Politikat aktive të tregut të punës

Politikat aktive të tregut të punës

181
0
Shares

Nga Elena POLO

Në Shqipëri krijimi i programeve të ndryshme si pjesë e politikave aktive të tregut të punës ka nisur me synimin për të ulur papunësinë, duke përmendur këtu sidomos papunësinë e të rinjve dhe të grupeve në nevojë. Për më tepër, programet e ndryshme kanë pasur vazhdimisht qëllim uljen e informalitetit, si dhe uljen e kostove sociale dhe ekonomike, duke futur në program edhe individë, të cilët përfitojnë nga skema të tjera aktuale të mbështetjes sociale.

Financimi i këtyre politikave ka qenë gjithmonë në rritje edhe pse të ngadaltë dhe kjo përkthehet rrjedhimisht edhe në një rritje të numrit të përfituesve. Sipas Strategjisë 2014-2020, për vitin 2017, niveli i synuar është 3.5% dhe për 2020, specifikisht 10%. Në tabelë jepen të përmbledhura llogaritjet mbi shpenzimet publike për programet e nxitjes dhe trajnimit, si dy shtyllat kryesore të politikave aktive të tregut shqiptar të punës. Papunësia e të rinjve ka nevojë për t’u adresuar edhe në terma të shpenzimeve financiare, edhe në kushtet kur shpenzimet publike prej 0.046% e PBB, janë rreth 1/10 e nivelit europian (për vendet e OECD, 0.6% e PBB-së shkon për PATP dhe për vendet e BE-së rreth 0.5%).

Gjatë viteve, në të gjitha programet, përqindja e mbulimit me programe të punëkërkuesve të papunë ka qenë rreth 13.5% (rreth 4% për programet e nxitjes dhe 9.5% për formimin profesional), me një ndryshim jodomethënës mes gjinive. Këto nivele janë përkatësisht 1% dhe 0.45% në mbulimin e forcës së punës me programe të politikave aktive. Kjo do të thotë se ndikimi i pritur i këtyre programeve në zbutjen e papunësisë është mjaft i ulët në nivel makro, e lidhur kjo me normat vazhdimisht të larta të papunësisë në Shqipëri dhe normat vazhdimisht të ulëta të punësimit për femrat edhe me programe të nxitjes së punësimit kushtuar atyre.

Ndërkohë, numri i kompanive të përfshira në politikat aktive është shumë i ulët. Këto programe duket të jenë të përqendruara në vetëm disa kompani të mëdha apo në sektorë me potencial të lartë vetjak për të gjeneruar punësim, prandaj ka ndërlikime të mëtejshme në terma të analizës rajonale. Numri i kompanive për rajon aktualisht varion shumë dhe po ashtu jo të gjitha rajonet ofrojnë të gjitha programet. Për më tepër, analiza rajonale tregon se duhet të ketë një përputhje më të mirë midis nevojave rajonale të punësimit, aktivitetit ekonomik dhe ofertave të programit.

Edhe pse ka 6 programe të nxitjes së punësimit, të gjitha konsistojnë në subvencionimin e punësimit dhe trajnimit nëpërmjet punës dhe praktikës. Të njëjtat mekanizma/masa janë përdorur për të targetuar grupe të mëdha, pa marrë parasysh diversitetin e nevojave brenda dhe ndërmjet grupeve të ndryshme, bazuar në faktorë demografikë ose faktorë të tjerë të kombinuar. Kjo është arsyeja pse përcaktohet si vendimtar në këtë pikë diferencimi i programeve bazuar në target-grupet specifike, kundrejt përfshirjes së tyre në një kategori të përgjithshme. Punëkërkuesit e papunë duhet të kenë një rol më aktiv në përcaktimin e programeve të ndryshme, si ofrues të punës, që të ketë një përshtatje më të mirë të tyre.

Anketa e Nevojave për Aftësi ofron një informacion shumë të vlefshëm mbi aftësitë e kërkuara në tregun e punës, por kjo duhet bërë sistematikisht e me metodologji të përmirësuara, dhe të përdoret për përmirësimin e programeve të ofruara nga edukimi profesional dhe sistemi i trajnimit, për të adresuar mungesën e profileve për aftësitë të cilat janë më të nevojshme, në një kohë kur procesi i “përputhjes” konsiderohet si një nga momentet më të rëndësishëm për qëndrueshmërinë e ardhshme të politikave aktive të tregut të punës (PATP).

Delegimi i shërbimeve të punësimit jo vetëm në agjencitë private të punësimit mund të trajtohet në dy fronte: së pari, për organizatat e specializuara që punojnë ngushtë me grupet “e vështira për t’u punësuar” – komuniteti rom dhe egjiptian, njerëzit me aftësi të kufizuara, etj., dhe së dyti, për organizatat ndërmjetësuese private që mund të lehtësojnë marrëdhëniet e SHKP me ndërmarrjet e sektorit privat, si dhe të sigurojnë shërbimet mbështetëse të këtij të fundit në lidhje me zbatimin e politikave aktive, veçanërisht me zhvillimin e kurrikulave të trajnimit për “trajnimin në punë”.

Edhe pse ka diferenca të shumta në terma të qëllimit, target-popullatës, qëllimeve specifike dhe masave, alokimit të buxhetit dhe rezultatet e pritshme midis vendeve që implementojnë politika aktive të tregut të punës, dy dimensionet për vlerësim përgjithësisht mund të identifikohen si procesi i vlerësimit (formimi dhe implementimi) dhe vlerësimi i impaktit dhe rezultateve.

Trendi i fundit në vlerësimin e tyre tregon se ka një kombinim të teknikave gjatë vlerësimit të masave të veçanta, për shkak të kompleksitetit të tyre, gjithëpërfshirjes dhe ndërlidhjes së efekteve komplekse, duke përshirë faktorë socialë dhe ekonomikë. E ashtuquajtura qasje e synuar/orientuar ofron pamje më të plotë mbi vlerësimin e cilësisë së përgjithshme të politikave, duke gjeneruar një grup informacionesh lidhur me rëndësinë, efikasitetin, efektivitetin dhe ndikimin e programeve të ndryshme në një kohë dhe në një kontekst të caktuar.

Sot në Shqipëri, programet aktive dhe shërbimet mbështetëse në tregun e punës janë relativisht të pazhvilluara, për aq kohë sa çdo vlerësim i buxhetit dhe strukturës së SHKP duhet të marrë parasysh edhe karakteristikat shqiptare të tregut të punës dhe dinamikat, si dhe shkallën e informalitetit. Programet e integruara të cilat kombinojnë trajnimin, orientimin profesional, informacionin mbi tregun e punës, ndihmën në kërkimin e punës dhe punësimin e subvencionuar analizohen në përgjithësi të kenë një probabilitet më të lartë suksesi.

Duke pasur parasysh faktin që kuadri rregullator është pothuajse i kënaqshëm, është e nevojshme të zbatohen në praktikë shumë prej rekomandimeve të dhëna në mënyrë të vazhdueshme nga palët e përfshira, deri tani të mbetura joaktive dhe të ripërsëritura në raporte të njëpasnjëshme. Ekziston një nevojë urgjente për të rritur financimin, gjë që do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve publike të ofruara si në aspektin sasior dhe atë cilësor të analizës.

Për më tepër, duhet një unifikim i sistemit të mbledhjes së të dhënave, me qëllim lejimin e një vlerësimi më të mirë që do të ofrojë rekomandime specifike për mënyrën sesi duhet të përmirësohen programet e veçanta.

Sot, rritja e ndërgjegjësimit dhe informacionit mbi PATP për punëkërkuesit që të bëhen partnerë aktivë të SHKP është me të vërtetë e rëndësishme, po aq sa dhe krijimi i partneritetit për zbatimin e PATP-ve të ardhshme më të larmishme.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY