BLLOKU/ Vdekjet ne Bllok dhe frika qe vinte pas. Nisi me vdekjen...

BLLOKU/ Vdekjet ne Bllok dhe frika qe vinte pas. Nisi me vdekjen e Gogo Nushit

897
0
Shares
|hardcopy|2007/07/05 09:48:16 Shefqet cakiqi Console / ACER-59DE6FF88D

Mjeku personal i Ever Hoxhës, Isuf Kalo në librin e tij “Blloku” i botuar nga UETPress ka rrëfyer mitet dhe përgojimet në kohën e diktaturës.

Kalo tregon rastin e një prej anëtarëve të Byrosë Politike, i cili pësoi dy herë infarkt në zemër dhe nuk pranonte që të linte punën.

Po ashtu mjeku, Enverit tregon dhe frikën që kapi udhëheqësit e lartë komunist nga problemet shëndetësore.

 MITE DHE PËRGOJIME

Nga ISUF KALO

Banorët e Bllokut nuk e kalonin jetën aq paq, pa telashe. Nuk mungonin as aty zhgënjimet, intrigat, veset dhe as shqetësimet njerëzore si ato që përjetonin edhe qytetarët që banonin jashtë tij, në territorin përreth. Kishte edhe në Bllok zili, ambicie mes banorëve, lajka, servilizëm e hipokrizi, e sidomos kontroll e komente të jetës së njëri-tjetrit.

Këtë e dëshmonin bisedat në intimitet, vesh më vesh, pësh-pëshet për pakënaqësi, ironi, ndonjëherë edhe mllef, për çka po ndodhte në vend, por edhe për njëri-tjetrin. Ato i sillnin dhe i merrnin me vete për në shtëpitë dhe familjet e tyre dhe i përcillnin pastaj gojë më gojë e vesh më vesh në Tiranë dhe prej aty në territoret e tjera të vendit “ushtria e punonjësve gjithfarësh” që shërbenin në Bllok si oficerë, kuzhinierë, shoferë, kamerierë, pastrues, dado, lulishtarë, elektricistë, kaldajistë, infermierë, mjekë, berberë, parukerë etj.

Këta nuk ishin si argatët e agallarëve e bejlerëve që dikur “mbaheshin me bukë” privatisht prej tyre. Ishin të punësuar e të paguar nga shteti, si të gjithë punonjësit e sektorëve të tjerë, por besnikë, me biografi personale e familjare të verifikuar e vlerësuar si korrekte politikisht. Vetvetiu, aq pranë tyre ata shikonin, dëgjonin, kuptonin dhe njiheshin me jetën, karakterin dhe intimitetet personale e familjare të banorëve të Bllokut.

Ata, si një “gazetë gojore e pashkruar” përcillnin dhe përhapnin ndodhitë brenda familjeve, ku shërbenin grindjet, shpërdorimet, flirtet, huqet, virtytet dhe veset e “shefave”, të grave, të fëmijëve të familjarëve apo të krushqve të tyre.

Në varësi të mënyrës së sjelljes, të komunikimit e të trajtimit që ofronin të zotët e shtëpive ku shërbenin, ata jepnin opinione e karakterizime për ta si “babaxhanë, shpirt njeriu, garip, koprrac, hijerëndë, zemërkeq, pusht, dredhës, modest, bujar, i mrekullueshëm”, “zotni burrë” e “zonjë grua”. Përgojimet dhe komentet për Bllokun u shtuan sidomos gjatë periudhës kur aty erdhën nga jashtë Bllokut nuse e dhëndurë, bashkëshortë të djemve dhe vajzave tashmë të rritur aty, si edhe krushqit e farefisi i tyre.

Në ditë të veçanta ngjarjesh apo festash jubilare në Bllok lejoheshin të hynin një numër relativisht i madh vizitorësh, jo vetëm nga Tirana, por edhe nga rrethet e qytetet e tjerë të vendit, përfaqësues të institucioneve shtetërore, të “organizatave-leva” të partisë, të qendrave të prodhimit, të kooperativave bujqësore, shkollave, ushtrisë, artistëve, veteranë të luftës etj., të cilët ndiheshin me fat kur shihnin me sytë e tyre atë oaz joshës e grishës, mjediset e jashtme e të brendshme të vilave ku shkonin të mirëpritur miqësisht si vizitorë. Ditë të tilla në Bllok ishin rastet e festave në familjet kryesore, më të fuqishme, që banonin brenda tij, ditëlindjet jubilare të Enverit, Mehmetit, Hysniut etj., të cilat realisht nuk ishin festa zyrtare, por shndërroheshin faktikisht e si “rastësisht” në të tilla. Nuk mbaj mend që të tilla festa të jenë organizuar edhe për Ramizin. Edhe nëse ka pasur, ai ishte mjaft më i përmbajtur, më diskret. Natyrisht, jo kushdo lejohej të hynte në Bllok. Ata që mund ta meritonin përzgjidheshin paraprakisht nga strukturat partiake dhe ato të Sigurimit, si persona të besuar e të pëlqyer, prej pritësve të urimit. I njëjti proces zhvillohej edhe në ditë festash zyrtare, sidomos në datat jubilare të tyre.

Edhe për udhëheqësit në Bllok, ditë të tilla me shumë vizitorë, ndonëse të lodhshme e të bezdisshme, vlenin si test për të krahasuar popullaritetin dhe simpatinë e “masave popullore” të secilit. Ato shërbenin si element komunikimi, edhe për krijimin e urave të simpatisë me qytetarët dashamirës. Ishin si dush i ngrohtë shpirtëror, që i tonizonte, ua shtonte sigurinë për “rrugën e drejtë” që ndiqnin dhe vazhdonin, pavarësisht se ç’thoshte armiku.

Por, në Bllok, si kudo kishte edhe ditë zije. Sepse, në privilegjet që gëzonin banorët e tij nuk përfshihej pavdekësia. Vdekjet më të shpeshta aty ishin të nënove, plakave tejet të moshuara të tyre, që banonin dhe jetonin aty së bashku me ta (çka jo rrallë nuk i bënte të lumtura gratë e djemve pushtetarë). Blloku ishte edhe një lloj azili apo pensionati familjar. Gjyle Hoxha ose Anea e Enverit, Sulltane Shehu e Mehmetit, Meze Kapo e Hysniut, Kristoja e Vitos dhe e Piro Kondit, Ado Toska e Hakiut, Sebije Alia e Ramizit, Dado Marku e Ritës, dhe po kështu nëna e Manushit, Naxhija e Nexhmijes etj., përfitonin shërbime nga personeli i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare. Ndërkohë, ato ishin pacientet më të shpeshta të Klinikës së Udhëheqësve.

Vdekjet e tyre sillnin në Bllok familjarë, të afërt, krushq dhe të njohur të tjerë. Ato zhvilloheshin pa zhurmë, pa ulërima, pa bujë dhe varroseshin kryesisht në një parcelë të privilegjuar të varrezave të Sharrës.

***

Vdekja që tronditi së tepërmi Bllokun ishte ajo e Gogo Nushit, ish-anëtar i Byrosë Politike, shok i ngushtë lufte i Enverit. Ajo nuk ishte aksidentale, por rrjedhojë e sëmundjes. Edhe Gogo vuante nga diabeti. Ai vdiq më 9 prill 1970, në moshën 57-vjeçare, pas infarktit akut në zemër. Dhe u varros me një ceremoni shtetërore madhështore dy ditë më pas, më 11 prill. Çuditërisht, datat 9 dhe 11 prill do të ishin plot 15 vjet pas Gogos fatale edhe për Enver Hoxhën. Në datën 9 prill 1985, Enveri do të pësonte goditjen përfundimtare në zemër, pas së cilës do të binte në komë dhe më 11 prill do të ndahej nga jeta përgjithmonë.

Udhëheqësit e lartë, por edhe mjekësia jonë e asaj kohe, u befasuan nga vdekja e Gogos dhe u gjetën të papërgatitur përballë kërcënimit të humbjes së jetës së udhëheqësve të tjerë të të njëjtit brez. Pasi patën dalë nga lufta shëndoshë e mirë dhe relativisht të rinj në moshë, të paprekur gjatë saj nga plumbat, ata po shijonin të mirat e paqes pa u shkuar në mend që vdekja mund t’i gjente edhe në mjediset e rehatshme të vilave të Bllokut.

Por si pasojë e ndryshimit të mënyrës së ushqimit, të stilit sedentar të jetesës, të lëvizjeve me makinat në dispozicion, apo prej ankthit e stresit të punës dhe moshimit progresiv, nga viti në vit bashkë me thinjat e para filluan t’u shfaqen rreziqe shëndetësore të tilla si obeziteti dhe sëmundje të zemrës, tensioni i lartë i gjakut dhe diabeti. Asokohe, mjekësia jonë, në tërësi, dhe Klinika Speciale në veçanti, nuk ishin të përgatitura me ekspertizën, teknologjinë dhe barnat e duhura bashkëkohore për t’u përballur sidomos me sëmundjet ishemike të zemrës, të cilat do të bëheshin, shumë shpejt më pas, shkaku më i shpeshtë i vdekjeve të tyre.

Gogo Nushi u shtrua në mjediset e Klinikës Speciale, që më shumë ishte hotel sesa sallë urgjence, pa aparate për monitorimin e vazhdueshëm të rrahjeve të zemrës, pa shërbim reanimacioni, për të ndërhyrë në çastet e ndalimit të saj. Profesor Kondoreli, kardiolog i famshëm italian, u soll me urgjencë nga Roma posaçërisht për Gogon. Por as ai nuk e shpëtoi dot. Për fat të keq në atë kohë mungonin aparaturat dhe barnat e reja që përdoren sot me sukses në raste të tilla.

Hija e vdekjes së Gogos u duk sikur i tkurri dhe i rrëqethi shokët e tij të Bllokut. Për herë të parë ata u ndërgjegjësuan për armikun e ri që kishin përballë, të cilin e patën injoruar, shpërfillur ose harruar: SËMUNDJEN .

As rojet e armatosura përreth Bllokut dhe as oficerët truproje të Sigurimit me pistoleta nuk i mbronin dot prej saj. Varrimi i Gogos u bë me një kortezh madhështor në bulevardin kryesor të Tiranës me homazhe nga udhëheqësit më të lartë, me në krye Enverin, si edhe nga populli i kryeqytetit. Në nderim të tij u shpall dhe një ditë zije kombëtare.

Asokohe, udhëheqësit tanë të lartë nuk patën menduar as për vendin e varrimit të tyre, i cili duhej të mos ndodhej aty ku varroseshin qytetarët e zakonshëm. Vdekja e Gogos i gjeti të papërgatitur edhe në këtë aspekt. Qemal Stafa, Vasil Shanto, Nako Spiru dhe Alqi Kondi u rivarrosën në varre të njëjtë prej mermeri të zi në buzë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, aty ku sot ndodhet Galeria Kombëtare e Arteve. Dy të parët ishin vrarë në përpjekje me armë në luftë e sipër nga plumbat, kurse dy të tjerët vdiqën në kohë paqeje. Nakoja u vetëvra dhe Alqi vdiq pas një aksidenti në vitet e parë pas luftës, tek voziste në rrugët e Tiranës me motoçikletë. Pavarësisht nga ky ndryshim Nakoja, Alqi dhe Gogoja u konsideruan njësoj si dëshmorët e vrarë në beteja, me plumb, gjatë luftës.

Një vit pas vdekjes së Gogos më 1971, eshtrat e tij u zhvarrosën dhe u vendosën së bashku me ato të Qemal Stafës, Vasil Shantos, Nako Spirut dhe Alqi Kondit në varrezat e reja të dëshmorëve të kombit në një kodër mbi Tiranë, ku sapo ishte ngritur edhe monumenti “Nënë Shqipëri”. Fillimisht ajo ishte projektuar për të shërbyer si varrezë elitare, një lloj “blloku mortor” vetëm për udhëheqësit kryesorë të nomenklaturës më të lartë, por më pas aty u varrosën edhe udhëheqës të rangut më të ulët, ish-anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë, ish-ministra, si edhe një numër heronjsh e dëshmorësh apo veteranë të luftës. Aty, “së bashku me shokët dëshmorë” pat shprehur dëshirën, dhe në fakt u varros fillimisht, edhe Enveri. Të gjithë këta të fundit, pavarësisht rrethanave dhe shkakut të vdekjes, do të kategorizoheshin si dëshmorë, njësoj si ata që u vranë dhe derdhën gjakun e tyre në luftë.

Fill pas vdekjes së Gogos, të mëdhenjtë e Bllokut filluan të mendojnë më seriozisht edhe për shëndetin e tyre. Thuhet se udhëheqësit e kanë të vështirë të krijojnë një sistem shëndetësor të mirë për vendin, por jo aq vështirë që të sigurojnë shërbim mjekësor cilësor për veten. Edhe udhëheqësit tanë nuk bënë përjashtim. Enveri, Mehmeti, Hysniu, Haki Toska, Spiro Koleka etj., angazhuan, përveç shërbimeve që përfitonin nga mjekët e Klinikës Speciale, edhe mjekë dhe infermierë personalë. Nuk di nëse kjo ishte e ligjëruar zyrtarisht apo thjesht e improvizuar për secilin nga ata. Ndërkohë, dy nga mjekët tanë kardiologë u dërguan me urgjencë për specializim më të thelluar në Paris dhe disa aparatura të domosdoshme u sollën së pari në Klinikën Speciale.

Kërkesa e pashkruar ndaj mjekëve për shërbimet e tyre në Bllok ishte pagabueshmëria. Diçka utopike dhe e pamundur kjo, po të kihet parasysh që mjekësia nuk është shkencë ekzakte dhe se njohuritë, metodat dhe mjetet që ajo përdor janë në ndryshim, dinamikë e zhvillim të pandërprerë.

Qëndrimet e banorëve të Bllokut ndaj shëndetit, sëmundjeve, invalidizimit dhe vdekjes së titullarëve ishin edhe ato të veçanta dhe jo rrallë të çuditshme e paradoksale.

Gjendja shëndetësore e atyre që propozoheshin ose promovoheshin në poste të lartë udhëheqës nuk merrej paraprakisht në konsideratë. Nuk kërkohej domosdoshmërisht që ata që zgjidheshin apo emëroheshin në poste politike e publike të larta të ishin të kontrolluar më parë për shëndetin. Mund të kërkohej certifikatë mjekësore për patentën e makinës, ose që të hyje në punë të rëndomtë apo që të rekrutoheshe në ushtri, por jo për t’u emëruar drejtor, ministër, anëtar i Byrosë Politike apo krye

Pjesëtarëve të nomenklaturës së lartë nuk u kërkohej informacion paraprak shëndetësor dhe as ekzaminoheshin detyrimisht më parë se të emëroheshin. Ndërkohë, pas emërimit ata fitonin automatikisht të drejtën për të marrë shërbime mjekësore në Klinikën Speciale të udhëheqjes. Diagnozat e sëmundjeve të konstatuara te ta shumë rrallë përdoreshin si arsye për të mos i rizgjedhur ose për t’i larguar nga posti, pasi e rëndësishme ishte, mbi të gjitha, të kishin mendime, sjellje e bindje të shëndosha moralo-politike.

Diagnozat e “Pacientëve që na udhëheqin” (Ces malades qui nous govermenent) siç i quanin ata Pierre Accoce dhe Pierre Rentchnick në librin me këtë titull, mbaheshin sekret. Ato ruheshin në dosjet e Klinikës Speciale. Gjendja e tyre shëndetësore, mendore dhe fizike, i fshihej publikut për të mos krijuar dyshime lidhur me performancën e pritshme të tyre në detyrat dhe funksionet që u ishin ngarkuar.

Gjendja shëndetësore e udhëheqësve të lartë ndonjëherë përdorej nga gratë e tyre si motiv për të marrë ndonjë raport shëndetësor nga ne mjekët, me rekomandime për lehtësimin e ngarkesës së tyre në punë, ose për t’ua shmangur transferimin nga posti, dërgimin me detyra në ndonjë rreth të largët, të vështirë jashtë Tiranë, apo e kundërta për t’i sjellë ata nga rrethet në Tiranë, si “nevojë për të qenë më pranë specialistëve”.

Njëherë, me kërkesën insistuese të familjarëve të vet, i kërkova njërit prej të sëmurëve, politikisht i fuqishëm, anëtar i Byrosë Politike, të mos punonte përditë me orar aq të zgjatur dhe me aq intensitet, sepse po dëmtonte shëndetin. Madje familjarët e tij më kërkuan t’i raportonim zyrtarisht edhe shokut Enver, që ai vetë ta këshillonte ose ta ndalonte të punonte me aq vetëmohim. Por kur unë ia përsërita kërkesën verbalisht pacientit, ai m’u zemërua keqas: “Unë punën time, detyrën time po bëj”, më tha me ton të lartë e të pazakontë. Dhe vazhdoi: “Nuk po bëj punën e askujt tjetër. Sipas meje kjo detyrë kaq orë pune kërkon. Nëse mund ta bëjë dikush tjetër në më pak orë, atëherë qenkam unë i pazoti për të…!”. Pa dashur çështja shëndetësore kishte prekur çështjen sensitive të pozitës dhe të karrierës së tij politike. Familjarët donin që ai të punonte e të lodhej më pak, por jo të cenohej apo të spostohej në pozitë dhe në karrierë. Përkundrazi e donin më të shëndetshëm, më të çlodhur dhe më të fuqishëm për ndonjë post edhe më të lartë.

Por pa kaluar shumë kohë ai pacient pësoi dy herë infarkt në zemër. Situata shëndetësore e tij u bë më e ndërlikuar, më e rrezikshme për jetën. Mirëpo pasi e kaloi fazën akute të infarktit, ai vetë dhe, çuditërisht edhe familjarët, donin që të vazhdonte punën me të njëjtën ngarkesë e ritëm, në të njëjtin post dhe detyrë si të mos kish ngjarë asgjë me rëndësi. Ai këmbënguli që ne mjekët të mos ia kufizonim veprimtarinë e tij të punës, madje ta lejonim të shkonte me shërbime dhe udhëtime në rrethe, jashtë Tiranës. Rrethanat e tij shëndetësore nuk e përjashtonin që ai të pësonte sulm të ri në zemër apo ndalim të befasishëm të saj. Dhe duke qenë jashtë Tiranës, ai nuk do të mund të merrte ndihmën e specializuar. Mund të humbte edhe jetën. Në konsultë me profesor Fejzi Hoxhën dhe profesor Ylli Popën, u vendos të lejohej të udhëtonte, por me kusht që të kishte pranë një autoambulancë shoqëruese për ndihmë urgjente eventuale. Por pacienti nuk pranoi të shoqërohej me autoambulancë, sepse kjo i krijonte në publik imazhin e të sëmurit rëndë. “Më mirë me thoni që qenkam i vdekur që të mos punoj fare”, reagoi ai si rrallëherë me zemërim. Çuditërisht, as familjarët e pacientit nuk dëshironin të konsiderohej i rrezikuar. Ata që dikur insistonin në kufizimin e punës në zyrën e shtëpisë, tani u solidarizuan me të dhe e quanin të tepërt, madje të paarsyeshme të kufizohej veprimtaria e tij jashtë Tiranës. Njëri prej tyre solli dhe shembullin e presidentit të Egjiptit, Anvar Sadat, i cili kishte kaluar shtatë herë infarkt në zemër dhe vazhdonte të kryente detyrën. Në vendet e zhvilluara, ku nuk ekzistojnë paranoja ndaj mjekëve, një masë e tillë kujdesi te pacientët e zakonshëm mund të quhej e tepruar dhe nuk praktikohej domosdoshmërisht as gjerësisht. U lihej pacientëve të vendosnin t’i kryenin ose jo të tilla aktivitete, në përgjegjësinë e tyre. Prandaj edhe ai u lejua e për fat të mirë nuk ndodhi asgjë e papritur. Mirëpo ai nuk ishte pacient i zakonshëm dhe nëse do t’i ndodhte gjë, pra siç thotë populli “nëse do të dilte vajzë”, sigurisht për ne mjekët do të ngriheshin dyshime e fajësime për “veprimtari armiqësore të qëllimshme”.

Kështu u dënuan nga Stalini mjekët sovjetikë si gjoja fajtorë për vdekjen e Zhdanovit dhe më pas u dyshuan dhe u akuzuan sikur donin të helmonin atë vetë. Më tragjik ishte fati i dr. El-Mufti, mjekut të Gamal Abdel Naserit, presidentit të Egjiptit, paraardhës i Sadatit. Ai, siç shkruhet në librin e Pierre Accoce dhe Pierre Rentchnich “Të sëmurët që na qeverisin”, konstatoi te pacienti i tij i plotfuqishëm komplikacione të avancuara të diabetit në arteriet e këmbës, në ato të zemrës e të trurit dhe e vlerësoi atë të rrezikuar seriozisht për jetën, si dhe shëndetërisht të paaftë për të vazhduar punën aq të tensionuar në qeverisjen e vendit. Por mjekut të zellshëm i kushtoi shumë shtrenjtë ky sinqeritet profesional. Njerëzit e shërbimit sekret e mënjanuan atë menjëherë nga detyra dhe fill më pas ai papritur u gjend vet i vdekur nga “shkaqe të panjohura”.

Paralajmërimi që ai i pati dhënë presidentit të vendit të tij si profesionist i ndershëm për rreziqet e jetës që i kanoseshin u vërtetua shumë shpejt i saktë. Pa kaluar tri vite, Naseri, i sëmurë me diabet, me obezitet, me arteriosklerozë të avancuar, me tension arterial të lartë që vazhdonte të pinte 60 deri 80 cigare në ditë, me gjithë përpjekjet e vonuara të kardiologut Evgeni Chazov, mjekut personal të Brezhnjevit, nuk u shpëtua dot. Ai vdiq nga infarkti i miokardit në moshën 52-vjeçare.

Edhe ne si profesionistë në rastin e pacientit tonë duhej t’i dilnim së keqes përpara. Duhej të vlerësonim më parësore jetën dhe mirëqenien shëndetësore të pacientit sesa karrierën politike apo pozitën shoqërore e tij. Në rast fatkeqësie, ne do të gjykoheshim përse nuk e bindëm atë për mundësitë sado minimale të rrezikut, sepse pavarësisht diagnozave të sakta shkencore e logjike, vdekja e pritshme e pushtetarëve të lartë nga sëmundjet nuk pranohej. Sidomos nga gratë dhe familjarët e tyre./ Libri “BLLOKU”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY