GJYQI/ Si i pushkatoi Enveri inxhinieret me te mire te naftes

GJYQI/ Si i pushkatoi Enveri inxhinieret me te mire te naftes

209
0
Shares

Ishte një sektor jetik për ekonominë por edhe aty ku dilnin tonelata me naftë, u gjetën armiq dhe sabotatorë. Aq sa edhe shprehja “nëse nuk del naftë, me siguri ka grup armiqësor”, shkon enkas për këtë proces, që në vitin 1976 kryqëzoi tetë inxhinierë të njohur të naftës, duke u dënuar me pushkatim dhe me mbi dekada burg. Arrestimet e pjesës më të madhe të inxhinierëve të naftës u kryen më 25 mars 1975 dhe pas disa muajsh hetuesi, mes trysnisë dhe torturave, dolën para gjyqit Filip Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi dhe Nuredin Skrapari. Ata u akuzuan si sabotatorë të pushtetit, agjitacion e propagandë dhe shkatërrim të pronës së përbashkët publike. Ishte një proces i nxitur pas shumë letrash anonime, mbledhjesh të përfaqësuesve të Byrosë Politike dhe një pune me plot shpifje nga ana e Sigurimit të Shtetit.

Procesi ndaj tyre nisi më datën 11.06.1976 në Gjykatën e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë. Në senacën hapëse thuhet: Sot më datë 11.06.1976 nisi procesi gjyqësor me kryetare seance Eleni Selenica, zv/kryetare e Gjykatës së Lartë, me ndihmësgjyqtarë: Mitat Goskova, Fehmi Legreta, të asistuar prej sekretarit Sadik Memo, me pjesëmarrjen e zv/prokurorit të përgjithshëm Sotiraq Samara. Kjo gjykatë mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, çështjen penale nr.12, që u përket të pandehurve Filip Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi e Nuredin Skrapari, të akuzuar në bazë të nenit 72, në kombinim me nenin 12 të Kodit Penal.

Kryetarja çel seancën dhe njofton çështjen që do të shqyrtohet.

Thirren të pandehurit dhe u merret identiteti.

1-Filip Nashi, i biri Apostolit dhe i Aretisë, i dtl. 1923, lindur në katundin Shepër të Rrethit Gjirokastër, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, ish-drejtor i DPN-së, me arsim të lartë, i martuar, ka 5 fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar më parë, mban medaljet e Kujtimit, Trimërisë, Çlirimit, Urdhrin e Trimërisë, 2 urdhra pune Klasi i dytë dhe Urdhrin e Flamurit Klasi i dytë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

2-Beqir Alia, i biri i Aliut dhe i Merjemes, i dtl. 1927, lindur në Shkodër, banues në Fier, me origjinë shoqërore tregtar i mesëm, me gjendje shoqërore nëpunës, ish-drejtor i Institutit të Naftës, me profesion inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar me parë, mban Urdhrin e Punës Klasi i dytë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

3-Koço Plaku, i biri i Josifit dhe i Kostandinës, i dtl. 1929, lindur në katundin Hoçisht të Rrethit Korçë, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog, shef i kabinetit në Institutin e Naftës Fier, me arsim të lartë, i martuar ka një fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar më parë, mban dy medalje pune dhe Urdhrin e Punës Klasi i tretë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

4-Protoko Murati, i biri i Avniut dhe i Xhevrijes, i dtl. 1929, lindur në katundin Klos të Fierit, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, me gjendje shoqërore nëpunës, me detyrë shef i sektorit të gjeologjisë në Institutin e Naftës, me profesion inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i martuar, nuk ka fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar më parë, mban 2 Urdhra Pune Klasi dytë dhe një Urdhër Pune Klasi i tretë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

5-Milto Gjikopulli: I biri i Vasilit dhe i Jorgjisë, i dtl. 1938, lindur në Dhërmi të Vlorës, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, inxhinier gjeolog, në Institutin e Naftës dhe Gazit në Fier, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, i përjashtuar nga Partia, i padënuar më parë, mban Urdhrin e punës Klasi i dytë, i arrestuar më datën 25 Mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

6-Dhimitër Stefa, i biri i Nikollës dhe i Vasillos, i dtl. 1934, lindur në katundin Grazhdan të Sarandës, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog, ish-përgjegjës i grupit të Kurveleshit, me kombësi minoritare greke, me Shtetësi Shqiptare, me arsim të lartë, i martuar, nuk ka fëmijë, i paorganizuar, mban dy medalje pune, i arrestuar më datën 17 prill 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

7-Jani Konomi, i biri i Agustinit dhe i Elenit, i dtl. 1934, lindur në katundin Krongji të rrethit Sarandë, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog në nxjerrjen e naftës, drejtor i nxjerrjes së naftës në D.P.N. me arsim të lartë, i martuar, ka një fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, mban dy Urdhra Pune Klasi i tretë dhe një medalje pune, i arrestuar më datën 17 prill 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

8-Nuredin Skrapari, i biri i Mentorit dhe i Xhevrijes, i dtl. 1943, lindur në Bubullimë të Lushnjës, banues në Qytet Stalin, me origjinë fshatar i pasur i cilësuar kulak, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i pamartuar, i paorganizuar, i dënuar në vitin 1974 me 10 vjet heqje të lirisë sipas nenit 73/I të K.P. dënim të cilin e vuan nga data 15 mars 1974, i riarrestuar më 18 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

Për disa senaca, gjyqi pati dëshmitarë të shumtë, një pjesë e madhe e të cilëve ishin instruktuar nga Sigurimi i Shtetit që të dëshmonin kundër të pandehurve. Në Tiranë u zhvilluar hetuesia ndaj “grupit të naftës”. Kryetar i grupit hetimor, Ferhat Matohiti, e paraqiti aktakuzën e tij më 29 prill 1976, ndërsa kjo gjeti menjëherë miratimin e prokurorit të përgjithshëm. Nga zhvillimi i gjyqit është konstatuar edhe reagimi i Koço Plakut, kur në një moment shpërthimi, nuk heziton të kritikojë Enver Hoxhën, duke e akuzuar se kishte mbushur tokën shqiptare me varre dhe u ka marrë shpirtrat sa e sa njerëzve. Në sencat gjyqësore gjithçka ishte e paracaktuar mbi dënimin e të tetë të arrestuarve, të gjithë inxhinierë naftë dhe drejtues të lartë të këtij sektori.

Prokurori bën pretencën dhe tha:

Me aktakuzën tonë ju kemi dërguar për gjykim të pandehurit Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi e Nuredin Skrapari, të akuzuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer krimin e sabotimit në industrinë e naftës dhe të gazit, krim ky i parashikuar nga neni 72 në kombinim me nenin 12 të K.P. Këta të pandehur, me përjashtim të Nuredin Skraparit, kanë kryer edhe krimin e agjitacionit e propagandës kundra pushtetit popullor, të parashikuar nga neni 73 të K. Penal. Të pandehurit Koço Plaku e Milto Gjikopulli kanë kryer edhe krimin e tradhtisë ndaj Atdheut në formën e spiunazhit të parashikuar nga neni 64 të K.P. dhe të pandehurit Filip Nashi e Beqir Alijakanë kryer edhe krimin e shpërdorimit të pozitës zyrtare të parashikuar nga neni 199/II të K.P.

Trupi gjykues

Vendosi:

  1. E deklaron fajtor të pandehurin Filip Nashi, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 25 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e dekoratave e titujve që mban. E deklaron fajtor të pandehurin Filip Nashi për krimin e agjitacionit e propagandës kundra pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/I e 12 të K.P. e dënon me 10 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor për krimin e shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe në bazë të nenit 199/II të K.P. e dënon me 8 vjet heqje të lirisë.

Përfundimisht në bazë të nenit 48 të K.P. duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon të pandehurin Filip Nashi me 25 (njëzet e pesë) vjet heqje të lirisë dhe konfiskimin e pasurisë së tij, humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe me heqjen e titujve e dekoratave që mban.

  1. E deklaron fajtor të pandehurin Beqir Alija, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim edhe me nenin 12 të K.P. e dënon me 25 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e titujve dhe dekoratave që mban. E deklaron fajtor të pandehurin Beqir Alija për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/I në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 10 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor për krimin e shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe në bazë të nenit 199/II të K.P. e dënon me 6 vjet heqje të lirisë. Përfundimisht në bazë të nenit 48 të K.P., duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon të pandehurin Beqir Alia me 25 (njëzet e pesë) vjet heqje të lirisë, me konfiskimin e pasurisë së tij, humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe me heqjen e titujve e dekoratave që mban.
  2. E deklaron fajtor të pandehurin Koço Plaku për krimin e tradhtisë ndaj atdheut dhe në bazë të nenit 64 të K.P. e dënon me vdekje me pushkatim dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë, në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim edhe me nenin 12 të K.P. e dënon me 25 vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/I në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 10 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e titujve e dekoratave që mban.

Përfundimisht, në bazë të nenit 48 të K.P., duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon të pandehurin Koço Plaku me vdekje me pushkatim, me konfiskimin e pasurisë së tij, me heqjen e titujve e dekoratave që mban dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

  1. E deklaron fajtor të pandehurin Milto Gjikopulli për krimin e tradhtisë ndaj atdheut dhe në bazë të nenit 64 të K.P. e dënon me vdekje me pushkatim dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e titujve e dekoratave që mban.

E deklaron fajtor të pandehurin Milto Gjikopulli për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 25 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 te K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në baze të nenit 29 te K.P. me heqjen e titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor të pandehurin Milto Gjikopulli për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/I në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 10 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e titujve e dekoratave që mban. Përfundimisht në bazë të nenit 48 të K.P. duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon të pandehurin Milto Gjikopulli me vdekje me pushkatim, me konfiskimin e pasurisë së tij, me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban.

  1. E deklaron fajtor të pandehurin Protoko Murati, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim edhe me nenin 12 të K.P. e dënon me 23 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor të pandehurin Protoko Murati për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 72 në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 10 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban.

Përfundimisht, në bazë të nenit 48 të K.P., duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon të pandehurin Protoko Murati me 23 (njëzet e tre) vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë së tij, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban.

  1. E deklaron fajtor të pandehurin Jani Konomi, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim edhe me nenin 12 të K.P. e dënon me 23 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor të pandehurin Jani Konomi për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/I në kombinim edhe me nenin 12 të K.P. e dënon me 10 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban. Përfundimisht, në bazë të nenit 48 të K.P., duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon të pandehurin Jani Konomime 23 (njëzet e tre) vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë së tij, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban.
  2. E deklaron fajtor të pandehurin Dhimitër Stefa, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 22 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor të pandehurin Dhimitër Stefa për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/I në kombinim edhe me nenin 12 të K.P. e dënon me 8 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban.

Përfundimisht, në bazë të nenit 48 të K.P., duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon të pandehurin Dhimitër Stefa me 22 (njëzet e dy) vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë, me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban.

  1. E deklaron fajtor të pandehurin Nuredin Skrapari, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 20 vjet heqje të lirisë dhe konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Përfundimisht, duke qenë se i pandehuri Nuredin Skrapari vuan dënimin për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor në bazë të nenit 49 të K.P. duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon me 20 (njëzet) vjet heqje të lirisë, me konfiskimin e pasurisë së tij dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Detyrohen të gjithë të pandehurit që solidarisht të shpërblejnë dëmin e shkaktuar në industrinë e naftës dhe gazit në shumën 891.876.800 lekë.

Në veçanti i pandehuri Filip Nashi të shpërbleje dëmin prej 5.944.400 dhe i pandehuri Beqir Alijadëmin prej 384.800 lekë.

Iu tha të dënuarve me vdekje, kanë të drejtë t’i drejtohen me lutje Presidiumit të K. Popullor për faljen e jetës brenda tre ditëve.

Vendimi është i formës së prerë.

U shpall në Tiranë sot më datën 17 qershor 1976.

Më 28 qershor Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzon të falë Koço Plakun dhe Milto Gjikopullit të cilët u pushkatuan në periferi të Tiranës.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY