Paketa antishpifje, flasin përfaqësues të mediave: Problemi më i madh është propaganda...

Paketa antishpifje, flasin përfaqësues të mediave: Problemi më i madh është propaganda që përhap qeveria…

83
0
Shares

Qarqet mediatike shqiptare shprehën sot shqetësimin e tyre mbi miratimin pa transparencë nga qeveria të një grupi ndryshimesh ligjore të mbiquajtura prej saj si paketa anti-shpifje.

Qeveria tha se e ndërmori këtë hap për të shmangur lajmet e rreme, duke sjellë rregullime në ligjet për shërbimet e medias, si dhe publikimeve elektronike.

Ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se kohët e fundit shoqëria shqiptare është shqetësuar nga përhapja e lajmeve të pavërteta, që cënojnë jetën dhe dinjitetin e familjarëve.

“Platformat online nuk janë transparente dhe as të regjistruara, ndaj ligjet po rishikohen për të shmangur keqinformimin dhe lajmet e rreme” – tha zonja Gjonaj.

Qeveria tha se me paketën anti-shpifje, ajo po ndërhyn në ligjin për mediat audio-vizive, për komunikimet elektronike dhe për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe në një vendim për mbrojtjen e fëmijëve.

Sipas saj, ndërhyrja parashikon masa të shpejta mbi ankesat për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve që ankohen për lajme të rreme dhe krijimin e një regjistri me këto media online si persona të tatueshëm.

Por Besar Likmeta, një përfaqësues i Rrjetit Ballkanik të Gazetarëve investigativë BIRN, thotë se Shqipëria nuk ka problem masiv lajmet e rreme nga mediat.

Problemi ynë më i madh janë lajmet e rreme dhe propaganda që përhap qeveria, e cila kopjon ligje nga vende me tendenca autokratike si Rusia” – tha zoti Likmeta.

Qeveria thotë se regjistrimi i portaleve i shërben transparencës, shmangies së konfliktit të interesit, ndikimit të papërshtatshëm të politikanëve, pavarësisë së gazetarëve dhe pluralizmit të medias.

Por përfaqësuesi i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, thotë se amendamentet e treguara në dhjetor u përshkruan nga organizatat ndërkombëtare si antidemokratikedhe nuk dihet nëse qeveria ka rimarrë dhe ka miratuar dje po ato.

“Fakti që nuk konsultohet me mediat dhe përfaqësues të medias, tregon se qëllimi i qeverisë është që t’u mbyllë gojën mediave online, ndërkohë që amendamentet e reja shtrënguese nuk prekin median online personale të vet kryeministrit” – tha zoti Cukali.

Ndërsa gazetari Gjergj Erebara, i cili ka studiuar dhe raportuar më së shumti për këtë nismë të qeverisë, thotë se situata e mediave është shqetësuese dhe joserioze.

Kjo është një paketë absurde e një qeverie që ka humbur çdo kontakt me realitetin, derisa ligjet që ajo që po miraton ndaj mediave nuk ekzistojnë në asnjë vend europian, por vetëm në Rusi dhe Bjellorusi” – tha zoti Erebara.

Qeveria i miratoi këto amendamente ligjore pak ditë pasi përcolli një mision prej 7 organizatash ndërkombëtare të lirisë së medias, të cilat raportuan për një përkeqësim të gjendjes dhe lirive të mediave shqiptare.

Në raportin e tyre ato i quajtën masat e reja për regjistrim të detyruar të medias në internet dhe krijimin e një organi për të gjobitur dhe mbyllur median online e atë të huaj pa një urdhër gjykate, si hapa që bien në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare mbi vetë-rregullimin dhe mund të kenë ndikim të dëmshëm mbi lirinë e shprehjes e të informimit dhe lirinë e shtypit në Shqipëri.

Në takimin tonë me kryeministrin, ai na informoi se një version i ri i përditësuar i projektit tëamendamenteve do të bëhet publik së shpejti pas kritikave ndërkombëtare. Ai deklaroi se në draftin e ardhshëm mundësia për mbyllje do të eliminohet dhe gjobat do të jenë shumë më të ulëta se sa ishin në projektin fillestar. Ne i mirëpresim këto ndryshime dhe rikujtojmë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që thonë se “shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrim të detyruar të medias online si parakusht për punën e tyre për shkak se kjo mund të ketë efekt shumë negativ mbi lirinë e medias” – thuhet në raportin e 7 organizatave.

Sipas tyre, qeveria duhet të sigurohet që ky legjislacion të jetë tërësisht në përputhje me praktikat më të mira të OSBE-së, Këshillit të Europës dhe praktikat më të mira të BE-së.

“Ne jemi të shqetësuar mbi mungesën në vijimësi të transparencës në lidhje me konsultimet mbi projektligjin, i cili u prezantua përgjatë pushimeve të Krishtlindjeve dhe iu dha një periudhë ekstremisht e shkurtër konsultimi. Ne inkurajomë qeverinë e Shqipërisë të sigurojë që të ndërmerret një proces kuptimplotë konsultimi me gazetarët dhe shoqërinë civile me draftin tjetër të amendimeve” – deklaruan së bashku.

Organizatat që vizituan Shqipërinë në një mision të përbashkët janë Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit (ECPMF), Artikulli 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Organizata e Medias në Europën Juglindore (SEEMO)./ Burimi: VOA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY