Tomorri: Si oligarkët po zgjasin koncesionin e kolaudimit

Tomorri: Si oligarkët po zgjasin koncesionin e kolaudimit

106
0
Shares

Në 24 Janar të vitit 2014, pak muaj pasi ishte ulur në kolltukun e kryeministrit Edi Rama deklaroi se koncesioni i kolaudimit të automjeteve ishte një nga aferat më të mëdha korruptive në historinë e Shqipërisë.

Gjatë një takimi për sigurinë rrugore në ish hotel Sheraton, Rama premtoi çmontimin e monopolit para përfundimit të kontratës dhe çlirimin e qytetarëve nga radhët e gjata.

Deklaratat publike të kryeministrit trimëruan edhe zyrtarë të tjerë të maxhorancës. Në 12 shkurt të vitit 2016, Erjon Brace, në atë kohë kryetar i Komisionit të Ekonomisë do të sulmontë haptaz ish ministrin aleat të Transporteve, Edmond Haxhinasto duke i kërkuar llogari se pse nuk po prishte kontratën me SGS-në.

“Liberalizimi i shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, ky po që është prioritet!! Pse pengohet? U bë gabim i tmerrshëm kur u lidh ajo kontratë, po bëhet gabim tani që ruhet monopoli.”- deklaroi Braçe publikisht në mbledhjen e Komisionit.

Gjatë gjithë asaj kohe, fabula e socialistëve ishte një dhe vetëm një: Edi Rama dhe Partia Socialiste donin ta prishnin monopolin e kolaudimit të automjeteve, por atë po e mbronin ministrat aleatë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por siç thonë amerikanët “karma është kurvë”. Aleanca e ngjalave u prish. Ish aleatët e LSI u larguan nga qeveria në vitin 2017 dhe tepsia përfundoi e gjitha në një dorë.

I dhënë në vitin 2009, dalëngadalë koncesioni 10 vjeçar i kolaudimit po i afrohej fundit. Por zërat për prishjen e tij dhe liberalizimin e tregut nisën të zveniteshin derisa u shuan fare. Si Edi Rama ashtu edhe Erjon Braçe e harruan aferën më të madhe korruptive në historinë e Shqipërisë, që sipas tyre kishte montuar ish qeveria e Sali Berishës. Në atë kohë, shumëkush pyeste me habi se çfarë e ndali vrullin e socialistëve për të shkatërruar monopolin e kolaudimit?! Përgjigjja do të bëhej e qartë dy vjet më vonë.

Zgjatja e monopolit të kolaudimit të automjeteve tashmë është e sigurtë. Afati i koncesionit përfundon në 3 shtator, dhe sipas ligjit qeveria duhet të kishte nisur procedurën e transferimit në shtet të paktën 6 muaj më parë. Por Ministria e Infrastrukturës “harroi” ta bënte, pasi kishte të tjera plane në kokë.

Në korridoret e Ministrisë së Infrastrukturës po përfilitet për një projekt, që synon të zgjasë monopolin e kolaudimit edhe për disa vite të tjera. Skenarët janë disa. Një herë flitet për zgjatje me dy vjet, ndërsa një skenar tjetër parashikon zgjatjen e koncesionit me 5 vjet. Vetëm se me një ndryshim. Koncesioni do të ndryshojë duar.

Kompania SGS pritet të largohet dhe monopoli do të përfundojë në duart e një bashkimi mes disa biznesmenëve vendas, të njohur jo vetëm si gjahtarët më të mëdhenj të fondeve dhe aseteve publike në vend, por edhe për lidhjet e tyre të forta në qeveri.

Nën zë identifikohen të paktën 2 prej tyre, ndonëse ende të pakonfirmuar zyrtarisht. I pari është një nga biznesmenët më të fuqishëm në vend, me aktivitet në shumë fusha dhe pronar i një koncesioni ekzistues me vlerë qindra milionë euro. I dyti është një yll në ngjitje në klubin e oligarkëve të Shqipërisë, edhe ky i qerasur së fundmi me një koncesion nga qeveria.

Skandali është një pazar win-win. Vetë kompania ekzistuese SGS ka rreth 2 milionë euro borxhe ndaj shtetit, në formën e investimeve të parealizuara dhe dhe detyrimeve të tjera. Këto borxhe pritet të shuhen si pjesë e pazarit për transferimin e pronësisë së koncesionit tek pronarët e rinj.

Zyrtarisht Ministria e Infrastrukturës hesht dhe nuk ka bërë asnjë njoftim publik. Por skenari ndërkohë ka filluar të vihet në jetë. Zgjatja e monopolit të kolaudimit tashmë është e sigurtë dhe pritet të lajmërohet shumë shpejt. Ajo që mbetet për t’u parë është se sa do të jetë afati i monopolit të ri dhe emrat pronarëve pas tij.

Të ardhurat e monopolit të kolaudimit aktualisht janë rreth 8 milionë euro dhe rriten me 6-7 për qind nga viti në vit për shkak të shtimit të automjeteve. Biznesi, fitimet e të cilit janë të garantuara me ligj, ka qenë prej kohësh nën shënjestrën e oligarkëve vendas.

Bëhet fjalë për një biznes të ngritur, me investime të kryera dhe që tani duhet të ishte pronë e shtetit. Por kontrata thjesht do të ndërrojë duar dhe qytetarët do të paguajnë të paktën 50 milionë euro të tjera me detyrim për shkak të monopolit, përkundrejt shërbimit mizerabël që marrin në pikat e kolaudimit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY