“Rikthehet dhuna ndaj bizneseve”, Tabaku: Arka e buxhetit po boshatiset

“Rikthehet dhuna ndaj bizneseve”, Tabaku: Arka e buxhetit po boshatiset

112
0
Shares

Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku, i cilëson financat si dështimin më të madh të qeverisë së Edi Ramës. Tabaku shkruan se sa herë kjo qeveri është në vështirësi rikthen dhunën ndaj bizneseve.

Referuar aksionit kundër informalitetit të nisur ditët e fundit, ish-deputetja e PD thekson se qeveria po ushtron politikën e kërbaçit ndaj bizneseve, duke shtuar se situata e buxhetit është skandaloze.

Ndër të tjera, Tabaku parashtron disa nga pikat kyçe të platformës së PD për ekonominë, duke u shprehur se ka ardhur koha t’i jepet fundi i merituar atyre që e trajtojnë si plaçkë biznesin.

Mesazhi i Tabakut:

Financat, dështimi më i madh i kësaj qeverie!

Sa herë janë në vështirësi rikthejnë dhunën ndaj bizneseve

Njësoj si dy vjet më parë, qeveria ka nisur të ushtrojë politikën e kërbaçit ndaj bizneseve. Situata e buxhetit të shtetit është skandaloze jo sepse bizneset janë informale por sepse qeveria punon për oligarkët.

Deri më tani mungojnë në të ardhurat e ketij viti 60 mln euro ku kryesorja është e ardhura nga TVSH. Të dhënat nga Financat tregojnë se kemi rënie të mbledhjes së TVSH-së ku ka një rënie me 6.3 mld lekë. Kjo tregon jo vetëm krizën e bizneseve por edhe krizën e konsumit të qytetarëve dhe varfërimin e përditshëm të tyre!

Taksa Nacionale, që përfshin edhe taksën e qarkullimit që paguhet mbi naftën më të shtrenjtë në rajon, ka një rënie prej thuajse 2 mld lekësh në raport me planin. Në total të ardhurat nga doganat dhe tatimet janë mbledhur 4.4 mld lekë më pak se sa parashikimi i qeverisë në këto 6 muaj.

Pra është e qartë që kërbaçi i qeverisë vjen si pasojë e arkës së boshatisur të qeverisë. Një gjendje e rrënuar ekonomike dhe ankthi i një ekonomie që komandohet jo nga oferta dhe kërkesa por nga nevojat e oligarkisë dhe vendimet abuzive të qeverisë. Shqip, fajin e ka qeveria.

Në 6 vjet qeveria ka rritur taksat kumulativisht me 2 mld euro, duke aplikuar një barrë të rëndë ndaj bizneseve dhe qytetarëve. Sa herë taksat rriteshin aq më pak ishte mbledhja e taksave dhe tatimeve ndërsa buxheti boshatisej. Si rezultat deri më sot janë mbyllur mbi 50 biznese në ditë, një pjesë tjetër kanë nisur të punojnë në mënyrë informale. Qytetarët po konsumojnë gjithnjë e më pak dhe po shpenzojnë gjithnjë e më shumë, produktet janë shtrenjtuar dhe në fund të ditës xhepi i qytetarëve paguan kostot dhe taksat.

Me gjithë taksat e rritura buxhetit të shtetit i mungojnë në gjashtë vite rreth 740 mln euro nga ku rreth 600 mln euro i mungojnë buxhetit të shtetit vetëm në zërin e Taksave dhe Tatimeve. Kështu qeveria ka vendosur që të gjejë “fajtorët”, duke ia kaluar përgjegjësinë atyre që nuk kanë faj; pra bizneseve. Natyrisht edhe tek bizneset disa janë të oligarkëve (që nuk sulmohen) dhe pjesa tjetër. Janë këto të fundit që sot po goditen nga qeveria dhe organet e tatimeve dhe doganave nën presupozimin e Kuponit Tatimor.

Në pak fjalë qeverisë i mungojnë 37% e taksave të rritura në këto gjashtë vjet ndërsa shumica e bizneseve dhe investitorëve në vend ankohen për taksat e larta, kërbaçin e një qeverie që mban anën e të fortit dhe oligarkut, një ekonomi gjithnjë e më pak e lirë, korrupsioni galobpant dhe i kthyer në mënyrë jetese. Të gjitha këto janë shkaqe që kanë krijuar një ambjent të pajetueshëm jo vetëm për bizneset por edhe për qytetarët që marrin arratinë!

Një tjetër arsye e kërbaçit qeveritar lidhet me “edukimin” që qeveria do t’i japë bizneseve që nuk zbatuan urdhërin për të dalë në votime. Siç është provuar botërisht, qeveria i detyroi shumë biznese që të dilnin me votime me mënyra të ndryshme. Sot që farsa elektorale përfundoi qeveria ka nisur gjuetinë post-elektorale për kurbanët në biznes!

Partia Demokratike ka një tjetër vizion për biznesin dhe ekonominë në vend. Jo vetëm që beteja jonë do të nisë kundër oligarkisë dhe kontratave abuzive PPP që shpërndahen si të jenë certifikata nga qeveria. Ne do të ndërmarrim nismën e uljes së taksave për bizneset dhe për të përmisuar klimën e biznesit në vend. Taksa 9% mbi të ardhurat dhe tatim fitimin si dhe shmangia e patrullave gjobvënëse, taksë 0 për biznesin e vogël. Një paketë e plotë incentivash fiskale në shërbim të biznesit dhe investitorëve.

Ka ardhur koha t’i japim fundin e merituar atyre që biznesin e trajtojnë si plaçkë lufte, që korrupsionin e konsiderojnë si rrogë të përditshme dhe që shtetiin e mendojnë si një masë presioni. Programi i Partisë Demokratike është mundësia për të rikthyer normalitetin në ekonomi dhe qasjen pro-biznes.

PD ka një vizion pro-biznes. Taksa të ulëta, largim të gjobaxhinjve me veshje shtetërore dhe incentiva pro biznes. Beteja jonë është per një ekonomi tregu dhe luftë të pakompromistë ndaj oligarkëve dhe monopoleve. Pa i dhënë frymë e hapësirë biznesit nuk mund të kemi një ekonomi të zhvilluar dhe shërbime e produkte cilësore! Taksa 9 % do të ketë si mision primar lehtësimin e biznesit, pulla fiskale do largojë tatimoret nga dyert e bizneseve dhe do të luftojë informalitetin! Mbi të gjitha mundësia për punësim do të rikthehet në Shqipëri. Mjaft me propagandën e shifrave të rreme që përhap qeveria!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY