BLLOKU/ Pushkatimi i Llambi Zicishtit, biseda intime mes mjekut te bllokut dhe...

BLLOKU/ Pushkatimi i Llambi Zicishtit, biseda intime mes mjekut te bllokut dhe diktatorit Hoxha

396
0
Shares

Nga Isuf Kalo

Rrefimi në vijim i Isuf Kalos, mjekut personal të Enver Hoxhës, marrë nga libri “Blloku”, botim i “UET PRESS”, flet per prapaskenat e dënimit të Llambi Ziçishtit, ish-ministër i Shëndetësisë, një nga mjekët kirurg më të mirë të kohës, i cili u kryqëzua si pjesë e grupit të komplotistëve që do të helmonin Enverin.

TRAGJEDIA E LLAMBI ZIÇISHTIT

Të frikësuar për çka mund të ndodhte, pjesëtarët e ekipit mjekësor më kërkuan që dramacitetin e gjendjes t’ia bëja prezente Nexhmijes dhe udhëheqjes më të lartë. Ishim në Vlorë, tri orë larg Tiranës, pa mjetet dhe aparaturat e duhura për të përballuar një krizë fatale dhe nuk duhej ta mbanim ne të gjithë përgjegjësinë pa informuar për rrezikshmërinë.

Ata kërkuan që të paktën të njoftohej e të thirrej të vinte aty ministri i Shëndetësisë, profesor dr. Llambi Ziçishti. Ai le të vendoste pastaj se cili duhej informuar e si duhej vepruar më tej. Llambi ishte mjek kirurg me përvojë, me edukatë qytetare, xhentil, me kulturë e me nostalgji franceze dhe, siç kuptohet, edhe filofrancez, pasi një pjesë të studimeve mjekësore i kish kryer së pari në Bukuresht e pastaj në Paris. I telefonova dhe e njoftova për çka më ngarkuan. Ai hezitoi me droje. “Je i sigurt që duhet të vij unë?”, më pyeti.

“Është mendimi i ekipit”,- i përsërita unë. “E keni biseduar me ata ‘brenda’?”, ngulmoi ai, duke aluduar për pacientin dhe të shoqen. “Jo, por mendimi është ta bëjmë këtë së bashku me ju, kur të jeni këtu”. Kështu ai erdhi me urgjencë dhe u takua me ekipin në vilë, në dhomën e katit përdhes që kishim aty në dispozicion.

U vendos që ai dhe unë të takonim fillimisht Nexhmijen, ta ndërgjegjësonim atë për gjendjen e më pas, me lejen e saj, të informonim e pyesnim udhëheqjen e lartë për zhvendosjen apo jo në Tiranë. Të shoqëruar nga infermierja, Drita Ndoni, iu drejtuam të dy ashensorit që do të na ngjiste një kat më lart, ku te dhoma e ndenjjes ishin Enveri dhe Nexhmija. Ministri ishte i zbehtë dhe ngurronte e ndihej i pasigurt për çka po bënte. I qe tharë pështyma.

Ai m’u drejtua edhe një herë: “Vërtet është e nevojshme të vij edhe unë?”. “Patjetër,- i thashë,- ju jeni ministër. Kjo situatë nuk zgjidhet dot vetëm nga ne mjekët”. “Ngjitu ti e para me ashensor,- i thashë infermieres,- dhe njoftoje shoqen Nexhmije se ka ardhur ministri i Shëndetësisë posaçërisht nga Tirana dhe mundësisht do t’ju takojë ju bashkë me mua në emër të ekipit”.

Ajo u ngjit dhe ne pritëm gjatë kohës në këmbë përpara ashensorit. Ministri filloi të shqetësohej, u zbeh më shumë dhe mezi po qëndronte në këmbë. Më në fund infermierja zbriti dhe duke evituar të më shihte në sy, tha: “Shoqja Nexhmije tha se nuk ka dijeni për takimin. Tha që është tepër e zënë”. Pastaj Nexhmija i pat thënë, “fundja le të ngjitet fillimisht vetëm dr. Isufi dhe ai të presë në korridor deri sa të mund të shkëputem nga Enveri”. Ata të dy ishin në dhomën e ndenjjes, ku ishte oxhaku dhe televizori.

Atë çast mua sikur më ra pika. Nuk po kuptoja çfarë dhe pse po ndodhte e gjitha kjo. U ndjeva fajtor ndaj ministrit, ish-pedagogu im. Ai u djersit e u bë dyllë. “Të thashë”,- më pëshpëriti me zë të ulët, sikur i fliste vetes. Dhe u largua prej aty kokulur me hapa të ngadaltë, zvarritës drejt ekipit. Nexhmijen e prita i pezmatuar për shumë kohë në këmbë, në korridorin përpara dhomës së tyre të zjarrit. Ajo erdhi e nxituar, e vrenjtur, e shqetësuar. “Nuk e kemi kërkuar ne ministrin”, nxitoi të thoshte, pa më përshëndetur fare e me gojën si të tharë nga nervozizmi.

“Merruni ju vetë, bëni ç’të doni me të! Mua mos më ngatërroni!” Ardhja e papritur e ministrit dukej që atë e kishte shqetësuar, përderisa, siç u kuptua, ajo nuk e kishte informuar për këtë as të shoqin. Prandaj doli nga dhoma ku ishte me të dhe u takua me mua nxitimthi në këmbë, në korridor. Ndoshta pati frikë mos ai e interpretonte ardhjen e ministrit pa kërkesën e tij si me ftesë ose iniciativë të fshehtë të saj. Kjo u kuptua kur ajo tha “mua mos më ngatërroni” dhe jo “neve mos na ngatërroni”.

Ajo na e la ne mjekëve përgjegjësinë e thirrjes së tij në vilën e tyre në Vlorë, pa kërkesën dhe lejen e Enverit dhe as të saj. E keqja ishte se pas atij incidenti, as ministri nuk kishte assesi dhe as me çfarë të na ndihmonte. Arsyen e sjelljes së çuditshme të asaj dite do ta kuptoja disa muaj më vonë. Shpërfillja e tillë e një vizitori në shtëpinë e saj, ministër i qeverisë e njëkohësisht kirurg i njohur dhe profesor i mjekësisë, m’u duk jo e përligjur e shumë e tepruar, por siç rezultoi më pas, edhe ajo qenkej në rolin e “Nexhmijes tjetër”, asaj arrogantes inatçore, e përbetuar dhe e pamëshirshme ndaj “armiqve” të zbuluar a projektuar nga partia.

Arsyeja e asaj sjelljeje të vrazhdë ndaj ministrit Ziçishti u kristalizua pak kohë pasi u kthyem nga Vlora në Tiranë. Një mëngjes, pasi ishte zgjuar nga gjumi, Enveri kërkoi të shkoja pranë tij. Shkova bashkë me infermieren me mendimin për vizitë mjekësore, teksa ishte ende në shtrat. Por ai i bëri shenjë me kokë asaj që të na linte vetëm. Kuptohej që ishte fjala për një bisedë konfidenciale.

Dhe vërtet, pa e zgjatur, ai me një ton të rreptë, jo të zakontë në komunikimin me mua, pyeti: “Ku i ruani ju, kush tjetër i shikon analizat dhe dosjen time shëndetësore? Analizat e mia, radiografitë e mia, ato regjistrimet e zemrës ku ruhen ato, kush i ruan?” Unë ngriva. Reagimi i tij më erdhi krejt i papritur.

Ai asnjëherë nuk kishte pyetur, as ishte interesuar për to. Sa po hapja gojën të përgjigjesha, ai nuk më la, por i nervozuar vazhdoi me të njëjtin ton: “Sepse, kupton ti, nuk ka punë cilido njeri që t’i shikojë ato. As drejtori i klinikës nuk ka të drejtë dhe askush tjetër. Bile, bile,-tha, dhe këtu u ngrit pak mbi jastëk, ngriti më lart edhe zërin,- as ministri i Shëndetësisë. Unë u hutova. Nuk po orientohesha dot për arsyen e këtij reagimi jo të zakontë të tij.

Gjithmonë me ton autoritar u ngrit edhe më mbi jastëk dhe duke më parë drejt e në sy, më tha: “Jo po më kupton ti, kohë e bukur, çelin portokajtë në Vlorë, me erë të mirë dhe ministri bën peripato, më kupton? E kupton peripaton ti?”,- përsëriti sikur po më thoshte: E kupton o kokëtrashë? “Ju kuptoj shoku Enver i thashë”,- dhe ndjeva mornica në shpinë. Kuptova që të gjitha fjalët dhe frazat që ai tha, mënyra si i tha, të gjitha ato që përmendi: analizat, dosjen, dokumentet, radiografitë, klinikën, drejtorin e saj, ishin të gjitha garnitura të qëllimshme. Thelbi që ato mbështillnin ishte vetëm një fjalë: ministri. Ai, në mënyrën e tij, ma tha dhe njëkohësisht nuk ma tha, se duhej ta mbaja larg ministrin nga çështjet shëndetësore të tij.

E thënë ndryshe, Ziçishti nuk ishte më ministër, pavarësisht se ai vetë ende nuk e dinte këtë. “Kaq e pati dhe Llambi”, mendova me pikëllim. Më pushtoi një trishtim dhe tronditje sepse, pa dashur, sikur ishim bërë ne kolegët e tij shkak për atë dreq vizite në Vlorë. Por shkaku nuk kishte qenë vizita në Vlorë. Keqsjellja me të cilën u prit atje vetëm zbuloi që ai nuk ishte më person i dëshirueshëm për Enverin. Arsyeja? Prof. Llambi pati qenë shumë i afërt, si mjek shtëpie, te Mehmeti dhe familja e tij. Ai e pati shoqëruar Mehmetin edhe në udhëtimin e tij dramatik me transatlantikun “Quine Elisabeth” për në Nju Jork, i ftuar në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.

Më pas u fol që në të njëjtin vapor kishin udhëtuar njëkohësisht me Mehmetin edhe Tito dhe djali i Çërçillit dhe se gjoja ata ishin takuar edhe në mënyrë sekrete mes tyre. Të gjithë miqtë e Mehmetit dhe të Fiqiretes ishin në një listë të zezë, të destinuar për eliminim ose transferim. Llambi dhe vëllai i tij, Mihallaq Ziçishti, ish-zëvendësministër i Brendshëm në vitet që Mehmeti pat qenë ministër, e ndienin dhe dyshonin se ishin në atë listë dhe prisnin në ankth. Për më tepër, kur Mehmeti u gjet i gjakosur pa jetë në krevatin tij, në mëngjesin e 18 dhjetorit 1981, nga plumbi në kraharor, Llambi Ziçishti, që u thirr bashkë me ekspertët mjekoligjorë për ta parë, thuhej se “i foli më parë goja sesa mendja”.

Thonë se ai ishte shprehur: “Bre, po kjo duket si vrasje, jo vetëvrasje”. Ministri Llambi Ziçishti fillimisht nuk kishte qenë personalisht i përfshirë, as i informuar për çështjet shëndetësore të Enverit dhe të familjes së tij. Ai nuk bënte pjesë në ekipin tonë mjekësor të Enverit. Ne lidhjet i mbanim direkt asokohe me Hysni Kapon dhe më vonë me Mehmetin. Nuk dihej pse ishte bërë ky mënjanim, pa ndonjë dokument të shkruar, por vetëm i nënkuptuar. Shkak që ministri Ziçishti të përfshihej në veprimtarinë e ekipit mjekësor të Enverit u bë një ngjarje dramatike, që ndodhi në fund të dhjetorit 1975, lidhur me operimin me vonesë të Sokolit, i cili, në ditën që bota festonte Krishtlindjen, u sëmur nga një apendicit akut jotipik.

Për këtë morëm vërejtje më pas, unë si mjek i familjes, profesori P. G. kirurg i shquar, që e konsultoi dhe e operoi, dhe prof. Hoxha, i cili në fakt nuk pati asnjë faj. Që ditën e parë që i sëmuri pati ankesat e para më lindi dyshimi për diagnozën e apendicitit, e cila mbështetej edhe nga analizat përkatëse që kërkova dhe u kryen menjëherë. Në këto rrethana, meqë sëmundja ishte e karakterit kirurgjikal, po atë ditë thirra kirurgun, profesor P. G., i cili, pasi e vizitoi me kujdes, për fat të keq nuk e krijoi bindjen për atë diagnozë.

Ai rekomandoi vëzhgimin e gjendjes. E nesërmja qëlloi e diel, i sëmuri nuk ishte qetësuar. Të hënën, që në mëngjes, në vizitën e dytë, prof. P.G. dhe prof. B.E., një tjetër kirurg ky i talentuar, nga më të mirët e vendit, e konfirmuan diagnozën e apendicitit akut, por gjykuan se ishte e formës katarrale, që mund të shërohej me antibiotikë të fuqishëm, pa qenë nevoja për operacion, çka nuk do të prishte edhe atmosferën festive të atyre ditëve në familje, sepse ishte vigjilja e Vitit të Ri.

Kështu, operacioni u shty edhe dy ditë nën mjekimin intensiv me antibiotikë. Vendimi i kirurgëve për shtyrjen rezultoi gabim fatal. Gjendja gjatë atyre ditëve në vend të përmirësohej, u rëndua. U bë dramatike. Atëherë u ndërhy me urgjencë në sallën e klinikës speciale të udhëheqjes, por apendiciti ndërkohë kishte plasur dhe kishte shkaktuar peritonit akut.

Jeta e djalit u vu seriozisht në rrezik. Madje, në pikëpyetje. Enveri kur u informua e përjetoi ngjarjen me shqetësim dhe zemërim të jashtëzakonshëm. Ai erdhi vetë në klinikë ta shihte të birin. I revoltuar, nuk i takoi kirurgët dhe asnjërin nga mjekët e tjerë. Më thirri vetëm mua për sqarim. Unë më shumë belbëzova sesa fola. Ai dëgjonte i përqendruar, i ngrysur, me vetullat e mbledhura si një luan tejet i egërsuar me krifën e ngritur. Unë, si lepur zemërdridhur para tij.

Për fat të mirë, për Sokolin gjithçka përfundoi lumturisht mirë, pa pasoja shëndetësore për të, por Enveri i zëmëruar për disa kohë më pas, nuk deshi të shihte asnjë mjek me sy. I ndërpreu kontaktet me ne, përfshi dhe me mua, si ishmjek personal i tij. Pas ngjarjes me Sokolin më larguan për disa kohë nga detyra e mjekut personal të Enverit. Fillova punën në Spitalin Universitar të Tiranës.

Kalova disa muaj psikologjikisht të vështirë, me damkën “person i padëshiruar nga shoku Enver”. Mirëpo, një ditë, ndodhi e papritura. Diçka e jashtëzakonshme. Enveri tashmë me zemërim të zbutur kërkoi që të kthehesha përsëri tek ai, si mjek i tij …Unë isha në Tiranë, kur një pasdite më njoftuan se më kërkonte me urgjencë Hysni Kapo, i cili ndodhej me pushime në vilën e tij të Bllokut, në plazhin e Durrësit.

Ai po më priste nën një tendë në oborr dhe pa humbur kohë më njoftoi se “duhet të nisesha menjëherë për në Pogradec, ku po pushonte shoku Enver, sepse më kishte kërkuar ai vetë”. Fill më pas u nisa. Udhëtuam gjatë natës, nën një rrebesh shiu me shofer Bimin dhe në mëngjes ishim në Pogradec. Më thanë të shkoja menjëherë te pacienti.

Ai ishte i vetëm duke lexuar gazetën, në kopshtin e vilës ku pushonte, i ulur në një karrige kashte, pranë një mështekne. Kur i vajta pranë, ai më priti si me habi. Bëri të paditurin për mungesën time disamujore: “Ç’u bëre?- tha si i çuditur. -Humbe si varri i evgjitit”. Unë nuk fola, vetëm buzëqeshja. Ai më tregoi për disa shqetësime që kishte pasur. I propozova që ta vizitoja dhe t’i regjistroja një elektrokardiogram që atë natë. Pranoi pa kundërshti.

Mjegulla e zemërimit që pati ndjerë, me sa dukej ishte davaritur. Kur furtuna e madhe kaloi dhe djali ishte jashtë rrezikut për jetën, u urdhërua nga lart që ngjarja të analizohej. Analiza u bë vetëm me grupin e mjekëve pjesëmarrës në ngjarje, pa tendenca dhe pa nuanca politike. Fillimisht u tha se atë do e kryesonte Hysni Kapo, por ky ia la me finesë këtë rol prof. Llambi Ziçishtit, ministrit të Shëndetësisë.

Ishte hera e parë që atij i besohej një çështje shëndetësore e familjes Hoxha. Në drejtimin e asaj analize-gjyq, Llambi nuk e fshihte kënaqësinë dhe krenarinë për këtë promovim të tijin në rang të ri besueshmërie. Llambi atë ditë e përjetoi gradimin e tij si eveniment fatlum, pa e ditur që po futej me këmbët dhe dëshirën e vet në një zonë të minuar, ku, edhe po të ecje në majë të gishtave, mund të hidheshe në erë.

Në ato ditë që Enveri më pati lënë të kuptoj për fundin e ministrit Llambi Ziçishti dhe këputjen e marrëdhënieve me të, Llambi po priste me padurim autorizimin që të shkonte në Gjenevë në muajin maj, ku ishte i ftuar në mbledhjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë me të gjithë ministrat e Shëndetësisë të vendeve anëtare.

Ditët po afronin dhe autorizimi nga ana e qeverisë nuk po i vinte. Llambi parandiente diçka jo të mirë në këtë vonesë dhe më telefononte ato ditë herë pas here me ankth: “Hë mo Isuf, ç’kemi? Ke dëgjuar gjë? Ndonjë të re nga ju?”- më pyeste. “Jo, asgjë këtej, heshtje”,- i dredhoja unë me dhembje. Ishte “gënjeshtër e bardhë”, për të mos e traumatizuar, por që fshihte brenda saj lajmin e zi.

Nuk do të kalonin shumë kohë dhe ministri i Shëndetësisë Ziçishti, në vend që të merrte në dorë autorizimin për në Gjenevë, do të merrte në duar prangat. Ai do të arrestohej dhe do të pushkatohej si “bashkëkomplotist” në kuadrin e grupit të “poliagjentit” Mehmet Shehu

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY