Efekti Instagram, milionat që shkojnë në biznesin e bukurisë në Shqipëri

Efekti Instagram, milionat që shkojnë në biznesin e bukurisë në Shqipëri

162
0
Shares

Nga Deada Hyka

Një vajzë bionde, shtatshkurtër, qëndronte e ulur në karriget e pritjes së një klinike private në kryeqytet, me hundën e fashuar. Pas disa minutash, nisi ecejaket në korridorin e së njëjtës klinikë. Më pas, m’u drejtua në gjuhën italiane për të më pyetur se çfarë ndërhyrje do të bëja. Duke i shpjeguar se kisha lënë takim me doktorin për një intervistë rreth operacioneve plastike, Pamela, 23 vjeçe, e ardhur nga Italia më tregoi arsyet e ankthit të saj momental.

“Sot, kam ditën e heqjes së fashës, kanë kaluar 10 ditë nga operacioni, jam shumë kureshtare të di si ka dalë hunda ime e re”- thotë Pamela. Pas daljes nga vizita, buzëqeshja e saj do të tregonte se gjithçka shkoi mirë. Doktori më shpjegoi më pas se rhinoplastika, apo ndërhyrje e rimodelimit të hundës, është operacioni më i kërkuar, si nga të huajt dhe shqiptarët, kostoja e së cilës nuk është e lartë.

Prej një dekade tashmë, bumi i operacioneve plastike ka përfshirë edhe një vend të vogël si Shqipëria, sidomos në 5 vitet e fundit. Historiku i ndërhyrjeve estetike daton më herët, në raste të tilla ku ndërthurej estetika me shëndetin, si probleme me frymëmarrjen etj.

Në 2019, aktorët e tregut flasin për një treg më të strukturuar, ku konkurrenca ka ulur çmimet ndjeshëm, ka nxjerrë jashtë loje joprofesionistët, ka ndërgjegjësuar më tepër shqiptarët për rëndësinë mjekësore se ku të marrin shërbime, qoftë edhe ndërhyrjet joinvazive. Problematika e informalitetit është më e ulët, bilancet e kompanive tregojnë për rritje të ndjeshme të aktivitetit të klinikave kryesore.

Efekti i Instagram duket se rrit potencialisht klientët edhe në Shqipëri, ku ndër vite është dëshmuar etja për të bukurën dhe për t’u dukur. Nga ana tjetër, rritja e obezitetit nxit tregun dhe turizmi shëndetësor ka ndikim të konsiderueshëm në xhiron e klinikave, të cilat ofrojnë të njëjtin shërbim (shpeshherë të njëjtët mjekë italianë konkretisht) me çmime dy deri në tre herë më të ulëta.

Kërkesa në rritje

Krahas shtimit të shpenzimeve për kujdesin për veten, në rritje të ndjeshme ka qenë dhe tendenca për ndërhyrje plastike. Sipas të dhënave që Monitor ka nxjerrë mbështetur në përpunimin e bilanceve, klinikat e kirurgjisë plastike kanë pasur rritje të ndjeshme të të ardhurave gjatë vitit 2017 në raport me 2016-n. Në 2018, xhirot e disa klinikave kanë vijuar rritje, deri dhe në dyfishim, ndërsa të tjera janë ndalur.

Rritja e kërkesës në treg për shërbime të kësaj natyre ka nxitur edhe shtimin e numrit të bizneseve në këtë sektor. Në dinamikën e zhvillimit të këtij tregu që po rritet shpejt, në përqafimin e trendeve të reja, në zhvillimin e teknologjive më inovative për ndërhyrjet, ka ndikuar zgjerimi i kërkesës.

Operatorët e tregut pohojnë se kërkesat më të larta janë ato për rimodelimin e hundës, të paktën 50% e ndërhyrjeve kanë të bëjnë me të. Të huajt vijojnë që të kërkojnë kryesisht rimodelimin e hundës dhe operacionet e rritjes së gjoksit. Po vihen re rritje kërkesash për ndërhyrje jo evazive në mesin e shqiptarëve. Dr. Silvana Vishaj, mjeke kirurge plastike, thotë se vitet e fundit, zhvillimi teknologjik dhe përdorimi në mënyrë efikase me metodat më të fundit, i ka dhënë mundësi sektorit dhe njerëzve që të kryejnë ndërhyrje jo invazive, të cilat duket se janë shtuar shumë në mesin e shqiptarëve.

“Me bumin e madh të shkencës së kirurgjisë plastike dhe mjekësisë estetike, një pjesë e mirë e ndërhyrjeve, që dikur kryheshin nëpërmjet bisturisë, sot kryhen me metoda që nuk dhembin dhe aspak invazive, të cilat i ofrojnë pacientit komoditet të jashtëzakonshëm. Nëpërmjet këtyre metodave kaq të shpejta, të cilat nuk shkaktojnë dhimbje mund të arrihet rinimi dhe përsosja e portretit. Këto metoda nuk kërkojnë rikuperim, zgjasin 30-45 minuta dhe pacienti mund të kthehet menjëherë në aktivitetin e tij të zakonshëm”- thotë dr. Vishaj.

Pranë klinikës “Diva” pohojnë se korrigjimet e formës së hundës dhe zmadhimi i gjoksit janë dy operacionet më të kërkuara, por nuk mbeten pas edhe kërkesat për korrigjime të kapakëve të syve, lifting të fytyrës, rregullim të formës së veshëve apo ngritje të vetullave. Gjithashtu është rritur kërkesa për botox-in dhe rikonturimin e formës së trupit nëpërmjet liposuction-it, si te femrat, ashtu edhe te meshkujt.

Aktualisht, në klinikën “Keit”, departamenti i statistikës tregon për kryerjen e mbi 8,000 ndërhyrjeve në muaj, shifër e cila dëshmon rritjen e tregut të ndërhyrjeve plastike, duke marrë në konsideratë edhe shtimin e klinikave në vend. Megjithatë, vlen për t’u theksuar se klientët nuk janë vetëm shqiptarë. Vendi ynë po tërheq vit pas viti më tepër turistë të huaj për shërbimet që ofron.

Hunda kryeson

Operacionet e hundës dhe të veshëve, sipas ekspertëve të kirurgjisë plastike, ishin të parat që u bënë në Shqipëri dhe më pas, dalëngadalë edhe të tjerat. Në vitet e regjimit komunist janë kryer disa ndërhyrje, por që konsideroheshin ndërhyrje të nevojshme dhe jo për qëllime të “pastra” estetike.

Në ditët tona, të kryesh një ndërhyrje estetike për arsye të përmirësimit të imazhit duket krejt normale dhe numri i kërkesave nga meshkujt është rritur. Dr. Skerdi Faria nga Klinika “Keit” tregon se femrave shqiptare, krahasuar me ato në Itali, u pëlqen më tepër të jenë të kuruara dhe rritja e numrit të ndërhyrjeve vitet e fundit e tregon këtë, duke hedhur poshtë edhe mentalitetet e shkuara.

Dr. Skerdi tregon se krahasuar me 2017, vitin e shkuar ka parë një rritje me 30% të ndërhyrjeve estetike dhe se disa shërbime të caktuara, si lifting, hunda etj., mbi 50% rritje. Një tjetër ndërhyrje e kërkuar, sidomos në 2019, ka qenë mbjellja e flokëve, për të cilën ka kërkesa të larta edhe nga pacientë të huaj ose shqiptarë që jetojnë jashtë.

Sipas të dhënave të z. Arbri Faria nga klinika “DaVinci”, vendi ynë pozicionohet më mirë se sa fqinjët në rajon për investimet e kryera në këtë fushë, si dhe rritjen e kërkesave për ndërhyrje dhe ofrimin me standarde europiane të tyre.

Dr. Kostandin Balloma, nga “Luis Medical Center”, pohon se rinoplastika është ndërhyrja më e përhapur nga të gjitha ndërhyrjet e tjera plastike-estetike, edhe në klinikën e tij. “Rinoplastikën e kanë kërkuar shumë shqiptarët edhe për shkak të gjenetikës. Duhet pasur parasysh se është një fushë veprimi profesionale, kryesisht e një kirurgu otorinolaringolog të specializuar.

Vetëm ai është përgjegjësi ekskluziv për të rregulluar njëkohësisht shtrembërimin e perdes së hundës dhe pamjes së jashtme të hundës, për të arritur në këtë mënyrë një rezultat të qëndrueshëm dhe të suksesshëm si estetik, ashtu edhe funksional. Sepse nëpërmjet një ndërhyrjeje, një narkoze dhe një mundimi të vogël mund të zgjidhet një problem i dyfishtë, pasi problemi estetik dhe ai funksional, pothuajse bashkekzistojnë gjithmonë”, – thotë ai.

“Për sa i përket moshës më të përshtatshme për rinoplastikë, mund të themi me siguri se nuk ka një kufi të caktuar moshe që mund të kufizojë apo të ndalojë ndërhyrjen. Rinoplastika mund të bëhet në çdo fazë të jetës së rritur. Pikëpamja se subjektet mbi moshën 50 vjeç nuk lejohen t’i nënshtrohen një ndërhyrjeje të perdes së hundës apo një rinoplastike, tashmë i takon së shkuarës, si rezultat i zbulimit të teknikave të reja dhe bashkëkohore të kirurgjisë”, -thotë dr. Balloma.

Si janë çmimet?

Ka diferenca të theksuara mes klinikave private dhe ndërhyrjeve që mund të kryesh në spitalin shtetëror. Për shembull, për një ndërhyrje në hundë, operacioni vlerësohet të jetë në 1.2 milionë lekë, kurse në privat fillon nga 1500 euro. Nga ana tjetër, ndërhyrja në vesh është një procedurë jo dhe aq e thjeshtë, por luhatet sërish në të njëjtat nivele.

Me një çmim operacioni që shkon deri 1500 euro, rimodelimi i hundës renditet te ndërhyrjet më të kërkuara dhe të kryera në klinikat kryesore të kirurgjisë plastike në vendin tonë. Dr. Skerdi nga Klinika “Keit” tregon se kjo vjen për dy arsye. E para, sepse shqiptarët e kanë disi gjenetike një formë hunde me kurriz dhe e dyta, se si gjithçka e re, përqafohet më shpejt nga të rinjtë, të cilët nuk i mohojnë vetes tashmë një pamje më të mirë. Edhe teknologjia, sipas tij, ka pasur ndikimin e saj, pra përdorimi i selfie-ve, Instagram etj.

Dr. Arben Kuçani, i specializuar për kirurgji plastike, thotë për “Monitor” që në nisje të operacioneve plastike në vendin tonë, VIP-at shqiptarë ishin personat e parë të interesuar, të cilët, sikurse edhe mjekë të tjerë pohojnë, vinin me “syze dhe kapuç”. “Tashmë, me ndryshimin e mentalitetit, thyerjen e tabuve, të shumtë janë të rinjtë shqiptarë, që duan të kryejnë një ndërhyrje dhe e bëjnë atë pa pasur komplekse si më parë. Ulja e çmimeve të shërbimeve, frekuentimi edhe i shërbimit shtetëror i ka bërë më të prekshme ndërhyrje të tilla edhe për pjesën e gjerë të popullsisë. Ndërhyrjet më të kërkuara vijojnë të jenë hunda dhe buzët”, – pohon dr. Kuçani.

Operatorët e tregut pohojnë për një rënie të lehtë të çmimeve të ndërhyrjeve, gjë që i atribuohet shtimit të klinikave private, po ashtu edhe diversifikimit të shërbimeve estetike, që të gjitha kategoritë të gjejnë një çmim të përshtatshëm për një shërbim të caktuar. Jo pak klinika ofrojnë edhe mundësinë e pagesës me këste të shërbimit të kërkuar.

Treg i vogël

Dr. Skerdi raporton rritje të ndjeshme të kërkesave çdo vit, por vendos theksin në faktin se Shqipëria është treg i vogël, edhe në këtë sektor.

“Konkurrenca është shtuar më shumë me kalimin e viteve, normalisht nuk është aq e theksuar sa në Itali, megjithatë çdo klinikë ka klientelën e saj. Duhet theksuar se Shqipëria nuk ka traditë në këtë fushë, kirurgjia plastike është disi e veçantë e krahasuar me kirurgjitë e tjera, sidomos sa i përket përgatitjes së profesionistit. Në botë, Brazili udhëheq në traditën e kësaj fushe kirurgjie, edhe SHBA, por edhe Italia është ndër kryesoret pas Amerikës Latine.

Sfida e parë që kemi pasur në Shqipëri është lufta ndaj mentalitetit. Tregu është i vogël dhe në raport me këtë treg këtu, konkurrenca ekziston, është e fortë. Megjithatë, duke njohur tregun italian, padyshim pikë e fortë e Shqipërisë janë taksat më të ulëta në vendin tonë krahasuar me vendet perëndimore, mirëpo, kostot e këtij biznesi janë të larta” – thotë Dr. Skerdi, i cili shton se kirurgët e huaj kërkojnë pagesa të larta, ndërkohë që çmimet e ndërhyrjeve po ulen në Shqipëri.

“Mendoj se ky është një lloj biznesi që nuk të bën të pasur, punon dhe fitimi është modest, krahasuar me kostot që ka kjo lloj kirurgjie. Protezat e gjoksit, materialet e punës, pajisjet etj., nuk prodhohen në Shqipëri dhe importi i tyre (pagesa në Doganë) rrit këto kosto pune, teksa tarifat e shërbimeve nuk rriten, përkundrazi, realizojmë edhe ulje në fushata të ndryshme që bëjmë”, -përfundon ai.

Informaliteti

Një vit më parë, sektori që është i orientuar drejt ndërhyrjeve estetike është cilësuar si një nga ata me rrezikun më të lartë të evazionit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Krahas rritjes së këtij biznesi, ka një debat të gjerë për të miratuar një ligj të veçantë që do të rregullojë tregun ku operojnë këto klinika por, mbi të gjitha, do të ofrojë siguri për materialet. Në shumë raste është raportuar mungesë mbikëqyrje dhe kontrolli mbi sallone të ndryshme estetike që ofrojnë fryrje të buzëve apo edhe më shumë procedura, duke mos përdorur materiale të kontrolluara apo profesionistë për t’i kryer.

Rastet e atyre që pas një ndërhyrjeje në një sallon të paspecializuar, përfundojnë në klinika më të mëdha, janë në rritje. “Më shqetësues është fakti ku trajtime në dukje të thjeshta, si fryrja e buzëve apo reduktimi i rrudhave me botox, po bëhet në qendra të paspecializuara dhe nga joprofesionistë. Në këtë mënyrë, shanset për të gabuar në qendra jo të përshtatshme janë më të mëdha dhe po ashtu, numri i personave të pakënaqur është më i madh”, – ka pohuar më herët për “Monitor”, drejtori i Klinikës “Keit”, Skerdi Faria.

Biznesi i milionave

Të dhënat zyrtare nga bilancet e kompanive (viti i fundit i raportimit 2017, viti 2018 nuk është dorëzuar ende në

QKR) tregojnë për rritje të ndjeshme të të ardhurave që kanë qarkulluar klinikat me fokus të aktivitetit kirurgjinë estetike. Vetëm për 4 klinika të marra në analizë, qarkullimi i të ardhurave për vitin e fundit të raportimit, në 2017 ishte më shumë se 200 mln lekë.

Klinika KEIT është më e madhja e këtij lloji në Shqipëri. Në vitin 2017, ajo deklaroi të ardhura prej 164 milionë lekësh, me një rritje prej 10% krahasuar me një vit më parë dhe 40% krahasuar me dy vite më parë.

Rritje raportohet edhe në klinikën “DaVinci”, me zgjerim të të ardhurave me 17%, ndërkohë që në 2016 pati një rritje 80% krahasuar me vitin e parë të hapjes së saj, 2015. Në 2018-n të ardhurat e Davinci pothuajse u dyfishuan, duke arritur në rreth 65 milionë lekë.

Klinika tjetër “DermoLife” ka pasur rritje të të ardhurave nga aktiviteti me 75% në vitin 2016, në 15.2 milionë lekë, ndërsa në 2017 pati një tkurrje të aktivitetit. Drejtuesit e klinikës ia atribuojnë këtë tkurrje fokusimit më tepër në ndërhyrjet joevazive, të cilat nuk sjellin aq shumë fitime, ndërkohë edhe konkurrenca është rritur. Kirurgjia plastike po ofrohet dhe nga spitalet e mëdha, si ai Amerikan dhe Hygeia, por në bilancin e kompanisë nuk raportohet me zëra të veçante se ç’pjesë të të ardhurave sjellin këto shërbime.

Efekti “Instagram”

 

Jo më larg se 4 vite, Dr. Skerdi nga klinika “Keit” u shpreh për “Monitor” se efekti selfie po ndikon në rritjen e kërkesave për operacione plastike, gjë që dëshmohet me kalimin e viteve, qoftë për rimodelimin e hundës, ashtu edhe për fryrjen e buzëve. Sot, një tjetër ndikues është padyshim Instagram.

“Standardet e bukurisë po bëhen globale”, thotë Dr. Silvana Vishaj, duke shtuar se kultura e Instagram dhe filtrat e smartphone-ve janë padyshim një ndër “fajtorët”.

“Duket me të vërtetë që gratë në mbarë botën ndjekin të njëjtat prirje: buzët më të plota, faqet më të plota, vetullat e harkuara, gjoksi i madh etj. Kjo është për të ardhur keq sepse këto trende të fytyrës dhe të trupit nuk u përshtaten të gjithëve, nuk duhet të bëhet e domosdoshme”.

Interneti, rrjetet sociale dhe ndjekja e të famshmëve kanë lejuar tiparet eurocentrike – ajo që Dr. Vishaj i referohet si “pamja e Kylie Jenner” ose dikur “Kim Kardashian”- për t’u bërë estetika më e lakmuar. Sipas saj, fakti që procedurat sot janë më të arritshme (p.sh. pak botox rrudhash, pak fryrje buzësh), më të lira dhe shpesh kërkojnë më pak kohë, do të thotë që gjithnjë e më shumë gra po kthehen në kirurgji plastike dhe kozmetike.

“Ne jemi duke jetuar në një epokë ku në të gjithë botën, të gjithë po bëjnë të njëjtën punë, shpesh duke hedhur poshtë karakteristikat etnike dhe duke mbështetur homogjenizimin e asaj që konsiderohet “e bukur” – thotë Dr. Vishaj. “Sa më shumë të rritet kërkesa, aq më shumë gjasa që ‘shikimi i Kylie Jennerit’ do të bëhet statusi i tanishëm. Nëse kjo është një gjë e mirë apo e keqe ka të bëjë me ju”, -përfundon ajo.

Nxitje edhe nga gjendja psikologjike Dr. Kostandin Balloma nga “Luis Medical Center” thekson edhe një anë tjetër të nismës së shqiptarëve për të përqafuar lehtësisht ndërhyrjet estetike: atë psikologjike.

“Shumë njerëz nuk ndihen të prekur psikologjikisht nga deformimi i veshëve p.sh., (ose veshët e dalë) dhe rrjedhimisht nuk e kanë të nevojshme të bëjnë ndërhyrje kirurgjikale përderisa vendi dhe forma e llapës së veshit nuk ndikojnë në dëgjim.

E njëjta gjë mund të vlejë edhe për hundën. Por, ka shumë raste që për të dyja këto problematika estetike pacienti vuan psikologjikisht: që në fëmijëri, tallje apo me rritjen e tij në adoleshencë. Ne rekomandojmë se, në rast se deformimi është i kësaj shkalle, që ndihet dhe ndikon negativisht në pamjen dhe në gjendjen psikologjike të personit, atëherë mendoj se nuk ka asnjë arsye përse të mos bëhet një ndërhyrje kirurgjikale”, – thotë Dr. Balloma.

Doktori jep disa statistika nga klinika e tij lidhur me ndërhyrjen e veshëve:

  • Katër në dhjetë pacientë me veshë të mëdhenj janë fëmijë në moshë shkollore.
  • Gjithashtu, te pacientët e rritur meshkuj, kjo është një ndërhyrje shumë e zakonshme.
  • Gratë vendosin më me vështirësi dhe në moshë relativisht më të madhe, pasi janë lodhur duke i mbuluar veshët e mëdhenj me flokë.

“Zakonisht fëmijët e vegjël nuk shqetësohen shumë nga ky problem. Fëmija e vë re se ka diçka që nuk shkon me veshët në momentin kur bashkëmoshatarët e tij e tallin në lidhje me veshët. Kjo gjë mund të ketë pasoja në jetën emocionale dhe në shëndetin psikik të fëmijës dhe ta shoqërojë atë gjatë gjithë jetës”, -thekson ai.

Prindërit, sipas tij, bëjnë veprimin e duhur në lidhje me fëmijët e tyre dhe nuk i lënë ata të rriten me një ndjenjë inferioriteti. “Është e udhës që një fëmijë me veshë të dalë të bëjë një ndërhyrje pa shkuar ende në shkollë fillore, sapo ka mbushur gjashtë vjeç. Kjo nuk do të thotë që ndërhyrja nuk mund të bëhet edhe në faza të tjera të jetës. Por më vonë, ndërhyrja është zakonisht e lidhur me më shumë peshë psikologjike, sepse adoleshentët dhe të rriturit shqetësohen më tepër nga ky deformim”, -përfundon Dr. Balloma.

TRENDI

Nëse 2018 ishte viti i kirurgjisë plastike dhe i largimit të komplekseve rreth ndërhyrjeve, 2019 do të jetë viti i heqjes së protezave të një numri të madh të gjoksit, korrigjime të vogla në fytyrë dhe trup, ndërkohë duke ruajtur autenticitetin natyror të fytyrës dhe fizike. Dhe sipas ekspertëve, një numër më i madh pacientësh do të nisin trajtime në një moshë më të vogël si trajtime parandalues. Ky trend botëror tashmë, pritet të përqafohet nga shqiptarët në 5-vjeçarin e ardhshëm.

Tregu global i bukurisë

Sipas një raporti të ri nga Market Research Future (MRFR), tregu global për kirurgji kozmetike do të ketë arritur të ardhura prej 21.97 miliardë dollarësh, deri në fund të vitit 2023. Tregu është vlerësuar të zgjerohet në 7.8% gjatë periudhës së vlerësimit (2017 -2023) kryesisht për shkak të faktorëve socialë dhe kulturorë si ndikimi i industrisë filmike, mediave dhe modës.

Kirurgjia plastike është një segment i veçantë i kirurgjisë që përfshin rindërtimin dhe ndryshimin e trupit të njeriut. Faktorë të shëndetit si rritja e obezitetit, aksidentet, kufiri në rritje i sigurisë së kirurgjisë kozmetike, numri në rritje i spitaleve të kirurgjisë kozmetike etj. Faktorë teknologjikë siç janë zhvillimi i materialeve të avancuara si implantet, silikoni etj.

Faktorë ekonomikë si rritja e të ardhurave për frymë, kostoja në rënie e operacioneve kozmetike etj.

Një faktor kyç që ndikon në rritjen e tregut është kërkesa e lartë për operacionet kozmetike minimale invazive dhe jo invazive, pasi këto operacione përfshijnë përdorimin e teknikave që shkaktojnë më pak dëmtim të trupit kur krahasohen me procedurat konvencionale siç janë operacionet e hapura. Gjithashtu, teknologjitë e reja dhe më të avancuara si teknika lazer po miratohen për procedurat kozmetike të fytyrës.

Popullariteti në rritje i këtyre procedurave minimalisht invazive mund t’i atribuohet pakënaqësisë minimale për shkak të qëndrimeve më të shkurtra në spital dhe shkallës së suksesit afatgjatë. Kështu, kërkesa në rritje për operacionet kozmetike minimalisht invazive do të nxisë rritjen e tregut të kirurgjisë kozmetike.

 

Në terma gjeografikë, Amerika e Veriut dhe Europa dominojnë tregun global të kirurgjisë plastike. Kjo për shkak të plakjes së popullsisë në rritje dhe normave të larta të adoptimit të produkteve estetike në këto rajone. SHBA përfaqëson tregun më të madh për kirurgji plastike, ndjekur nga Kanadaja në Amerikën e Veriut. Në Europë, Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar mbajnë pjesën më të madhe të tregut të kirurgjisë plastike.

Megjithatë, Azia pritet të tregojë ritme të larta rritjeje në pesë vitet e ardhshme në tregun global të kirurgjisë plastike për shkak të ndërgjegjësimit në rritje për procedurat e kirurgjisë plastike dhe rritjen e industrisë së turizmit mjekësor. Kina dhe India pritet të jenë tregjet me të shpejtë në rritje të kirurgjisë plastike në Azi.

Kohët e fundit, rritja e numrit të njerëzve geriatricë së bashku me kërkesën në rritje për mbajtjen e të rinjve dhe bukurisë është nxitësi kryesor për tregun global të kirurgjisë plastike. Përveç kësaj, avancimi teknologjik në operacionet dhe rritja e numrit të njerëzve të dhjamosur dhe mbi peshë kanë nxitur gjithashtu rritjen e tregut global të kirurgjisë plastike. Megjithatë, kostoja e lartë e operacioneve dhe miratimi i rreptë rregullator janë disa nga kufizimet kryesore për tregun global të kirurgjisë plastike.

Përveç kësaj, rreziqet e larta të efekteve negative të ndërlidhura me operacionet gjithashtu pengojnë rritjen e tregut global të kirurgjisë plastike. Rritja e përdorimit të biomaterialeve të kirurgjisë plastike zhvillon mundësi për tregun.

Disa nga kompanitë kryesore që operojnë në tregun global të kirurgjisë plastike janë Allergan, Inc., BioForm Medical, Inc., Solta Medical, Candela Corporation, Lumenis dhe Cynosure. monitor.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY