Ambasadat në Kosovë thirrje qytetarëve

Ambasadat në Kosovë thirrje qytetarëve

77
0
Shares

Në një deklaratë të përbashkët për media ambasadorët e pesë shteteve, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë kanë bërë thirrje që zgjedhjet të jenë demokratike dhe të mos ketë manipulime si në vitin 2010.

“Kosova në të kaluarën ka dëshmuar përvojë në mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme dhe të menaxhuara në mënyrë profesionale, edhe pse jo të përkryera. Ambasadat tona presin që këto zgjedhje të kenë përmirësime krahasuar me zgjedhjet e kaluara, dhe që të shmangen manipulimet dhe mashtrimet që njollosën zgjedhjet e vitit 2010”, thuhet në kumtesë për media.

Pesë ambasadat e shteteve të Quint-it shprehen se nuk përkrahin asnjë parti politike.

“Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sygjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë. Sikurse në zgjedhjet e kaluara, ne do të bashkohemi me organet tjera lokale dhe ndërkombëtare për të ndihmuar që të sigurohet një ambient i lirë dhe i drejtë” thuhet në kumtesën e shteteve të Quint-it.

Ata kanë bërë thirrje që qytetarët në ditën e zgjedhjeve t’i refuzojnë kriminelët.

“Pra, nga sot e deri në Ditën e Zgjedhjeve, flisni hapur – thuajuni partive dhe kandidatëve atë që prisni nga qeveria e ardhshme. Këmbëngulni që të kenë plane dhe propozime reale, jo vetëm retorikë të zbrazët. Gjykoni nëse njerëzit për të cilët keni votuar do të përmbushin premtimet e tyre. Refuzojini kriminelët. Kërkoni përzgjedhje të vërtetë demokratike. Dhe, në Ditën e Zgjedhjeve, dini dhe votoni”, thuhet në kumtesën për media të shteteve të Quint-it.

Kumtesa e përbashkët për media e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Zgjedhjet e ardhshme janë mundësi vendimtare për qytetarët e Kosovës që të vendosin për drejtimin e shtetit. Qytetarët e Kosovës meritojnë premtimin për të ardhme paqësore dhe të begatë, dhe e vetmja rrugë për të siguruar këtë të ardhme është përmes shprehjes së vullnetit të popullit në këto zgjedhje.

Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sygjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë. Sikurse në zgjedhjet e kaluara, ne do të bashkohemi me organet tjera lokale dhe ndërkombëtare për të ndihmuar që të sigurohet një ambient i lirë dhe i drejtë.

Kosova në të kaluarën ka dëshmuar përvojë në mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme dhe të menaxhuara në mënyrë profesionale, edhe pse jo të përkryera. Ambasadat tona presin që këto zgjedhje të kenë përmirësime krahasuar me zgjedhjet e kaluara, dhe që të shmangen manipulimet dhe mashtrimet që njollosën zgjedhjet e vitit 2010 (siç e thotë raporti i 2010-tës i Misionit të BE-së të Ekspertëve Zgjedhorë), si dhe frikësimi i kandidatëve dhe votuesve serbë të Kosovës që nuk ishin të rreshtuar me Listën Serbe në vitin 2017 (të përmendur në raportet e vitit 2017 të Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve). Ne refuzojmë trysninë ndaj votuesve, duke përfshirë kërcënimet për punë, dhe refuzojmë blerjen e votës, përfshirë atë përmes premtimit të posteve publike. Ne refuzojmë çfarëdo sulmi ndaj mediumeve, qoftë ai fizik apo në formë të thirrjes për dhunë, dhe refuzojmë tentimet për të etiketuar mediumet me ‘lajme të rreme’. Ne qëndrojmë pranë mediumeve të pavarura dhe shoqërisë civile në ushtrimin e roleve të tyre të monitorimit dhe vëzhgimit publik të procesit zgjedhor.

Prandaj, ne presim nga të gjitha partitë politike dhe kandidatët që të promovojnë një ambient të drejtë të garës zgjedhore në tërë Kosovën. Ne inkurajojmë qytetarët që të lajmërojnë abuzimet e fondeve apo resurseve publike në fushatë, si dhe çdo përpjekje për frikësim. Ne presim nga autoritetet e Kosovës që të ndërmarrin veprime të shpejta dhe të duhura ndaj gjitha shkeljeve në tërë shtetin. Për të ardhmen demokratike të Kosovës është me rëndësi që të gjithë ata që janë të përfshirë të respektojnë ligjet zgjedhore të shtetit, dhe që zgjedhjet të zhvillohen siç është e paraparë me 6 tetor.

Udhëheqësve të partive dhe kandidatëve u themi:

Shpresojmë të ju shohim në këtë fushatë zgjedhore të angazhuar në debat energjik dhe të sinqertë lidhur me mundësitë dhe problemet që ka Kosova.

Siç edhe vunë në dukje qeveritë tona së fundmi, zgjedhjet dhe formimi i qeverisë së re ofrojnë një mundësi për rifillimin urgjent të bisedimeve me Serbinë me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme, dhe ligjërisht të obligueshme, dhe që i kontribuon stabilitetit rajonal. Kjo qartësisht është në interesin e Kosovës. Për të arritur një marrëveshje qeveria e ardhshme e Kosovës do të ketë nevojë për fleksibilitet për të negociuar, dhe aftësi për të artikuluar një vizion pozitiv për marrëdhënien e ardhshme të shtetit me Serbinë, dhe dobitë ekonomike dhe të sigurisë që ajo mund t’i sjellë Kosovës.

Shpresojmë se kjo fushatë do të ketë politikanët të angazhuar ndaj qytetarëvë të të gjitha komuniteteve në një debat publik energjik dhe të sinqertë për mundësitë dhe sfidat që ka shteti. Votuesit dëshirojnë që udhëheqësit e tyre të sigurojnë që të rinjtë e Kosovës do të mund të ndërtojnë të ardhmet e tyre këtu. Votuesit meritojnë përgjigje të detajuara nga partitë për atë se si programet e tyre do të forcojnë sistemin e arsimit ashtu që të diplomuarit të jenë më mirë të përgatitur për punësim; se si ato programe do të krijojnë vende pune dhe si do të përmirësojnë zhvillimin e sektorit privat dhe investimet, si do të përkrahin ndërmarrësinë, si do të mbajnë përgjegjësinë fiskale, dhe si do të përmirësojnë sigurinë e furnizimit me energji dhe mjedisin.

Ç’është më e rëndësishmja, Kosova ka nevojë për sundim të ligjit. Besojmë se kandidatët duhet të mos kenë të kaluar kriminale, apo lidhje me verpimtari kriminale, dhe se duhet të tregojnë se si ata do të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, si do të kundërshtojnë pandëshkueshmërinë dhe nepotizmin në nivelet më të larta, dhe si do të bëjnë qeverisje të pastër përmes emërimeve të bazuara në meritë dhe politikat dhe programet që shpërblejnë integritetin. Mundësia e parë që partitë të shfaqibn këto përkushtime është duke përpiluar lista të kandidatëve që kanë për prioritet kompetencën, jo lidhjet.

Ju nxisim që të ngriteni mbi retorikën populliste dhe nacionaliste që nuk do t’i ndihmojnë Kosovës. Nga këto zgjedhje Kosova ka nevojë për udhëheqës me ide të detajuara për atë se si të përmbushen kërkesat e qytetarëve, dhe për një qeveri që mund të punojë me kredibilitet. Qytetarët e Kosovës meritojnë të dëgjojnë platforma të detajuara nga partitë, në mënyrë që të marrin vendime të arsyeshme për votën e tyre.

Në fund, iu drejtohemi akterëve më të rëndësishëm në zgjedhje: popullit.

Qeveritë tona dëshirojnë që Kosova, e cila tash gjendet në dekadën e dytë të ekzistimit, të ketë sukses. Ne do të vazhdojmë të përkrahim zhvillimin e saj. Por, përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës.

Ky është shteti juaj. Falë shumë atyre që kanë luftuar dhe sakrifikuar, vendi juaj është një demokraci. Sikurse edhe demokracia në shtetet tjera, përfshirë shtetet tona, sistemi i Kosovës ka papërsosmëri. Zërat dhe votat tuaja janë të rëndësishme. Vetëm populli mund të sjellë ndryshime.

Pra, nga sot e deri në Ditën e Zgjedhjeve, flisni hapur – thuajuni partive dhe kandidatëve atë që prisni nga qeveria e ardhshme. Këmbëngulni që të kenë plane dhe propozime reale, jo vetëm retorikë të zbrazët. Gjykoni nëse njerëzit për të cilët keni votuar do të përmbushin premtimet e tyre. Refuzojini kriminelët. Kërkoni përzgjedhje të vërtetë demokratike. Dhe, në Ditën e Zgjedhjeve, dini dhe votoni.  

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY