LETRA/Meta mesazh homologut të tij në ditën e Pavarësisë: Adresoni çështjet e...

LETRA/Meta mesazh homologut të tij në ditën e Pavarësisë: Adresoni çështjet e shqiptarëve

111
0
Shares

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski me rastin e 28-vjetorit të Pavarësisë.

Meta shkruan në mesazhin e tij se në drejtimin e Pendarovskit marrëdhëniet mes dy vendeve e popujve do të forcohen.

Presidenti shqiptar vlerëson kontributin jetik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit, ndërsa thotë se përmirësimi i marrëdhënieve ndër etnike kanë ndikim në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“I nderuar Zoti President,

28-vjetori i Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, më jep kënaqësinë e veçantë që të përcjell, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet e përshëndetjet më të ngrohta, të përzemërta e vëllazërore për Ju dhe të gjithë qytetarët Tuaj.

Shpreh bindjen time se, falë edhe vullnetit, eksperiencës dhe vizionit Tuaj, marrëdhëniet e shkëlqyera të fqinjësisë e të bashkëpunimit, që ekzistojnë ndërmjet vendeve dhe popujve tanë, do të forcohen më tej në të ardhmen.

Dëshiroj të theksoj se një ndikim shumë të madh në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve ka luajtur dhe luan adresimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndëretnike. Jemi krenarë për kontributin jetik që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut japin për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit. Jam i bindur se komuniteti maqedonas në vendin tonë do të vijojë të jetë një urë e fortë miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.

Përfitoj nga rasti t’Ju përgëzoj për vizionin dhe guximin në arritjen e Marrëveshjes historike të Prespës – një shembull për gjithë rajonin – që jo vetëm do të forcojë perspektivën euroatlantike të vendit Tuaj, por do ta bëjë rajonin tonë edhe më të sigurt. Jam i bindur se vendet tona do të bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.

Së bashku me urimet më të mira e të përzemërta për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të vendit Tuaj, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, shkruan presidenti Meta në mesazhin e tij.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY