Zëri i Amerikës: Veliaj shmang shpjegimet për Memorialin turk

Zëri i Amerikës: Veliaj shmang shpjegimet për Memorialin turk

118
0
Shares

Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit shqiptar Erion Veliaj evitoi të dielën të japë shpjegime të drejtpërdrejta për vendosjen në Parkun e Liqenit në Tiranë, të një memoriali kushtuar viktimave të grushtit të dështuar të Shtetit në Turqi, më 15 korrik të vitit 2016. Zoti Veliaj i tha gazetarëve se “në atë territor ka mbi 50 pika, ku janë kujtuar raste të ndryshme, dhe secili ka mundësi të respektohet”, por pa treguar nëse mund të hiqej një paralele mes pikave të tjera, të cilave ai referohej dhe një ngjarjeje të lidhur ngushtësisht me një vend të huaj e për më tepër me zhvillimet e brendshme politike atje.

Zoti Veliaj e kufizoi reagimin e tij ndaj kritikave që ka ngjallur një ngjarje e tillë, te respekti që duhet treguar për të vdekurit, duke ju shmangur thelbit të debatit. “ Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë. Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre”.

Sipas kryebashkiakut, fakti që atë që kanë ngritur zërin për çështjen e Memorialit, nuk kanë shprehur, sipas tij, shqetësim që zona ku është vendosur ka qenë më parë e mbuluar nga shkurret, nuk u jep atyre të drejtë sipas tij të shprehen. “Nuk i prish punë askujt. Më thonë është në cepin e Liqenit, ku shumica prej atyre që ankohen as iu ka rënë në mendje kur ishte mbuluar me ferra dhe kur digjej plastikë dhe ku zaptohej si territor”, u tha zoti Veliaj gazetarëve.

Ceremonia e vendosjes së Memorialit me emrat e 251 personave që humbën jetën tre vjet më parë në Turqi, u zhvillua në 15 korrik, e organizuar nga ambasada turke në Tiranë, e cila njoftoi se “me sukses dhe me krenari inaguruam “Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”.

Kryebashkiaku Veliaj nuk shpjegoi se i kujt ishte vendimi për ngritjen e Memorialit, dhe cilat ishin motivet e një vendimi të tillë. E po ashtu edhe nëse ka patur ndonjë akt të Bashkisë për emërtimin e rrugës apo parkut, gjë e cila është kompetencë e saj dhe Këshillit bashkiak që merr në fund vendimin. Nga një vështrim i vendimeve të publikuara në faqen e Këshillit Bashkiak, nuk rezulton të ketë patur një të tillë lidhur me ‘’Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut’’ dhe ‘’Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”.

Fillimisht Bashkia e Tiranës, u duk se kërkonte t’i rrinte larg kësaj ngjarjeje. Interesimit të Zërit të Amerikës për të kontaktuar dhe intervistuar një nga drejtuesit e Bashkisë lidhur me çështjen e Memorialit, një zëdhënës i Bashkisë tha se duhej kontaktuar Ministria e Jashtme. Kjo e fundit i shpjegoi zyrtarisht Zërit të Amerikës se nuk ishte përfshirë në asnjë formë dhe mënyrë në ceremoninë e 15 korrikut. Në fakt asnjë përfaqësues i saj nuk mori pjesë. Ndërkohë që Bashkia u përfaqësua në nivel të lartë, me zëvendësin e zoti Veliaj, nënkryetarin Arbjon Mazniku.

Tre ditë pas ceremonisë në Tiranë kryeministri Edi Rama, njoftoi përmes një fotoje se ndodhej në Turqi “në mikpritjen e Presidentit Erdogan në rezidencën e tij verore në Marmaris”, siç shpjegoi vetë kreu i Qeverisë, i vënë jo rrallë në shënjestër për raportet e tij të afërta ,me kreun e Shtetit turk, i cili ka fajësuar klerikun Fetullah Gülen dhe organizatën e cilësuar terroriste FETO, për grushtin e dështuar të Shtetit

Pak ditë më vonë në Tiranë mbërriti për një vizitë ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu, i cili deklaroi në një intervistë për mediat turke se kishte dikutuar me homologun e tij shqiptar Sandër LLeshaj por dhe me kryeministrin Edi Rama për luftën kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë FETO-n. Ata kanë shprehur përkushtimin e tyre në këtë drejtim,” tha ministri turk, duke shtuar se ndjehej i kënaqur nga “qasja e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm ndaj FETO-s”./VOA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY