Turistët e huaj, cilët ishin më kopracë, aventurierë e “pijetarë”

Turistët e huaj, cilët ishin më kopracë, aventurierë e “pijetarë”

151
0
Shares

Nga Nertila Maho

U pëlqen që ndihen si në shtëpinë e tyre, që u jepet afrimitet e nuk gjejnë barriera në komunikim. Ashtu si ndër shekuj, sot pika më e fortë e shqiptarëve mbetet mikpritja. Menaxherët e disa prej hoteleve më të mëdha në zonën e Golemit, ku janë përqendruar nordikët, polakët, çekët, konfirmojnë njëzëri se kjo është pjesa që të huajt vlerësojnë më shumë te shqiptarët dhe Shqipëria. Kjo i bën që hera-herës të tregohen më mirëkuptues kur diçka nuk shkon apo shërben si balancë kur diçka del përtej parashikimit të tyre.

Përtej problemeve që ka çdo sezon veror, bizneset hoteliere, që kanë qenë pararoja e zhvillimit dinamik të sektorit viteve të fundit, konfirmojnë se 2019 mund të cilësohet një vit i mirë për turizmin shqiptar. Ariol Haxhillari, Menaxher i Përgjithshëm në hotelet e FAFA Group, konfirmon se për pjesën e hoteleve dhe rezervimeve përmes turizmit të organizuar, 2019 ishte një vit i mirë. “Për pjesën e bareve dhe restoranteve që funksionojnë si të ndara, ky vit ka qenë më dobët sesa një vit më parë. Ndoshta sepse dhe sezoni ka filluar vonë. Por vihet re ndryshim edhe në sjelljen e turistëve që shpenzojnë më pak para sesa më parë. Kjo ka dy shpjegime, ose kanë ndryshuar mënyrën e jetesës, pra nuk shpenzojnë më si më parë, ose nuk kanë të ardhura të mjaftueshme. Nga turistët e organizuar, ne në FAFA kemi pasur nordikë, polakë, izraelitë, gjermanë, ukrainas, por edhe më gjerë”, thotë Haxhillari.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në shifra, ata që shpenzojnë më shumë në Shqipëri gjatë pushimeve janë malazezët. Publikimi “Turizmi në shifra 2018” tregon se fqinjët tanë të Malit të Zi shpenzojnë 105 euro në ditë, ndjekur nga italianët me 98 euro në ditë, grekët me 78 euro në ditë dhe maqedonasit dhe shtetasit nga Kosova me 55 euro.

Në grupin e turistëve që po frekuentojnë së fundmi bregdetin shqiptar mes nordikëve, çekëve dhe polakëve, hotelet vlerësojnë se asnjëri prej grupeve nuk njihet për ndonjë shpenzim domethënës. “Asnjëri prej këtyre grupeve nuk shpenzon shumë. Kryesisht tek e ngrëna janë shumë të kujdesshëm, me një pjatë sallatë dhe pasta apo diçka të kësaj natyre. Mënyra e tyre e të ushqyerit është krejt ndryshe nga e jona. Ata janë më shumë të fokusuar tek pija. Preferojnë të konsumojnë shumë verë dhe kryesisht shqiptare”, konfirmon Haxhillari.

Të njëjtën tendencë konfirmon edhe Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i Royal Hotel në Durrës. “Tek ne, polakët shpenzojnë më pak pasi kanë paketat ‘all inclusive’. Ata që shpenzojnë më shumë janë nordikët. Shpenzojnë më shumë për pije sesa për ushqim. Nordikët vijnë me një kulturë ushqyerjeje shumë selektive dhe nuk konsumojnë shumë, nuk ngjajnë aspak me Ballkanin. Janë të vëmendshëm për një verë apo shampanjë të mirë. Edhe gjermanët janë konsumatorë të mëdhenj dhe kryesisht edhe ata me vëmendje te pija. Lidhur me stilin e pushimeve që preferojnë, ne vëmë re që nordikët duan më shumë pushime të qeta, nuk duan zhurmë dhe muzikë. Në konceptin e tyre, pushim është qetësia totale dhe leximi i një libri. Kurse polakët, çekët dhe sllovakët duan argëtim, muzikë”.

Izraelitët, më aventurierë

Lidhur me turistët aventurierë, drejtuesit e hoteleve konfirmojnë se kjo është diçka individuale, por izraelitët mbajnë rekordin. “Nordikët përgjithësisht duan të rrinë në ambientet e hotelit, por ka edhe nga ata që dalin. Izraelitët ndërkohë janë shumë aktivë, marrin makina me qira dhe eksplorojnë destinacione të shumta” konfirmon Ariol Haxhillari nga FAFA Group, me kapacitet akomodues me 1100 shtretër, duke qenë struktura më e madhe në zonën e Golemit. “Këtë vit, kryesisht puna ka qenë me turizmin e organizuar. Edhe shqiptarë vijnë individualisht, por fokusi ynë kanë qenë të huajt. Këta të fundit kanë pasur përshtypje pozitive për Shqipërinë. Ajo që vlerësojnë më shumë tek ne është mikpritja. Edhe ne me këtë mburremi ende”, – thekson Haxhillari.

Të huajt kërkojnë “bio”, ky vit më dobët me turistët nga Maqedonia dhe Kosova

Turizmi i organizuar gjatë këtij viti është shfaqur në nivele të mira. Por ka ndodhur e kundërta me fqinjët që vijnë në mënyrë individuale. “Turistët, që kanë ardhur nëpërmjet kompanive, kanë qenë shumë mirë, kurse turistët e rastit nga Kosova dhe Maqedonia kanë qenë më dobët. Në finale, nga një bilanc paraprak mund të them se rezultati është më mirë se një vit më parë”, shprehet Blerim Norja nga Royal Hotel.

Sipas tij, është vënë re se gjatë këtij viti është rritur numri i gjermanëve që ka ardhur si efekt i operimit të “Der Turistik”, pjesë e të cilit është edhe “Apollo”. Kjo agjenci vendosi që këtë vit të bënte një test me turizmin e organizuar përmes sjelljes së charter-ave dhe përshtypjet kanë qenë shumë pozitive. Por çfarë presin të huajt kur vijnë në Shqipëri?

“Kur vijnë në vendin tonë, të huajt kanë idenë që do të konsumojnë bio. U pëlqejnë shumë fruta-perimet dhe peshku, janë më pak tek mishi. Janë shumë të kujdesshëm që të ushqehen shëndetshëm. Gjithsesi janë të gjithë kureshtarë. Kuzhinën shqiptare, që ne si hotel e aplikojmë një herë në javë, duan ta provojnë. Ne mundohemi që të ofrojmë aty gjërat më tipike si tavë kosi, speca të mbushur, fasule, byrek me qumësht, speca me gjizë, pilaf tradicional. Një pjesë preferojnë t’i konsumojnë, një pjesë tjetër janë thjesht kureshtarë t’i provojnë”, shprehet Norja.

Kurioziteti për vendin tonë, sipas tij, vjen edhe si efekt i të qenët një destinacion relativisht i ri që po marketohet në tregje të rëndësishme, siç është ai gjerman, nordik apo edhe më tej. Një pjesë e mirë e tyre vjen me pritshmëri më të larta për detin, kryesisht Durrësin, por që befasohen më pas nga Jugu. Lidhur me pikat më të forta që ata vlerësojnë tek Shqipëria, Norja thekson se është mikpritja. “Ne në fund të çdo grupi turistësh që largohet ju bëjmë një anketë për përshtypjet.

Na rezulton që befasohen më shumë me mikpritjen, kulturën dhe traditat shqiptare. Ju bën përshtypje që ne kemi njerëz, që kemi afrimitet të madh me të huaj dhe kjo interpretohet prej tyre si diçka shumë pozitive që i bën të ndihen si në shtëpi”, shprehet ai.

Vitin e ardhshëm, 2020, Blerim Norja e pret të jetë më pozitiv për turizmin. “Ne pretendojmë të kemi një rritje, duke qenë se edhe një kompani e madhe siç është ‘Tui’ do të sjellë tregje të reja drejt Shqipërisë. Ne kemi marrë një lloj informacioni që vitin e ardhshëm do të aktivizohen ‘Tui’ anglez, belg, nordik, përveç ‘Apollos’ si dhe ‘Tui’ gjerman. Besoj se vitin e ardhshëm do të rriten kapacitetet akomoduese dhe për rrjedhojë, edhe numri i turistëve”, – nënvizon ai.

INSTAT, turizmi në shifra, kush na vizitoi dhe kush na braktisi

Ndoshta objektivi për Shqipërinë e 10 milionë turistëve mbetet ende larg, por shifrat zyrtare të 7-mujorit 2019 tregojnë se mbi 3.3 milionë të huaj hynë në Shqipëri. Vetëm në 20 ditët e para të gushtit u regjistrua një shifër rekord prej 1 milion vizitorësh të huaj. Shqipëria, përtej gjithë problematikave që e shoqërojnë, është tek ato destinacione që ka arritur të marrë vëmendje, por frika përgjithshme është qëndrueshmëria e kësaj rritjeje. Tashmë polakët kanë dhënë shenjat e para të tërheqjes dhe kjo, sipas agjencive lidhet me faktin që vendi ynë po bëhet më i shtrenjtë dhe me të njëjtin çmim mund të blihen paketa në Turqi, Greqi apo Bullgari. Por si paraqiten shifrat deri në korrik 2019?

Vetëm në muajin e tetë të vitit, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 1.176.810 persona. Krahasuar me korrik 2018, ky numër është rritur me 14,5%.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë gjatë shtatë muajve të 2019 është 3.313.762, duke u rritur me 12,4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Në korrik 2019, ndër vendet me hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Kosova ka pasur rritjen më të madhe me 25,5%, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Polonia me 14,6%. Sipas INSTAT, në 2018-n, Shqipërinë e vizituan 153 mijë polakë, me rritje 34% në raport me një vit më parë. Por, pas një rritjeje të ndjeshme dyshifrore, në vitin e katërt, polakët po shfaqin më pak interes për Shqipërinë. Në korrik, që është kulmi i sezonit, erdhën 37 mijë polakë, nga 43 mijë vitin e mëparshëm.

Ndryshe nga viti i kaluar, kur shtetasit nga Kosova shfaqën pakënaqësitë e tyre në Shqipëri, këtë vit ata janë kthyer sërish. Për 7-mujorin, hynë në Shqipëri më shumë se 1 milion shtetas nga Kosova, me rritje prej gati 14%. Turistët nga Kosova përbënin 34% të totalit të hyrjeve në vend. Të dytët janë maqedonasit, në 372 mijë për 7-mujorin, me një rritje të lehtë prej 3.4%. Më pas vazhdojnë grekët (311 mijë), italianët (159 mijë), anglezët (223 mijë), malazezët (216 mijë), polakët (76 mijë).

Aksioni i “shezlongeve” dhe antiinformaliteti rafinojnë operimin e bizneseve në të zezë

Në rrugëtimin nga Himara në Gjipe, befas e gjen veten në Maps (Aplikacion i hartës në celularët Android dhe iPhone) për kthesën që të çon në plazhin e Gjipesë. Më shumë duket tabela që Kisha Ortodokse ka vendosur për të treguar vendndodhjen e Manastirit të Shën Theodhorit sesa shkrimi në tabelën e Bashkisë së Himarës për plazhin e Gjipesë.

Nga kthesa deri te vendi i parkimit të automjeteve për të zbritur në plazh duhet të përshkosh rreth 10 minuta me makinë, nëpër një rrugë të ngushtë, ku rrallëherë të sheh syri ndonjë xhep/zgjerim ku mund të shkëmbehen automjetet (duke qenë se është në të dy senset).

Sapo mbërrin te parkimi, të presin dy të moshuar, burrë e grua, të cilët pas aksionit të qeverisë me policinë që ngre në krah shezlgonët, shoqëruar nga kamerat televizive, çdo pyetje e interpretojnë sikur po kërkon informacion sekret dhe mbledhin supet, sikur nuk dinë gjë.

Parkimi kushton 200 lekë dhe nuk shoqërohet as me kupon dhe as me buzëqeshje. Madje hera-herës, nuk kanë as kusur, çka shoqërohet me një ofertë për blerje frutash për diferencën tek një djalë i vogël, rri pak metra me tej i ulur në një karrige që freskon me ujë hera-herës vasketat e fiqve, dardhave dhe rrushit që shet. Sigurisht edhe këtu, pa kupon, por me buzëqeshje. Djali nuk është më shume se 10 vjeç dhe vinte çdo ditë nga Orikumi për të shitur produktet aty.

Në dilemë për të ngjitur kodrën drejt manastirit apo zbritjes së saj për në plazhin e Gjipesë zgjodhëm këtë të fundit, duke menduar se vizita në manastir mund të bëhej në kthim. Pas vetëm pak metrave të një rruge në zbritje por të sheshuar, nis kalvari 30-40 minutësh, me të përpjeta dhe tatëpjeta ndër gur të mbuluar nga dhe i kuq, për të zbritur në një nga plazhet më të bukur dhe më pak të eksploruar të bregdetit të Jugut.

Nuk duhet harruar fakti që tashmë, në plazh nuk ka më asnjë çadër dhe asnjë shezlong. Të gjitha ishin ngritur nga aksioni i fundit i qeverisë. Kur themi nuk ka, i referohemi formalisht nuk gjen, sepse në mënyrë informale mund të gjesh një çadër me një çmim modest prej 1000 lekësh.

Për të siguruar këtë të fundit, të duhet të ulesh në negociata serioze me ata që i vënë në dispozicion, që të kërkojnë përveç të tjerash, edhe kartë identiteti. Ah këtë të fundit nuk mund ta marrësh derisa të dorëzosh çadrën të cilën e ke parapaguar. Ndërkohë nëse konsumon diçka aty rrotull, nga ato pak që ofrohen mos pretendo të marrësh një faturë. Shënimet mbahen në një bllok kurse totali të tregohet nga celulari për të mos lënë gjurmë. Antiinformaliteti ka bërë të vetën dhe ka futur frikën te të gjithë por jo aq shumë sa ta ndalë tërësisht. Pas një dite të tëre plazhi dhe “të luajmë agjentësh”, ty të duhet të ringjitesh edhe një herë në maloren drejt makinës.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY