Vetëm një javë pas publikimit të raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, Drejtori i Zgjerimit në KE, Christian Danielsson viziton Tiranën dhe i dërgon një mesazh klasës politike, se tashmë gjithçka varet nga vetë Shqipëria për datën e çeljes së negociatave.
“Siç është gjithnjë rasti me procesin e zgjerimit do të jenë pikërisht përpjekjet e Shqipërisë, meritat që do të ketë vetë Shqipëria që do të përcaktojnë se cilat do të jenë hapat e mëtejshme që do të hidhen në lidhje me Shqipërinë. Besoj që e mbani mend që rekomandimi pozitiv që ka dhënë Komisioni Europian, e ka bërë në mënyrë të qartë që kjo do të jetë në varësi të zbatimin të besueshëm dhe të mirë të Reformës në Drejtësi në përgjithësi, e në veçanti të ligjit për Vettingun”, deklaroi Christian Danielsson, Drejtori i Zgjerimit në KE.
Për ministren e Integrimit, Klajda Gjosha, ajo që ka rëndësi nuk është data, por zbatimi i Vettingut.
“Data në vetvete nuk është e rëndësishme. Ajo datë që është e rëndësishme është presioni që të gjithë ne mund të bëjmë për të nisur sa më parë procesin e vettingut. Kjo do të jetë dhe data kur Shqipërisë do t’i jepet mundësia për të vazhduar me bisedimet për anëtarësim”, u shpreh Gjosha.
Christian Danielsson u ndal edhe te procesi zgjedhor dhe ndikimi që ai mund të ketë në çeljen e negociatave, duke theksuar se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të domosdoshme për çdo vend që është i përfshirë në procesin e zgjerimit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/