SPECIALE/Kryerabini i Athinës dhe gjithë Greqisë është vlonjat!

SPECIALE/Kryerabini i Athinës dhe gjithë Greqisë është vlonjat!

54
0
Shares

Sinagoga qendrore Beth Shalom në rrugën Melidoni në veri të qendrës së Athinës. Komuniteti janjiot i Athinës ka pasur objektin e vet të kultit atje që prej fillimit të shekullit të njëzet

Nga Altin Raxhimi
BIRN
Rruga Melidoni, Athinë

Sinagoga qendrore Beth Shalom në rrugën Melidoni në veri të qendrës së Athinës. Komuniteti janjiot i Athinës ka pasur objektin e vet të kultit atje që prej fillimit të shekullit të njëzet. Foto Altin Raxhimi

Sinagoga qendrore Beth Shalom në rrugën Melidoni në veri të qendrës së Athinës. Komuniteti janjiot i Athinës ka pasur objektin e vet të kultit atje që prej fillimit të shekullit të njëzet. Foto Altin Raxhimi

Paraditen e dy korrikut që kaloi, duke duruar vapën mes djersësh që shkonin çurk, mbi dyqind veta e mbushën dingas sinagogën këtu në qendër të Athinës. Pesë vajza nga komuniteti hebre janjiot do bënin ceremoninë e kalimit në adoleshencë, bat mitzvah-në, që sipas traditës bie diku nga dymbëdhjetë a trembëdhjetë vjeçshi. Pas kësaj, do ishin zonjushe.

Katër prej vajzave vinin nga familje hebreje nga aty, dhe njëra kishte ardhur nga zona e Nju Jorkut, me familje dhe të afërm. Rabini i sinagogës nisi këndimin e lutjeve. Është vetëm njëzetegjashtë vjeç dhe gratë e komunitetit nën zë çuçurisin si t’i gjejnë nuse, por pa ndonjë sukses të dukshëm. E ka mbesë vajzën nga Amerika.

Sinagoga në rrugën Melidoni ka mbi një shekull. Me transformimet që ka pësuar Athina, kjo rrugë as njëqind metra e gjatë rri si xhep. Dikur i mbivendosej zonës ku lulëzonte industria e lëkurëve dhe shtëpitë e klasës tregtare të fillimshekullit të njëzetë, mbi Monastiraki dhe Thisio. Tani në të djathtë teposhtë sheh gërmimet që nxorën sheshit Athinën romake, dhe në të majtë, suva të rëna dhe të ngjyera me grafiti pas falimentimit të atyre industrive viteve tetëdhjetë–strehë emigrantësh nga Lindja e Mesme, dyqanesh sendesh të përdorura dhe kovaçhanash. As njëqind metra mbi Melidoni gjendet pjesa veriore e rrethit nga ku soditet Akropoli prej kafenesh të shtrenjta. Në hyrje të rrugës, blloqe betoni që pengojnë trafikun e makinave, në hyrje të sinagogës, një postbllok si ata ngjitur ambasadave.

Ceremonia vazhdonte nën mërmërimë dhe mes pëshpërimave në masë greqisht, dhe ndonjë në anglisht, kalonte nëpër të dhe ndonjë gjë në shqip. Ishin nga Kohenët e Shqipërisë, fis të cilët në 1990-ën u shkulën të gjithë për në Brooklyn të Nju Jorkut. Ceremoninë do e bënin për Revekën, vajzën e Elia Kohenit. Pas bekimeve të rabinit, bekimet vajzave do ua jepnin baballarët.

Urimin për të bijën Elia e nisi në anglisht, por pastaj i tha para sallës, “tani do të të uroj si na kanë uruar gjyshërit në kohën e tyre. Χώμα να πιάνεις μα χρυσάφι να γένετε (Hóma na piánis ma hrisáfi na génete).” Që do të thotë, ‘tu bëftë flori edhe dheu që prek.’

“Atë moment, s’mbeti njeri në sinagogë pa iu mbushur sytë me lot,” kujton Zanet Batinu, drejtoreshë e Muzeut Hebraik të Athinës dhe kushërirë e Batinove të Shqipërisë. Edhe vajza e Batinut ishte për bat mitzvah. “Gjyshja ime s’përmbahej. Jo vetëm ngaqë kishte kohë që s’e kishte dëgjuar atë urim të vjetër, por edhe se si e tha, si e shqiptoi sipas të folmes së vjetër.” Në greqishte standarde folja të bëhet shqiptohet ginete, por Elia Koheni foli në dialektin e dikurshëm të Janinës.

“U organizua nga Gabi, Gabriel Negrini, nga ai rabini atje,” thotë Nesim Koheni, xhaxhai i Revekës, i cili ndoqi ceremoninë. “Ai donte të mblidhte komunitetin, të njiheshin me njëri-tjetrin.”

Kushedi e sata herë është kjo që del përpara ky emër!

Për herë të parë e hasa në fillimet e këtij kërkimi pranverën që shkoi nga autori më elegant mbi hebrenjtë e Greqisë, një tetëdhjetëekusur vjeçar tani i tërhequr pranë sinagogës së cilës i ridha jetë në Hania të Kretës, Nikos Stavrulakis.

Stavrulakis ka bërë një libër mesmerizues mbi Selanikun—ese mbi një koleksion fotografish të 1910-ës i cili tregonte një qytet të fshirë nga kohërat. Mbushur me dyqanxhinj e hamallë sefardinj dhe dervishë tarikatesh. Ai libër e kthen atë qytet në elegji.

“Por nuk di shumë për janjiotët,” më thotë në telefon Stavrulakis. “Pyet Gabrielin, Gabriel Negrinin që jeton në Athinë. Thuaji që të kam çuar unë.” Një rabin sefardi prej Sarajeve, njohës me themel i hebraizmit jo vetëm ballkanik, po aty më çon, tek Gabriel Negrini.

Negrini pati nisur studimet për muzikë elektronike në Kretë, por aty pati zbulimin e religjionit dhe para dy vjetësh u bë rabini i Athinës dhe gjithë Greqisë në këtë sinagogë që është prej fillimit të shekullit të njëzetë. Dhe lajmi mori dhenë dhe u dha dhe nga gazeta The Forward e hebrenjve të Amerikës. Tani, fotoja e tij në faqe zyrtare është me kipà a homburg dhe tefilin. Përfshihet në gjurmime të muzikës së hebrenjve dhe në muzikë eksperimentale. Di t’i bjerë shofarit, bririt të dashit që përdoret gjatë Festave të Mëdha hebraike, është mohel, (synetëzues ritual), ka zë shumë të mirë. Ka kryer studime teologjike në Izrael.

“Ka aktivizuar komunitetin!” më thotë Allegra Matsa nga Janina. “Është i aftë të angazhojë të rinjtë. Rabinët paraardhës ishin në moshë dhe të stilit të vjetër. Meh!”

Shiko, më shkruan Moses Elisafi, kardiologu që kryeson Komunitetit Hebre të Janinës. “Rabi Negrini është nga Shqipëria.”

Kur dikur nga vitet njëzet Josef Negrini nga Janina la të shoqen Anetën të ve, kjo e kalonte më shumë kohën tek vajzat e martuara ndër hebrenj të Vlorës. Nga vitet tridhjetë, i erdhi dhe djali i madh, Mojzja, i cili në Janinë si çilimi kishte shitur gazeta. Nga vitet gjashtëdhjetë Aneta e la vendin dhe iu bashkua një djali tjetër të sajit që jetonte në Izrael, por Mojzja, i cili ishte aktiv edhe në jetën kulturore të Vlorës, doli në pension si llogaritar në Ndërmarrjen Tregtare të Ushqimit Social, ndërmarrjes që furnizonte restorantet e qytetit.

Dhe Mojzja pati Fiton si djalë dhe Fitua, dikur nga të njëzetat, u martua me një fqinjën e vet në pallat në Vlorë, e cila vinte nga një familje e njohur e krishterë ortodokse e Mifolit—një teze e saj është psikologe e njohur për fëmijë në Tiranë. Fito dhe Greta Negrini lindën fillimisht Revekën që studion për dentiste në Athinë dhe në vitin 1988, tre vjet para se të merrnin plaçkat për në Greqi ku Mojzja kish të vëllanë, lindën djalin, Gerionin.

Gerioni është Gabrieli, rabini Gabriel Negrin.

Di shqip? “Siç e di unë greqishten, me copa,” më thotë Nesim Koheni. S’preferon ta flasë a ta dëgjojë, më thonë të tjerë.

U përpoqa të lidhem si me Fito Negrinin ashtu dhe rabi Gabrielin por nuk ia dola. Më përmendën probleme sigurie.

Pas 1990-ës, tjetër gjë ishte hebreu janjiot i kthyer nga kampet e përqëndrimit, tjetër ai nga Halki që i shpëtoi i gjithi Holokaustit, dhe tjetër gjë ai që vinte nga Shqipëria e Enver Hoxhës, shkruan Marie-Elizabeth Handman, një antropologe franceze që i pati studiuar ata në atë periudhë. Hebrenjtë shqiptarë shkonin shumë më mirë me ata të feve e tjera, të cilëve u jepnin pulën e Pesahut ndërsa nuk pinin për Ramazan, por të paketuar në Izrael, ishin fillimisht më të tulatur dhe më konservatorë.

Nga ana tjetër, në pjesën më të madhe, hebrenjtë shqiptarë janë si shqiptarët e tjerë dhe s’e vrasin mendjen për fenë. Kur Andon Meloja, fëmija që doli nga martesa e parë e një hebreu me një johebre në Shqipëri, pati kërkuar të regjistrohej në komunitetin hebraik të Athinës, ku jeton, para tre vjetësh, e habitën. Donin ta çonin për ta bërë synet. “U thashë, ‘Me mua doni të talleni ju? Unë jam burrë tetëdhjetë e tre vjeç,” thotë Meloja, inxhinier në pension, grek i Delvinës nga i ati, hebre Delvine nga e ëma, martuar me shqiptare me origjinë myslimane, jetuar në Fier gjatë komunizmit. Por si hebrenjtë e tjerë, tregojnë solidaritet të madh me njëri-tjetrin. Dhe në Izrael, një pjesë e mirë e bashkëshortëve johebrenj apo fëmijët e lindur nga nënë johebreje prej shqiptarëve, janë konvertuar në judaizëm, proces më i gjatë dhe më i mundimshëm se konvertimi në krishtërim apo islam.

Dallojnë dhe në Izrael shqiptarët më thotë Matsa. Kanë bërë më përpara nga shumë janjiotë të tjerë të vendosur atje.

Disa nga ata që shkuan në moshë në Izrael apo tjetërkund, e kishin të vështirë. Pepe Kantozi, i cili vdiq viteve nëntëdhjetë në Karmiel, qante rrethin shoqëror që kish lënë pas. “Kur shkoja në Vlorë e më merrte babai në telefon nga Izraeli, nuk më pyeste si je e si shkon,” thotë Zhaneta Solomoni-Jakoel, “por se ç’bënte e si i kishte punët Baçi, ç’bënin Xhevoja, Ruzhdiu e Kudreti, si ishte Shazja…,” shokët e vet të rrugës Justin Godard.

“S’e mbaj mend ku e kam lexuar se është bukur të jesh hebre, por është dhe shumë e vështirë,” thotë Zhaneta Solomoni-Jakoel. Zhaneta jeton në Janinë, me të shoqin Solomonin, edhe që të jetë pranë qytetit ku u lind dhe u rrit, Vlorës.

“S’e mbaj mend ku e kam lexuar se është bukur të jesh hebre, por është dhe shumë e vështirë,” thotë Zhaneta Solomoni-Jakoel. Zhaneta jeton në Janinë, me të shoqin Solomonin, edhe që të jetë pranë qytetit ku u lind dhe u rrit, Vlorës.

Por dhe nga brezi i parë pati që ia dolën dhe zunë punë të mira, ato që kishin lënë në Shqipëri, thotë Gerion Kureta. “Brezi i dytë pastaj, ai që lindi atje, shpërtheu. Patën sukses të paparë.”

Sidomos pas të nëntëdhjetave, filluan të rivinin për vizitë shumë syresh. Shemo Sollomonin, me të cilin u lidha në fillim për të mbledhur eksperiencat e hebrenjve janjiotë të Shqipërisë, e gjen në Vlorë çdo dy vjet, ku ka blerë dhe shtëpi. Çdo vit pelegrinon në apartamentin e vet në Tiranë Zino Matathia, doktori, i cili të thotë se u mbruajt në dy placenta, nga Shqipëri dhe nga Izraeli. Kur pat parë një vajzë hebreje serbe me banim në Izrael të dilte në televizor në 1999-ën e të thoshte se ishte e gatshme të shkonte të luftonte në Kosovë, ai pat shkuar si vullnetar në një spital për refugjatë kosovarë që pati ngritur ushtria izraelite në Bllacë. Kur lëvizi në Janinë me të shoqin dhe vajzat në 1990-ën, Zhaneta Jakoeli qau gjashtë muaj rresht se e merrte malli për Vlorën. Tani, televizorin në apartamentin e saj në Janinë e mban tek kanalet shqiptare dhe kur kthehet nga Vlora verës sjell me vete një valixhe me romane shqip dhe në të dyja vizitat që bëra tek Jakoelët, ajo shpesh e kthente bisedën tek letërsia. Edhe kur bëjnë festë për bar dhe bat mitzvah-të shqiptarët, thotë ajo, siç para ca kohësh vjetësh në Amerikë, ia marrin “O do marr çiftenë, e do dal për gjah!”

Nisim Koheni rrëmon prej Bruklini kujtimet e nënës dhe babait duke i plotësuar me librat e shkruara për janjiotët dhe hebrenjtë. Anna, dentistja dhe kushërira e tij që u pat larguar në rini dhe i pati tërhequr njerëzit e vet në Nju Jork, është mbase shqiptarja më entuziaste sot në Amerikë. Por vëllai i madh i Nesimit nuk do t’ia dijë për vendin e shqiptarët.

Nuk të çudit. Marrëdhënia me këtë vend, i cili krijoi një nga diktaturat më brutale, më mjeruese dhe më poshtëruese në Evropë, u bë gjë e vështirë për të gjithë ne që jetonim aty. Dhe marrëdhënia e tyre me vendin ka ngecur në këstin e fundit të dëmshpërblimit të përndjekjes të të atit, të cilit i mori mbrapsht jeta, si dajës sim, kur bënë pesë vjet burg politik në rini nga fundi i viteve dyzet. Dhe njerëzit e së shoqes në Vlorë. Nuk është kjo gjithshka, për mirë apo për keq. “Kemi lindur në Shqipëri, jemi rritur në Shqipëri,” më thotë Nesimi “Unë shqiptar e konsideroj veten.”

Para tetë vjetësh, në Shqipëri u kthye nga Izraeli Geri Kureta, i cili mban këtu një biznes lodrash për fëmijë. Më thotë se edhe brenda Izraelit diskursi mbi identitetin hebre—i cili sidomos pas Holokaustit u lidh me shpërnguljen në atë vend, ka ndryshuar. “Nuk është e domosdoshme të jesh hebre dhe të jetosh atje,” thotë. “Mund të jesh hebre kudo, siç edhe ndodh.”

Elio Jakoeli, një nga fëmijët e dy të mbijetuarve janjiotë nga Aushvici që erdën dhe u vendosën në Tiranë, ka dyqan të vetin në Brooklyn, por më thotë se biznesi nuk i ecën siç do. Brezin e vet në Tiranë, vitlindja 1953, e kujton me mall. “Nuk vjen brez si ai,” thotë. “Të sinqertë, të hajrit.” Tiranas tipik, 24-karatësh, ky Elio. Ndonjëherë e ngacmon dhe ideja të kthehet e të jetojë këtu.

Jakov Sollomoni, i cili tani vonë ka shkruar disa libra mbi përvojën hebreje të Shqipërisë ishte nga ata që u largua me të katra në 1991-in dhe sot jeton në Ber Sheba, buzë shkretëtirës së Negevit në jug të Izraelit. Si stil, rrëfimi i tregimeve të tij lëviz nga një drejtim në tjetrin, si muhabet shtruar, dhe përdor shprehje të shqipes të atij që e ka atë gjuhë të vetën. Një greqishte popullore e mësoi nga familja. Anglishtes dhe rusishtes i hyri vetë, madje pati sjellë në shqip dhe një vjershë të Lermontovit. Tani merret vesh dhe në hebraisht. “Por për të shkruar, shqip shkruaj.”

“Brezi i ri është ndryshe,” më thotë. Djali dhe nusja zbatojnë kashrutin, rregullat strikte dietetike të hebrenjve besimtarë, dhe mbajnë shabatin. “Neve jo,” thotë. “Gruaja më bën shpesh tavë Elbasani.” Gjellë më anti-kosher nuk ka.

Rashela Sollaku, e lindur Matathia, është nga ata pak hebrenj janjiotë që nuk lëvizën në Izrael. Inxhiniere kimiste, ajo vendosi të rrijë në Shqipëri të kujdeset për të shoqin, i cili do vëmendje shëndetësore. “Është dhe mysliman me origjinë,” thotë. Ajo është mbesa e Mateo Matathisë që u kujdes të merrte shtëpitë e gjyshit në Vlorë, gjë që i dukej e pamundur në 1997-ën, kur njëra nga ato u dogj dhe një hajvan pati zhgarravitur mureve një kryq nazist–edhe atë mbrapsht, me sens anti-orar. “Është vonë për të lëvizur,” thotë kur e takoj në një kafene në qendër të Lushnjes. “Jetën e kam këtu.” Por njëri djalë, informaticien i studiuar në Romë, po përgatitet t’i vejë në Izrael në kërkim të kësaj pjese të rrënjëve të veta.

Në javën e parë të tetorit, dy ditë pasi hebrenjve u fillonte viti 5776, gjej në dyqanin e tij në Janinë Marko Batinon, djalin e atij Pepos që kish shpëtuar fizarmonikën nga ushtarët shqiptarë, kur në 1946-ën e përzunë me gjithë familje. Takova dhe të ëmën, Ninetën. Pepoja, i cili ndërroi jetë para pak vitesh, deri sa mbahej e rrinte në dyqan, kur i dilte shqiptar në derë ia shtronte muhabetit shqip. “Baba, do shesësh apo do merresh me llogje,” e ngacmonin të tijët. Donte Pepoja t’ja mësonte shqipen Markos kur ishte fëmijë, por ç’i hynte në punë shqipja atij, gjuhë e vdekur si greqishtja e Homerit—vetëm kur t’i vinte ndonjë xhaxha nga andej një herë në njëzet vjet. Por me shqiptarët që vajtën atje pas nëntëdhjetave, emigrantët që zunë sektorë shërbimesh a kujdeseshin për të moshuar në qytet “do ti që u dashka?”

Kur u sëmur e zuri shtratin Pepoja, filloi t’i mësonte greqishten shqiptares që kujdesej për të.

Markoja u bë muzikant dhe manaxher muzike dhe pati dhe dy buzuki me famë në qytet, vende ku politikanët shqiptarë, të stërmunduar nga lodhja që u shkaktonte vendi pas 1997-ës, shkonin për të ndërruar vend. “Kush nuk ka ardhur. Fatos Nano, Sali Berisha.”

“Akoma s’kam qenë në Izrael,” thotë Markoja. “Xhaxhai më lutet t’i shkoj. Këngët greke kanë popullaritet atje. Më thotë: ‘Dy këngë të këndosh, biles as ti këndosh, t’i inçizosh, dhe s’do kesh nevojë të punosh gjithë jetën.’

“Por jam grek, ky është vendi im. Nuk ka vend më të mirë në botë, megjithë krizën.”

Kushëririn e tij të tretë, Viktor Batinon, i cili pas ca vitesh në Izrael tani punon si administrator pronash të patundshme në Toronto të Kanadasë, kur e pyes se ç’e ndjen veten më thotë: “Fifty-fifty. Gjysëm hebre, gjysëm shqiptar.”

David Kantozi është djali i Mimiko Kantozit, i cili punoi gjithë jetën në Albturizëm gjatë komunizmit. Tani Davidi punon në Tel Aviv. U pat bërë me nerva para ca vitesh nga një dokumentar i televizionit të Izraelit për Shqipërinë si vendi me “Islam të mirë.” Shqipëria hynte në klasifikimet thjeshtëzuese gjeopolitike, të cilat i acaronin hebrenjtë shqiptarë atje. Kur u bënë zgjedhjet për guvernator të Bankës së Shqipërisë para dy vjetësh, pati aplikuar për atë vend. Në një media, poshtë këtij lajmi, dikush kishte komentuar, “Moss, tani e kemi të sigurtë falimentimin. Nuk mjaftohen hebrenjtë me financat botërore duan edhe atë të Shqipërisë.”

“U ndjeva shumë i fyer,” më thotë Kantozi. “Familja ime i ka dhënë Shqipërisë ç’mundi.”

Tani ka dhe hebrenj shqiptarë që vizitojnë Janinën, lagjet ku u rritën paraardhësit. Kur fola në gusht në telefon me Annette Frommin, folkloristen nga Florida mbesë janjiote, ajo më tregoi motivimin e saj për ta studiuar si komunitet viteve tetëdhjetë. “Ekziston një Janinë fiksionale në mendjen e atyre që jetojnë atje, të njerëzve, të hebrenjve që kanë lidhje me të.”

Në një farë kuptimi, atë botë fiksionale kërkoja dhe unë, jo vetëm të një qendre provinciale perandorie si Janina, por edhe të një hapësire ku kulturat i rrinin bri njëra-tjetrës, të cilën e rrafshuan mënxyrat e shekullit të njëzetë, dhe i bënë njerëzit tu ngjiteshin anijeve e të merrnin arratinë prej tyre.

Imagjinoje, i thosha Isak Dostit ndërsa drejtoheshim drejt pallatit të tij mu jashtë Kastrosë një pasdite të nxehtë gushti, nëse nuk do kishte pasur luftë botërore, mos të kishte pasur Ballkani–siç pati shkruar një gazetar në fillim të luftërave në ish-Jugosllavi–atë prirje për dhunë, do ishte nga vendet më të mira të botës.

Dosti, shtetas amerikan dhe grek me baba të lindur në Vlorë, i cili vetë ka kaluar jetën duke mbledhur copëza nga këto botë, duke lidhur janjiotë të Argjentinës me të Venezuelës me të Izraelit me të Francës me të Shqipërisë me të Janinës, dhe duke kërkuar për vllehët e zonës për romanin që është duke shkruar, më thotë: “Eh sikur, eh sikur,” dhe hyn përpara në shkallën e tij tek pallati i hebrenjve.

Nuk është çudi të mbash mbiemër që të tregon nga një vend tjetër. Ka dhe të krishterë grekë që mbajnë mbiemrin Tepelenis dhe në Korfuz një familje e madhe quhet Avlonitis, vlonjati, ashtu siç ka shqiptarë të familjeve Kosturi a Janina.

Një herë, kureshtar për familjet e hebrenjve me mbiemër Tepeleni u lidha me Isakun, një muzikant. “As e kam idenë ç’është. Ndonjë mal në Shqipëri?”

Nuk di të ketë gjurmë hebrenjsh në Tepelenë, megjithëse s’përjashtohet të ketë qëlluar ndonjë dyqanxhi a shitës ambulant në shekull të nëntëmbëdhjetë, pasi ishte pjesë e pashallëkut të Janinës dhe shtrihej përgjatë luginës së Vjosës ku kalonin njerëzit dhe tregëtia.

Kafeneja ku erdhi 62-vjeçari Jakov Tepelenis me të shoqen Anën, prindër të Isakut, ndodhet afër shtëpisë së tij në Vrilisiá, në lagjjen diku rreth pesë kilometra në verilindje të qytetit e cila nga tokë bujqësore u bë zonë banimi për shtresat e mesme të Athinës gjatë bumit të ndërtimit viteve tetëdhjetë.

Aty, për nëntëdhjetë minuta, Jakovi tregoi historinë e familjes së tij, ngadalë, që të sigurohej se ishin marrë shënim të gjitha gjërat që thoshte. Nuk e ka idenë pse e mbajnë mbiemrin Tepelenis.

“Nuk e di se cilët janë emrat që më thoni, (kasapi Jehuda Tepelena, i cili përmendet në reportazhin e parë të kësaj serie) pasi Tepeleni ishte një mbiemër që mbahej nga familje që s’kishin lidhje farefisi me njëra-tjetrën.

“Familja ime ishte e Jakov Tepelenit, e gjyshit tim, mbase ai ishte kasap.

“Babain ma quanin quhej Isaak dhe e vetmja lidhje që kishte me Shqipërinë ishte se gruaja e tij e parë ishte hebreje nga Shqipëria, nga fisi Haxhis.

“Quhej Stamula Haxhis dhe kishte dhe një vëlla, Isaak Haxhis, i cili pati vajtur s’e di se si në Izrael.

“Por babai dhe gjyshi im ishin të lindur dhe rritur në Janinë dhe s’kishin vajtur gjëkundi tjetër.

“Stamula dhe shtatë fëmijët e babait nga martesa e tij e parë vdiqën të gjithë në Aushvic. Ishte e tmerrshme vetëm kur e dëgjoja këtë gjë.

“Nga Aushvici u kthye dhe një vajzë me emrin Estir Tepeleni, e cila mendonte se ishte motër e babait tim dhe erdhi në Janinë të kërkonte familjen. Por nuk ishte motër e tij, as kushërirë, se siç të thashë, s’kishin lidhje gjaku të gjithë Tepelenit, ishte thjesht koincidencë.

“Estir Tepeleni ndenji në Janinë dhe u martua aty dhe pas martese ndryshoi mbiemër e nuk e di ç’u bë më me të.

Hebrejtë e Janinës dukue u deportuar nga nazistët drejt kampeve të vedkjes në vitin 1944

Hebrejtë e Janinës duke u deportuar nga nazistët drejt kampeve të vedkjes në vitin 1944

“Babai im, Isaaku, ishte shitës zarzavatesh dhe u martua prapë me nje hebreje të fisit Iosafat nga Larisa të cilën e quanin Luna, mamanë time, dhe me të bëri dy fëmijë: mua dhe motrën time Stelën, e cila ndodhet në Izrael që prej 1969-ës.

“Familja e babait tim kishte dy-tre, mbase dhe katër shtëpi në Janinë, (s’e di cilën shtëpi keni parë në Janinë, por shtëpia që shitëm në 1973-in është akoma shumë e bukur.)

“Kur u kthye babai nga Aushvici, vetëm njerën shtëpi arrite të merrte, ate qe ndodhej në Skufa 10, shtepite e tjera i kishin uzurpuar duke menduar se nuk do të ktheheshin më kurrë. Madje kishin falsifikuar dokumenta sikur shtëpitë i kishin të tyret. Nuk arrij dot të ta shpjegoj se ç’bëhej atëherë. Kush kishte dalë gjallë nga Aushvici ishte i humbur, nuk kishte fuqi as të tregonte historinë e tij e jo më të kërkonte pasurinë. Kohë të egra.

“Për njërën nga shtëpitë, ai që e kishte marrë i tha babait: ‘e di që shtëpia është jotja, të mbaj mend, por me dokumenta tani e kam timen dhe s’më bën dot asgjë. Por meqë të njoh dhe di që je njeri i mirë, do të të jap disa lira dhe ti do më nënshkruash një dokument që po i merr këto lira (s’e mbaj mend shumën por ishte qesharake) dhe që s’ke më asnjë pretendim për shtëpinë.’

“Dhe babai mori ato pak para e nënshkroi. Nuk kishte ç’të hante.

“Unë dhe motra u larguam nga Janina dhe Greqia më 1969. Isha 17 vjeç. Na dërguan prindërit në Izrael, pasi e quanin të domosdoshme të rriteshim në vendin e origjinës sonë.

“Nuk e di se sa mirë bënë. Por edhe Janinën nuk do e preferoja. Kujtimet që kam që atje nuk janë kushedi çfarë, fshat ishte atëhere, me qerre dhe karroca nëpër rrugë të pashtruara. Më vonë u bë qyteti i bukur që shikoni sot. Prapëseprapë, Izraeli s’ishte i lehtë si fillim. Po kalonte një inflacion të tmerrshëm. Megjithatë ja dolëm.

“Në 1981-in në një dasëm në Izrael, u njoha me gruan time Ana Kohenin, e cila kishte ardhur për dasmën nga Athina. Na solli fat ajo dasëm, s’kaloi shumë kohë dhe u martuam edhe ne dhe bëmë dy fëmijë, dy djem. Në 1986-ën kur Izraeli po kalonte krizën e dytë financiare dhe u bë e vështirë jetesa, vendosëm të kthehemi në Athinë.

“Në vitin 1973 prindërit e mi, tashmë në pension, shitën gjithçka kishin në Janinë dhe erdhën në Izrael. Qëndruan deri në 1975-ën kur u kthyen për pushime në Janinë dhe babai vdiq aty me infarkt. Kjo është dhe arsyeja që vete shpesh në Janinë. Atje kam eshtrat e tim eti.

“Por jo, nuk do të doja të jetoja atje, megjithëse ime shoqe do. Thjesht shkoj kur më jepet mundësia, festa fetare, dasma… ç’të jetë, sa herë që kam mundësi.

“Kur u kthyem në Athinë në 1986-ën, Greqia ishte në kulmet e saj dhe gjetëm kollaj punë, ato që patëm në Izrael. Unë instaloja ashensorë dhe gruaja punonte në një supermarket.

“Tani, të dy djemtë që bëmë me universitet këtu, njerin muzikant, pianist, e tjetrin llogaritar të lartë, u detyruan të shkojnë në Izrael prej krizës së këtushme. S’gjenin punë këtu. Tani në Izrael është shumë mirë gjendja. Ka punë. Ne vazhdojmë të rrimë këtu, dhe vetëm shkojmë e i vizitojmë. Jemi të dy pensionistë tani dhe gjendemi rahat këtu.

“Babai nuk na fliste as për familjen që kish patur, as për Aushvicin. Ishte shumë e dhimbshme për të. Motra e ngacmonte më shumë se unë, e megjithate ai shumë rrallë fliste. Unë s’e ngacmoja pasi e kuptoja sa shumë e vuante. Nuk pranonte të kthehej mbrapa në kohë. Dhe ato pak gjëra që arritëm t’i nxirrnim na i tregonte nga fundi i jetës. ‘E ç’i doni historitë e vjetra?’ na thoshte. Nuk donte të fliste. Unë nuk e di se si ishte babai im para luftës, por burri që njoha unë ishte një njeri i mbyllur në vetvete, i heshtur. Ndaj edhe s’e kam informacionin të plotë.

“Me komunitetin e këtushëm shihemi për festa. Nuk jam shumë religjioz dhe më shumë shkoj në Janinë. Rabinin e ri këtu s’e njoh mirë. Di që bën shërbesa të mira dhe ke kënaqësi ta dëgjosh. Ka vullnetin e mirë që të bëjë punë por përsa i përket forcimit të lidhjeve brenda komunitetit dhe me Janinën s’para vë re të ketë ndryshuar gjë. Por edhe s’para shkoj në sinagogë (buzëqesh).”

Një fotografi? Ngre supet. Por edhe po doli fotografia në gazetë, në Shqipëri do dalë, jo këtu!

“E lëmë më mirë pa fotografi këtë gjë.”

Për këtë shkrim nga Athina raportoi edhe Elona Gjermeni.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY