Doktori i bllokut zbulon detaje te reja rreth (vet)vrasjes se Mehmet Shehut

Doktori i bllokut zbulon detaje te reja rreth (vet)vrasjes se Mehmet Shehut

446
0
Shares

Nga Isuf Kalo

 A patën rol dhe ndikim Nexhmija dhe Ramizi në nxitjen, shtimin dhe mpiksjen e këtij zhgënjimi tek Enveri? Nuk përjashtohet. Ka të ngjarë që reagimi i Enverit të jetë stimuluar ose katalizuar aktivisht edhe nga kjo “dyshe”. Ata të dy kishin rezerva dhe pakënaqësi në raportet me Mehmetin, kurse Nexhmija edhe me Fiqireten. Mehmeti nuk ishte pasardhësi i dëshiruar prej tyre.

Në vitin 1955, kur në kuadrin e luftës kundër kultit të individit Hrushovi po “spastronte” vendet e kampit socialist nga sekretarët e parë stalinistë, Mehmeti ishte i preferuari i sovjetikëve, i projektuar për të zëvendësuar Enverin. Në ato kohë Nexhmija ishte kryetare e Bashkimit të Grave, por me rekomandim të Mehmetit u shkarkua prej atij posti.

Me ashpërsinë dhe pragmatizmin që e karakterizonte ai nuk shquhej për delikatesë, përzemërsi dhe tolerancë në qasjen ndaj të tjerëve, sidomos ndaj vartësve. Ai mbi vete kishte vetëm Enverin. Askënd tjetër. Por, pavarësisht ndjenjave, konsideratave dhe dëshirave të fshehta të Ramizit dhe Nexhmijes, as njëri, as tjetra realisht nuk ishin aq të fuqishëm sa ta lëviznin atë nga posti i pasardhësit të piketuar.

Mehmeti kishte peshë shumë më të rëndë dhe rrënjë shumë më të thella sesa ata të dy. Përpara se të ndodhte fejesa fatale, ose sikur ajo të mos kishte ndodhur, ai, sipas vlerësimit tim, do të ishte me siguri, një mijë për qind, trashëgimtari i Enverit.

Mirëpo, me veprimet dhe qëndrimet e papritura që Mehmeti tregoi gjatë “fejesës së gabuar”, vështirësisht të justifikueshme, duke mbajtur parasysh statusin e tij, ai sikur ua solli me duart e veta fatin në pjatë. Ai shkoi si verbërisht, me këmbët e veta, në buzë të greminës. Atje mbase Ramizi dhe Nexhmija nuk e patën të vështirë t’i jepnin një të shtyrë për ta rrëzuar përfundimisht, në thellësi të honeve të saj.

Ka pasur një vizitë të Ramizit në Pogradec, teksa Enveri dhe Nexhmija pushonin aty, ku ndodhesha edhe unë si mjek shoqërues. Në mbrëmje, ai dhe Nexhmija dolën jashtë vilës së Enverit për një shëtitje disi misterioze, konspirative, tejet të zgjatur, të zhytur në mugëtirë. Ata u çapitën të dy me hapa të ngadaltë, të zhytur në një bisedë thuajse pa gjeste nëpër park, larg vendrojave. Nuk ishte mot i mirë për shëtitje. Madje frynte edhe erë.

Dukej që ishte nga ato shëtitje-bisedë në natyrë, që praktikoheshin nga paria e lartë sa herë që flisnin për diçka tejet sekrete, për të evituar mundësinë e regjistrimit me ndonjë magnetofon të fshehtë nga njerëzit e Sigurimit ose njerëz besnikë të pushtetarëve të tjerë të lartë rivalë. Asnjë udhëheqës, duke përfshirë edhe vetë Enverin, nuk ishte i sigurt se nuk po regjistroheshin nga dikush ose me porosi të dikujt bisedat në shtëpi, në punë e sidomos në telefon.

Sidoqoftë, çudia ishte që Enveri nuk e paskësh njohur kapacitetin e vërtetë udhëheqës të asnjërit prej binomit që do i linte trashëgim fronin. Ai ndoshta besoi se ata qenë shqiponja që mund të vazhdonin fluturimin e nisur prej tij. Por një burrë që dredhon e shmanget nga përgjegjësitë për një poemë, për një dramë apo një këngë, si mund të mbante mbi shpatulla peshën e përgjegjësitë e një vendi, e një shteti, e një kombi të tërë? “Shqiponjat” qenë të dy pa krahë. Krahët u ishin atrofizuar nga pasiviteti dhe mosushtrimi për një kohë të gjatë në vendimmarrje.

Pavarësisht se nuk ishin as Nexhmija dhe as Ramizi ata që lidhën krushqi sipas ndonjë plani të paramenduar për zëvendësimin e Enverit, fejesa rezultoi e favorshme për Ramizin. Ka shumë mundësi që ajo lidhje e shpëtoi atë nga ndëshkimi prej “famëkeqit” Festival i 11 i Këngës në Radio Televizion më 1972 dhe më pas për ta katapultuar në majën më të lartë të pushtetit. Sado spontane, e pakurdisur dhe e pamanipuluar të ketë qenë ajo krushqi, nuk evitohen dot hamendësimet se ajo mund të ketë ndikuar, disi në ndryshimin e rrjedhës së historisë sonë.

Lidhja e pazyrtarizuar e dy të rinjve, Ilirit dhe Teutës, kishte zënë fill që para se të bëhej Festivali i 11 i Këngës, pas të cilit ndodhi furtuna e dënimeve për shfaqjet e liberalizmit në art e kulturë. Por a ndikoi pozita e re e krushkut që “prerja e kokave” të liberalëve të mjaftohej e ndalej deri te Todi Lubonja e Fadil Paçrami, pa u ngjitur më lart te shefi e përgjegjësi direkt i tyre, Ramizi?

Ky i fundit i kishte parë dhe pëlqyer këngët në provën finale para festivalit. Këtë e mori vesh Enveri. Thuhet se, kur ai e thirri më pas dhe i kërkoi shpjegime për to, Ramizit “iu lidh goja dhe i ra si të fikët”. Ishte hera e parë që Enveri fali një “deviator”. Pra, bëri një nga ato mëkate që ai i quante “lëshime parimore”. Dikur, ish-kunatin, Bahri Omarin, i cili e kishte ndihmuar, ushqyer e mbrojtur kur qe i ri, ai nuk pat hezituar ta pushkatonte. Përse kjo dobësi për Ramizin? Mbase sepse Enveri, në analizën karakteriale që u bënte bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, nuk kishte vënë re tek ai shenja të karrierizmit, narcisizmit, fodullëkut ose të egos së theksuar. Kjo i kishte krijuar besimin se Ramizi mund që të gabonte, por jo qëllimisht dhe nuk tradhtonte. Sepse nuk dukej të kishte “stof” tradhtari.

Është interesant fakti se, krahasuar me dy viktimat e tjera të festivalit, Todin dhe Fadilin, vartës të tij, në dukjen e jashtme, në komunikimin me të tjerët dhe sjelljet në jetën e përditshme, Ramizi linte përshtypjen se ishte më i pafajshëm se ata. Nëse ky arsyetim është i mirëqenë, domethënë se ishte dukja që e udhëhoqi Enverin të mbante qëndrimin e rrallë jashtëzakonisht të butë ndaj tij, mund të besohet se ato ishin emocionalisht dhe racionalisht të mjaftueshme që ta veçonin dhe shpëtonin Ramizin nga katastrofa. Në dallim nga dy vartësit e tij, “drunj të shtrembër e të pandreqshëm”, Ramizi ishte me pamje e sjellje pa të keq filiz ende i njomë, që nuk ishte vështirë të riformatohej e ndreqej. Ky version të bën të besosh që në zanafillë se ideja dhe argumentet e faljes e të shpëtimit të tij nuk u gatuan nga kurrkush tjetër përpos Enverit.

Më e saktë do të ishte që ky version të pranohej si pjesërisht i vërtetë. Pjesa tjetër e së vërtetës mund që lidhet disi edhe me Nexhmijen. Me ndikimin e saj. Ajo e pëlqeu atë krushqi, ishte e lumtur për të dhe do të ishte e natyrshme të bënte çka kishte mundësi që ta mbronte Ramizin si shok i aftë, korrekt e besnik dhe t’i ruante lidhjet produktive mes tij dhe Enverit. Në interes edhe të detyrës dhe të veprimtarisë së saj.

Armiqësi të fshehta

Nuk përjashtohet të ketë qenë Nexhmija, e cila si ish-shok të hershëm në rininë komuniste dhe tani si krushq, ta ketë mbrojtur Ramizin në valën e goditjes për festivalin e “gabuar”, duke e garantuar të shoqin për besnikërinë politike të tij. Por edhe vetë Enveri i vitit 1973 nuk ishte më djaloshi i vitit 1945, kur lejoi, në kulmin e puritanizmit të tij parimor, të pushkatohej kunati i tij, Bahri Omari. Ai kishte qenë atëherë i ri, i sapongjitur në majat e pushtetit, me jetën përpara e vrull revolucionar, disi çakmak, pushtetar i ri, por i pasigurt dhe ndoshta prej kësaj nuk i njihte mëshirën dhe faljen. Kurse tani kishte hyrë në moshën e tretë, kur pas pak muajve do të pësonte infarkt në zemër, çka ndoshta e pat zbutur dhe ndërgjegjësuar për raportet e reja në rrugëtimin e mëtejshëm të jetës, që e afronte përditë e më tepër, pashmangërisht, natyralisht, me vdekjen.

Por falja dhe konfirmimi tashmë i Ramizit, si njeri i familjes Hoxha, ngjalli ose zgjoi djaj. Nga kandidaturë e shpërfillur, e nënvlerësuar në rivalitetet e atëhershme për trashëgiminë e postit të Enverit, ai u shfaq befas si konkurrent i rrezikshëm, kandidaturë potenciale. Ramizi po i krijonte kështu vetes një armik të egër e të fuqishëm, që quhej Mehmet Shehu, atëherë kryeministër dhe prej shumë kohe pasardhësi i shpallur publikisht i Enverit.

Ramizi e ndjeu armiqësinë e Mehmetit, u ndie i kërcënuar dhe i pasigurt nëse ai bëhej i pari i vendit. Dhe reagoi menjëherë. “Djali i mirë e i qetë” nxori kthetrat e fshehura. Siç e ka rrëfyer vetë Enveri, ai i paraqiste këtij, në mënyrë konfidenciale, herë pas here, ankesa për qëndrimet e veprimet e Mehmetit ndaj të tjerëve e ndaj tij. Ishte një sulm mbrojtës paraprak që Enveri ta kishte parasysh se në duart e kujt po e linte krushkun.

Ato pakënaqësi në lidhje me Mehmetin ka shumë mundësi t’i ketë sinkronizuar e pleqëruar më parë me krushkën, Nexhmijen, e cila edhe ajo nuk ndihej komode në komunikime pune me Mehmetin, për shkak të karakterit disi të ashpër dhe mungesës së taktit, politesës të tij; por sidomos edhe sepse nuk e gëlltiste dot mënyrën se si e proklamonte Fiqirete Shehu padurimin e saj për t’u bërë sa më parë “Shoqja e parë” e ardhshme e Shqipërisë.

Kështu, kur shtëpia e Enverit në Bllok u zgjerua nën mbikëqyrjen e Nexhmijes me një ndërtesë shtesë, fill më pas, një zgjerim dhe rikonstruksion total u krye edhe te vila ekzistuese e Mehmetit. Kur u rikonstruktua vila e Enverit në “Ujin e ftohtë” në Vlorë, një rikonstruktim më i gjerë dhe më luksoz u krye, fill më pas, po aty, edhe tek e ashtuquajtura Vila nr. 1 e Mehmetit. Sapo Nexhmija pat punësuar një infermiere si kujdestare për fëmijët e vegjël në shtëpinë e saj, të njëjtën kërkesë kishte bërë edhe Fiqiretja për të vetët.

Nëse në shtëpinë e Enverit, Drejtoria e Pritjes, e cila e kishte në administrim, sillte një qilim të madh apo mobilie të re, Fiqiretja do të ankohej pse nuk i sillnin edhe asaj të njëjtat. Fiqiretja ishte xheloze dhe kurioze të dinte gjithçka ndodhte në familjen Hoxha. Megjithëse Mehmeti nuk kishte të njëjtën gjendje shëndetësore delikate si Enveri, sepse nuk vuante as nga diabeti, as pati pësuar infarkt në zemër dhe bënte rregullisht ecje të gjata e mbante regjim dietetik të shëndetshëm, Fiqiretja krijoi një ekip me dy mjekë dhe disa infermiere në dispozicion të tij e të familjes.

Nëse çiftet e të rinjve dhe të familjes Hoxha dërgoheshin në Paris për probleme mjekësore, e njëjta gjë, si në një garë, do të bëhej edhe për ata të familjes Shehu. Madje këta, ndryshe nga Nexhmija, ndodhte që i shoqëronte edhe vetë Fiqiretja. Në një rast, ndërkohë që Fiqiretja ndodhej në Paris, e strehuar në apartamentet e ambasadës, aty mbërriti edhe Pranvera, vajza e Enverit, për një problem shëndetësor që kërkonte ndërhyrje kirurgjikale. Ambasadori Maxhun Peka, duke besuar se Fiqiretja mund t’i qëndronte pranë asaj në vend të Nexhmijes, duke i ofruar afeksion prindëror, e strehoi atë në apartamentin tjetër, ngjitur me atë ku qëndronte Fiqiretja, në të njëjtin kat.

Mirëpo, për çudinë e ambasadorit, Fiqiretja e kishte thirrur e zemëruar dhe i kishte bërtitur që ai, pa e pyetur, i kish cenuar privatësinë. Madje i kërkoi ta ngjisnin vajzën një kat më lart. Në fakt, ambasadori nuk e lëvizi, mbase sepse falë një komunikimi telefonik me Tiranën erdhi urdhri përkatës. Por çfarë ndjenje do të ketë krijuar dhe çfarë përshtypje do të ketë lënë ky episod i sjelljes së Fiqiretes te Nexhmija, si grua, si nënë dhe si “shoqe e afërt”, e pretenduar e saj? I gjithë ky rivalitet i heshtur mes dy shoqeve partiake më të larta të Bllokut ndodhte ndërkohë që Mehmeti ende nuk e pati bërë gabimin fatal të fejesës së djalit.

Sikur të mos mjaftonte episodi i mësipërm, në fillimin e vitit 1981 ndodhi një tjetër ngjarje e papritur, të cilën është vështirë ta gjykosh tani retrospektivisht, nëse ishte e paqëllimshme e paparamenduar apo, përkundrazi, ishte mesazh domethënës i vetësigurisë së pjesëtarëve të familjes Shehu dhe demonstrim publik i fuqisë pushtetore vendimmarrëse të tyre ndaj pjesëtarëve të familjes Hoxha, pavarësisht se Enver Hoxha ishte ende gjallë. Protagonist i këtij episodi u bë Vladimir Shehu, djali i madh i Mehmetit.

Ai ishte inxhinier i talentuar, mjaft inteligjent, energjik dhe me sa kuptohet nga bisedat konfidenciale të tij me Spartak Ngjelën, të cilat janë bërë të njohura në librat e botuar nga ky i fundit, ishte partizan i ndryshimeve dhe kritik ndaj regjimit dhe personalisht ndaj Enverit. Vladimiri, ose Ladi, siç e thërrisnin shkurt pas mbarimit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektronike (të njëjtin pat mbaruar pak vite më vonë edhe Sokol Hoxha) shkoi vullnetarisht për të punuar dhe banuar, bashkë me të shoqen, Bardhën, në Durrës, me detyrë kryeinxhinier i uzinës së televizorëve. Atje ata, si çift, patën krijuar një rreth shoqëror aktiv, mjaft simpatik dhe ndiheshin më të lirë dhe shumë më të kënaqur jashtë ambientit të Bllokut sesa brenda tij.

Mirëpo, pa pritur, në fillimin e vitit 1981 Vladimiri zhvendoset nga Durrësi në Tiranë dhe emërohet nga ministri përkatës me detyrën e shefit apo drejtorit pikërisht të një qendre të vogël me profil elektronik në ekipin e të cilit bënte pjesë si specialist i thjeshtë edhe Sokoli. Ky, por dhe drejtuesi i tij në detyrë dhe askush tjetër nga ekipi i asaj njësie nuk ishin informuar paraprakisht për këtë ndryshim të beftë, as për arsyet dhe motivet e tij.

Me sa duket, asnjë komunikim mes djemve të dy udhëheqësve më të lartë nuk ekzistonte. Pasoja e këtij spostimi ishte që Sokoli, djali i Enverit, tash e tutje do të bëhej vartës i djalit të Mehmetit. E thënë ndryshe, hierarkia ekzistuese mes etërve të tyre me këtë akt kthehej përmbys te bijtë. Pyetjet që lindnin natyrshëm lidhur me këtë ndodhi të çuditshme ishin disa: Pse Ladi zgjodhi pikërisht këtë kohë për t’u zhvendosur në Tiranë? Mes varianteve të shumta dhe shumë më prestigjioze krejtësisht të mundshme të punësimit të tij, pse zgjodhi këtë qendër të vogël, me kushte modeste, ku do të kishte Sokolin vartës? A e kishte biseduar paraprakisht këtë lëvizje me të atin? Po ministri që e firmosi atë emërim a e kishte konsultuar dhe a kishte marrë edhe ai miratimin nga Mehmeti kryeministër?

Mister ishte edhe motivi që e kishte shtyrë Ladin për t’u zhvendosur, sepse arsyeja nuk ishte thjesht kthimi te prindërit në Bllok për favoret dhe privilegjet përkatëse. Ai dhe e shoqja, Bardha, ishin persona me sedër dhe me integritet. Edhe pse apartamentin te vila e rikonstruktuar dhe e zgjeruar e prindërve e kishin gati në dispozicion të tyre, Ladi ua kishte bërë të qartë atyre se ai me familjen e vogël të tij nuk do të banonte me ta, por në ndonjë apartament jashtë Bllokut. Mehmeti ishte mërzitur shumë për këtë refuzim, madje, në njërin nga takimet tij me Enverin, pas “fejesës së gabuar” të Skënderit në javët e para të shtatorit 1981, Enveri ka shkruar në ditarin e tij se Mehmeti i qau atij hallin, si prind, që “edhe Ladi po e braktiste, nuk donte të banonte me ta”.

Siç kuptohet, Sokoli dhe e shoqja, Liljana, në ato rrethana u habitën, u mërzitën dhe reaguan duke ia bërë të ditur atë që kishte ndodhur Enverit. Me sa është thënë në media, ai i kishte dëgjuar me vëmendje dhe vetëm kishte pyetur: “Kishte dijeni drejtori?”. Arsyeja ta thotë që me vete ai duhet të ketë pyetur: “Po kryeministri a kishte dijeni? Sidoqoftë, as Enveri dhe as Nexhmija nuk ndërhynë për ta anuluar emërimin në dukje provokativ të Ladit. Sokoli, me sugjerimin dhe mbështetjen e miqve personalë të tij dhe të Liljanës, iku nga puna ku ishte dhe zuri vendin vakant të nëndrejtorit të Posttelekomunikacionit. Më pas, kur Enveri nuk rronte më, ai me vendim të Ramiz Alisë, u emërua aty drejtor. Në këtë mënyrë përmbysja në hierarki e familjes Hoxha nga familja Shehu u evitua te bijtë.

Por kur Mehmeti dhe Fiqiretja po dëshmonin me aktet e tyre padurimin plot adrenalinë për t’u bërë të parët e vendit, fati do të ndihmonte dikë tjetër, Ramiz Alinë, që gafa e çuditshme e rivalit të tij, e miratimit të “fejesës së gabuar” të ndodhte dhe të përmbyste gjithçka në favorin e vet. Pas kësaj, edhe pse Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu ishin ende gjallë, të padënuar, Ramizi nga numri 6 në hierarki u bë numri 2. Më pranë Enverit se kurrë ndonjëherë.

Sa kohë Enver Hoxha merrte ende frymë, e bekoi atë haptazi si pasardhës të tij. Asnjë meritë, asnjë vepër të re të veçantë nuk pat bërë Ramizi, përveç sigurisë që kishte krijuar si me magji tek Enveri për besnikërinë e vazhdimësinë e përhershme të tij. Fundja nuk ke çfarë të thuash. Fati kur të do, të do. Hapi derën. Dhe pikë!

Katapultimi

Ndërkaq çudia ndodhi. Ramizi i “mesit” u ngjit në majë. Ai u bë i pari i Shqipërisë. Megjithatë, sipas skemës së pashkruar të trashëgimisë, në majë të pushtetit duhet të rrinin të dy: ai, i dukshëm, dhe Nexhmija krah tij mbështetëse, më pak e dukshme. Por një skemë e tillë qe iluzore. Ajo qe e pamundur të funksiononte.

Në diktaturë ka vetëm një diktator, një “big brother”. Ushtrimi i pushtetit në diktaturat komuniste me udhëheqje kolektive, në dualitet, triumvirat apo katërshe, patën dështuar në Bashkimin Sovjetik me duetin Brezhnev – Kosigin, në Kinë dueti Mao – Lin Biao dhe pas vdekjes së Maos me katërshen e Cian Cinit, kurse në Jugosllavi, pas vdekjes së Titos, me rotacionin e presidencës. Sistemi monist, siç e thotë vetë emri, komandohet ekskluzivisht nga një person. Timonieri është një dhe i vetëm. Të tjerët janë ndihmës, vetëm kur dhe ashtu siç i duhen atij.

Këtë duhet ta kishin parashikuar Enveri edhe Nexhmija. “Numri 1 është numri 1”, pati thënë Ramiz Alia në një intervistë, duke qartësuar rolin vendimtar, për mirë apo për keq, të Enverit para tij. Por dhe njëkohësisht për të lënë të kuptohej që numrat e tjerë që vinin pas njëshit ishin vetëm zero. Pra, me këtë logjikë, Nexhmija qe zeroja e parë në radhë pas tij si njëshi i kohës.

Meqë tashmë pushtetari i parë, numri një absolut i Shqipërisë, ishte Ramizi vetë, njerëzit patën atëherë shpresa për ndryshim rrënjësor. Kjo kishte ndodhur në të gjithë rastet në vendet e tjera ish-komuniste. Ramizi dukej njeriu i duhur për kohën e re. Ai kishte qenë gjithë jetën shumë pranë Enverit, nën sqetullën e tij.

Pas zhdukjes nga skena politike e dy konkurrentëve të mëdhenj, Mehmetit dhe Hysniut, si pasardhës të Enverit, Ramizi konsiderohej, si i thonë francezët, “le meilleur second” (më i miri ndër të dytët). Fati i erdhi në dorë dhe mund t’i vinte në provë ëndrrat, planet dhe veten. A do të ndodhte ndryshimi? A do të vendoste për të? Cilido që e ka njohur atë lloj regjimi e di se numri një i shtetit ishte absolut e i pandalshëm në bërjen e gjërave, gjithçkaje që mund të dëshironte.

Njerëzit prisnin që ai të bënte rolin e njëshit: të donte, të thoshte, të vendoste, e të urdhëronte gjithçka duheshin bërë në të mirë të vendit. Mirëpo ndryshimi i pritshëm nuk po ndodhte. Përkundrazi, u shpall ajo që nuk pritej: “vazhdimësia”. Madje e kodifikuar kjo si linjë e tij e re në Kongresin IX pas Enverit. Vazhdimësia e Enverit pa një Enver të ri! Sepse ai, për “modesti”, tha se “nuk arrinte dot të bëhej si ai”. Qëndrimi aq gjatë pranë Enverit dukej që e kishte flashkëzuar Ramizin shpirtërisht dhe mendërisht. Si do e vazhdonte ai enverizmin pa Enver?

Njerëzit panë njëri-tjetrin të habitur. Ajo që prisnin të ndodhte atë kohë qe krejt tjetër. Prisnin që epoka e Enverit të mbyllej, pa kthim, me të gjitha ato që tashmë dihen dhe të shihej përpara. Prisnin të hapej një faqe e re, të vihej në punë një sistem i ri, njerëz të rinj! Ramizi vetë ishte i vjetër sa vetë komunizmi në Shqipëri. I vjetër sa megafoni i tij. Përveçse e pamundur të na udhëhiqte dikush që nga varri, vazhdimësia binte ndesh edhe me ligjin e dialektikës, të mohimit, të cilat Ramizi vetë i kishte predikuar aq shumë përmes ideologjisë marksiste të tij. Ato ligje detyronin jo status quo, as vazhdimësi mekanike të së shkuarës, por progres dinamik të pandërprerë drejt së ardhmes së re. Vetvetiu u hamendësua se vazhdimësia do të udhëhiqej nga Nexhmija, e cila besohej se ishte më e fortë sesa ai.

Premtimin për vazhdimësinë Ramizi e justifikoi me “besën” ndaj Enverit, Partisë, marksizmit etj. Por, në mënyrë mjegullore, nën zë dhe nëpërmjet “gazetës gojore” u përhap një monolog i ri i tij: “Unë jam njëshi, por nuk jam ‘Ai’. ‘Ai është Ajo’”. Ramizi vërtet që nuk ishte Enver. Ai madje as u përpoq të bëhej si ai. Ndoshta sepse nuk bëhej dot, por në radhë të parë sepse nuk donte të bëhej. Ai e pat adhuruar Enverin dhe e pat ndjekur atë me zell tërë jetën, por nuk ia pat pëlqyer rigiditetin dhe ashpërsinë, edhe pse qenë të ambalazhuara me parime.

Ai nuk donte ta kopjonte. Prandaj nuk u bë “vazhdues” besnik i Enverit. As “pasardhës” aktiv si ai. Aq më pak “zëvendësuesi”. Ai do të ishte thjesht “pasardhësi” kronologjik, të cilit do i duhej të vepronte në një kohë dhe kontekst gjeopolitik dhe bashkëkohor tjetër. Prandaj i duhej të krijonte një stil udhëheqës origjinal, që të mbetej si gjurmë e tij në histori.

Hapi i parë mund të ishte distancimi i tij nga partia dhe ideologjia dhe fokusimi te shteti e qeverisja. Në kuadrin e kësaj paradigme, në verën e vitit 1985, Ramizi i bëri Nexhmijes një propozim sa të pritshëm, aq dhe të befasishëm. Propozimi iu bë në konfidencialitet.

Ai i propozoi asaj postin e sekretares ideologjike të KQ të Partisë, pra numri dy i partisë. Ndërkohë që Sekretar i Parë i Komitetit Qendror dhe pushtetari Nr. 1 ishte vetë ai. Pra, të bëhej vartëse e tij. A ishte ky propozim personal i vetë Ramizit, falë konsideratave dhe mirënjohjes së tij ndaj Nexhmijes? Apo ai doli nga një forum vendimmarrës partie, si sekretariati apo Byroja Politike, në kuadrin e ristrukturimit të Partisë pas humbjes së Enverit dhe Ramizi thjesht ia komunikoi asaj atë?

Sido që të ketë qenë ideja, ajo më së pari ka lindur në kokën e Ramizit. Askush tjetër veç numrit një nuk do të guxonte të mendonte dhe aq më pak të shprehte një propozim të tillë. Synimi i propozimit qe i dyfishtë, një thikë me dy presa: në aparencë dukej si ngritje në përgjegjësi e Nexhmijes në një funksion më të lartë partie, gjë që ajo nuk e gëzoi kurrë në kohën e Enverit.

Në këtë vështrim, propozimi tingëllonte si gjest mirënjohjeje e shpërblimi ndaj saj për promovimin e mbështetjen e kandidaturës së tij tek Enveri. Nga ana tjetër, ishte larje duarsh e tij me partinë e Enverit, tashmë tejet e konsumuar dhe faturim i gjithë trashëgimisë së saj personalisht Nexhmijes. Partia ishte e Enverit, Ramizi po ia linte të shoqes së tij, Nexhmijes.

Ajo le të merrej tash e tutje me Partinë. Me llafollogji. Ai do të merrej me pushtetin. Ndërkohë, me anë të këtij posti përligjej edhe vazhdimi i trajtimit të diferencuar të familjes Hoxha në Bllok, për furnizimin me ushqime, kujdes shëndetësor etj., të cilat i kishin përfituar deri tani familjarisht për hir të Enverit, por që nuk justifikohej nga posti zyrtar i drejtores së Institutit të Studimeve Marksiste që mbante Nexhmija.

Ky propozim e gjeti krejt të papërgatitur Nexhmijen. Ajo, e njohur për natyrën hezituese, u këshillua si rrallë herë me fëmijët e saj. Ishim në plazh në Durrës, në zonën e Bllokut, në një shëtitje të mbrëmjes, kur njëri nga djemtë e saj, bashkë me të shoqen, me të cilët asokohe kisha marrëdhënie shoqërore shumë të ngushta, më përmendën propozimin në fjalë dhe hezitimin e Nexhmijes. Siç më thanë atëherë ata, Nexhmija druhej se nuk e bënte dot atë detyrë.

Mua më habiti befasia dhe hutimi me të cilin e kishte pritur Nexhmija këtë propozim. A thua ajo nuk paskej shpresuar e pritur asnjë post më të lartë për vete prej Ramizit? Apo ndoshta ky post që i propozohej ishte më pak e më i ulët nga çfarë ajo pretendonte? Apo, përkundrazi, i dukej tepër i lartë dhe i vështirë për t’u përballuar? Shumë njerëz prisnin atëherë që ajo të promovohej si anëtare e Byrosë Politike, ku i shoqi nuk e kishte futur jo për mungesë meritash, por për të mos pasur dy persona nga e njëjta familje. Tani që Enveri nuk ishte më dukej sikur vendi për të qe hapur natyrshëm.

Kjo përshtypje u krijua, ose u përfol edhe kur vdiq Hysni Kapo. E shoqja, Vitoja, besohej se po priste nga dita në ditë të zinte në mënyrë të përligjur vendin që i shoqi kishte pasur në Byro. Edhe asaj, meritat politike nuk i mungonin për një post të tillë. Por as me njërën as me tjetrën kjo nuk ndodhi. Dhe ja, tani Nexhmija hezitonte e përpëlitej nëse duhet ta pranonte apo ta refuzonte postin e Sekretares së Komitetit Qendror të Partisë …

Unë nuk guxova të jepja ndonjë mendim, por me vete e ndieja që ajo bënte mirë që hezitonte. Ajo e njihte veten më mirë se të tjerët. Nexhmija ishte e ndërgjegjshme që nuk e njihte Partinë në thellësi, nuk njihte kuadrot drejtuese në degëzimet dhe rrjetin e saj në tërë territorin e vendit. Ajo nuk dinte “kush ishte kush”? As dinte kushtet dhe pengesat në veprimtarinë e tyre. As çfarë bënin dhe çfarë ndodhte me ta në bazë. Nuk e njihte jetën e as problematikën e tyre dhe kishte kohë që ish shkëputur nga praktika dhe përballimi e zgjidhja e problemeve konkrete dhe jetësore të popullit. Ajo ishte tani një vejushë e dëshpëruar, pa energjinë dhe entuziazmin e dikurshëm, aq i nevojshëm për ta vitalizuar partinë. Partia kishte vite që po vyshkej dhe tani, në mungesën e Enverit, thuajse po shkonte drejt tharjes.

Nga ana tjetër, dihej që njerëzit e njihnin dhe e nderonin atë në radhë të parë si gruan e Enverit, e jo si udhëheqëse e lartë partie, jo si lidere. Duke ndenjur, me ndërgjegje, vullnetarisht për një kohë shumë të gjatë në hije, për të mos konkurruar e cenuar shkëlqimin e të shoqit, ajo pa e kuptuar e kishte zbehur imazhin e saj publik. Si përfundim, Nexhmija nuk e pranoi postin e ofruar. Nuk di nëse kjo e gëzoi apo e mërziti Ramizin. As nëse kjo i përputhej apo ia prishte planet por, sidoqoftë, ai kishte gojë tani të thoshte se i lau borxhet me të.

Fill pas atij episodi, Ramizi do t’i dhuronte asaj një post tjetër, atë të Kryetares së Frontit Demokratik. Në dukje ai post ishte honorifik, pa peshë në politikën dhe vendimmarrjet shtetërore. Por ishte post i vlefshëm për t’u klasifikuar zyrtarisht si pjesë e nomenklaturës së lartë, çka do të justifikonte vazhdimin e përfitimit të privilegjeve, përfshirë kujdesin shëndetësor të saj e të familjes. Në thelb, ishte “dhuratë” si ato të grekëve. Sepse nënkryetar do të kishte Ismail Kadarenë. Ramizi i kishte dhënë Nexhmijes karrigen e një posti jo vendimmarrës, madje edhe me Ismailin si “minë me sahat” përkrah.

Nuk mund të thuhet me siguri nëse ai ishte zgjedhur aty për ta ndihmuar Nexhmijen apo për ta dërrmuar e “hedhur në erë” atë. Këtë herë Nexhmija e pranoi postin, ndoshta dhe për një arsye simbolike e sentimentale. Aty ajo do të zëvendësonte të shoqin, Enverin, që kish qenë fillimisht Kryetar i Frontit Demokratik.

Në rrethanat e reja të sapokrijuara, ajo më bëri edhe mua një surprizë. Në kongresin e parë të Frontit Demokratik, të cilin e drejtoi ajo si kryetare, gjatë seancës për zgjedhjet e organeve të reja drejtuese të asaj organizaten në listën e anëtarëve të këshillit të ri, që u propozua të votohej, u shqiptua edhe emri im.

Unë ndodhesha atë kohë prapa skenës, nuk isha i ulur në sallë, sepse nuk isha delegat dhe kur e dëgjova emrin tim natyrisht u habita. Ajo nuk më kish thënë asgjë paraprakisht, edhe pse e pata takuar si mjek ato ditë. Nuk e di as sot psenë, e bëri për korrektesë procedurale, për arsye sekreti e konfidencialiteti, meqë ende nuk isha zgjedhur, apo e mbajti qëllimisht të fshehtë për të ma bërë surprizë?

Më e besueshme ishte e para. Ajo nuk bënte dot kapërcime, sepse asnjë herë nuk kish kaluar nga formaliteti në familjaritet. Sidoqoftë, pata një ndjenjë të ngrohtë kënaqësie. Dhe e falënderova. Unë nuk kisha asnjë njohuri, as përvojë, as ndonjë meritë për të qenë anëtar i atij këshilli, por propozimin për anëtarësimin tim e vlerësova si gjest mirënjohjeje nga ana e saj për kujdesin që i kisha ofruar Enverit dhe familjes së tyre për shumë vite me radhë. Në kontaktet më pas, kuptova që edhe për atë post të ri të saj, edhe pse nuk kish ndonjë peshë vendimore, ajo ndiente pasiguri.

Fronti Demokratik ishte një organizatë fantazmë për nga potenciali i aksionit politik dhe ekonomik. Ishte më tepër ambalazh i pseudounitetit të popullit me dhe pa parti, nën një strehë të përbashkët. Në radhë të parë, ai qe instrument elektoral, por jo forcë elektorale, sepse nuk kishte asnjë platformë origjinale të vetën. Ishte grumbull parullash e sloganesh. Ideologjia e tij qe e Partisë. Dhe drejtimi real i tij ishte krejt partiak.

Në përbërjen e Kryesisë së Frontit, me sa më kujtohet, përveç Ismailit si nënkryetar dhe Leka Shkurtit si sekretar, ishin anëtarë edhe ministrja Themije Thomai, kompozitori Tish Daija, juristi Aleks Luarasi etj. Në mbledhjet e kryesisë ndihej që Nexhmija ishte e tensionuar me Ismailin në krah, gjithmonë të ngrysur dhe sfidues, jo agresiv, por që provokonte pyetje e debate turbulluese.

Tashmë, pa aureolën e Enverit, me opinionin që qarkullonte heshturazi, si jo shumë e përfillur nga Ramizi, madje edhe si gjoja penguesja e ndryshimeve, Nexhmija dukej si e pambrojtur dhe e kompleksuar. E gjitha kjo qe një përvojë e re ankthi për të. Ajo ish mësuar të drejtonte në Institutin e Studimeve, ku zakonisht i bindeshin dhe i kryenin detyrat e tyre pa komente dhe pa hezitim. Në atmosferën e re të kryesisë asaj i duhej të mësonte drejtimin kolegjial, të dëgjonte pa i ndërprerë mendimet “ndryshe”, ndonjëherë edhe provokuese, të merrte kthesat me takt dhe të ndiqte, qoftë edhe kundër dëshirës së saj, me dhembje, por pa kundërvënie, trendin e ri që po i imponohej.

Në këtë kontekst, me kujdes, për të mos e lënduar atë si person, por në solidaritet me frymën e re, diskutova disa herë në ato mbledhje. Ajo nuk ma mori për keq. Madje më thirri një pasdite në shtëpi, këtë herë jo si mjek, në sallonin e pritjes dhe më kërkoi miqësisht t’i shprehja mendime se si i shikoja unë zhvillimet. Pata një moment vlerësimi ndryshe për të, grua relativisht e moshuar, që po përjetonte një periudhë hutimi e mospërshtatjeje me botën dhe njerëzit që e rrethonin.

E trullosur për çka po ndodhte, ajo tani po kuptonte e befasuar se i kishte humbur shumë nga besnikët dhe miqtë, ose nuk kishte më besimin e dikurshëm për disa nga ata që i kish konsideruar të tillë. Kishte një lloj ndjesie zhgënjimi. E mundonte pasiguria e orientimit.

Unë i fola disi me nëntekst, por me sinqeritet, qetësisht dhe me dashamirësi. Ia kuptoja zhgënjimet dhe dhembjet, por ajo realisht nuk kishte më fuqinë, as muskujt e duhur për t’iu kundërvënë rrymës. Ishte e qartë që posti ku e kishte vënë Ramizi nuk ishte vend për militantizëm apo ringjallje ideologjike e shpirtërore. Ai ishte azil ose pensionat politik.

Duke e vënë Nexhmijen në krye të kësaj strukture pa pushtet e tashmë të vjetruar, Ramizi dukej se po lante duart me mykun e së kaluarës dhe me idenë irrealiste të unitetit të popullit me Partinë. Kishte ardhur çasti i përshtatshëm për të, që të shkëputej prej tyre. Madje edhe prej vetë Nexhmijes. Posti i ri e shndërroi Nexhmijen në një relikt dhe instrument politik të konsumuar. Ramizi atë nuk e kishte flakur, por e vendosi në një raft, të ekspozuar, si sendet dekorative në vitrina. Aty, pa asnjë mbrojtje, ajo mund të shtyhej a të goditej lehtësisht prej cilitdo. Për ta rrëzuar. E për ta thyer shpirtërisht. /Gazeta Liberale

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY