Historia tronditëse dhe frymëzuese e Izetit, të ndërtosh jetën pa ndihmën e...

Historia tronditëse dhe frymëzuese e Izetit, të ndërtosh jetën pa ndihmën e gjymtyrëve

425
0
Shares

Marre nga kolibri

“Në makinë ishim 4 persona.Po kalonin sipër shinave të trenit tek zona e ish-Uzinës Dinamo. Askush nuk e pa trenin të vinte drejt nesh. Makina ngeci. Vetëm unë dola nga xhami i saj. Para meje ai…treni si uragan që të përpin, më kalon sipër me të 11-të vagonat. E teksa po afrohej edhe i 12-i, atëherë kur vdekja ishte e sigurt, ai ndaloi. E aty kur ndaloi treni, aty fillon jeta ime! Por tashmë, pa asnjë nga gjymtyrët!”

Ju njohim me Izet Onuzin, heroin e vetes dhe frymëzimin e miliona të tjerve që e lexojnë.Ju njohim me njeriun që i ka fshirë nga fjalori i tij, fjalët “Nuk mundem!”

***
Familja Onuzi nga qyteti I Kukësit, shpërngulet në Tiranë në vitin 1992, për një jetë më të mirë. Izeti 24 vjecar, lë profesionin e mësuesit  të muzikës në qytetin e lindjes dhe vjen në kryeqytet për të bërë cfarëdo lloj pune, mjafton që të kishte shpresë, për të ndërtuar të  ardhmen e tij. Vetëm një vit më vonë do të ndodhte ngjarja që I ndryshoi jetën, që ai edhe tani e ka përpara syve.

Punonte në treg. Merrej me transport mallrash. Atë ditë ishin duke transportuar disa materiale pune së bashku me vëllain dhe dy shokët e tij. Në zonën e Ish-Uzinës Dinamo ishte rruga ku kalonte treni. Një defekt teknik, bën që makina të ngeci në mes të shinave duke shkaktuar kështu përplasjen fatale me vagonat e trenit. Makina spostohet dhe 3 personat e tjerë shpëtojnë, ndërsa Izetit, I kalojnë mbi trup 11 vagona duke i prerë këmbët dhe duart në të njëjtën kohë, por pa asnjë dëmtim nga organet e tjera jetësore. Si ka mundësi do thoni ju?! Sipas Izetit, ajo ishte mrekulli e Zotit!

Jetë për së dyti

Nëse falenderon zotin që ti ke shpëtuar,je gjallë dhe nuk do asgjë tjetër nga kjo jëtë, atëhere vjen edhe momenti më i dhimbshëm akoma. Njeriu është qënia, krijesa më e forte, që i duhet të përballet me dhimbjet e shpirtit, përvec dhimbjeve fizike.

Vëllain, pashë vëllain që erdhi të më ndihmonte. Kjo do të thoshte që ai kishte shpëtuar, ai ishte mirë! Aty mora forcë dhe kurajo për jetëtn edhe pse pashë që dy këmbët më ishin këputur në mes!

Për duart?! Oh, duart ende nuk i kisha parë që ishin të këputura edhe ato! Që nuk do kisha më kurrë mundësi të prekja, të përkedhëlja, të ndjeja me duar por më e dhimbshme ishte të kuptoja që nuk do kisha më kurrë mundësi ti bija pianos, të ndjeja notat, ti krijoja, ti shijoja!”-rrëfen me sytë e veshur dhe të përhumbur  diku në një cep, sikur donte të kujtonte kohët e arta, ku pasi kishte mbaruar Liceun Artistik, jepte lëndën e muzikës në një shkollë në vendlindjen e tij! E duke ndarë kujtimet, sytë i tregonin më shumë sesa fjalët!

***

“U përpoqa që ti mbys dhimbjet e mia,por bastardet mësuan të notonin, dhe tani jam e tronditur nga kjo ndjenjë e mirë!”FRIDA KAHLO-Piktore

***
Njeriu është i detyruar të përballet me shumë sfida që jeta i sjell, sfida që na bëjnë të provojmë ndjesi dhimbjeje, zhgënjimi apo dobësie. E njeriu në momente dobësie, nuk është i aftë të gjykojë qartë qofte edhe për pyetjen më egzistenciale “A ia vlen më që të jetoj kështu?”. Njerzit , të ndikuar nga rrethanat, shpesh i japin fund jetës së tyre, me idenë se do ti jepet gjithashtu fund dhimbjes që ndjejnë! Por, a ia bëri vetes këtë pyetje Izeti?

Ai përgjigjet me shumë ftohtësi, krenari që ka bërë zgjedhjen e duhur, me shumë kurajo dhe frymëzim:”Erdhën të gjithë familjarët nga Shkodra për të më parë sesi isha në spital. Doktori ua kishte komunikuar atyre që unë nuk kisha asnjë nga gjymtyrët e mia. Xhaxhai vjen tek krevati im dhe më pyet nëse ndjeja apo jo dhimbje tek duart! Tentova ti ngre sipër! Dy gjysmat nuk egzistonin që poshtë brrylit! Në atë moment u transformova, ndjeva dhembje shpirti, hoqa serumin me dhëmbë dhe nuk lija askënd të më afrohej! Nëna, oh nëna si një perëndi me fuqi të mbinatyrshme përcjelljeje dashurie, bindjeje dhe lutjeje që unë të jetoja për të, për hatër të saj! E kush është ai që nuk bie në gjunjët e nënës?!-rrëfen Izeti me sy të ngazëllyer, sy malli sikur donte që ta kishte nënën aty në pranë gjatë intervistës, ashtu si për ta përqafuar për të milion-tin herë që i dha jetën për së dyti!

Të ngrihesh në këmbë

Izeti është nga ata njerzit që ia del, që nuk kërkon mëshirë, që nuk dëshiron kurrësesi të trajtohet me keqardhje. Merr inisiativa edhe me risk, vetëm e vetëm që të bëjë jetën që dëshiron. Ka një vullnet të jashtëzakonshëm për të ecur para, për të frymëzuar njerëz të tjerë dhe për tu bërë shembull. Por “si?”, duhet të jeni duke pyetur veten në këto moment. Duke vendosur proteza dhe duke u shkolluar! Po po, Izeti ka nisur një jetë të re tashmë!

Dashuri pa kushte

Duhej të vinte viti 1996, pra vetëm 2 vite pas aksidentit që la gjurmë therëse në jetën e Izetit, që ai të njihej me Nazmijen, tashmë bashkëshorten e tij dhe nënën e dy fëmijëve. Kishte ardhur koha që të krijohej familje, e për këtë gjë nuk mund ta pengonte as mungesa e këmbëve e as e duarve.

Shumë të rinj që mund të jenë gjymtuar për shkak të një aksidenti, për shkak të problemeve në lindje apo atyre të trashëguara, e kanë të vëshitrë që të krijojne vet familje, pra që të hedhin hapin e parë për një njohje të re. Shpeshherë nuk gjejnë guximin e duhur, nuk kanë besim tek vetja apo kanë edhe frikë nga zhgënjimet, refuzimet dhe paragjykimet.

Në Shqipëri egziston fenomeni i mblesërisë, kur një person i njohur i përbashkët i të dy palëve, pra të vajzës dhe djalit, propozon që ata të bëhen cift. Kështu ka ndodhur edhe me rastin e Izetit. Një mik i familjes, do ti gjente atij bashkëshorten e ardhshme. Jeta ka shumë të papritura. Të mirave u hapim dyert dhe i presim krahë-hapur, ndërsa me të këqijat, duhet thjesht të përshtatemi dhe ti superojmë.

A do të doje ta kaloje jetën me mua kështu si jam?!’’- Kjo ishte pyetja e parë që Izeti iu drejtua Nazmijes  dhe ajo tha ‘PO’.  Sot, pas gjithë këtyre viteve, janë prindër të dy fëmijëvë, të një djali dhe një vajze. “Jam përpjekur ti rris me shumë dashuri dhe përkujdesje edhe për të tjerët, ti shkolloj dhe tu jap edukatë që të rriten si njerëz të denjë”-rrëfen Izeti.  Djali i tij i madh, pak i turpshëm përpara kamerave, vazhdon studimet per Fizioterapi si edhe i trajnuar për teknik protezist. Sipas Izetit, ai ka dashur vetë të zgjedhë këtë profesion, pasi ka parë dhe përjetuar nga afër edhe vuajtjet e të atit dhe dëshira e tij më e madhe është që të ndihmojë njerzit në nevojë, vullnetarisht.

***

“Gjysma e Hollivudit ka më tepër proteza në fytyrë dhe trup, por askush nuk i konsideron si të paaftë!” AIMEE MULLINS-Atlete, modele

***

Shpresa për jetën

Për Izetin egziston edhe një ” fëmijë i tretë” sic ai preferon ta quajë, sepse e ka krijuar vet. E sheh dita-ditës të rritet dhe tu vijë në ndihmë qindra njerzve në nevojë. Bëhet fjalë për qëndrën e tij shëndetesor “Shpresa për jetën!”. Ka vendosur ta quajë kështu, për të ndërtuar me duart e tij shpresë…Shpresë për atë që nuk ka një dorë, që nuk ka një këmbë, që nuk ka një familje, që nuk ka mundësi  financiare, që nuk ka kurajo për të ecur para…shpresë për atë që është si ai dikur!

Në ngjarje shumë shenjuese për jetën e gjithkujt, njeriu është i prirur të mbajë mend detaje edhe nga më të pa rëndësishmet deri tek ato përcaktueset e etapave të jetës.  Ka njerëz  që na kujtojnë vende , ka aroma që na kujtojnë  njerëz, ka pamje që na japin ndjesi, ka edhe njerëz që na kujtojnnë se cfarë është mirësia, mirënjohja dhe respekti.

Nësë dikush dëgjon historinë e jetës së Izetit si edhe kalvarin e tij të vuajtjeve, tingëllon si një skenar I ndonjë  filmi të famshëm të Hollivudit. Izeti nuk ka aspak frikë të përballet me dhimbjen, ta tregojë madje edhe ta glorifikojë atë. “Nuk ka asgjë më të trishtë sesa një shtrat bosh, e unë nënës sime nuk desha tja fal këtë  trishtim në sy. Përpos nënës , meritat I ka edhe Doktor Arben Zeneli!

Një tjetër hero

A mendoni edhe ju se doktorët janë heronj! Shumë njerëz janë gjallë dhe shëndoshë e mirë falë punës së mjekëve.Ata kurojnë, ata parandalojnë, ata sjellin në jetë, ata bëjnë më të mirën e tyre për pacientët. Të gjithë fëmijët e vegjël i pyesim se cfarë duan të bëhen kur të rriten. Një pjesë e mirë e tyre dëshirojnë të ëhen mjekë, e kur i pyesim për asryen, me atë naivitetin dhe sinqeritetin që karakterizon cdo fëmijë, ata thonë që duan të shpëtojnë jetët e njerzve! Këtë gjë ka bërë në ratsin e Izeti edhe doktor Arbeni, të cilin ne kemi mundur ta gjejmë pas 25 vitesh! Aktualisht ai është drejtori i Spitalit të Traumës në Tiranë! Pacientët që ai ka kaluar, kanë qënë të shumtë në numër dhe historia e Izetit ka mbi 20 vite që ka ndodhur.

Doktori flet per protezat

Qytetarët shqiparë hasen edhe me mungesën e besimit në sistemin shëndetësor, bindja se shëndetësi falas nuk ka, se gjithcka duhet ta blejnë si edhe dyshimi për cilësinë e barnave , sidomos atyre të rimbursueshme.

Spitali Universitar i Traumës në Tiranë njëkohësisht qëndra e vetme e traumnës në Shqipëri, në vitin 2016 solli një risi:protezat ortopedike, ku pacientët nuk do të paguanin  pasi do ti kishin  falas. Ky investim I qeverisë me vlerë 1 milion dollarë u shtri në të njëjtën kohë edhe në shërbimin ortopedik në Qëndrën Spitalore Universitare Nënë Tereza si edhe Spitalin Rajonal të Durrësit.

Pacientët që kishin nevojë për proteza ishin të detyruar që të paguanin vetë ato me një cmim dy herë më të lartë sesa ai që shpenzohet aktualisht nga buxheti I shtetit, për blerjen e tyre.

Në castet më të këqija, më të mundimshme, atëhere kur ndihesh vetëm, kur ndihesh I përbuzur, kur ndihesh I harruar…kujto që ke ardhur në këtë botë për të lënë gjurmë, për të jetuar dhe shijuar, për të mësuar, për tu zhgënjyër, për të qeshur, për të qarë, për të dashuruar, për të eksploruar, për tu ndjerë I gjallë. ‘’Ah, sikur të kisha mundësi vetëm njëherë të vetme të vrapoja, ta ngjisja edhe njëherë malin e Dajtit që e shoh cdo ditë nga dritarja e dhomës së gjumit”—kjo është dëshira dhe pengu më i madh i Izetit, njeriut të zakonshëm me fuqi të jashtëzakonshme!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY