Paketa antishpifje/ “BIRN”: Qeveria rikthen projektligjet drakoniake kundër medias

Paketa antishpifje/ “BIRN”: Qeveria rikthen projektligjet drakoniake kundër medias

97
0
Shares

Qeveria shqiptare bëri të ditur se ka miratuar dhe ka bërë gati për të dërguar në parlament të shumëdebatuarën “paketë antishpifje”, por përmbajtja e paketës dhe nëse ajo ndryshon apo jo nga draftet e shumëkritikuara të prezantuara dhjetorin e kaluar, nuk është e mundur të dihet për shkak se kryeministria duket se ka vendosur të mbajë sekret projektligjet e miratuara.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi në portalin e kryeministrit në Facebook ERTV se paketa “synon rregullimin në disa ligje kryesore në medias në përgjithësi dhe medias në përgjithësi dhe publikimeve elektronike në veçanti,” si dhe se mediat në internet do të duhet të regjistrohen në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike e Postare si dhe do të mbikëqyren nga Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA).

Deri mesditën e së enjtes, në faqen e Këshillit të Ministrave në internet projektligjet e grupuara në togfjalëshin “paketa antishpifje” nuk janë publikuar, duke e bërë të pamundur të kuptohet nëse variantet e miratuara janë njësoj apo janë të ndryshme nga ato të prezatuara dhjetorin e kaluar.
Por nga çfarë Gjonaj deklaroi në Facebook, paketa nuk ka ndryshuar dhe as nuk ka reflektuar shqetësimet e ngritura nga organizatat e të drejtave të njeriut.

Sipas Gjonajt: “Këto ndërhyrje sigurojnë ​procedura të shpejta administrative mbi trajtimin e ankesave për programet e publikuara nga Ofruesit e Shërbimit të Publikimeve Elektronike; reagim të shpejtë të institucioneve publike në rast të konstatimit të cenimit të të drejtave të individëve, duke parashikuar një procedurë të qartë me hapa konkretë për trajtimin e ankesave; krijimin e një regjistri që administrohet nga AKEP ku regjistrohen Ofruesit e Shërbimit të Publikimeve Elektronike, të pajisur me numër të regjistrimit të personit të tatueshëm, ose të regjistruar në regjistrat tregtarë. Po ashtu ofruesit e shërbimeve mediatike do të monitorohen nga AMA”.

Projektligjet u prezantuan fillimisht dhjetorin e kaluar dhe u kritikuan si antikushtetuese dhe dhunuese të lirisë së shprehjes.
Në vençanti, krijimi i një sistemi regjistrimi specifik për mediat u kritikua si një formë licencimi për të drejtën e fjalës ndërsa krijimi i një sistemi policimi nga ana e Autoritetit të Medias Audiovizive u kritikua si një insititucion censure.

Në dhjetor, shtatë organizata ndërkombëtare të lirisë së medias i kërkuan qeverisë të tërheqë projektligjet, duke i konsideruar ato të paprecedent në kontinentin Europian.

“Organizatat besojnë se të dy projektligjet, në formë dhe në frymë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Të Drejtën Europiane. Ato përbëjnë kufizim krejtësisht të panevojshëm të lirisë së shprehjes e lirisë së medias dhe përmbajnë rrezikun e krijimit të një regjimi policor mbi median në internet,” shkruhet në letrën e firmosur nga Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Europiane për Liri të Medias dhe të Shtypit, PEN International dhe Reporterët pa Kufi.

Në janar shtatë organizata shqiptare Shtatë organizata që veprojnë në fushën e medias apo në mbrojtje të të drejtave të njeriut dolën të premten me një deklaratë të përbashkët, ku i përsëritën kryeministrit Edi Rama thirrjen për tërheqjen e dy projektligjeve për median online.

Deklarata e përbashkët e BIRN Albania, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, AIS/Open Data Albania, Civil Rights Defenders, Këshilli Shqiptar i Medias dhe Qendra Shqiptare MediaLook thekson se projektligjet cënojnë demokracinë në vend dhe lirinë e medias.
“Këto dy projektligje rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend jodemokratik, cënojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe nuk zgjidhin asnjë nga problematikat ekzistuese të medias, përfshirë gjuhën e urrejtjes, shpifjen, propagandën apo dizinformimin,” vërejtën organizatat firmëtare.

Ndonëse qeveria i prezantoi projektligjet si të frymëzuara nga “ligji kroat”, një verifikim nga BIRN zbuloi se asnjë lloj sistemi i tillë nuk ekziston në Kroaci.
Projektligjet supozohet se do të shkojnë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë ku mund të votohen shtatorin e ardhshëm.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY