“Dako Family”, si i ngrit dinastia e miliardave, skema e levizjes se...

“Dako Family”, si i ngrit dinastia e miliardave, skema e levizjes se parave brenda familjes

311
0
Shares

Portali TPZ.al, në një shkrim të publikuar dy vjet më parë, ka zbardhur skemën sesi funksionon dinastia “Dako” dhe si fshihen miliarda lekë me bizneset e betonit dhe lavanderisë. Referuar të dhënave, rezulton se Dako ka shumëfishuar fitimet pas aktivizimit në politikë.

Investigimi i plotë

Të dhënat e siguruara hedhin dritë mbi bizneset e Vangjush Dakos, të cilat kanë shumëfishuar fitimet pas aktivizimit në politikë, duke mbajtur fillimisht postin e Drejtorit të Hipotekave dhe më vonë kryetarin e Bashkisë së Durrësit. Të afërm dhe persona të dyshimtë janë të përfshirë në bizneset e dinastisë “Dako”, ku fokusi kryesor është ndërtimi dhe lavanderia.

Ishte viti 1997, ku tre vëllezërit, Vangjush, Artan dhe Edmond Dako vendosën të futeshin në botën e ndërtimit dhe të biznesit. Ata themeluan një kompani të quajtur “3-D Sh.p.k” (3 Dako), e cila kishte si objekt një sërë veprimtarish, që nga materialet e ndërtimit e deri tek import-eksport i produkteve ushqimore. Situata e rëndë ekonomike në atë kohë, nuk e favorizoi kompaninë e vëllezërve Dako.

I gjendur në këtë situatë, në vitin 2001, Vangjush Dako vendos të largohet nga kompania për të nisur karrierën në administratën shtetërore. Ai ia la të gjitha aksionet e kompanisë, vëllait të tij, Artan Dakos. Ky i fundit humb jetën në një aksident rrugor, dhe si rrjedhojë frenat e kompanisë i merr përfundimisht vëllai tjetër, Edmond Dako.

Në vitet, 2001-2002, Vangjush Dako bëhet Drejtor i Policisë Ndërtimore në qarkun e Durrësit, një post ky që do t’i shërbente edhe ish kompanisë së tij të ndërtimit, që tashmë është në emër të Edmond Dakos.

Në vitet, 2004-2005, Dako merr një tjetër pozicion të rëndësishëm, atë të Drejtorit të Hipotekës, për Qarkun e Durrësit. Për çudi, gjatë kësaj periudhe, kompania e vëllait të Dakos, “3-D Sh.p.k”, zmadhon me 265 herë kapitalin e saj fillestar, nga 100,000 lekë që ishte prej 1997, arrin vleren 26,500,000 lekë (të reja).

Dukej se kompania e vëllait të Dakos ishte futur në linjë, duke bërë ndërtime të mëdha, kryesisht në sektorin privat. Një vit më pas, në 2006, kompania “3-D Sh.p.k” rrit sërish kapitalin e saj duke e çuar në 36,000,000 lekë. Tpz.al, disponon bilancet e kësaj kompanie, vetëm nga viti 2006 e më mbrapa, të depozituara pranë Qendrës Kombëtar të Biznesit. Sipas bilanceve, në vitin 2006, kompania e vëllait të Dakos, regjistron një xhiro vjetore 603.162.242 lekë (të reja). Por fryrja me fatura të prapambetura apo me detyrime artificiale, e ka reduktuar fitimin në një shifër qesharake, prej 419.527 lekë (të reja).

Të njëjtën skemë, vijon edhe në vitin 2007, ku kompania “3-D Sh.p.k”, bën një xhiro prej 403.694.211 lekë (të reja) ndërsa fitimi ishte tepër modest, 652.025 lekë (të reja). Pra, një kompani në fushën e ndërtimit, qarkullon mbi 1 miliard lekë brenda 2 viteve, dhe nuk fiton më shumë se 10 milionë lekë (të vjetra).

Pas pas vitit 2007, e cila përkon me zgjedhjen e Vangjush Dakos si Kryetar të Bashkisë së Durrësit, kompania e të vëllait merr përmasat e një biznesi tepër të madh. Me vetëm 20 punëtorë, kompania e Edmond Dakos, rrit edhe kapitalin fillestar, duke e çuar 45.000.000 lekë (të reja). Megjithatë, skema e fshehjes së milionave lekë fitim nga kompania, vijon edhe në vitet pasardhëse. Në vitin 2009, edhe pse kompania “3-D Sh.p.k” deklaron fitime qesharake, ajo arrin të blejë plot 31 automjete të llojeve të ndryshme. Në të njëjtin vit, kompania e vëllait të kryebashkiakut të Durrësit, shton kapitalin duke e çuar 60.000.000 lekë (të reja). Por duket se ky veprim për të shtuar automjetet për llogari të kompanisë, ka ngjallur dyshimet për fshehje të të ardhurave disa qindra milionëshe. Për të korrigjuar këtë “gabim”, 1 vit më pas, në 2010, “3-D Sh.p.k” i ç’regjistron të 31 automjetet nga kompania.

Në vitin 2011, kompania në pronësi të vëllait të Dakos, vijon të zmadhojë kapitalin, në 140.000.000 lekë (të reja), rreth 1.2 milion dollarë. Të ardhurat për këtë vit, janë 651.588.169 milionë lekë (të reja) rreth 5.5 milionë dollarë, por nëpërmjet shpenzimeve apo detyrimeve fiktive, kompania arrin të lërë mënjanë vetëm 12.605.637 lekë (të reja) fitime, ose afro 100 mijë dollarë.

Ndërkohë një vit më vonë, në 2012, “3-D Sh.p.k” qarkullon rreth 319.207.789 lekë (të reja), ose afro 3 milionë dollarë. Por pavarësisht, kësaj, në bilancet e publikuara rezulton se kompania ka fituar vetëm 8.080.326 lekë (të reja) ose 70 mijë dollarë.

E njëjta skemë fiktive përdoret edhe në vitin pasardhës, në 2013. Kompania “3-D Sh.p.k”, qarkullon 374.495.259 lekë (të reja), pra rreth 3.3 milion dollarë, ndërsa fitimi është sërish modest, 3.352.848 lekë (të reja) ose 30 mijë dollarë.

Kompania e vëllait të Vangjush Dakos, vijon të ketë rritje në qarkullimin e miliarda lekëve në vit, por fitimi mbetet sërish i njëjtë, duke ngritur dyshime të forta se bëhet fjalë për fshehje të qëllimshme të fitimeve dhe shmangie të taksave.

Viti 2014

Xhiro vjetore: 230.829.758 lekë ( të reja), rreth 2 milionë dollarë

Fitimi vjetor: 1.813.826 lekë (të reja), rreth 15 mijë dollarë

Viti 2015

Xhiro vjetore: 236.500.270 lekë (të reja), rreth 2 milionë dollarë

Fitimi vjetor: Kompania del me humbje, – 1.127.679 lekë (të reja), rreth 10 mijë dollarë

Viti 2016

Xhiro vjetore: 190.600.036 lekë (të reja), rreth 1.6 milionë dollarë

Fitimi vjetor: 796.603 lekë (të reja), rreth 6 mijë dollarë

E gjithë kjo skemë fshehje ndër vite, tashmë mund t’i japë një shpjegim aseteve të kryebashkiakut Vangjush Dako. Pasuritë e këtij të fundit janë marramendëse, duke nisur nga një pallat 11 katësh me vlerë 720 milion lekë (të vjetra), disa parcela toke në zona të ndryshme, një magazinë prej 300 m2 si dhe një apartament tjetër rreth 130 m2.

Ndërkohë vëllai i tij, Edmond Dako, edhe pse me fitime të “vogla” të deklaruara përgjatë këtyre viteve, ai ka shtuar disa aktivitete të rëndësishme. Një nga këto është edhe biznesi në fushën e hidrokarbureve (karburanteve), e themeluar në vitin 2014.

Buxheti i Bashkisë, në duart e motrës

Kompania e vëllait të Vangjush Dakos, “3-D Sh.p.k”, ka përfituar miliona lekë nga punët publike, por gjithmonë si palë e kontraktuar nga të tjerët. Kjo skemë e mirëmenduar, ka shmangur debatet dhe konfliktin e interesit, se kryebashkiaku favorizon familjarët për tenderat publikë.

Sëfundmi, “3-D Sh.p.k” po kryen punimet e një projekti të quajtur Veliera, një pllakë betoni që po ndërtohet mbi rrënojat arkeologjike të Dyrrahut 2600 vjeçar. Por gjatë këtij skandali, doli në pah një fenomen tronditës. Valbona Qirjako, e cila është motra e kryebashkiakut Vangjush Dako rezulton të jetë është shefe e Sektorit të Buxhetit në Departamentin Ekonomik në Bashkinë e Durrësit. Pra, fondi për betonizimin tek “Veliera” akordohet me firmën e Valbona Qirjakos.

Rrethi i ngushtë që ka krijuar Vangjush Dako, në bizneset dhe bashkinë e tij, deri më sot, e kanë bërë atë që të mos ekspozohet së tepërmi ndaj skandaleve të këtyre përmasave.

“El nino”, bosi i vogël Dako

Në moshën 22-vjeçare, çdo i ri sapo mbaron studimet dhe vrapon për të gjetur një punë të parë. Por, ndryshe ndodh me djalin e Vangjush Dakos. I riu, Xhulio Dako, i datëlindjes 1995, rezulton aksioner i dy kompanive, njëra në fushën e lavanderisë dhe tjetra në tregtimin e produkteve ushqimore me bazë detin.

Në kompaninë e parë, të quajtur “DB Wash International”, Xhulio Dako është shtuar si aksioner, tek themeluesi 54-vjeçar Tomi Ismailati, ndërsa ortakë janë edhe 5 shtetas italianë. Nuk dihet lidhja e djalit të njomë të Dakos me këta shtetas të mëdhenj në moshë, por sipas bilanceve të siguruara rezultojnë se kenë qarkulluar qindra miliona lekë në harkun e 3 viteve të fundit.

Në deklaratën e pasurisë, të dorëzuar nga ILDKPKI, Xhulio Dako është zotërues i 20% të aksioneve të shoqërisë “DB Wash International”, me kapital 20 000 lekë. Edhe aksionerët e tjerë kanë deklaruar vlera qesharake në kapital, por bilanci i të ardhurave dhe shpenzimeve flasin për tjetër gjë.

Tpz.al publikon fitimet të kompanisë “DB Wash International”, të nxjerra nga bilancet që vetë kjo kompani ka deklaruar.

Fitimet e kompanisë e “DB Wash International” e krijuar 25/03/2014:

Viti 2014: 22.876.057 Lekë (të reja)

Viti 2015: 56.850.124 Lekë (të reja)

Viti 2016: 72.101.360 Lekë (të reja)

Pra, një kompani e sapo krijuar në vitin 2014, ka arritur të nxjerrë fitime deri në 1.4 miliard lekë, ku pjesë është edhe djali 22-vjeçar, i Vangjush Dakos. “DB Wash International” është gjithashtu edhe përfituese e fondeve publike, ku në thesarin e shtetit rezultojnë 3 transaksione financiare ndaj kësaj kompanie, me vlerë 484.000 lekë (të reja).

Pas suksesit me kompaninë e parë, 22-vjeçari Xhulio Dako lidhet ngushtë me 54-vjeçarin Tomi Ismailati. Të dy këta, bashkë me dy italianë të tjerë. hapin një biznes në vitin 2016, “Artic Group”, kësaj here në fushën e tregtimit të produkteve ushqimore, molusqeve dhe frutave të detit. Djali i Vangjush Dakos, bëhet 35 % aksioner, ndërsa brenda vitit të parë, arrijnë të qarkullojnë 34.233.202 lekë (të reja), rreth 300 mijë dollarë nga shitjet dhe shpenzimet.

Mesa duket fati i ka buzëqeshur 22-vjeçarit, Xhulio Dako, jo për aftësitë e tij, por sepse ai është djali i kryebashkiakut të qytetit të dytë më të madh në Shqipëri, Durrësit. Xhulio njihet mirë në qytetin bregdetar, jo për bizneset e tij, por për jetën luksoze që ai bën, me makina të shtrenjta dhe shumat marramendëse që shpenzon në jetën e natës.

Kjo është dinastia “Dako”, e cila nuk njeh limit në pasurimin e fshehur me bizneset e betonit, lavanderisë dhe tregtisë ushqimore./TPZ.AL

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY