Basha: Me Edi Ramën, Shqipëria sot është një vend pa ligj, pa...

Basha: Me Edi Ramën, Shqipëria sot është një vend pa ligj, pa rregulla, pa drejtësi, ku mbretëron një njeri i vetëm

54
0
Shares

 

Në takimin me strukturat drejtuese të PD në Shijak, Kryetari Lulzim Basha tha se beteja e nisur nga opozita për zgjedhjet e lira e të ndershme është një betejë për interesin e çdo qytetari shqiptar.

“Djegia e mandateve ktheu besimin e qytetarëve se kjo betejë nuk është një betejë si të tjerat, nuk është, siç përpiqet ta paraqesë Rama, një betejë mes partive politike. Jo!

Kjo është betejë për t’i kthyer çdo shqiptari liritë, mundësinë, demokracinë. Kjo është një betejë në të cilën ne dorëzuam pushtet. Nuk shkuam për të marrë pushtet, por dorëzuam karriget, mandatet tona, imunitetin tonë, privilegjet tona për t’u rreshtuar krah për krah me qytetarët.”- u shpreh zoti Basha.

Kreu i opozitës nxori në pah faktin se këto 6 vjet, përballë opozitës ka qenë një kundërshtar i paprecedentë, një regjim kriminal, të cilit PD i është kundërvënë me një rezistencë të paprecedentë dhe me vendime politike të paprecedentë, që kanë rikthyer besimin e qytetarëve tek PD.

“Refuzimi i farsës së 30 Qershorit është edhe refuzimi i regjimit të Edi Ramës. Më 30 Qershor 85 % e shqiptarëve konfiguruan përmasat e shumicës së re në vend, shumicës “Rama ik”, me në krye Partinë Demokratike.”- u shpreh kreu i opozitës.

Duke vënë në dukje gjetjen kryesore të raportit të ODIHR-it se
30 Qershori ishte për interesin e qytetarët, kreu i opozitës tha se ky ishte një proces për Edi Ramën dhe një tufë hajdutësh, me të cilët ai plaçkit vendin. “Plaçkit buxhetin, plaçkit taksat, plaçkit prokurimet publike, koncesionet, PPP-të, tenderat, plaçkit bregdetin, pyjet, malet, minierat, naftën.

Të gjitha janë plaçkitje dhe grabitje e hapur. Plaçkitje është Teatri Kombëtar, plaçkitje është Stadiumi Kombëtar, plaçkitje është Unaza e Re, plaçkitje është Milot-Balldreni, 10-fish i çmimit të një autostrade në Evropë, në popullin më të varfër të Evropës.”- theksoi zoti Basha.

Gjatë takimit me strukturat drejtuese të PD në Shijak, zoti Basha vuri në dukje gjendjen e rëndë të ekonomisë, si një nga shkaqet e refuzimit plebishitar të Edi Ramës.

“Kjo është koha më e zezë që po kalon ekonomia jonë. Ka vetëm një përgjegjës për varfërimin e shqiptarëve, për shpunësimin e shqiptarëve, për shkatërrimin e ekonomisë, për rritjen e kostos së jetesës, e cila është bërë e papërballueshme: 1 në 3 familje nuk paguan dot bukën e gojës, nuk mbyll dot muajin, me të dhëna zyrtare, 31 % sipas Eurobarometrit. Ka vetëm një arsye, është grabitja, plaçkitja që bën Edi Rama dhe banda e tij.“- theksoi zoti Basha.

Kreu i opozitës iu referua raporteve më të rëndësishme ndërkombëtare për të treguar situatën e rëndë, në të cilën ndodhet vendi.

“1. Shqipëria ka qeverinë më të korruptuar të Ballkanit.
2. Vuan nga varfëria e shtuar dhe papunësia e rritur.
3.Ekonomia lëngon, sepse vendi nuk është aspak tërheqës për investimet e huaja!

Ky është konkluzioni i 3 raporteve të njëpasnjëshme nga Departamenti i Shtetit, nga FMN dhe nga BE, lidhur me krizën që po kalon vendi.“- theksoi zoti Basha, i cili tha se për PD sfida e parë më e rëndësishme për ekonominë e lirë dhe konkurencën e ndershme është lufta kundër monopolove, kundër oligarkisë dhe klientelizmit, kundër kapjes së ekonomisë.

“Beteja jonë kundër oligarkisë, duke anulluar ligjet me emër oligarku, miratuar nga qeveria Rama dhe duke hetuar dhe anulluar çdo kontratë korruptive PPP-je, do të jenë masat e para që Partia Demokratike do të ndërmarrë që në ditët e para të qeverisjes.”- siguroi zoti Basha, i cili tregoi punësimin si prioritet absolut të PD.

“Programi pro punësim dhe pro-biznes i PD parashikon vendosjen e taksës së sheshtë prej 9%, rregullimin i politikave fiskale në favor të një plani pro-biznes që do t’i japë frymëmarrjen e nevojshme ekonomisë sonë.”

Kreu i opozitës vuri në dukje arsyen kryesore pse shqiptarët kërkojnë ndryshim dhe vendosmërinë e PD për ta realizuar atë. “Shqipëria sot është një vend pa ligj, pa rregulla, pa drejtësi. Në Shqipëri mbretëron një njeri i vetëm. Të gjitha pushtetet i ka Edi Rama. Ai kontrollon pasuritë dhe paratë e shqiptarëve. Në Shqipëri nuk udhëheq interesi i njerëzve, por sundon vullneti i Edi Ramës.- u shpreh kreu i opozitës.

– Ne, nuk do të bëjmë asnjë hap pas për të luftuar tiraninë dhe autokracinë. Ne nuk do të bëjmë asnjë hap pas për të rikthyer tregun e lirë dhe iniciativën e lirë në duart e shqiptarëve. Nuk do të bëjmë asnjë hap pas deri në largimin e Edi Ramës!” – theksoi Kryetari i PD, Lulzim Basha.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY