Atentati me lëndë plasëse për nëndrejtorin e degës së ALUIZNI-t në Durrës, Gerti Aleksi, dyshohet e ka qenë një paralajmërim.
Pas shpërthimit, një grup pune nisi verifikimet dhe hetimet për të zbardhur motivin e vendosjes së lëndës plasëse në automjetin me të cilin lëvizte nëndrejtori i ALUIZNI-t Durrës, Gerti Aleksi.
Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën se hetimet për zbardhjen e ngjarjes janë përqendruar në dy drejtime, konflikte të krijuara nga pozicioni i tij i punës, apo për probleme personale të vetë Aleksit.
Ndërkohë, po verifikohen edhe dyshime të tjera, ndonjë konflikt i mundshëm edhe i familjarëve të tij. Vetë Gerti Aleksi mësohet të ketë pohuar se nuk ka pasur probleme dhe konflikte me persona të tjerë dhe nuk e ka idenë se kush mund të fshihet pas sulmit me lëndë plasëse.
Ai ka pohuar se nuk ka pasur kërcënim deri tani. Gerti Aleksi është emëruar në këtë detyrë që prej vitit 2013.
Automjeti në pronësi të familjarëve të tij ka shpërthyer mbrëmjen e djeshme, teksa ndodhej i parkuar në lagjen Nr. 1 të qytetit bregdetar, pranë vendit të njohur “Bërryli”.
Sipas Policisë, në pjesën e përparme të makinës tip “Land Rover”, me targa AA780 OL, ishte vendosur një sasi e konsiderueshme eksplozivi, i cili ka shpërthyer rreth orës 18:15.
Pavarësisht se zona ku ishte parkuar makina kishte lëvizje të dendura të qytetarëve, fatmirësisht shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale, kryesisht tek automjeti. Ndërsa paniku ka qenë i madh ndër kalimtarët dhe banorët e zonës përreth.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/