Presidenti Nishani në Maltë, dekoratë e lartë nga Princi

Presidenti Nishani në Maltë, dekoratë e lartë nga Princi

60
0
Shares

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me ftesë të Princit dhe Mjeshtrit të Madh, Lartësisë së Tij Më të Shquar, Fra’ Mattheë Festing zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Urdhrin Sovran të Maltës. Pas ceremonive të mirëseardhjes dhe interpretimit të himneve të Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran të Maltës, Presidenti Nishani dhe Mjeshtri i Madh zhvilluan një takim të ngushtë e më pas, kryesuan takimin e zgjeruar mes dy delegacioneve.

Presidenti i Republikës shprehu falënderimet për ftesën për të vizituar Urdhrin Sovran të Maltës, si dhe mirënjohjen e thellë të Shqipërisë e shqiptarëve për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen që Urdhri Sovran i Maltës, vullnetarët e tij dhe në veçanti Malteser Albania që operon në Shkodër, kanë dhënë në ndihmë të individëve, familjeve apo grupeve shoqërore në nevojë, kryesisht në zonat e varfra e të thella të veriut të vendit, që për një kohë të gjatë kanë qenë jashtë vëmendjes njerëzore dhe shtetërore.

Kreu i Shtetit vlerësoi nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran të Maltës, duke theksuar se në themel të këtij bashkëpunimi qëndron vullneti e dëshira e përbashkët, miqësia e shqiptarëve për Urdhrin Sovran të Maltës, si dhe vlerat e virtytet e solidaritetit për njerëzit në nevojë. “Ndihma në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe ndihmës sociale, por edhe në përballimin e emergjencave civile, si dhe kontributi në përballimin e fluksit të refugjatëve nga Kosova në vitin 1999, nuk do të harrohet kurrë nga shqiptarët dhe do të jetë një themel i fortë e i qëndrueshëm i miqësisë mes tyre dhe Urdhrit Sovran të Maltës.” – u shpreh Presidenti i Republikës.

Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu pasurimin e kuadrit ligjor mes Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran të Maltës, përmes nënshkrimit dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes kuadër të Bashkëpunimit, e cila shumë shpejt do t’u hapë rrugën marrëveshjeve të tjera më specifike.

Në fund të vizitës zyrtare, Presidenti Nishani u dekorua nga Princi dhe Mjeshtri i Madh i Urdhrit Sovran të Maltës, Lartësia e Tij Më e Shquar, Fra’ Mattheë Festing, me dekoratën më të lartë të Urdhrit: “Collare pro Merito Melitensi” për kontributin e dhënë në forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve mes Urdhrit Sovran të Maltës dhe Republikës së Shqipërisë.

Duke falënderuar për këtë dekoratë, Presidenti i Republikës u shpreh ndër të tjera se: “Personalisht ndihem shumë i nderuar dhe i privilegjuar, por njëkohësish e konsideroj këtë dekorim si një nder që u bëhet të gjithë bashkëqytetarëve të mi dhe si një vlerësim për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë e shqiptarëve me Urdhrin Sovran të Maltës”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY