Ministrja Xhaçka bën bilancin paraprak të tërmetit: 68 të lënduar, dhjetëra banesa...

Ministrja Xhaçka bën bilancin paraprak të tërmetit: 68 të lënduar, dhjetëra banesa te dëmtuara

94
0
Shares

Të dhënat zyrtare nga dëmet e tërmetit u dhanë në një deklaratë për mediat nga Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka. Xhacka tha se vetëm në Tiranë janë dëmtuar rreth 46 banesa, ndërsa vlen të theksohet se nuk ka patur fatmirësisht humbje në jetë njerëzore.

“Është një lajm i mirë që goditjet pasuese shënuan një trend në ulje. Sipas informacioneve zyrtare paraprake, deri në momentin që po flasim raportohet për 68 persona atë lënduar, por bëhet fjalë për lëndime të lehta që kanë ardhur si pasojë e frikës, disa prej të lënduarve janë asistuar nga ekipet e ambulancave. E rëndësishme të theksohet që nuk ka pasur humbje jete.

Në qarkun e Tiranës ka dëmtime, kryesisht krisje në 46 banesa, në Dajt, Komunë e Parisit, Asrtir, Kashar e Zallher. Në Durrës, Shijak, raportohen dëme në dy pallate dhe banesa të vjetra. Në qarkun Dibër raportohen 4 banesa të dëmtuara dhe një e rrëzuar plotësisht. Në Berat një banesë që e dëmtuar, në Fier 4 banesa të dëmtuara lehtë, e rëndësishme është që nuk ka asnjë dëm në puset e naftës. Të gjithë në kryet e detyrës”, tha Xhaçka.

DEKLARATA E PLOTË:

Të dashur qytetarë,

E di që këto kanë qenë orë shumë shqetësuese për të gjithë ne. Dua të ndaj me ju informacionin zyrtarparaprak, që disponojmë për momentin bazuar në të dhënat që na vijnë nga terreni përmesshtabeve të emergjencës në të 12 prefekturat, ekipeve të emergjencave në të 61 bashkitë, komisariateve të policisë dhe spitaleve për t’ju dhënë një pasqyrë sa më të plotë të situatës.

Tërmeti që ra sot, në orën 16.05 minuta ishte i një magnitude 5.8 sipas shkallës Rihter,me një intensitet prej 7 deri në 8 balle ne epiqender. Epiqendra ka qenë në Detin Adriatik, 30 kilometra në veri të Durrësit.  Goditja fillestare është shoqëruar nga disa lëkundje, për fat të mirë me magnitudë dhe intensitet më të ulët.

Sipas ekspertëve të Institutit të Gjeoshkencave, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm, është e pritshme që ngjarja kryesore të pasohet nga lëkundje të tjera deri në stabilizimin e pllakave tektonike. Por duke e konsideruar tërmetin e orës 16.05 si ngjarjen sizmike kryesore, është një lajm i mirë që goditjet pasuese kanë shënuar një trend në ulje, qoftë për sa i përket magnitudës ashtu edhe intensitetit.

Sipas informacioneve zyrtare paraprake – dhe dua ta theksoj që këto informacione janë duke u përditësuar minutë pas minutiteksa ekipet skanojnë situatën në terren – deri në momentin që po flasim, raportohet për 68 persona të lënduar, por në të gjitha rastet bëhet fjalë për lëndime të lehta, që kanë ardhur kryesisht si pasojë e situatës së frikës që kanë përjetuar qytetarët në momentin e tërmetit, dhe pasi kanë marrë trajtimin mjekësor, janë larguar sërish për në banesat e tyre. Disa prej të lënduarve janë asistuar nga ekipet mjekësore të ambulancave pranë vendeve të tyre të banimit.

Ajo që është më e rëndësishmja, eshte senuk ka pasur asnjë humbje jete.

Nga ana tjetër tërmeti ka shkaktuar dëme materiale, sidomos në Durrës dhe Tiranë, por fatmirësisht, ne pjesën dërrmuese behet fjale per krisje të mureve apo dëme të tjera të këtij niveli ndonëse në ditët në vijim serioziteti i këtyre dëmtimeve do të verifikohet nga grupet e ekspertëve në terren.

Më konkretisht, nëqarkun Tiranë raportimet e deritanishme flasin për:

Dëmtime, kryesisht krisje, në46 banesa e 3 pallate në Farkë, Zonën e Astirit, Dajt, Komunën e Parisit, njësia administrative 2 dhe 6, si dhe në Pezë, Kashar, Zallherr, dhe Kodër Sharrë,

Në qarkun Durrës, në Shijak dhe në Durrës qytet raportohen dëme ne 4 pallate dhe 42 banesa, kryesisht te vjetra.

Në bashkinë Librazhd janë dëmtuar 7 banesa.

Në qarkun Dibër, bashkia Klos, njësia administrative Xibër raportohen 4 banesa të dëmtuara, nga të cilat një e rrëzuar.

Në bashkinë Berat ka një banesë të dëmtuar.

Në qarkun Lezhë, në qytet ka dëme të lehta në 4 banesa.

Në qarkun Fier, janë shënuar 4 banesa të dëmtuara lehtë në Bashkinë Lushnje, dhe njësinë administrative Fier Shegan, por ajo që është e rëndësishme, pak më parë u konfirmua që nuk ka asnjë dëm në puset e naftës.

Në bashkinë Korcë nuk raportohen dëme.

Cdo institucion i shtetit shqiptar, FA, Ministria e Shëndetësisë e cila ka vendosur staf të përforcuar mjekësor nëpër spitale dhe gjendje gatishmërie për cdo emergjencë, prefekturat dhe bashkitë përmes ekipeve të tyre të emergjencave, komisariatet e policisë, janë në krye të detyrës për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve kudo që mund të shfaqet nevoja.

Dua po ashtu t’i informoj qytetarët banesat e të cilëve kanë pësuar dëmtime, që bashkitë janë duke përgatitur qendra të posaçme strehimi për të sistemuar të gjithë ata që mund të kenë nevojë. Në raste nevoje apo për të marrë cdo lloj informacioni tjetër qytetarët mund të kontaktojnë një nga numrat e mëposhtëm:

Numrin unik 112, qëështë për cdo nevojë apo urgjencë. Dhe sipas nevojave specifike.

Policia e shtetit 129,

Zjarrfikesja 128,

Urgjenca 127

Kam qenë vazhdimisht në kontakt me Kryeministrin i cili ndodhej në Frankfurt në tranzit për në Nju Jork, ku do të merrte pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB, por ka vendosur ta ndërpresë udhëtimin për t’u kthyer po sot në Shqipëri. Dhe sot në orën 23.30 Kryeministri ka thirrur një mbledhje të qeverisë për të koordinuar punën e të gjithë strukturave vendore dhe qendrore për përballimin me gatishmëri të plotë 24 orë në ditë të pasojave të tërmetit.

Paralelisht, dua ta ritheksoj, po ngrihen edhe grupet e vlerësimit të dëmeve në secilën prej bashkive të prekura nga lëkundjet e tokës.

Po ashtu, dua të theksoj që gjatë këtyre orëve kemi marrë mesazhe solidariteti dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në përballimin e pasojave të tërmetit.

Unë e di që shumë qytetarë kanë përjetuar momente ankthi e frike. Por dua t’ju siguroj që po bëjmë gjithçka për të përballuar situatën. Këto janë ngjarje që nuk mund të parashikohen e as të parandalohen. Por ajo që ne mund të bëjmë dhe jemi duke bërë është që t’ju gjendemi qytetarëve kudo e kurdo që mund të kenë nevojë për ndihmë.

Forcat e Armatosura, policia e shtetit, stafet mjekësore, shtabet e emergjencave, prefekturat, bashkitë, ekipet e vlerësimit dhe cdo institucion i shtetit shqiptar qendror dhe vendor është 24 orë në krye të detyrës për të përballuar këtë situatë.

Do t’ju mbajmë të informuar në vazhdimësi për masat e mëtejshme.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY