lekë.

Tregu i veshjeve, ngadalësohen të mëdhenjtë

“LC Waikiki Retail AL” sh.p.k është pozicionuar në vitin 2018 si operatori më i madh i tregtimit të veshjeve në Shqipëri. I fokusuar në shitjen e veshjeve me çmime të lira, ai ka shënuar rritje të shpejtë vit pas viti, duke ia kaluar shumë lehtë, “ITX Albania”. Sipas deklarimeve në bilanc, qarkullimi i saj vjetor në 2018 ishte 3.3 miliardë lekë, me një rritje prej 8.1%. Gjithsesi, ritmet e rritjes kanë rënë, në krahasim me 42.5% që ishte zgjerimi një vit më parë. Hyrja e konkurrentëve të rinj në segmentin e veshjeve të lira duket se po e konkurron këtë operator.

“ITX ALBANIA”, që prej disa vitesh mbante kryesimin, është tashmë dyqani i dytë më i madh i veshjeve në Shqipëri. Kompania, në pronësi të grupit “Zara Holding B.V.”, kishte të ardhura rreth 3.3 miliardë lekë, me një zgjerim prej 7.6% në raport me vitin e mëparshëm. Ritmet e rritjes edhe te ky operator kanë rënë (ishin 19.5% një vit më parë).

“Kid Zone” (Jumbo) me aktivitet në tregtimin me pakicë (lodra, veshje për fëmijë, mjete kancelarie, rroba, dekorues dhe orendi të ndryshme shtëpiake) pa rritje të qarkullimit vjetor me 25%, në 2.1 miliardë lekë, duke vijuar me rritjen dyshifrore, ndryshe nga dy operatorët e mësipërm.

Zinxhiri i supermarketeve po u merr tregun të vegjëlve

Tregtia me pakicë po riformatohet vitet e fundit, teksa zinxhirët e supermarketeve po zgjerohen, duke marrë nga tregu i dyqaneve të vogla, që po mbyllen për shkak të rritjes së konkurrencës dhe konsumit të dobët. Aktiviteti i tregtisë po orientohet drejt zinxhirëve të mëdhenj si rrjetet e supermarketeve apo qendrat tregtare, që po njohin zgjerim dyshifror. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2018 u mbyllën 2,627 subjekte tregtare mikro me 1-4 punonjës (gjysma e bizneseve të mbyllur në 2018-n) dhe u hapën gati 400 të tjera, që kishin më shumë se 5 punonjës. 26 prej tyre ishin të mëdha, me më shumë se 50 punonjës.

“Big Market” është rrjeti më i madh i supermarketeve në vend, por nuk figuron në listën e më të mëdhenjve, për shkak të strukturës së operimit të tij me subjekte të veçanta për çdo pikë shitjeje që çon në raportim me dyqane të ndara. Operatori ka 119 pika tregtimi, me një qarkullim vjetor në total rreth 15 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare nga kompania, me një rritje prej 18%, me bazë vjetore.

Rrjeti i supermarketeve “Spar Albania” (pjesë e grupit “Balfin”), ka shënuar rritje të fortë në vitin e tretë të aktivitetit. Të ardhurat e kompanisë u rritën me 19% në 4.9 miliardë lekë (të ardhurat janë të zhveshura nga shitja e apartamenteve, teksa “Spar Albania” përthithi dy vjet më parë “RFZ Building”, po pjesë e “Balfin”, e fokusuar në ndërtim). Në total, “Spar” raportoi 6.3 miliardë lekë të ardhura, me një zgjerim prej 18%. “Spar” rezulton me fitime, që pas përthithjes së kompanisë së ndërtimit, u rritën në 510 milionë lekë.

“Conad Albania”, raportoi të ardhura prej 2.8 miliardë lekësh, me një rënie të lehtë prej 3.3% në raport me vitin e mëparshëm.

“Eco Market Food”, me aktivitet në fushën e prodhimit, magazinimit dhe tregtimit të prodhimeve e ushqimeve blegtorale e bujqësore. I krijuar në vitin 2009, ka përthithur “Eco Market”, rrjeti retail i shitjes me pakicë i krijuar në vitin 2015. Në 2017-n, rrjeti i supermarketeve “Eco Market” kishte 1.3 miliardë lekë të ardhura, por raportoi humbje 196 milionë lekë, ndërsa “Eco Market Food” raportoi të ardhura prej 1 miliardë lekësh dhe fitim 66 milionë lekë. Në 2018-n, kompania përthithëse, “Eco Market Food” raportoi të ardhura të dyfishuara prej 2.2 miliardë lekësh, duke u ngjitur në listën e 200 më të mëdhenjve.

“Tirana Cash & Carry” (me të njëjtin aksioner si “Big Market”) është rritur me 11.5% në 2.1 miliardë lekë.

“Rossmann-Lala”, rrjeti gjermano-shqiptar i marketeve, po rezulton një nga bizneset më të qëndrueshme, një rritje dyshifrore vit pas viti. Në vitin 2018, të ardhurat u rritën me 22.8%, në gati 2.3 miliardë lekë.

“Megatek”, hipermarketi më i madh “Bëje vetë” DIY në Shqipëri, ka vijuar me ecuri të qëndrueshme të aktivitetit. Të ardhurat e tij ishin 2.3 miliardë lekë në vitin 2018, me një zgjerim vjetor prej 11.5%.

VIT JO POZITIV PËR NDËRTIMIN

Rritja dyshifrore e kompanive të ndërtimit, si në sektorin inxhinierik, ashtu dhe atë rezidencial ishte një dukuri tipike e 2017-s, teksa sektori përjetoi një lulëzim të vërtetë. Por kjo zgjati shumë pak. Në vitin 2018, pjesa më e madhe nuk arriti të ruajë ritme të larta, përkundrazi shumë prej tyre, sidomos në sektorin rezidencial panë rënie të të ardhurave, në një sinjal se kërkesa për blerje banesash nuk është e qëndrueshme.

Ndryshe nga viti 2017, kur qarkullimi vjetor i kompanive të ndërtimit në listën e “Monitor 200” të më të mëdhenjve u rrit me 31%, një vit më vonë, zgjerimi ishte më pak se 10% dhe i ndikuar vetëm nga disa sipërmarrje. Kompani që vitin e kaluar panë zgjerim dyshifror, disa edhe treshifror, raportuan rënie, madje disa dolën nga lista e të mëdhenjve. LEXO TË PLOTË ECURINË E SEKTORIT TË NDËRTIMIT: https://www.monitor.al/ndertimi-a-po-afrohet-flluska-2/

GARA E SHËRBIMEVE TELEVIZIVE

Tregu i televizioneve po përballet me presionin e ndryshimeve teknologjike, internetit dhe zhvendosjes së preferencave të klientëve drejt shërbimeve alternative. Edhe pa këto ndryshime, tregu i televizioneve në Shqipëri kishte të ardhurat për reklamat për banor më të ulëtat në rajon, në një kohë që rritja e konkurrencës ka shtuar presionin për programe cilësore.

“Digitalb”, ofruesi i platformës me pagesë televizive, është operatori më i madh i shërbimeve televizive në Shqipëri. Në vitin 2018, të ardhurat e kompanisë ishin 5.4 miliardë lekë, me një rritje minimale prej rreth 1%, pas rënies prej 6.2% vitin e mëparshëm.

“TV Klan”, për herë të parë, ka raportuar të ardhura totale më të larta sesa “Top Channel”, duke u bërë kështu televizioni më i madh në vend sa i përket qarkullimit vjetor. Sipas të dhënave të deklaruara në bilancin vjetor, xhiro e “TV Klan” në vitin 2018 ishte 1.458 miliardë lekë (rreth 11.7 milionë euro), me një rritje prej gati 12% në raport me vitin e kaluar.

Top Channel”, raportoi të ardhura totale 1.37 miliardë lekë (rreth 11 milionë euro), me një rritje prej 0.6% në raport me vitin e kaluar. Por, burime nga televizioni pohuan se një prej emisioneve më fitimprurëse në “Top Channel”, “Fiks Fare”, ka kaluar si kompani në vete dhe si rrjedhojë, në vitin 2018 ka pasur qarkullimin e ndarë dhe jo të përfshirë brenda totalit të televizionit. Së bashku me “Fiks Fare”, të ardhurat e “Top Channel” janë 1.462 lekë, lehtësisht pak më shumë se “TV Klan”.

“Media Vizion” (“Vizion Plus”) raportoi të ardhura prej 435 milionë lekësh, me rritje 8.7% me bazë vjetore, pas rënies së fortë prej 15% vitin e mëparshëm.

CALL CENTER THELLON RËNIEN

Kompanitë që operojnë si qendra të thirrjeve telefonike, lulëzuan në dekadën e fundit. Rritja dyshifrore e të ardhurave, fitimet e larta, avantazhi i krahut të lirë të fuqisë punëtore dhe njohurive të gjuhës italiane, tregu i sigurt përtej detit, tërhoqën shumë sipërmarrës vendas e të huaj. Por, prej dy vitesh, sektori ka hyrë në një fazë tkurrjeje. Kompanitë kryesore, me peshë në punësim, kanë ulur numrin e të punësuarve dhe të ardhurat nuk po rriten më.

Goditjen e parë e dha shtrëngimi i masave nga qeveria italiane, në përpjekje për të ndaluar transferimin e vendeve të punës nga Italia në Shqipëri. Më pas, sektori u godit nga forcimi i mbrojtjes së të dhënave personale, dixhitalizimi dhe automatizimi i shërbimeve të klientit, si dhe humbja e avantazhit të njohjes së gjuhës italiane, pasi 20-vjeçarët e sotëm janë të orientuar nga anglishtja.

“Albania Marketing Service” (Teleperformance), më e madhja në treg, raportoi të ardhura prej 3.6 miliardë lekësh, të pandryshuara nga një vit më parë, duke shënuar të dytin vit radhazi pa rritje. Diego Pisa, administrator i kompanisë, shprehet se sektori ka pasur tkurrje në vend. Pisa, CEO në “Teleperformance Italy Group”, shpjegon se rregullat e reja që vendosi qeveria italiane, sigurisht që e kanë ngrirë rritjen e aktivitetit të kujdesit ndaj klientit që u regjistrua vitet e fundit. Z. Pisa sqaron se sektori i call center në Shqipëri ka shënuar zvogëlim të aktivitetit me partnerët italianë, që në fakt u kompensua me hapjen e tregjeve të tjera ndërkombëtare.

Për “Albacall”, ky ishte viti i dytë i aktivitetit me rënie, teksa tkurrja u thellua në 2018-n. Kompania pa reduktim të qarkullimit vjetor me 10.6% (nga 3.3% një vit më parë), duke zbritur në 2.7 miliardë lekë.

“Intercom Data Service” (IDS) ka dalë nga renditja e 200 më të mëdhenjve, pas ndarjes së aktivitetit. Gjatë 2018-s, kompania realizoi 1.2 miliardë lekë të ardhura, nga 3 miliardë që gjeneroi një vit më parë, sipas pasqyrave financiare. Një pjesë e aktivitetit ka kaluar tek operatori italian “Localweb” (“Weweb” në Shqipëri), që realizon një qarkullim vjetor prej rreth 10 milionë eurosh dhe ka 477 të punësuar. “Localweb” nisi si një diversifikim në një fushë me shumë potencial, që është tregu dixhital. Ai nuk ka në qendër biznesin e call center, por web marketing. Olta Qosja, menaxhere shitje në kompaninë IDS, duke ndjekur trendin e së ardhmes, thotë se fokusi i grupit është tashmë më tepër në fushën e marketingut dixhital dhe kompani të reja në teknologjinë e informacionit për shumë tregje të huaja.

Qosja shpjegon se dixhitalizimi ka ulur nevojën për shërbime ndaj klientit. Tashmë, sipas saj, kompanitë po krijojnë produkte më pak njerëzore dhe më shumë teknologjike, ku një pjesë e proceseve të punës po automatizohen. Për t’u përballur me këto ndryshime, IDS nisi ndryshimet në organizimin e saj dhe diversifikoi produktet që ata mund të ofronin për klientët në Itali, që të mos jenë vetëm në një fushë.

“Nëse do të vazhdonin vetëm në një drejtim, do të kishin pësuar tkurrje, apo të kishin herë pas here ulje-ngritje në varësi të faktorëve të ndryshëm, – thotë Qosja, – ne e kuptuam para kohe, para se të aplikoheshin ligjet nga Italia, ku filluam punë me startup-in, kompaninë, “WeWeb”, e cila ofron shërbime në marketingun dixhital.

E ardhmja e vështirë

Deri në korrik të këtij viti, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thotë se janë të regjistruar 659 biznese që operojnë si call center. Prej vitit 2017, kur ishin të regjistruar 817 kompani, numri i tyre ka pësuar tkurrje të vazhdueshme dhe sot përllogariten rreth 20% më pak.

Agron Shehaj, pionier në këtë sektor, pret që sektori të vijojë tkurrjen, teksa po shkohet drejt dixhitalizimit dhe automatizimit të proceseve, çka pritet të ketë ndikim negativ në kërkesën për shërbime nga operatorët fizikë. Shehaj shikon si problem edhe mungesën e njohurive bazë të gjuhës italiane nga të rinjtë e sotëm shqiptarë, ndryshe nga brezat e kaluar që u rritën, duke parë televizionin e shtetit përtej Adriatikut. “20-vjeçarët sot nuk kanë njohuri bazë të gjuhës italiane, njohin më së shumti anglishten, për të cilën Shqipëria konkurrohet nga vende të tjera me kosto të ulët të punës në të gjithë botën”, – thotë ai.

Edhe Diego Pisa, CEO i “Teleperformance”, pohon se aftësitë gjuhësore të të rinjve shqiptarë dhe niveli arsimor janë një burim i rëndësishëm për vendin, që mund të tërheqin kompani në sektorë të ndryshëm, jo vetëm në call center. Por, sot, të rinjtë nuk po mësojnë më italisht. Nëse gjenerata e viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90 e kanë mësuar italishten në mënyrë autodidakte, ky fenomen nuk po ndodh më, dhe të rinjtë, 18-20-vjeçarët, po rriten pa gjuhën italiane.

VIT POZITIV PËR INDUSTRINË

2018-a ka qenë një vit pozitiv për sipërmarrjet ekzistuese në industrinë e rëndë dhe atë përpunuese, ndonëse hyrjet e reja mungojnë. “Bankers Petroleum”, eksportuesi më i madh, pa rritje të të ardhurave. “Kurum” ka vijuar me ecurinë pozitive, pasi ka funksionuar nga procesi i falimentit pas ristrukturimit.

Eksportuesi i kromit, “Albchrome”, u zgjerua me 14.5%, në 11.2 miliardë lekë. Kompania, pjesë e grupit “Balfin”, ka shtuar investimet vitet e fundit në përpjekje për të rritur vlerën e shtuar.

Perspektiva e industrisë minerale mbetet pozitive. Të dhënat zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore tregojnë se prodhimi i kromit arriti në mbi 1,1 milionë tonë vitin e kaluar, me një rritje 43% në raport me vitin 2017. Në raport me vitin 2010, prodhimi u rrit me 258%. Vitin e kaluar, prodhimi u rrit prej investimeve të reja të aktivizuara nga operatori më i madh i sektorit “Albchrome”. Paralel me zgjerimin e prodhimit të kromit janë rritur edhe sasitë e përpunuara. Në vitin 2018, prodhimi i koncentratit të kromit arriti në 66 mijë tonë, me një rritje 35% në raport me një vit më parë. Kjo ishte performanca më e lartë që nga viti 2011. Prodhimi i koncentratit të kromit është trefishuar në raport me një vit më parë.

Sasia e koncentratit është realizuar nga 9 fabrika në punë nga 14 që janë ndërtuar. Gjatë vitit 2018, rritja mesatare e prodhimit të mineralit të kromit ishte 43%, e koncentratit 35.4%, kurse ajo e ferrokromit 16.5%.

“Coral”, me aktivitete në prodhimin, përpunimin dhe eksportin e peshkut, ka rritur ndjeshëm të ardhurat, me 30% në 2.4 miliardë lekë. Ky sektor, me potencial të lartë, pengohet nga kuotat e kufizuara për eksport. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, kuotat e vendosura nga BE-ja prej 1600 tonësh në vit përmbushen shumë shpejt. Pas plotësimit të kuotave, produktet taksohen me 25% të vlerës. Prej disa vitesh, sipërmarrësit kanë kërkuar rritjen e kuotave, problem të cilit ende nuk i është dhënë zgjidhje, pavarësisht paralajmërimeve të sipërmarrësve se do të jenë të detyruar të zhvendosin aktivitetin në shtetet fqinjë.

Në industrinë përpunuese ushqimore, “Coca-Cola” është sipërmarrja më e madhe, me rritje 6.5%, në 3.9 miliardë lekë. Më pas renditen “Kombinati i Mishit”, me zgjerim 3% në 2.5 miliardë lekë; dhe “EHW” (vetëm aktiviteti i përpunimit të mishit), me 1.85 miliardë lekë të ardhura. 

Të mëdhenjtë e këpucëve, nën presionin e ndryshimeve të kërkesës

“Fital”, “Albaco Shoes” dhe “Donianna” janë tre prodhuesit më të mëdhenj të këpucëve në vend. “Fital” ka raportuar rënie të ardhurash me 2.2%, në 2.3 miliardë lekë. Skënder Pashai, i cili prej vitesh zotëron fabrikën “Fital”, një nga më të mëdhatë në prodhimin e këpucës në vend, tha se kërkesa në tregun ndërkombëtar ka hyrë në një cikël të ri. Ai pohoi se kjo situatë do të shkaktojë një lloj tranzicioni në dy vitet në vijim në prodhimin “Made in Albania”.

Në listë vijon “Albaco Shoes”, që është zgjeruar me 10%, në 2.2 miliardë lekë.

Në vend të tretë ka kaluar “Donniana”, me të ardhura 1.9 miliardë lekë në vitin 2018, me rritje prej 6.2%. Eksportet e këpucëve kanë shënuar ecuri pozitive vit pas viti, duke u rritur me 6% në vitin 2018.

Eksportuesit e këpucëve kanë investuar në mbylljen e ciklit, duke dalë si prodhues të pavarur (rasti i “Donianna”), duke qenë një hap para industrisë së tekstileve, e cila në pjesën më të madhe vijon të kryejë vetëm disa procese, kryesisht prerje, qepje, hekurosje (Cut-make-trim).

Por, teksa kërkesa po riformatohet me shpejtësi, e ardhmja e sektorit nuk është e lehtë. Për 7-mujorin 2019, eksportet e veshjeve të këmbëve ranë me 3.3% me bazë vjetore, sipas INSTAT. Arsyet e rënies, sipas aktorëve të tregut, lidhen së pari me efektin e kursit të këmbimit. Zhvlerësimi i euros, me rreth 12% në dy vitet e fundit, ka gërryer të ardhurat e eksportuesve. Faktori i dytë lidhet me ndryshimin e stilit të jetesës, që po diversifikon shpenzimet nga veshjet drejt argëtimit, çka po ndikon në porositë e partnerëve. Kjo qasje ka vënë para zhvillimeve të reja industrinë e prodhimit të këpucëve dhe veshjeve në tërësi, në të gjithë zinxhirin e saj.

Pashai u shpreh se tregjet kanë ulur kërkesën dhe shitësit kanë stoqe të mëdha, çka do të thotë më pak porosi për këpucë të reja. Kërkesa po diversifikohet drejt shumëllojshmërisë së produkteve dhe në këtë aspekt, Shqipëria mund të përfitojë, por kjo kërkon kohë të paktën dy vjet sa të bëhen ndryshimet në treg. Pashai shtoi se Shqipëria mund të përfitojë nga kërkesa e re, duke shfrytëzuar afërsinë gjeografike me Europën dhe mundësitë për të prodhuar me sasi të vogla dhe shumëllojshmëri.

Donika Mici, e cila nëpërmjet kompanisë “Donianna” realizon ciklin e mbyllur për eksport, thotë se, industria fason në vendin tonë dhe, specifikisht, ajo e prodhimit të këpucës, është para një cikli të ri. Ndërkohë që kërkesa në tregun ndërkombëtar po tkurret, kostot e prodhimit në Shqipëri janë rritur prej pagave më të larta.

Mici shprehet se sektorit fason i duhet të shkurtojë kostot e prodhimit nëpërmjet miradministrimit të fuqisë punëtore që të mbijetojë. Nga ana tjetër, duhet të prodhojë për kërkesën në fashën e mesme – të lartë, për konsumatorë me të ardhura mbi mesataren. Procesi kërkon një ndryshim të së gjithë teknologjisë, por rinovimi i saj kushton dhe për ta realizuar kërkon mbështetje me lehtësi nga qeveria.

Industria e miellit fillon të marrë veten

Industria e përpunimit të miellit e ka marrë pak veten, ndonëse po vijon të vuajë pasojat e konkurrencës rajonale. “Shoqëria Anonime Mielli” (Miell Tirana) ka deklaruar rritje të ardhurash me 6.3%, në 1.9 miliardë lekë, duke qenë e vetmja e mbetur në listën e 200 të mëdhenjve. “Bloja”, që ishte sipërmarrja më e madhe e këtij lloji në vend para dy vitesh, ka dalë nga renditja e të mëdhenjve dhe ka raportuar rreth 1.4 miliardë lekë qarkullim vjetor në 2018-n, me tkurrje prej 2.2%.

Shqetësimi i industrialistëve shqiptarë të blojës ka si shkak importin nga Kosova të miellit serb, që po hyn në Shqipëri me çmime gati 20% më të ulëta se prodhimet e fabrikave tona. Sipas tyre, ky miell nuk plotëson standardin minimal për proteinat (12%), futet edhe kontrabandë, nuk kontrollohet nga doganat dhe ka manovra shmangie taksash që nisin që nga importi prej Serbisë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet e miellit nga Serbia vijuan të rriten me 7.7% me bazë vjetore në 2018-n, ndonëse ritmet e rritjes janë ngadalësuar (shih grafikun). Operatorët e tregut pohojnë se situata është më e lehtësuar në gjysmën e parë të këtij viti, pasi prodhuesit kanë rritur importet e grupit me qëllim përpunimi, ndërsa importet e miellit nga Serbia ranë me 15% për 7-mujorin e këtij viti, të ndikuara dhe nga embargo e Kosovës ndaj produkteve serbe (mielli serb vinte nëpërmjet Kosovës).

BIZNESI I VËSHTIRË I SPITALEVE PRIVATE

Edhe pse kanë kaluar mbi gjashtë vjet nga lulëzimi i biznesit të spitaleve private, të gjitha vazhdojnë të raportojnë humbje, kur përvoja ndërkombëtare referon një cikël trevjeçar, kur përgjithësisht sipërmarrje të tilla fillojnë e japin fryte. Teksa edhe në vitin 2018, të gjitha spitalet private raportuan humbje, kulmuan shitjet e blerjet.

“Spitali Amerikan” raportoi të ardhura prej 4.9 miliardë lekësh, me një rritje prej 23% me bazë vjetore. Humbjet ishin 168 milionë lekë dhe u reduktuan me 33%. Sipas raportit vjetor, humbjet lidhen me investimet për zgjerimin e aktivitetit dhe synojnë të rrisin potencialin afatgjatë të të ardhurave. Teksa spitali nuk ka raportuar asnjëherë fitim, humbjet e mbartura në kapital kanë arritur në 1.1 miliardë lekë, gjithsesi kapitali vijon të mbetet pozitiv prej 1.8 miliardë lekësh. Flukset monetare nga aktiviteti operativ, janë pozitive, theksohet në raportin vjetor.

“International Hospital” (ish-Hygeia), që në mes të vitit 2018 u ble nga Spitali Amerikan, raportoi qarkullim vjetor prej 2.3 miliardë lekësh, me një rënie prej 10% me bazë vjetore në vitin 2018, duke shënuar vitin e dytë me tkurrje të ardhurash. Humbjet u thelluan me 6.3%, në 481 milionë lekë, sipas bilancit zyrtar.

Spitali ka një stok kredie prej 2.5 miliardë lekësh, deri në fund të vitit 2018, të cilin e ka marrë në vitin 2010 nga dy institucione ndërkombëtare, BERZH dhe Banka e Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim, pagesën e të cilave e ka shtyrë vazhdimisht dhe kredia rezulton e ristrukturuar, sipas raportit vjetor. Për shkak se nuk ka rezultuar asnjëherë me fitim, humbjet e mbartura në kapital ishin 3.8 miliardë lekë në fund të 2018-s, duke bërë që kapitali pozitiv të jetë minimal prej vetëm 211 milionë lekësh.

Në gusht 2018 u finalizua transaksioni për shitjen e Hygeia te Spitali Amerikan. Spitali, që kishte një investim fillestar prej 60 milionë eurosh, është shitur simbolikisht për 1 milion euro, sipas deklarimeve zyrtare, ndërsa 29.5 milionë euro të tjera do të shkojnë për shlyerjen e kredive.

“Salus”, spitali i tretë më i madh në vend, raportoi 376 milionë lekë të ardhura, me rënie 25% me bazë vjetore në 2018-n. Humbjet u rritën në 311 milionë lekë, sa 82% e të ardhurave. Në këtë situatë, italianët e “Salus Holding” dhe “Policlinico Triestino” (që zotëronin së bashku rreth 57% të totalit) vendosën të shesin aksionet në janar të 2019-s tek aksioneri tjetër Olti Peçini, i cili i ka blerë ato për një vlerë 1.1 milionë euro, duke rritur përqindjen e kapitalit nga 23.8% në 80.2%.

Spitali Gjerman” (Cardio & Diagnostic Center Hamburg) nuk ka dorëzuar bilanc në 2018-n, por në Qendrën Kombëtare të Biznesit janë të depozituara një sërë urdhrash për sekuestro konservative për mospagim faturash apo detyrime të tjera.

Sipas aktorëve të tregut ka një sërë arsyesh se pse biznesi i spitaleve private është kaq i vështirë. Së pari, janë investimet e mëdha fillestare, që rëndohen më tej gjatë aktivitetit nga kostot e larta të personelit dhe shërbimeve mjekësore. Së dyti, konkurrenca është shtuar dhe ajo vlerësohet mjaft e lartë, duke bërë që operatorët të operojnë me çmime të ulëta të shërbimeve, çka po ndikon në rritjen e humbjeve. Shkak tjetër është edhe keqmenaxhimi që u është bërë spitaleve private në disa raste. Një tjetër problem i madh i spitaleve private është edhe gjetja e burimeve njerëzore, që është një sfidë më vete, çka ka çuar në rritjen e kostove të pagesave për mjekët.

ENERGJIA PRIVATE, TREGTIMI NË RËNIE, HEC-et HYJNË NË PRODHIM

 2018-a ishte një vit pozitiv, sidomos në pjesën e parë të tij, për shkak të situatës së favorshme të reshjeve. Sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë arriti vlerën 8.552 GWh, duke shënuar rritje prej 89% me bazë vjetore.

Rënia e nevojës për importe ka bërë që operatorët e tregtimit të energjisë të shohin ulje të të ardhurave, ndryshe nga 2017-a, kur rritja e tyre ishte dy e treshifrore, për shkak të importeve të larta të energjisë, të lidhura me motin e thatë. “GSA”, operatori më i madh i tregtimit të energjisë, pa një rënie të të ardhurave me 6.3%, në 11.1 miliardë lekë. Tkurrja ishte më e fortë për “GEN-I Tirana”, me -26.6%, në 5.6 miliardë lekë.

Energy Financing Team Tirana”, pjesë e grupit EFT, me aktivitet në tregtimin e energjisë elektrike dhe investime në Europën Juglindore, është krijuar në qershor 2017. Në vitin e parë të plotë të aktivitetit, të ardhurat kërcyen në 2.1 miliardë lekë.

Zhvillim pozitiv në 2018-n ishte hyrja dhe rritja e prodhimit nga koncesionarët e mëdhenj të hidrocentraleve.

“Ayen as Energy” është një hyrje e re, që raportoi të ardhura 2.3 miliardë lekë. Kompania turke po zbaton kontratën e vitit 2011 për projektimin, ndërtimin, vënien në punë, administrimin, mirëmbajtjen e hidrocentraleve Gojan, Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangut.

“Ayen as Energy” ndërtoi dhe vuri në punë në fund të 2017-s HEC Fangun, me kapacitet 74,6 MW. HEC-i i Fangut, për nga kapaciteti i prodhimit, renditet i pesti pas HEC-eve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, të cilët janë në pronësi shtetërore dhe Moglicës, së sapondërtuar.

Ky është HEC-i i dytë në vend, i ndërtuar nga kompania turke “Ayen” pas atij të Peshqeshit me kapacitet 23 MW, i cili nisi prodhimin pak vite më parë.

“Ayen as Energy” kishte të ardhura prej gati 600 milionë lekësh në 2017-n. “Ayen as Energy” dhe “Fusha SH.P.K” fituan në mes të 2018-s koncesionin për ndërtimin e Hidrocentralit të Kalivaçit. Sipas kontratës, konsorciumi fitues do të investojë rreth 125.3 milionë euro për të ndërtuar hidrocentralin mbi lumin e Vjosës. Hidrocentrali do të ketë fuqi të instaluar prej 111 megavatësh dhe prodhim vjetor energjie 366.6 milionë kilovat.

“Energjia Ashta”, me fuqi të instaluar prej 48.2 MW, ka rritur të ardhurat me 60% në 2.3 miliardë lekë në 208-n, pas rënies së fortë vitin e mëparshëm, duke hyrë sërish në listën e më të mëdhenjve. Operatori raportoi fitime të larta prej 1.5 miliardë lekësh, pas humbjes së vitit të kaluar.

Një zhvillim pozitiv i 2017-s ishte hyrja në tregun e prodhimit të “Devoll Hydropower”. Një vit më pas, kompania raportoi të ardhura prej 2.2 miliardë lekësh, me një zgjerim prej 22.4%, ndërsa është ende me humbje.

“Statkraft”, kompania që ka në pronësi “Devolli Hydropower” ka përfunduar prej rreth tre vitesh HEC-in e Banjës me kapacitet të instaluar 72 MW, prodhim mesatar vjetor 254 GWh dhe lartësi dige 80 metra.

Në fillim të vitit 2019, “Statkraft” përfundoi investimin e dytë atë të Moglicës, që do të jetë sa dyfishi i atij të Banjës, pasi do të ketë kapacitet të instaluar prej 184 MW dhe prodhim mesatar vjetor prej 450 GWh. HEC-i është në fazë të mbushjes së rezervuarit dhe pritet testimi dhe fillimi i prodhimit. Lartësia e digës është 160 metra (një nga më të lartat në botë për llojin e saj si digë me asfalt).

Sipas burimeve zyrtare nga “Statkraft”, dy hidrocentralet, Banja dhe Moglica kanë kapacitet të instaluar 256 MW. Vënia në punë e dy HEC-eve do të rrisë prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme në vend me 13%. Kostoja totale e investimit nga “Statkraft” ka arritur në 590 milionë euro. Tregu i synuar është eksporti dhe furnizimi me energji i prodhimit vendas.

 NGEC TREGU I AUTOMJETEVE TË REJA

Me informalitetin në tregtimin e automjeteve që vijon të jetë shumë i lartë, distributorët e mjeteve të reja nuk kanë arritur të shënojnë rritje të dukshme në vitin 2018.

Në total, sipas të dhënave nga Automobile Club Albania (ACA), janë targuar në 2018-n 3,234 autovetura dhe mjete të tjera të reja të transportit të përzier, me një rritje minimale prej 0.2%, ose vetëm 7 automjete më shumë. Shteti mbetet një klient i rëndësishëm i këtyre operatorëve.

“Auto Star Albania”, përfaqësuesi zyrtar i “Mercedes-Benz” në Republikën e Shqipërisë, pjesë e grupit “Kastrati”, ka kaluar për herë të parë në operatorin më të madh të këtij segmenti, për shkak të rritjes së shpejtë të të ardhurave, me 29% në 2.65 miliardë lekë. Koncesionari targoi 105 autovetura të reja, nga 110 vitin e kaluar. Rritja e të ardhurave sipas burimeve nga kompania ka ardhur nga shërbimet për automjetet, aktiviteti i karburantit dhe tregtimi i gomave.

“Porsche Albania” (“Audi”, SEAT, “Volkswagen Makina Tregtare”, përfaqësuesi ekskluziv i “Volkswagen”) është ngjitur në operatorin e dytë më të madh në këtë segment, sipas të ardhurave, por është i pari për nga numri i automjeteve të reja të shitura. Teksa targimet e autoveturave e mjeteve të tjera u rritën me 12%, në 870, të ardhurat u zgjeruan me 8.1% në 2.62 miliardë lekë.

“Mektrin Motors”, që një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit e ka edhe nga shitja e mjeteve të përdorura, ka kaluar në operatorin e tretë më të madh të tregtimit të automjeteve në vend, ndërsa në 2017-n ishte i pari. Të ardhurat në vitin 2018 ishin 2.4 miliardë lekë. “Mektrin Trucks”, një hyrje e re në vitin 2017, doli sërish nga lista e 200 më të mëdhenjve një vit më vonë, për shkak të rënies së të ardhurave. “Mektrin” targoi 162 autovetura të tjera në vitin 2018. “Hyunday Auto Albania” pa rënie të të ardhurave me 19%, në 2.3 miliardë lekë, teksa u targuan 506 automjete.

“Auto-Pasion” dhe “Kadiu” janë hyrje të reja, pas rritjes së qarkullimit vjetor, përkatësisht me 6% dhe 8.5%.

“Albania Motor Company” (Ford) ka rritur lehtë të ardhurat, me 5% në 1.2 miliardë lekë, duke mos arritur të renditet te 200 të mëdhenjtë. U targuan gjithsej 340 automjete.

“Classic” ka dalë nga lista e të mëdhenjve në 2018-n, pas rënies së të ardhurave me 68%. Kompania kryen kryesisht rieksporte në rajon.

Nxitja e turizmit dhe udhëtimeve

Shqipëria po kthehet në një destinacion të preferuar turistik nga njëra anë, por dhe shtetasit e saj, gjithnjë e më shumë, po “eksperimentojnë” me pushimet jashtë, si të detit, ashtu dhe ato kulturore. Kjo rritje e lëvizjeve po nxit dhe bizneset e lidhura me udhëtimet.

“Albawings”, operatori shqiptar i fluturimeve ajrore, me destinacion qytetet italiane, ka rritur me 65% të ardhurat në 4.2 miliardë lekë. Sipas të dhënave nga Tirana International Airport, “Alba Wings”, e cila bashkëpunon me “Blue Panorama”, kishte 10% të tregut të fluturimeve, sipas numrit të pasagjerëve, ndërsa “Blue Panorama”, 24%.

“Landways International” (ish-Albania Experience) ka rritur ndjeshëm të ardhurat me 41%, në 3.6 miliardë lekë. Gazmend Haxhia, administrator, pohon se tregu kryesor është ai i aziatikëve, që vijnë të pushojnë në Europë. “Potencial është e gjithë Azia, e cila pritet të ketë një rritje 50% në volum”. Haxhia thotë se prej 6 vitesh, “Landways International” është kompania kryesore në Ballkan që sjell turistë nga Azia. Së fundmi është hapur dhe “Landways Croatia”.

Pak vite më parë, në listën e më të mëdhenjve hynë dhe agjencitë turistike, për shkak të një ndryshimi në mënyrën e mbajtjes së kontabilitetit që i detyronte të raportonin si të ardhur dhe vlerën e biletave, jo vetëm marzhin që ato mbanin.

“Albtours “D”-VAS”, tour-operatore, ka raportuar një rritje me 6.3% në 2.4 miliardë lekë.

Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit në 2018 arritën në 1.42 miliardë euro, duke u rritur me 13% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë i regjistruar i shpenzimeve jashtë vendit, që pas viteve ’90.

Në të kundërt, të huajt kanë sjellë më shumë para në Shqipëri në udhëtimet e tyre. Sipas Bankës së Shqipërisë, të huajt që vizitojnë vendin, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë për vizitë tek të afërmit dhe qëllime turistike, shpenzuan 1.86 miliardë euro në vitin 2018, edhe ky një nivel rekord, me një rritje prej 8.8% me bazë vjetore. Bilanci neto mbetet pozitiv për Shqipërinë, me 430 milionë euro, që është diferenca mes parave që sollën turistët dhe atyre që shqiptarët shpenzuan jashtë.

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, Shqipërinë e vizituan në vitin 2018 një numër rekord prej 5.93 milionë të huajsh, me një rritje rreth 16% në raport me vitin e mëparshëm. 97% e tyre kanë ardhur për qëllime turizmi dhe për vizitë te të afërmit dhe pjesa tjetër për biznes, trajtime shëndetësore, qëllime fetare apo për tranzit. Më shumë se një e treta e turistëve që erdhën në Shqipëri në 2018-n ishin nga Kosova, me 35% të totalit. Më pas renditen “maqedonasit” me 11.4%, grekët (9.3%), italianët (7.3%), malazezët (6%).

Vitin e kaluar u shënua një rritje e ndjeshme e turistëve nga Polonia me 35%, por që gjithsesi përbënin vetëm 2.5% të totalit të të huajve që vizituan vendin tonë. Rritja e turizmit po nxit dhe industrinë hoteliere, me sipërmarrësit që po nxitojnë të shtojnë kapacitetet për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje. Edhe në kahun tjetër, atë të daljes së shqiptarëve nga vendi, shifrat kanë shënuar rekord në 2018-n. Në total u shënuan 5.4 milionë dalje të shtetasve shqiptarë, me një rritje prej 4.4% në raport me vitin e mëparshëm.

BANKAT, NË PRESIONIN E INTERESAVE TË ULËTA

Totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.45 trilionë lekë (rreth 11.4 miliardë euro) në fund të vitit 2018, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Në raport me një vit më parë, rritja vjetore ishte vetëm 0.5%, më e ulëta që nga viti 1998, kur Banka e Shqipërisë raporton të ardhurat. Ndikim ka dhënë dhe nënçmimi i euros, gjithsesi që prej vitit 2011, rritja e aktiveve të sistemit ka qenë minimale.

Zhvillimi më i rëndësishëm ishin shitblerjet, që kulmuan në vitin 2018. “ABI Bank” bleu në shkurt “Bankën Kombëtare të Greqisë” (NBG) dhe “Intesa Sanpaolo” finalizoi përthithjen e “Veneto Bank”. Në fund të 2018-s, numri i bankave u ul nga 16 në 14. Në fillim të marsit të këtij viti, hungarezët e “OTP Bank Nyrt”, finalizuan blerjen e bankës me kapital francez, “Societe Generale Albania sh.a.”. “Union Bank” finalizoi në qershor blerjen e “Bankës Ndërkombëtare Tregtare – ICB” (me kapital malajzian). Grupi shqiptar “Balfin” dhe “Komercijalna Banka” e Shkupit finalizuan blerjen e grekes “Tirana Bank”. Banka e Kreditit të Shqipërisë, me një peshë prej vetëm 0.1% të totalit të aktiveve, ka kërkuar këtë vit likuidim vullnetar dhe ka dalë nga tregu, duke e ulur numrin e bankave në 12.

Banka më e madhe në vend, nga qarkullimi vjetor, është “BKT”, me rreth 46 miliardë lekë të ardhura, me rritje 2% me bazë vjetore. “Sa u përket pritjeve tona për sektorin bankar, ne jemi pozitivë se performanca e saj do të ecë paralel me rritjen ekonomike, pavarësisht nga sfidat e ndryshme që mund të dalin, si ulja e marzheve të interesit, rritja e kostove etj.”, ka pohuar z. Seyhan Pencabligil, CEO & Anëtar Bordi i “Bankës Kombëtare Tregtare” (BKT).

Banka e dytë më e madhe në vend nga të ardhurat ka kaluar për herë të parë “Credins”, pas një rritjeje të shpejtë të të ardhurave me 40% në 14 miliardë lekë, sipas të dhënave të bilancit. Rritja e fortë, sipas të dhënave në bilanc, ka ardhur nga rimarrja e huave të fshira (4.1 miliardë lekë). Maltin Korkuti, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës “Credins”, ka pohuar në vitin 2019 se “Credins Bank” do të vazhdojë investimet për rritjen e aktivitetit, duke zgjeruar bazën e klientëve dhe duke financuar biznesin vendas në sektorët strategjikë të zhvillimit të ekonomisë siç është bujqësia.

“Raiffeisen” ka kaluar si banka e tretë më e madhe për të ardhurat, por vijon të mbetet e dyta për totalin e aktiveve. Të ardhurat ishin 11.1 miliardë lekë, me rënie 12.5% me bazë vjetore. “Fokusi kryesor do të jetë në dhënien e kredive për biznes dhe individë, në mënyrë që t’u shërbejmë sa më mirë klientëve tanë”, ka pohuar Christian Canacaris, CEO i “Raiffeisen Bank” në Shqipëri.

“Intesa Sanpaolo” është banka e katërt më e madhe në vend nga të ardhurat, që arritën në gati 5.7 miliardë lekë, me rritje 1.7%. Z. Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Anëtar Bordi i Bankës, ka pohuar më herët se “ne jemi shumë të kënaqur me rezultatet, edhe pse si rrjedhojë e rezultateve të jashtëzakonshme, fitimi ynë neto u ndikua nga shkrirja me ‘Veneto Bank’. Ky ishte absolutisht një rezultat i jashtëzakonshëm”.

“OTP bank” (ish-Societe Generale) është banka e pestë më e madhe në sistem, sipas të ardhurave, në një nivel prej 4.1 miliardë lekësh, me rritje 6.1%. Nga marsi i këtij viti, pronësia u ka kaluar 100% hungarezëve të OTP-së. “Ne do të jemi shumë aktiv duke rritur kredidhënien, si për individët ashtu dhe për bizneset. Do të hapim degë të reja dhe do të investojmë në produkte të reja. Cilësia e portofolit të kredive është shumë e mirë”, tha z. Bledar Shella – CEO i “OTP Bank Albania”.

E gjashta është “Banka Alpha”, me rreth 3 miliardë lekë të ardhura në vitin 2018, me tkurrje 6% me bazë vjetore. Drejtori i “Alpha Bank”, Georgios Papanastasiou, ka pohuar se “objektivat tona për vitin 2019 janë shumë të qarta; do të vazhdojmë të kemi rritje të shëndetshme, do të optimizojmë kostot tona, do të ulim nivelin e kredive me probleme dhe do të përmirësojmë cilësinë dhe standardin e shërbimeve që u ofrojmë klientëve tanë.”.

“Union Bank” është ngjitur në vend të shtatë, pasi ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 2.6 miliardë lekësh, me rritje rreth 10%. “Gjatë vitit 2019, ‘Union Bank’ ka finalizuar blerjen e ICB, duke sjellë automatikisht rritje të pranisë së saj në treg dhe në numër klientësh, në footprint gjeografik dhe në nivel asetesh. Kjo do të kombinohet edhe me rritjen natyrale të fondeve dhe të kreditimit të bankës, që edhe gjatë vitit 2019 priten të vazhdojnë të jenë dyshifrore”, ka pohuar Gazmend Kadriu, drejtor i “Union Bank”.

“Banka Amerikane e Investimeve” raportoi 2.3 miliardë lekë të ardhura, sipas deklarimeve në bilanc, me një rritje të fortë prej 25%. “Në vitin 2018, ‘ABI Bank’ shënoi rritjen më të lartë në sistemin bankar pas bashkimit me NBG. ABI raportoi dhe rritje organike shumë pozitive, që bie më pak në sy, për shkak të pastrimit rekord të kredive të këqija në nivelin e 4%, si dhe transformimit të klientelës Së mbartur nga banka e blerë në vitin 2015 me klientë që përputhen më shumë me kulturën e kredisë të ABI Bank”, pohoi Andi Ballta, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i “ABI Bank”.

“Tirana Bank” raportoi 2.2 miliardë lekë të ardhura duke u reduktuar me 11%. Kjo bankë është tashmë në pronësi të grupit “Balfin” dhe “Komercijalna Banka” të Maqedonisë. Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i “Tirana Bank”, pohoi se “aksionerët e rinj kanë parashtruar qartësisht vizionin e tyre për zgjerimin e aktivitetit të Bankës, si një aktor i rëndësishëm i sektorit bankar shqiptar, në drejtim të mbështetjes dhe zhvillimit të ekonomisë lokale”.

“ProCredit Bank” deklaroi të ardhura prej 1.9 miliardë lekësh, me rritje 13% me bazë vjetore. Z. Agan Azemi, Anëtar i Drejtorisë Ekzekutive, ProCredit Bank Shqipëri, ka pohuar se “zhvillimi i biznesit me Klientë Privatë, është një ndër prioritetet tona. Klientët tanë të synuar janë ata klientë, të cilat kanë profesione të kualifikuara, qëndrueshmëri në të ardhurat e tyre dhe, nga ana tjetër, vlerësojnë përdorimin e shërbimeve bankare elektronike”.

 

 

SIGURIMET, NË RRITJE TË LEHTË

 

Tregu i sigurimeve mbetet më i nënzhvilluari në rajon, me të ardhura në rreth 35 euro për frymë, nga 90 euro në Serbi e 150 në Mal të Zi dhe mbi 2000 euro në vendet e Bashkimit Europian.

Sipas statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë vitit 2018, tregu i sigurimeve ka pasur rritje prej 4.5% dhe volumi i primeve të shkruara bruto arriti në rreth 17 miliardë lekë. Rreth 93% e tregut përbëhet nga jo-jeta, ku sigurimet e detyrueshme zënë pjesën kryesore, me rreth 68% të primeve totale të jo-jetës.

Pesë operatorët më të mëdhenj të tregut të sigurimeve kanë deklaruar rritje të të ardhurave prej 4.7%, nga 3.3% vitin e mëparshëm dhe larg zgjerimit dyshifror në vitin 2015.

Shoqëria më e madhe e sigurimeve është “Sigal Uniqa Group Austria”, me 4.1 miliardë lekë të ardhura dhe rritje vjetore prej 2.7%.

I dyti më i madh në vitin 2018 ishte “Sigma Interalbanian Vienna Insurance”, me rritje 4.3%, në 3.5 miliardë lekë.

“Alb-Siguracion” shënoi për të tretin vit radhazi rritje të shpejtë të të ardhurave, me 20%, në gati 2.4 miliardë lekë, duke kaluar në operatorin e tretë më të madh.

“Eurosig SHA” kishte të ardhura prej 2.24 miliardë lekësh, me një rënie të lehtë me bazë vjetore.

“Intersig Vienna Insurance Group” (pjesë e të njëjtit grup me Sigma) është operatori i pestë më i madh, me një qarkullim vjetor prej 1.7 miliardë lekësh, me rritje vjetore prej 1%.

 

HYRJET E REJA

Nuk kanë munguar as këtë vit hyrjet e reja nga sektorë të ndryshëm në renditjen e 200 kompanive më të mëdha.

-“Albsteel”, e krijuar në fund të 2016-s, ka si aktivitet tregtimin e materialeve të çelikut. Kompania, në vitin 2018, pothuajse dyfishoi të ardhurat në rreth 2.2 miliardë lekë, duke u renditur te 200 më të mëdhatë. Aksioneri i saj është i njëjtë me kompaninë tjetër të tregtimit të profileve metalike “Papmetal”, e cila që nga gushti 2018 nuk bën më importe të lëndës së parë, por kryen shërbime për të tretë (“Papmetal” ishte tek 200 më të mëdhatë në vitin 2017, por këtë vit ka dalë nga lista si rrjedhojë e rënies së të ardhurave me 48%).

-“RROSHI & CO”, me aktivitet në tregtimin e produkteve industriale, e krijuar në 2014-n, ka rritur me 36% të ardhurat në vitin 2018, në 1.86 miliardë lekë, duke hyrë në listën e më të mëdhenjve.

-“Çinar-San Tiran Branch”, degë e kompanisë turke, e fokusuar në ndërtim, e krijuar në Shqipëri që në vitin 2012, ka katërfishuar të ardhurat në 2018, në 1.7 miliardë lekë, teksa po punon si nënkontraktore e projekteve të ndërtimit të hidrocentraleve./Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY