HISTORI/ Projektet e Bankës Kombëtare në Shqipëri që s’u realizuan kurrë!

HISTORI/ Projektet e Bankës Kombëtare në Shqipëri që s’u realizuan kurrë!

208
0
Shares

Kreshnik KUÇAJ/SCAN

Deri në vitin 1926, Shqipëria nuk kishte monedhë kombëtare e si rrjedhojë përdorte ligjërisht monedha të huaja, që krijonin jo pak probleme në shkëmbimet ekonomike të vendit apo te llogaritë publike, për shkak edhe të mungesës së kursit të këmbimit.

Ndaj, në fillim të viteve ’20, kohë kur Shqipëria sapo kishte dalë nga lufta, ka pasur diskutime të shumta për ngritjen e Bankës Kombëtare për emetimin e monedhës kombëtare.

Me 15 mars të 1925 qeveria shqiptare dhe grupi italian nënshkruan marrëveshjen për krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe për huanë e krijimit të SVEA-s, Shoqërisë për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë.

Sipas marrëveshjes, banka u krijua si shoqëri aksionere me kapital shoqëror 12.5 milion franga ari me kohëzgjatje 50 vite.

Kapitali do të ndahej në 595 mijë aksione prej të cilave 495 mijë ishin aksione të zakonshme me vleftë 25 franga ari secili dhe 100 mijë aksione themelore me vlerë 1.25 franga ari secili.

Shtetasit shqiptarë kishin të drejtë të nënshkruanin deri në 49 % të kapitalit aksionar ndërsa 51 për qind do të nënshkruhej nga grupet e huaja kapitaliste.

Por para se të miratohej ky projekt, në fillimin e viteve ’20 kanë qarkulluar disa variante e projekte të ndryshme…

Projekti “Calme”

Ky projekt për themelimin e Bankës Kombëtare i referohet projektit të profesorit nga Luksemburgu që u dërgua nga Lidhja e Kombeve për të studiuar gjendjen ekonomike të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore.

Në shtator të vitit 1922 ai i parashtroi Komitetit Financiare të Lidhjes së Kombeve raportin e studimit të tij në Shqipëri ime titullin “Gjendja ekokomike e financiare e Shqipërisë”.

Ky raport përmbante edhe propozimin për të themeluar bankën e emisionit në Shqipëri nën drejtimin e kapitalit të huaj, me seksione të bankës tregtare dhe të arkës së kursimeve. Sipas këtij propozimi, banka do të ndërtohej si institut me privilegjet e emetimit të monedhës e të kreditit, me një kapital prej 10-15 milionë franga ari.

Gjysma e aksioneve do të nënshkruhej nga të huajt  të cilët do t’u përkisnin shteteve që nuk kishin synime politike në Shqipëri ose shumë shteteve, por me një raport që të neutralizonin influencat e njëra-tjetrës.

-Projekti “Hunger”

Ky projekt për themelimin e Bankës Kombëtare i referohet projektit të paraqitur në gusht të vitit 1923 nga holandezi Jan Hunger që në atë kohë ishte këshilltar financiar pranë qeverisë shqiptare. Sipas këtij projekti, banka do të jepej me koncesion për 15 vite dhe do të kishte një kapital 15 milionë franga ri.

Ajo do të ishte një bankë me karakter të përgjithshëm: bankë emisioni e krediti, bankë investimesh, arkë e përgjithshme e shtetit etj. Kapitali i saj do të ishte ndërkombëtar, me një pjesëmarrje të vogël të hapitalit vendas (rreth 1 milion franga ari).

Kur u shqyrtua në organizmat e Lidhjes së Kombeve, për projektin u shfaqën disa rezerva. Në rradhë të parë u kundërshtua mendimi që banka të themelohej me kapital 15 milionë franga ari, nën arsyetimin se Shqipëria ishte vend me popullsi të vogël dhe me veprimtari tregtare të parëndësishme” shkruan në studimin e tij “Ndërhyrja e kapitalit të huaj në Shqipëri dhe qendrimi i qarqeve demokratike 1921-1925” Veniamin Toçi.

Projekti i Komisionit Ekonomik e Financiar të Lidhjes së Kombeve

-Projekti i Komisionit Ekonomik e Financiar i Komitetit Financiar të Lidhjes së Kombeve emërtohej “Projekti i Statutit të Bankës së Shqipërisë”. Ky projekt i paraqitur më 21 gusht 1923 e ndërtonte bankën sipas modelit të bankës së Marokut, e themeluar në vitin 1906.

Banka do të kishte kapital 5 milionë franga ari e cila do t’u përkiste 6 shteteve. Ajo do të ishte një shoqëri anonime me privilegjin ekskluziv të emetimit të monedhës e të kreditit.

Sipas këtij projekti, banka jepej me koncesion për 25 vite. Me 4 shtator 1923 doli një projekt i ri i Komiteti Financiar të Lidhjes së Kombeve, i hartuar mbi bazën e Nënkomitetit Financiar dhe përmbante thuajse të njëjtat kushtet kryesore.

Të dy këto projekte mbanin mantelin e Bankës Kombëtarde të shqipërisë. Këto ishin projektet e lëshuara në hijen e Lidhjes së Kombeve” shkruan Toçi.

Por nuk kanë munguar as projektet e tjera nga grupe të ndryshme biznesi vendase e të huaja.  Në listën e “ofertave”, Toçi rendit tre më kryesoret, që kanë pasur edhe më shumë jehonë e reagime.

Projekti i “Albanian Development Corporation”

Ky ishte një projekt britanik. Grupi anglez me emrin “Koorporata për Zhvillimin e Shqipërisë” (The Albanian Development Corporation), parashikonte që kapitali i bankës të ishte 500 mijë stërlina, prej të cilave 49 % do të nënshkruheshin nga shqiptarët.

Kjo bankë do të kryente shërbimet e thesarmbajtjes, depozitueses, paradhënëses dhe të emetueses së monedhës për llogari të shtetit shqiptar, përveç veprimeve të tjera të zakonshme për llogari të personave apo enteve private.

Si kundërpeshë kapitali anglez kërkoi ndër të tjera që në kushte të barabarta të kishte të drejtën e prioritetin mbi të gjitha koncesionet shtetërore, monopolet, punimet infrastukturore etj.

Projekti i “Banque de Brabant”

Projekti i një grupi belg i parashtruar në emrin “Propozime belge për themelimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë (Propositions belge en vue de la constitution d’une Banque Nationale D’Albanie).

Grupi në fjalë ishte formuar nga “Banque de Brabant” dhe nga “Societe Nationale de Banque et de Change”. Sipas këtij projekti, banka do të jepej në koncesion për 30 vjet. Kapitali i saj do të ishte 26 milionë franga ari prej të cilit shtetasit shqiptarë do të kishin të drejtë të nënshkruanin gjysmën.

Edhe kjo do të ishte një bankë emisioni e krediti. “Por sikurse u pa që në atë kohë, propozimi dhe projekti belg patën karakter aventuresk” shkruan Toçi në studimin e tij.

Propozime e oferta të tilla ka pasur edhe nga grupe kapitaliste të Francës, SHBA, Zvicrës, Suedisë, Jugosllavisë , Greqisë etj.

Iniciativa e duartrokitur e korçarit Dogani

Një projekt tjetër që Toçi përmend në studimin e tij është ai i N.K.Doganit nga Korça.

Ai i paraqiti një kërkesë organizatorit të financave në Tiranë me 28 tetor 1923 me anë të të cilit merrte përsipër formimin dhe organizimin e Bankës Kombëtare “me fonde drejtëpërdrejtë tonat”. Propozimi në fjalë është bërë në kohën kur në vend qarkullonte projekti Hunger për themelimin e bankës e ndër të tjera përmbante këto kushte: Banka në fillim në vitin e parë do të themelohej me kapital jo më të madh se 1 milion e 200 mijë franga dhe pastaj gradualisht duke nisur prej vitit të dytë do të bëheshin nënshkrime të reja aksionesh dhe kapitali i saj do të shtohej. Kapitali do të ishte vetëm kombëtar. Vlefta e aksioneve nuk do të ishte më e madhe se 15 franga ari me qëllim që të mund të nënshkruanin sa më shumë njerëz por jo më shumë se 5 aksione për çdo nënshkrues” shkruan Toçi në studimin e tij.

Selia e bankës, sipas këtij projekti, parashikohej të ishte në kryeqytetin e Shqipërisë dhe ajo do të kishte degë në Shkodër e Korçë. Statuti i bankës do të bëhej sipas modelit të Bankës së Francës apo asaj të Rumanisë.

Banka do të kishte ekskluzivitetin e emetimit të monedhës kombëtare dhe të kreditimit. Po ashtu, projekti parashikonte se banka do të preferohej nga shteti me tepër se çdo grup tjetër dhe se kapitalistët e huaj në dhënien e koncesioneve të ndryshme ekonomike.

Me gjithë jehonën pozitive që pati në disa organe të shtypit të asaj kohe, kjo inicativë ashtu si iniciativat e tjera nuk gjetën përkrahje” shkruan më tej Toçi.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY