Analiza/”Nga Ristani që ka thyer gotën për t’u bërë publicist,e deri te...

Analiza/”Nga Ristani që ka thyer gotën për t’u bërë publicist,e deri te Nikolla që s’ka zhvilluar si duhet luftën e klasave

127
0
Shares

Kjo verë duket e pafund, si dënim i përjetshëm, jo se natyra e ka tepruar me njerëzit duke i drobitur çmoskurrkush me sushë, përvëlim, djersë si rrëshirë pishe, pluhur, gjinkalla, taft asfalti, jo, jo, gjithçka ka qenë me masë.

Madje, herë pas here ka derdhur shi të dendur e rigina freskuese, duke mërzitur hotelxhinjtë e tahmaqarët e plazhit. Prapë e shëmtuar, si përfytyrimi mbi fytyrën e dreqit duket ajo në çdo rast.

Gjithçka e paimagjinueshme ka ndodhur. Ajo ia ka dalë që për pak çaste buonaçiones, Arben Ristani t’i thyejë gotën, t’i zbojë përhumbjen e t’i kthejë meditimin, ta shndërrojë atë në publicist e mendimtar politik. Metamorfozë impresionuese.

Një parti e një dërhem i bindur hynë së bashku dorë për dore në votime, dërhemi doli i treti, ndërsa parti e dytë dolën të pavlefshmet.

Po të pyesësh një kalimtar në rrugë se në çfarë sistemi politik jetojmë, vështirë të të japë përgjigje. Do të të shohë me përgjërim, sikur të thotë: Ah more evlat, rixha të kam, lërmë rehat.

Ndonjë tjetër më i stërhollur në mejtime të thotë: Në kohën e Edi Ramës babëlok qe vran e kthjell, në atdheun e shqipeve krahëthyeme, në kohën e gazit lotsjellës, në kohën e narkotrafikut, në kohën e calikut (barkut), në kohën e 6 kullave të “Fushës” dhe Teatrit që dergjet buzë varrit, në kohën e statuseve, ku shqipja e rilindjes ka prodhuar “baba xhiken” si maksimum mendimi dhe stili, në kohën kur fjala nul rri si kapak varri mbi çdo dekret të Presidentit të Republikës, koka e të cilit varet nga vullneti i Ermonelës, Gentit dhe Elisës, që mbajnë leqet, llastikun e ushkurin e gijotinës politike.

Më 30 qershor u bënë votime, ku rreth 15- 16 për qind e njerëzve që kanë të drejtë, dolën për të shtënë mbi kuti. Të tjerët u neveritën, sikur të kishin ngrënë supë nga kazani ERTV.

Në televizion dhe portale sheh policë që shkallmojnë dyert e bashkive për t’ua dhënë djemve të Kryeministrit, jo se janë votuar, po thjesht se iu pëlqen pushteti, u duhet, e kanë neps, për vete, familjen dhe mbi të gjitha për hallet e të madhit, sapo të jetë nevoja.

Dinë ata si t’ia kthejnë, janë torovola të sprovuar. Lulzim Basha ka shpallur gushtin muaj sulmi, duke ua shndërruar detin në mirazh, strukturave që lypin paqe e ndonjë birrë. Ai po mban me gajret të vetët, se ndonjë maraz u vihet re në shteg të ballit. Ani do t’u kalojë. Nuk ia vlen të kesh asnjë pushtet në këto kushte, ku gjithçka është qelbur.

Vetëm një mënyrë, e thjeshtë dhe e tejdukshme qelibar ka për ta rrëzuar Edi Ramën, i cili si ngrehina e Teatrit pret ruspën që ta hedhë. Vetëm një. Një PD që di të tërheqë pas vetes masën e madhe të njerëzve, që bojkotuan regjimin e tij me 30 qershor, duke hipotekuar besimin e tyre.

Ndryshim i thellë, forcë për t’u ndarë nga kopukëria dhe gomarët, bashkim dhe cilësi, garë të vërtetë dhe të vërteta të prekshme e jo retorike. Kësisoj, sheshet Lulzim Basha do t’i ketë plot, më shumë nga çka pasur, edhe pa punonjësit e bashkive që ia morën me forcë, demokratë këta tanimë nën monitorim e kujdestari qeveritare.

Miku im hebre është zhdukur si varri i evgjitit. Ai s’e njeh gëzimin e të dhënit, shpesh rënkon e flet me vete, të fusësh dorën në portofol është si të presësh mëlçinë me dorën tënde. Të fundit herë thonë se e kanë parë në një mejhane të Prishtinës së maskuar me plis mbi rradake, ku shikonte gjithë drojë kalimtarët mos ndonjëri i del i njohur dhe do shtrëngohej me i pague nji kafe a ujë të tharbtë.

Shpirtin ta jep, po mexhitet kurrë!
Bardhyl Londo, pasi u përball me lëngatën si në Eposin e Kreshnikëve si Muji me Pajin Harambash, është gati me zbrit në Kotorret e Reja dhe me hedh një kupë, por fjalia sibiline e doktorit “po e lyeve gurmazin, mos pi ilaçe ose piji të uruarat e mos e lyej”, po i ha shumë tepër kohë në refleksione se vetë Bibla.

Të xhindosur dhe nursëz e mendoj teksa zbret shkallët e pallatit. Të ruhet ndonjë gojëkeq se hazër e ka shpullën. Ditmir Bushati, që sa herë shohim Gentin na duket si Kisingeri, ka fillue e flet si prift me nuanca të holla. Pinjollit te Bushatllinjve s’i ka hije me “dekë” si Beqir Balluku, t’u vikatë “Rroftë Enver Hoxha (Edi Rama)! Një zonjë me sqimë e njerëzi si Lindita Nikolla u largue nga drejtimi politik i Lezhës.

Me gjasë, s’e ka bërë si duhet luftën e klasave e nuk ka ditur të çojë te masa të paturbulluar enciklikat e shefit. Rama i besoi regjistrat, hahahahahaha. Qerratai! Blerina Gjylametit iu ngarkua që ta ketë kujdes si dritën e syve sektorin jetik të muhabetit online në Parti, pas dëbimit si udhëheqëse e Tiranës.

E gëzuar dhe besimplotë te lideri dukej në statusin e lamtumirës. Një lajm i mirë: prof. Persida Asllani pas pesë vitesh e la binanë e Bibliotekës Kombëtare dhe për gëzimin e të gjithë kolegëve, u kthye në Katedrën e Letërsisë. I urojmë kthim të mbarë e të na bëjë ca petulla të fryra me vezë nga shtatori për qerasje e mbarësi. Një kavanoz mjaltë për t’i ngjyer, s’do qe keq.

Amerika , “Xhuxhin” e Niçes e shpalli ‘non grata’. Kaushi është shpuar, akullorja po pikon korridoreve të Kryeministrisë, teksa gjuha e Naltgjatësisë është lidhur pas dhëmbëve duke prodhuar një heshtje te përzhitur, të zymtë, të ngjashme me pikëllimin e Gjushit, i cili nga çasti në çast pret të shtyrën e Mikut për në hon.
Ngado që ta kapësh, verë e pafund nga ato që ta lëron kujtesën për mote të gjata është kjo nallane. Ngushëllimi sa të rroni ta kujtoni, është i duhuri.

Teksa unë rri me dorë në zemër nëse lexuesi ose lexuesja që qesh gjithmonë, kësaj here a do mundet, a ka vend për gaz?!! Të më ndiejnë për kronikën e vonë, po me dy mendje e kisha se helbete, gjuha po ezauron funksionin e saj qëkur Rilindja shpiku statuset.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY