Tre sheshe mbi 26.5 mln euro! Projektet e dyshimta të Veliajt dhe...

Tre sheshe mbi 26.5 mln euro! Projektet e dyshimta të Veliajt dhe Ramës

100
0
Shares

Edi Rama dhe Erion Veliaj janë justifikuar shpesh se shteti nuk ka fonde për të kryer ndërhyrje në vepra të rëndësishme publike si stadiumi apo Teatri Kombëtar.
Me këtë justifikim ata i dhuruan privatit tokën te stadiumi dhe i lejuan që aty të ndërtonte krahas impiantit sportiv edhe një kullë shumëkatëshe.
Të njëjtin plan ata kanë edhe për teatrin me një projekt me shumë kulla pas tij, jo vetëm një. Por e vërteta është se fonde ka pasur. Bashkia Tiranë për shembull, në tre vitet e fundit ka shpenzuar për 3 sheshe me parkingje mbi 26.5 milionë euro.

Në Sheshin Italia, Bashkia Tiranë pasi shpenzoi 2,8 milionë euro për parkingun nëntokësor, i kërkoi qeverisë të shpronësonte një ndërtesë në jug të zonës e më pas miratoi projektin e dytë për rikualifikimin e tij me vlerë 2,4 milionë të tjera, që e çon shifrën në mbi 6,2 milionë euro.
Exit.al i ka zbardhur që në vitin 2018 se tenderat miliona eurosh për parkingun nëntokësor kanë qenë të dyshimtë dhe korruptiv.
Kompanitë Alb-Star, Sfera-Studio, Archea, Atelier 4, Ave Counsulting dhe Zenit 06 shpk lidheshin me projektimin, konsultimin, mbikëqyrjen dhe kryerjen e punimeve të parkingut që kapi kosto totale 2.8 milionë euro.
Artan Shkreli, Arben Dervishaj, Marco Casamonti, Alket Kumaraku, Artan Dersha janë ata që qëndrojnë prapa këtyre kompanive, të cilat përfitojnë punë publike me tendera të tillë të dyshimtë – shpesh edhe në konflikte interesi – falë lidhjeve me pushtetin e Ramës dhe Veliajt.

Te parku i lojërave në rrugën e Elbasanit, Erion Veliaj nuk u kursye aspak për të punuar në favor të një projekti kulle 134 metrash të lartë të njohur si “Downtown Albania”.
Më shumë se 2,3 milionë euro u shpenzuan për një projekt, i cili zhduku një park lojërash dhe la mbi sipërfaqe më shumë beton se sa lodra për fëmijët.
Sheshi Skënderbej është ndërhyrja më e kushtueshme dhe më problematike e Tiranës, kostot e së cilës vazhdohen të paguhen çdo ditë nga qytetarët me trafik kaotik dhe shërbim urban sfilitës. Për t’i ndrequr problemet që vetë krijoi me projektin e sheshit pedonale, Veliaj premtoi gjatë fushatës për mandatin e dytë ndërtimin e një tuneli poshtë parkut rinia.
Ndërhyrja në shesh në fakt kishte si synim vetëm tjetërsimin përfundimtar të identitetit të Tiranës, duke i hapur rrugë kullave rreth tij. Kostot e ndërhyrjeve të deri më tanishme në qendër për sheshin Skënderbej janë mbi 18 milionë euro.
Kështu nëse përmbledhim vetëm këto ndërhyrje për 3 sheshe në 3 vitet e fundit, totali bën fjalë për mbi 26.5 milionë euro.

Rama dhe Veliaj i konsiderojnë të justifikuara këto investime në çdo dalje publike, por ndërkohë për ndërtimin e veprave edhe më të rëndësishme për qytetin, si shkollat – të cilat i ndërton me skema të dyshimta PPP – apo kanalizimet e ujit, stadiumet, teatrot, ai ka thënë se Bashkia nuk ka para.
Me këtë justifikim Veliaj vendosi taksën e infrastrukturës arsimore dhe rritjen e çmimit të ujit të pijshëm duke bërë që çdo familje dhe biznes i Tiranës të paguajë 700 lekë më shumë në faturat e ujit.
Nëse qëndrojmë vetëm në këtë pikë, pra duke përllogaritur se ku kanë shkuar fondet, atëherë mund ta kuptojmë më lehtë se përse projektet si ai i stadiumit dhe teatrit kombëtar kanë qenë dhe janë korruptivë, abuzivë dhe në dëm të interesit publik. /Exit.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY