Ndahet nga jeta Agim Musta, simbol i rezistencës antikomuniste

Ndahet nga jeta Agim Musta, simbol i rezistencës antikomuniste

276
0
Shares

U nda sot nga jeta Agim Musta, një simbol i rezistencës antikomuniste, një ndër kujtesat më të shquara të kohës së errët të diktaturës me të cilin ai u ndesh si rrallëkush,autor librash dhe kërkimesh të rralla shkencore për diktaturën, një prozhektor I ndezur mbi krimet e komunizmit.

Agim Musta lindi në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1930. Pasi kreu studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës ai punoi si arsimtar në shkolla të ndryshme tetëvjeçare dhe të mesme të vendit. Në vitin 1962 është dënuar me 13 vjet burg nga Gjykata Ushtarake e Tiranës për veprimtari antikomuniste. Agim Musta ka shkruar për komunizmin, sistemin e burgjeve dhe persekutimin në kohën e diktaturës.

Ish mësuesi i lëndës së Historisë në njërin prej gjimnazeve të Tiranës në gusht të vitit 1961 ishte pikasur nga Sigurimi i Shtetit për veprimtari subversive së bashku me një grup intelektualësh.

Pas një procesi hetimor në kushte çnjerëzore një gjykatës vendosi ta dënojë me 13 vite burg me motivacionin “për organizimin e një grupi armiqësor për përmbysjen e Pushtetit Popullor…”. Agim Musta kaloi 11 vite në burgun më famëkeq në Shqipëri, në atë të Burrelit, ku mblidheshin kryesisht nga rradhët e të burgosurve më të rrezikshëm për regjimin komunist.
“Por kur dilje nga burgu, të burgosurit politik kalonin në një burg tjetër shumë më të madh. Ky burg ishte puna e rëndë dhe internimi. Mua për shembull, më detyruan të punoja në guroren e Dajtit, me vare, duke çarë gurë për ndërtimet ushtarake, etj. Kështu vazhdoi puna e rëndë e imja, derisa erdhi regjimi demokratik. Në kohën e ardhjes së regjimit demokratik, unë dola në pension”, rrëfen ai në një intervistë.

Agim Musta i përket brezit të historianëve të parë, që nisën hulumtimin e krimeve të komunizmit, që në vitet ‘90.

Përmes dhjetëra botimeve, Musta ka zbuluar krime dhe përgjegjësit e tyre. Ai është hartuesi i parë i hartës së zbulimit të më shumë se 100 burgjeve, kampeve të internimit, kampeve me tela me gjemba, vendet e internimit, etj. dhe kontribues për gjendjen e dhjetëra të humburve.

Është vlerësuar me disa çmime për punën e tij kërkimore. Ai u dënua me 13 vite burg, si anëtar i grupit Socialdemokrat, bashkë me Pjetër Arbnorin dhe vuajti dënimin në Burrel, e më tej në Spaç.

Homazhet dhe më pas ceremonia mortore do të zhvillohen të enjten në orën 10: 00 pranë Medresesë.

Disa nga veprat e tij:
“Mandelat e Shqipërisë”, 1992
“Dosjet e gjalla”
“Kush ishte Enver Hoxha” (bashkautor), 1996
“Burgjet e shtetit burg”, 1998
“Mjerim pafund”, 1999

“Harta e burgjeve dhe kampeve me punë të detyruar (1944-1991)”
“Gjëmat e komunizmit në Shqipëri”, 2001
“Dëshmoj për të vërtetën”, 2004

“Antologjia e plagëve nën terrorin komunist” (bashkautor), 2 vëllime 2006
“Album i burgjeve të diktaturës komuniste”, 2006
“Libri i zi i komunizmit”, 2007.

Intervista e fundit e Agim Mustës:

Në një intervistë për kujto.al, Musta dëshmon historinë e tij dhe të miqve të tij, të cilët i pa të vdisnin në burgun famëkeq të Burrelit dhe kushtet e tmerrshme të mbijetesës në kampin e Spaçit.

I dënuar si anëtar i grupit Socialdemokrat të krijuar në kohën e regjimit komunist, Musta vuajti dënimin në Burrel, e më tej në Spaç.

Dëshmia e plotë, si më poshtë:

Kur u dënuat?

Unë u dënova 13 vjet. Formuam një grup. Në këtë grup bënte pjesë Pjetër Arbnori, unë, Uran KalakulaRiza Kuçi, Karaman Paftali, një grup prej 5-6 vetësh që të gjithë ishin arsimtar, përveç Karaman Paftalit. Dikush denoncoi në Durrës që u mor vesh, dhe ne u arrestuam. U dënuam nga Gjykata Ushtarake e Tiranës nga Kolonel Llazi Polena, që dënoi nga viti 1945 deri në vitin 1990, rreth 600 vetë, nga këta 50 veta me vdekje. Prokuror ishte Sami Kapllani, edhe ky gjysmë analfabet. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura, në Gjykatën Ushtarake të Tiranës.

U dënuam: Pjetër Arbnori edhe Uran Kalakula me vdekje, unë dhe Tanush Kaso me 13 vjet burg, kurse Riza Kuçi e Karaman Paftali me 10 vjet burg. Pas dhënies së dënimit, shumica e grupit u çuan në burgun e Burrelit. Ndër ata që u çuan në burgun e Burrelit, isha dhe unë.

Çfarë kujton nga burgu i Burrelit?

Burgu i Burrelit ishte një ferr për së gjalli. Atje kishin vdekur mbi 200 veta, se ushqim pothuajse nuk kishte fare. Takimet me familjen bëheshin një herë në muaj, edhe ai ishte një kufizim shumë i madh. Nga sëmundjet e ndryshme, vdiqën 200 e ca veta. Një nga ata ishte dhe Ifzi Kokalari, gjirokastrit, me të cilin flija në të njëjtin kaush, në kaushin numër 9. Ai kishte qenë aty që nga viti 1946, dhe vazhdonte burgun . Atje ai u bllokua nga mushkëritë. Edhe ka vdekur me amanetin  “T’i çoni fotografitë familjes dhe të jeni të sigurtë se komunizmi do të përmbyset, se kur nuk dihet, por e ka të shpejtë”. Ky ishte Ifzi Kokalari, që për të flitet shumë pak. Ai vdiq atje, në burgun e Burrelit.

Kujtim  Beqiri, një djalë i ri 22 vjeç që kishte mbaruar Tregtaren e Vlorës, sa shkruajti  një strofë për burgun e Burrelit, e dënuan 5 vjet burg të tjera, plus ato që kishte bërë. I tillë ishte dënimi në burgun e Burrelit. Një doktor, Aleksandër Kalidhopuli, përfaqësues i minoritetit grek, që vdiq vetëm si lodër e spiunazhit grek me spiunazhin shqiptar me sigurimin. Vdiq në duart tona në burgun e Burrelit. Ai na la në amanet “Ushqimet e mia t’ja shpërndani të burgosurve, gjithashtu edhe rrobat që kishte ” se i vinin shumë ushqime, se kishte një djalë inxhinier e një djalë doktor, por ato i morën e i mbajtën për vete. U harrua Kalidhopuli.

Të burgosurit kishin orar fiks. Zgjimi bëhej në orën 5 të mëngjesit, pastaj bëhej apeli. Burgu i Burrelit kishte 10 dhoma që quheshin kaushë dhe 30 biruca. Kishte formën e një paralelpipedi. Këtu fillonte burgu, këtu ishte drejtoria e burgut. Jashtë lidhej me një kanal ndërtimi. Fillonin dhomat 1, 2, 3, 4, 5 e më pas, fillonin 30 biruca, duke filluar nga biruca 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 deri në 30. Në biruca, bëhej izolimi i elementeve të rrezikshëm që i quanin ata, elementët që tentonin të arratiseshin. Se edhe nga burgu i Burrelit janë bërë tentativa arratisjeje, edhe pse kishte një disiplinë jashtëzakonsht të madhe. Dreka ishte vetëm lëng fasulesh, ose një lëng makaronash, o lëng orizi. Mëngjes nuk kishte, kurse darka kishte një gotë çaj pa sheqer. Ky ishte regjimi ditor. Nga kjo, sigurisht u shkaktuan shumë sëmundje, që si konsekuencë kishin shfarosjen e të burgosurve politik. Ky ishte burgu i Burrelit. Pastaj, nja 300 vetë që ishim ne të rinjtë, se isha 30 vjeç atëherë, na morën e na çuan në Laç. Në Laç, ndërtohej fabrika e silikatit dhe atje, qëndruam 4 vjet, derisa na çuan në Spaç.

Si ishte gjendja e të burgosurve në Spaç, si ju trajtonin atje?

Aty në Spaç kam punuar në galeri. Burgu i Spaçit ndryshonte nga kjo gjë: Megjithëse po bëhej kontigjent i madh me 600 e ca të burgosur politik aty, praseprapë kishte ndryshim nga burgu i Burrelit nga çështja e bukës, se për të punuar, për të ndërtuar atë fabrikë, atë oxhak 53 e ca metra, duheshin energji. Energjia po nuk hëngre, nuk fitohet. Dhe kështu ushqimi ishte më ndryshe, kishim një çanak me groshë ose me oriz, buka ishte e grunjtë e jo e misërt, e të tjera. Por kishte këtë që, aksidentet ishin të mëdha, se nuk kishte asnjë siguri në punë.

Në burg janë vrarë 6 veta nga mossigurimi, nga rënia nga shkallët, nga rënia e skelave e të tjerë. Nuk merrej asnjë siguri dhe asnjë masë për mbrojtjen e këtyre fatkeqëve që punonin me tre turne: turni 1, 2, 3. Kush tentonte të arratisej, vritej në vend, pa gjygj, pa gjë.

Aksidentet ishin të zakonshme, nuk merresh asnjë masë sigurimi, punonim në galeri 300 metra poshtë, furnellë quheshin ato që kaloje nga një horizont, në një horizont tjetër. Këto horizonte miniere, galerie, pasi shfrytëzoheshin, lidheshin me horizontin tjetër, dhe shumë herë binin këto dhe zinin të burgosur. Kështu në Spaç, duke punuar në një nga këto furnellat, bie poshtë një nga binarët që ishin 3 metra të gjatë dhe me një diametër 50 cm. Unë në këtë kohë, po ngrija trarin tjetër. Më ka rënë përpara, për pak centimetra do të shtypesha. Do të ishte një vdekje e sigurtë, në burgun e Spacit. Ky ka qënë një nga rreziqet, pastaj rreziqe të tjera ka pasur shumë, ka pasur me dhjetëra, mos të them me qindra.

Vetëm një datë, 17 qershor i ’67-ës, në burgun e Bulqizës që ishte burg ordiner, s’kishte as aty siguri: Ra një galeri dhe shtypi 17 veta, vdiqën. Asgjë nuk u shkrua, as në shtyp e as nuk u mor ndonjë masë dënimi, asgjë. Në Spaç, aty përfundova burgun. Por kur dilje nga burgu, të burgosurit politik kalonin në një burg tjetër shumë më të madh. Ky burg ishte puna e rëndë dhe internimi. Mua për shembull, më detyruan të punoja në guroren e Dajtit, me vare, duke çarë gurë për ndërtimet ushtarake, etj. Kështu vazhdoi puna e rëndë e imja, derisa erdhi regjimi demokratik. Në kohën e ardhjes së regjimit demokratik, unë dola në pension./kujto.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY