Acromax Media: Disa raste kur u soll si polici politike e Veliajt

Acromax Media: Disa raste kur u soll si polici politike e Veliajt

144
0
Shares
Disa ditë më parë unë shpjegova se si Acromax Media, me gjasa në bashkëpunim me qeverinë, po përpiqet të shuajë zërat kritikë në rrjetet sociale, duke keqpërdorur ligjet e të drejtave të autorit.

Veprimet e kopmanisë Acromax kanë çuar, deri tani, në mbylljen e disa faqeve dhe profileve në Facebook, të cilat kishin publikuar video kritike, kryesisht kundër Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe Kryeministrit Rama.

Acromax Media: disa raste të sjelljes si polici politike në duart e Erion Veliajt

Faqet kishin përdorur pamje të shkurtra video nga daljet publike të politikanëve nëpër studio televizive ose të transmetuara nga kanale televizive. Acromax i konsideron këto deklarata publike të politikanëve si “krijimtari artistike apo intelektuale” dhe nuk lejon shpërndarjen e tyre nga askush.

Sipas standardit që po përpiqet të vendosë Acromax, askush nuk mund të përdorë pamje video të politikanëve, përfshi si referencë ndaj premtimeve apo pohimeve të tyre publike ndaj qytetarëve, pa marrë leje paraprake prej tyre ose prej mediave që kanë transmetuar këto pamje publike.

Më poshtë do të shpjegoj se çfarë lloji videosh ka bllokuar kompania Acromax, dhe si kjo ka çuar në mbylljen e faqeve dhe profileve personale. Mbi të gjitha, do të shpjegoj se si veprimet e Acromax nuk respektojnë standardet normale të të drejtave të autorit të aplikuara kudo në botën perëndimore.

Çfarë lloj videosh ka hequr Acromax?

Pas marrëveshjes me televizionet kryesore të vendit, Acromax pretendon se ka pronësinë në çdo postim që përdor klipe nga programet e këtyre televizioneve. Në mënyrë ekstreme, kompania pretendon se ka të drejtën e pronësisë edhe kur videoklipet janë montazhe pamjesh të ndryshme, të përgatitura nga vetë publikuesit në rrjetet sociale, të marra si referencë për të diskutuar pohimet politike publike të politikanëve.

Siç kam shpjeguar me herët, Acromax i ka kushtuar vëmendje të vecantë postimeve që përmbajnë premtimet në lidhje me ndërtimet në Tiranë të bëra nga Erion Veliaj në fushatën e vitit 2015. Çdo video-montazh që përmbante premtimin e famshëm të Veliajt në 2015, ku shpjegon se si nuk do të lejonte ndërtime në Tiranë, është bllokuar nga Acromax.

Një tjetër shembull, është ai kur pas fitores në zgjedhjet e 2015-ës, Erion Veliaj deklaroi në Top-Channel se një nga fushat sportive të mbetura pranë qendrës së qytetit (njohur si ‘fusha e zezë’ e ish-Pallatit të Pionierëve) do të shndërrohej në një park. Veliaj përsëriti premtimin e tij se ndërtimi i vazhdueshëm i Tiranës do të ndalej dhe hapësirat publike do të ruheshin. Ky premtim rezultoi një gënjeshtër, dhe sot një kompleks 13-katësh po ndërtohet në ish-terrenin sportiv.

Video e mësipërme u godit menjëherë nga Acromax nëpër faqet e shumta në Facebook, ku u publikua, dhe Facebook e YouTube detyruan heqjen e saj me kërkesë të Acromax, duke mos lejuar kështu shikueshmërinë e videos në rrjetet sociale.

Një tjetër premtim i ngjashëm i Veliajt u bë pak ditë para zgjedhjeve të 2015-ës. Në Vizion Plus, Erion Veliaj deklaroi se zona nën digën e Parkut të Liqenit do të shndërrohej në një “park të mrekullueshëm, falë një konkursi ndërkombëtar”.

Sot, në të gjithë zonën dhe hapësirat përreth saj po ndërtohen një seri e pafundme pallatesh mbi 10-kate, të cilat po kthejnë jetesën dhe lëvizjen në një makth të vazhdueshëm për banorët.

Edhe video e mësipërme u bllokua menjëherë nga Acromax.

Deklarata më e rëndësishme e Veliajt, ku ai artikuloi qartë premtimin e tij, u krye më 9 qershor 2015, në emisionin më të ndjekur politik në Shqipëri, Opinion të Klan TV. Gjatë bisedës, Veliaj u kap ngushtë nga disa pyetje, kryesisht të Andi Bushatit. Përballë skepticizmit të vazhdueshëm të tij, Veliaj bëri disa premtime madhore, të cilat i janë kthyer në përndjekëse.

Ai deklaroi se:

  • Tirana e sotme është e mbindërtuar, ashtu si periferitë, Farka e Kashari;
  • Në qytet ka shumë ndërtime të pashitura, ndaj nuk ka më nevojë të jepen leje të reja;
  • Do të miratonte një moratorium ndërtimesh dhe se nuk do të hynte në histori si kryetari që dha leje ndërtimi;
  • Nëse do të lindte nevoja për ndërtime të reja, do të inkurajonte ndërtimet sa më larg Tiranës së mbindërtuar sot.

Është e qartë se ky premtim është shkelur tërësisht. Vala e ndërtimeve të miratuar nga Veliaj nuk njeh kufij dhe po e çon qytetin drejt kolapsit total.

Megjithatë, ai është përpjekur të shmanget nga deklaratat e tij në vitin 2015, duke u përpjekur të ndryshojë premtimin e tij. Fatkeqësisht për të, deklarata e vitit 2015 ishte tepër e qartë. Ajo është përdorur në mënyrë të përsëritur në video-montazhe si kjo më poshtë:

Acromax e ka sulmuar këtë dhe video të ngjashme, duke pretenduar se premtimi i Veliaj në vitin 2015 është “pronë intelektuale” e kompanisë për shkak të një marrëveshjeje që ka me TV Klanin. Ndaj ai video-klip nuk mund të përdoret nga palë të treta dhe po zhduket krejtësisht nga interneti.

Gjithashtu, videoklipe të tjera të shkurtra, të përpunuara ose jo, janë hequr në mënyrë të vazhdueshme nga Acromax. Një sërë individësh janë ankuar se Acromax po i ndalon të përdorin video ku shfaqen ata vetë.

Faqe si Qytetarët për ParkunProtestuesiNisma Thurje, Lolita., Aleanca për Mbrojtjen e TeatritBrryli Broadway etj. u janë hequr video postimet e tyre.

Në disa raste, të drejtat e tyre për të publikuar postime në faqe janë bllokuar përkohësisht, ndërsa profilet personale të administratorëve janë fshirë nga Facebook.

Me aq sa dihet, “Ne Shqipëria”, një faqe në Facebook e cila ishte veçanërisht e përqendruar në zhvillimet urbane në Tiranë, është mbyllur nga Facebook me kërkesë të Acromax.

A është e ligjshme e gjitha kjo?

Jo, nuk është.

Sipas Ligjit mbi të Drejtën e Autorit të SHBA-ve të vitit 1976, Neni 107, “përdorimi i drejtë” i materialeve, ku aplikohen të drejtat e autorit, lejohet për “qëllime të tilla si kritika, komenti, raportimi i lajmeve, edukimi (përfshirë kopje të shumta për përdorim në klasë), bursë ose punë kërkimore”.

Për sa kohë që përdoruesit nuk e përdorin materialin për qëllime fitimi, por rreptësisht vetëm për qëllime informimi ose edukimi, sipas Nenit 107, materialet me të drejtë autori mund të përdoren, edhe pa pëlqimin e vetë prodhuesit. Ky parim lejon që video të shumta të shpërndahen nga individë privatë nëpër rrjete sociale, edhe nëse ato përfshijnë muzikë ose pjesë filmike të cilat mbulohen nga të drejtat e autorit.

Vlen të theksohet se Neni 107 zbatohet për ato materiale që tradicionalisht mbulohen nga ligjet e te drejtës së autorit – muzikë, film, ngjarje sportive, etj. Është shumë e vështirë të pretendosh se deklarata politikanësh për çështje publike, në frekuenca transmetimi publik, mund edhe të konsiderohen si “materiale të së drejtës së autorit”.

Në fakt, nuk kam gjetur asnjë rast kur ligjet e të drejtave të autorit janë përdorur për të parandaluar shpërndarjen e këtij lloj materiali, pasi askush nuk ka qenë aq i çmendur sa të pretendojë diçka të tillë. Ndalimi i përdorimit të deklaratave politike mund të shihet lehtësisht si shkelje e lirisë së fjalës.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur prej kohësh kufijtë në lidhje me përdorimin e ligjit për të drejtat e autorit. Si prodhuesi më i madh i materialeve argëtuese (filma, muzikë) dhe shkencore, SHBA ka detyruar prej kohësh vendet e tjera të zbatojnë ligjet për të drejtat e autorit. Çdo shtet i interesuar të tregtojë me SHBA—praktikisht të gjithë—i është dashur të përditësojë dhe të zbatojë të drejtat e pronësisë sipas standardeve amerikane. Këto standarde qartësisht përfshijnë dhe “përdorimin e drejtë”.

Fushata e kompanisë Acromax është qartësisht e motivuar politikisht dhe cënon të drejtat themelore politike të një shoqërie demokratike, duke abuzuar me parimet e mbrojtjes së autorit. Fatkeqësisht për ta, veprimet e tyre janë plotësisht të paligjshme. Zbatimi i ligjeve për të drejtat e autorit mbi materiale politike është një gabim serioz, i cili ka të ngjarë t’i kushtojë shtrenjtë kompanisë në të ardhmen e afërt. exit.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY