Dalin përgjimet, Moisi Habilaj udhëtim në Romë më babain e Saimir Tahirit

Dalin përgjimet, Moisi Habilaj udhëtim në Romë më babain e Saimir Tahirit

281
0
Shares

Në verën e vitit 2014, kur autoritetet italiane kishin konstatuar kulmin e aktivitetit kriminal të klanit narko-trafikant “Habilaj”, drejtuesit e tij, Artan e Moisi Habilaj forcuan ndjeshëm raportet e tyre familjare e personale me ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri dhe me njerëzit e tij të afërt.

“Boldnews” ka siguruar, një përgjim ekskluziv të regjistruar nga autoritetet italiane, si edhe dokumente të tjerë zyrtarë, të cilët provojnë se, në Korrik 2014, kreu i grupit kriminal, Moisi Habilaj ka shoqëruar gjatë një udhëtimi në Itali shtetasit Bashkim Tahiri dhe Fatlinda Tahiri, përkatësisht babai dhe bashkëshortja e Saimir Tahirit.

Këto dokumenea janë pjesë e dosjes hetimore të Prokurorisë për Krime të Rënda, por që nuk gjendet në dokumentin “konkluzione përfundimtare”, në bazë të të cilit u kërkua dënimi me 12 vjet burgim për Saimir Tahirin.

Përgjimi

Në përgjimet e Prokurorisë së Katanias, e cila po hetonte prej vitit 2013 aktivitetin kriminal të Habilajve, gjendet e regjistruar edhe një bisedë e datës 10 Korrik 2014. Në atë telefonatë, Moisi Habilaj, i cili gjendej në Itali, komunikon me një numër shqiptar (069 53 92 XXX),i paidentifikuar në atë kohë nga prokuroria e Katanias.

Në këtë bisedë, ndër të tjera, Moisiu Habilaj i thotë bashkëbiseduesit të tij: “Jam këtu me Gjigandin Bashkim” dhe më pas i kalon telefonin Bashkimit për të komunikuar me personin në anën tjetër të telefonit, i cili gjendej në Shqipëri.

Mes dy burrave vijon komunikimi, ku shtetasi Bashkim e informon bashkëbiseduesin se do të kthehej në Tiranë atë ditë (dt.10 Korrik 2014), me avionin e orës 21.30 dhe do të mbërrinin në Shqipëri në 23.00.

Ky përgjim është investiguar më tej nga Prokuroria për Krime të Rënda, pasi mori në dorë përgjimet e autoriteteve italiane.

Hetimi i këtij detaji zbuloi të dhëna shumë të rëndësishme për lidhjet e Saimir Tahirit me drejtuesit e klanit “Habilaj”.

Moisiu, udhëtim me babain dhe bashkëshorten e Tahirit

Së pari, Krimet e Rënda verifikuan numrin shqiptar, me të cilin komunikoi Moisi Habilaj në 10 Korrik 2014. Rezultoi që numri 069 53 92 XXX ishte në përdorim të shtetasit Kujtim Tahiri, xhaxhai i Saimir Tahirit. “Boldnews.al” verifikoi edhe vetë këtë numër, nëpërmjet programit të thjeshtë “truecaller”, në të cilin ky numër vijon të rezultojë me emrin “Kujtim Tahiri”.

Numri i telefonit të shtetasit Kujtim Tahiri, me të cilin komunikoi Mois Habilaj në dt.10.07.2014 (verifikim me programin truecaller)

Pas kësaj të dhëne, Prokuroria Shqiptare dyshoi se personi “Bashkim”, i cili ishte në shoqërinë e Moisi Habilajt në udhëtimin në Romë ishte Bashkim Tahiri, babai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri.

Nga verifikimet në sistemin TIMS, rezultoi se Bashkim Tahiri nuk kishte dalje nga Shqipëria në drejtim të Italisë, në Korrik 2014. Të dhënat e TIMS-it ishin të ndryshme nga dyshimet e krijuara prej Prokurorisë.

Për të krijuar një situatë më të qartë, Prokuroria për Krime të Rënda i mori shtetasit Bashkim Tahiri pasaportën.

Nga kqyrja e pasaportës, një kopje të të cilave i ka edhe “Boldnews.al”, rezulton se shtetasi Bashkim Tahiri ka vula dalëse nga Shqipëria dhe dalëse nga aeroporti Fiumicino, në Romë, në datat 8 Korrik 2014 (dalje nga Shqipëria) dhe 10 Korrik 2014 (dalje nga Italia). Por, ndërkohë që punonjësit e Policisë së Rinasit kanë vulosur pasaportën e Bashkimit Tahirit, nuk e kanë regjistruar daljen e tij në sistemin TIMS.

Në bazë të këtyre të dhënave, Prokuroria Shqiptare forcoi dyshimet se Moisi Habilaj ka qenë nën shoqërinë e Bashkim Tahirit gjatë udhëtimit në Itali, në Korrik 2014.

Këto elementë ishte biseda telefonike ku përmendej “gjigandi Bashkim”; konfirmimi i shtetasit Bashkim se do të kthehej në Tiranë atë ditë (dt.10 Korrik 2014) me avionin e orës 21.30; si edhe vulat në pasaportën e Bashkimit Tahirit, dalëse nga Shqipëria dhe dalëse nga aeroporti i Fiumicion-s, Romë.

Kishte mbetur edhe një veprim tjetër, për të hequr çdo dyshim. Prokurorët morën listën e pasagjerëve të linjës ajrore që kishte kryer fluturimet Tiranë-Romë në 8 Korrik 2014 dhe Romë-Tiranë në 10 Korrik 2014.

Nga kqyrja e listës së pasagjerëve u sigurua një e dhënë akoma më interesante. Në listën e pasagjerëve në dalje drejt Romës, krahas emrit të Moisi Habilajt dhe Bashkim Tahirit, ishte edhe emri i Fatlinda Tahirit, bashkëshortja e ministrit të Brendshëm të asaj kohe.

Në listën e udhëtarëve në kthim nga Roma drejt Tiranës, një kopje të siguruar edhe nga “Boldnews.al”, rezulton se tre udhëtarët, Moisi Habilaj, Bashkim Tahiri dhe Fatlinda Tahiri kanë jo vetëm në një avion, por edhe në të njëjtën sedilje.

Lista e pasagjerëve të linjës Romë-Tiranë, dt.10.07.2014

Gjithashtu, Prokuroria verifikoi në sistemin TIMS udhëtimet e shtetases Fatlinda Tahiri, në të cilin, si në rastin e vjehrrit të saj, Bashkim Tahiri, nuk rezultonte dalje dhe hyrje të saj në Korrik 2014.

Njëlloj si në rastin e Bashkim Tahirit, Prokuroria sekuestroi pasaportën e bashkëshortes së Tahirit, në të cilën gjendeshin vulat hyrëse dhe dalëse nga Italia të Fatlinda Tahirit, konkretisht në datat 8 Korrik 2014 dhe 10 Korrik 2014.

Në bazë të këtyre të dhënave, Prokuroria Shqiptare konfirmoi lidhjet e forta ndërmjet Moisi Habilaj dhe familjarëve të ngushtë të ministrit të Brendshëm të asaj kohe.

Gjithashtu, nga ky verifikim, prokurorët e Krimeve të Rënda konstatuan se Bashkim dhe Fatlinda Tahiri janë munduar të fshehin udhëtimin e tyre drejt Italisë me Moisi Habilaj, duke shmangur regjistrimin në sistemin TIMS.

Sistemi TIMS regjistron çdo hyrje-dalje të qytetarëve shqiptarëve apo të huaj në hyrje dhe në dalje nga Republika e Shqipërisë. Por, duket se punonjësit e Policisë së pikës kufitare të Aeroportit kanë zgjedhur që të mos regjistrojnë udhëtimin e Bashkim dhe Fatlinda Tahirit drejt Italisë, në shoqërinë e Moisi Habilajt.

Ky i fundit është regjistruar rregullisht në sistemin TIMS, në udhëtimin drejt Romës në datat 8-10 Korrik 2014.

Saimir Tahiri iu shmang përballjes me këto dokumenta, kur gazetari Basir Çollaku i deklaroi në studion e “Opinion” në Mars 2019 se babai dhe bashkëshortja e ish-ministrit të Brendshëm kishin udhëtuar drejt Romës në shoqërinë e Moisi Habilajt.

Rreth një muaj pas këtij udhëtimi në Itali, në Gusht 2014, thuajse të njëjtët personazhe, por kësaj radhe nën shoqërinë e Saimir Tahirit, Artan Habilaj, Elona Gjebreas dhe familjarëve të tyre, bashkohen në Greqi, ku gjendeshin për pushime dhe u ndodhi incidenti me skafin, për të cilin “Boldnews.al” ka raportuar më parë.

Në pritje të vendimit

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, aktualisht i pandehur për bashkëpunim me klanin kriminal “Habilaj”, ka mohuar që të ketë njohje dhe lidhje me Artan e Moisi Habilaj, si edhe me bashkëpunëtorët e tyre.

Por, një seri të dhënash të dosjes hetimore, si edhe këto më sipër, provojnë se Saimir Tahiri ka pasur jo vetëm njohje, por edhe komunikim të ngushtë me Artan e Moisi Habilajn, sidomos gjatë vitit 2014, kur klani Habilaj ka trafikuar, me ndihmën e zyrtarëve policorë, tonelata kanavis sattiva drejt Italisë.

Në seancën e datës 10 Shtator 2019, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi dënimin me 12 vjet burgim për Tahirin, i akuzuar për “trafik narkotikësh” dhe “pjesëmarrje në organizatë kriminale”.

Saimir Tahiri i ka mohuar në vijimësi akuzat, duke argumentuar se procesi ndaj tij është i montuar. Tashmë Gjykata për Krime të Rënda do të dëgjojë mbrojtjen e të pandehurit tjetër, Jaeld Çela, ish-drejtori i Policisë së Vlorës dhe më pas do të japë vendimin për një prej çështjeve më të rëndësishme penale të tranzicionit shqiptar.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY