KOMENT/Kriza qeverisëse në Kosovë, procedurat janë të qarta, dilemat janë kalkulime politike

KOMENT/Kriza qeverisëse në Kosovë, procedurat janë të qarta, dilemat janë kalkulime politike

70
0
Shares

Nga Ramush Tahiri

Pas dorëheqjes së Kryeministrit Qeveria e Republikës së Kosovës konsiderohet si Qeveri që ka ra, apo thënë me terme të sakta Qeveri në dorëheqje e cila e vazhdon mandatin e plotë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga Kuvendi i Kosovës.

Situatë të tillë Kosova ka pasur me 2005 kur Haradinaj iu dorëzua Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi, dhe u zgjodh Bajram Kosumi Kryeministër, mandej kur u pasua me Agim Çekun pas vdekjes së Ibrahim Rugovës e largimit të Nexhat Dacit, e gjithashtu këtë situatë Kosova e pati përjetuar kur me mocion votëbesimi u rrëzua Qeveria me kryeministër Isa Mustafa. Në këtë rast pa kaluar 48 orë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare nga të cilat doli kjo Qeveri me kryeministër Ramush Haradinaj.

Juristët dhe ekspertët e çështjeve kushtetuese po i shfaqin dilemat në publik se si duhet vepruar. Dilemat qëndrojnë në ate se a duhet konsumuar pra a duhet përfillur nenin 95 pika 5 të Kushtetutës dhe koalicioni PAN a duhet të propozojë kandidatin për kryeministër dhe këtë mund ta bëjë dy herë radhazi të parën brenda 15 ditësh dhe nëse votimi i parë dështon atëherë kandidatin e dytë brenda 10 ditëve dhe nëse edhe kjo kandidaturë nuk i merr votat e nevojshme pra ma shumë se 61 vota , atëherë Kosova shkon në zgjedhje në afatin kohor jo ma herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë, ndërsa Kuvendi shpërndahet 3o ditë përpara ditës së zgjedhjeve.

Juristët dhe ekspertët përkrahës të kësaj pikëpamje konsiderojnë se nuk është situatë e njëjtë si në rastin kur Qeveria Mustafa u rrëzua me votëbesim në Kuvend, dhe vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme sepse atëherë ra komplet Qeveria dhe si në rastin tash kur dha dorëheqje vetëm Kryeministri.

Ekspertët tjerë kushtetues konsiderojnë se me dorëheqjen e Kryeministrit bjen e gjithë Qeveria dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme e jo që rishtas koalicioni fitues nga zgjedhjet paraprake ti propozoj Presidentit kandidatin për kryeministër të cilin ky zyrtarisht e dërgon për votim në Kuvend.

Mospajtime ka edhe për faktin se kur konsiderohet se nisin procedurat zyrtare ose për kandidat të ri për kryeministër që është 15 ditë, ose përzgjedhje të reja që është jo më vonë së 45 ditë. Pra të kujtojmë se Kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme më 19 korrik.

Pikëpamje të ndryshme ka se a konsiderohet si datë dita e dhënies së dorëheqjes apo dita e pranimit të dorëheqjes. Gjithashtu a duhet dorëheqjen e kryeministrit ta pranojë Presidenti i vendit Hashim Thaçi apo Kuvendi i Kosovës në mbledhje të veçantë, apo duhet Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli përkatësisht dorëheqjen ta konstatojë Kryesia e Kuvendit apo vetëm sekretaria e Kuvendit. Me rëndësi që Ramush Haradinaj përveç letrës së dorëheqjes që e ka nënshkruar vet dhe që e ka të protokoluar duhet ta ketë edhe një letër zyrtare që i është pranuar dorëheqja ose nga Kryeparlamentari ose nga Presidenti i vendit dhe që kjo datë të merret për bazë për vazhdimin e procedurave për kandidimin e ri nga Koalicioni PAN ose për dekretimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nga Presidenti Hashim Thaçi.

Një procedurë e veçantë është thirrja e një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës dhe vetëshpërndarja e Parlamentit me votim të së paku 80 deputetëve apo të votave të dy të tretave të gjithë deputetëve të Parlamentit të Kosovës dhe atëherë Presidenti është i obliguar ti shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme më së largu 45 ditë nga dita e shpërndarjes së Kuvendit.

Ne të gjitha variantet vendi pra Republika e Kosovës është në një gjendje politike dhe institucionale për të mos thënë krizë nga e cilat duhet të gjindet zgjidhje duke respektuar ligjet dhe para se gjithash Kushtetutën e Kosovës, por gjithsesi duke prodhuar një stabilitet politikë një paqe që e qon vendin përpara.

Ka vetëm dy zgjidhje:

E para, ( por jo sipas radhës) mundet të thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit nga 40 deputetë dhe në këtë Mbledhje plenare , me së paku dy të tretat e votave ‘për’ Kuvendi të shpërndaj vetëvetën.

E dyta, që Presidenti Hashim Thaçi të nisë konsultat me kryetarët apo liderët e partive politike parlamentare për ndërmarrjen e hapave të mëtutjeshëm institucional në kuadër të kompetencave kushtetuese.

Së pari Hashim Thaçi duhet të thëras në konsultim liderët e koalicionit PAN , pra Kadri Veselin, Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn dhe të marrë qëndrimin e tyre a kanë apo jo kandidat të ri për Kryeministër. Tash procedurat nëse ata propozojnë kandidat tjetër për Kryeministër u shpjeguan dhe se ky kandidatë patjetër duhet të propozohet me konsensus të plotë ndërmjet tyre, mirëpo nëse krerët e PAN -it thonë se nuk kanë kandidat, atëherë Presidenti i vendit duhet ti thërras në konsultim të gjithë liderët e partive parlamentare dhe me ta duhet të bisedojë për datën e propozuar për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Një mundësi hipotetike është nëse në konsultimin me të gjitha partitë lindë ideja për një Qeveri gjithëpërfshirëse, në opinion të njohur si Qeveri teknike, por kjo mundësi kërkon një elaborim tjetër për mënyrën e konstituimit kohëzgjatjen dhe platformën.

Gjithsesi afati po hecën dhe Republika e Kosovës duhet ti marrë hapat institucional për ti dhënë udhë zgjidhjes dhe kapërcimit të kësaj situate që në të gjitha parametrat nëse ka vullnet e gatishmëri të partive politike konsiderohet situatë krejt normale dhe e paraparë me ligj dhe Kushtetutë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY