Videoja e “komplotit Doshi”, pa rol në shkarkimin e Eugen Beçit

Videoja e “komplotit Doshi”, pa rol në shkarkimin e Eugen Beçit

84
0
Shares

Katër vjet më vonë, takimi i mësipërm u rikthye për shqyrtim në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit si pjesë e procesit të vetingut për prokurorin Eugen Beçi.

Karriera 17-vjeçare e Beçit në Prokurori u ndërpre më 26 qershor 2019, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e tij për problemet me figurën dhe pasurinë. Megjithatë, vendimi i arsyetuar i trupës së përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine dhe Roland Ilia tregon se “kontakti i papërshtatshëm” i Beçit me Skënderin nuk luajti rol në vendimin për shkarkimin e tij.

Nga hetimi administrativ rezultoi se prokurori Beçi e kishte deklaruar kontaktin e papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar; fakt ky që nuk u konsiderua fillimisht si rrethanë lehtësuese nga KPK –e cila gjykoi se ai “nuk mund të fshihte një fakt të njohur publikisht”.

Në korrespondencën me KPK-në, Beçi e ka shpjeguar kontaktin me Skënderin në kohën kur ai ishte drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda të lidhur me çështjen “Doshi” dhe e konsideroi publikimin e lajmit si të qëllimshëm. Në vendimin e KPK-së parashtrohet gjithashtu pretendimi i Beçit se ai ishte njohur më vonë me dënimin e vitit 2008 të Skënderit nga Gjykata e Lartë dhe se ai vetë nuk kishte pasur asnjë lidhje me çështjen penale të tij.

Në lidhje me kontaktin e papërshtatshëm të deklaruar nga subjekti i rivlerësimit, trupi gjykues arsyetoi se “gjatë hetimit administrativ nuk konstatoi të dhëna për kontakte të tjera të subjektit të rivlerësimit me këtë shtetas”.

“Subjekti i rivlerësimit nuk ka hetuar apo gjykuar gjatë veprimtarisë të tij, shtetasin F.S. apo ndonjë të afërm të tij,” thuhet në vendim, ndërkohë që KPK argumentoi se Beçi plotësonte kushtet e rrethanave lehtësuese dhe nuk e konsideroi episodin si “shkarkues”.

Por ndryshe nga kontakti me Skënderin, KPK e penalizoi me shkarkim Beçin për mosdeklarimin prej tij të revokimit të vizës amerikane në deklaratën e pastërtisë së figurës. Sipas vendimit të zbardhur,  ambasada amerikane i ka revokuar një vizë 3-vjeçare Beçit me 26 janar 2017; një ditë përpara se ai të dorëzonte formularin e kontrollit të figurës.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit argumenton në vendim se Beçi ka bërë deklarim të pasaktë në kategorinë e të dhënave për sigurinë, pasi nuk ka deklaruar revokimin e vizës amerikane si fakt të ndodhur para ditës së dorëzimit të formularit. Por në shpjegimet e tij, prokurori nuk e konsideroi të njëjtë revokimin e vizës me refuzimin e hyrjes në SHBA.

“… theksoj se mbi bazën e koncepteve juridike, gjuhësore dhe logjike, në asnjë rast nuk i është refuzuar hyrja jo vetëm në SHBA, por në asnjë vend tjetër anëtar apo jo anëtar i Bashkimit Europian. Për këtë mbetet i bindur bazuar në fakte, prova dhe shpjegime të këtyre koncepteve nga vetë ligjzbatuesit e shtetit për të cilin ju bëni fjalë, pra, SHBA-së,” citohet të ketë thënë Beçi për trupën gjykuese.

Pretendimi i Beçajt u rrëzua nga KPK, e cila arriti në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit nuk arriti nivel të besueshëm në kontrollin e figurës.

“… trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit, z. Eugen Beçi, nuk ka plotësuar në mënyrë të saktë dhe me vërtetësi formularin e deklarimit për kontrollin e figurës dhe ka fshehur fakte dhe rrethana të ndodhura para dorëzimit, sipas ligjit të këtij formulari,” argumentoi KPK.

Kontratë fiktive dhe mungesë burimesh

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në konkluzionin se prokurori Eugen Beçi nuk arrin nivel të besueshëm edhe në kriterin e pasurisë, duke përmbysur një raport pozitiv të ILDKPKI-së që i certifikonte deklarimet e tij si të sakta dhe burimet e pasurisë si të ligjshme.

Sipas KPK-së, problemi kryesor i Beçit lidhet me një apartament me sipërfaqe 169 m2 në Tiranë, i përfituar përmes një kontrate shkëmbimi me apartamentin e mëparshëm prej 83 m2 si dhe 4 milionë lekë, të cilat prokurori deklaroi se ua kishte marrë borxh vëllezërve.

Por Komisioni gjeti se për blerjen e apartamentit 83 m2 ekzistonin dy kontrata; e para e lidhur në vitin 2006 me kompaninë e ndërtimit dhe e dyta e lidhur në vitin 2007 me pronarin e truallit me inicialet M.Z.  Në periudhën mes dy kontratave, subjekti ka marrë kredi të butë në vlerën e 5 milionë lekëve, por Komisioni konstaton se pagesat nuk përputhen me kontratën e sipërmarrjes së vitit 2006 dhe se nuk dokumentohet se kujt i janë paguar cash këto para.

Komisioni gjeti një sërë mospërputhjesh në kohë mes deklarimeve të subjektit, të tilla si çmimet e ndryshme mes dy kontratave apo marrjen e një kredie prej 600 mijë lekësh për mobilim apartamenti dhe shlyerjen e saj brenda një muaji; përpara se të firmosej kontrata e sipërmarrjes. Beçi e shpjegoi marrjen e kredisë për arredim përpara marrjes së kredisë për blerjen e shtëpisë me mendimin se “do t’i duheshin shumë më tepër para sesa kursimet”.

”Meqenëse kjo shumë e marrë nuk m’u nevojit për t’a përdorur, pasi kisha kursim, një shumë të tillë e shleva menjëherë kredinë me qëllim të mos paguaja dy herë interesa, pasi do të merrja dhe kredinë për blerjen e banesës,” i tha ai KPK-së, ndryshe nga ç’kishte deklaruar përpara ILDKPKI-së në vitin 2016.

Trupa gjykuese i rrëzoi pretendimet e Beçit dhe krijoi bindjen se kontrata e vitit 2006 ishte fiktive, e nënshkruar me qëllimin e përfitimit të kredisë së butë. Për këtë arsye, KPK si kontratë të saktë atë të vitit 2007 dhe analiza financiare e këtij viti e nxorri prokurorin e Krimeve të Rënda me mungesë burimesh të ligjshme në vlerën e 4 milionë lekëve.

Komisioni gjeti gjithashtu mospërputhje mes kontratës së shkëmbimit të apartamentit të rivlerësuar në 8 milionë lekë me një apartament të rivlerësuar në vlerën e 22.9 milionë lekëve në pronësinë e A.R. Ndryshe nga kontrata, Beçi ka deklaruar se përveç apartamentit i dha shtetasit A.R edhe 4 milionë lekë cash të siguruara nga vëllezërit si hua, ndërsa i mbeti detyrim edhe 3.2 milionë lekë të tjera.

KPK verifikoi deklaratat e panoterizuara të vëllezërve të Beçit, të cilët pohonin se i kishin dhënë atij secili nga 2 milionë lekë më 15 shkurt 2014, por verifikimet në sistemin TIMS treguan se asnjëri prej tyre nuk ndodhej në Shqipëri në këtë datë.

Korrespondenca e Beçit me KPK-në lidhur me këtë fakt nuk ka qenë e thjeshtë, ndërkohë që trupa gjykuese vlerëson në vendim se ai tregoi një version tjetër nga ai i deklaratës “vetting”.

“Këto hua unë i kam marrë në shtëpinë e babait tim, V. Th. B., në qytetin e Librazhdit, në datën 15.2.2014, me pëlqimin e vëllezërve të mi, S., e G.B., të cilët këto para i kishin sjellë cash në periudha të ndryshme kohore te shtëpia e prindërve, pasi kishin vite që punonin në emigracion në Greqi,” tha në përgjigjen për KPK-në subjekti.

Trupi gjykues i kaloi Beçit barrën e provës në lidhje me huatë nga vëllezërit, duke e konsideruar të pasaktë deklarimin e tij në deklaratën “vetting”. “Nuk keni deklaruar saktë huadhënësin, i cili ishte babai juaj dhe jo vëllezërit…” konstatoi KPK.

Beçi i qëndroi versionit se paratë ishin të vëllezërve.

“ …këto para ia mora borxh vëllezërve të mi me mirëkuptimin e tyre, të pasqyruara në deklaratat të cilat ata i përpiluan në Greqi dhe i dërguan tek unë me linjat e autobusëve. Pas kryerjes së këtyre deklaratave, unë kisha mundësi të merrja paratë, të cilat ishin fizikisht në shtëpinë e babait tim, por asnjëherë nuk kanë qenë të babait tim,” deklaroi ai.

Trupi gjykues arsyetoi se prokurori i kishte pasur të gjitha mundësitë që në deklaratën “vetting” të sqaronte se huatë nga vëllezërit i kishte marrë përmes babait të tij dhe i përjashtoi këto para nga analiza financiare. Kjo e çoi rezultatin matematikor në minus 4 milionë lekë për vitin 2014.

Ish-kreu i Krimeve të Rënda u përball gjithashtu me vështirësi për të provuar deklarimet se kishte jetuar pa qira në shtëpinë e blerë nga prindërit e bashkëshortes për vitet 2004-2006 dhe se këta të fundit kishin mbuluar shpenzimet për shkollimin e fëmijëve në shumën 648 mijë lekë. KPK arriti në përfundimin se vjehrrit e subjektit në cilësinë e personave të lidhur nuk arrinin të dokumentonin burime të mjaftueshme për blerjen e shtëpisë.

Në fund të shqyrtimit, trupa e KPK-së arriti në përfundimin se subjekti nuk ka pasur mjete monetare të mjaftueshme për të përballur shpenzimet për vitet 2007, 2009 dhe 2014, nuk arriti të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë së tij dhe “është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, në posedim apo në pronësi të tij.

Në konkluzionin përfundimtar, trupa gjykuese arsyeton se vendosi shkarkimin e Eugen Beçit për shkak se ka plotësuar në mënyrë të pasaktë formularin e kontrollit të figurës, duke u përpjekur të fshehë fakte [revokimi i vizës]; nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë si dhe ka ndërmarrë hapa për të fshehur ose paraqitur në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim ose në përdorim të tij

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY