“Pse morëm pjesë në zgjedhjet e 30-Qershorit”, Astrit Patozi thyen heshtjen: Do...

“Pse morëm pjesë në zgjedhjet e 30-Qershorit”, Astrit Patozi thyen heshtjen: Do i ankimojmë…

183
0
Shares

Pas disa ditësh nga zgjedhjet e 30  Qershorit, ka ardhur një reagim nga Bindja Demokratike, e kësisoj nga kreu i saj, Astrit Patozi.

Edhe pse qendroi 4 ditë në heshtje, Patozi ka vendosur ti ankimojë këto zgjedhje, sepse mendon se ato u drejtuan dhe administruan keq vetëm nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste.

“Ky ankimim mbështetet edhe nga të dhëna të besueshme që na sjellin përfaqësuesit dhe vëzhguesit tanë nga disa bashki të vendit, ku shkeljet kanë qenë më flagrante… Ky kontestim nuk ka lidhje me rezultatin e BINDJES DEMOKRATIKE, i cili mund të konsiderohet i mirë për kushtet dhe trysninë e jashtëzakonshme, që ushtruan palët mbi të gjithë procesin, por është një shërbim që kryhet për të nxjerrë dhe zbardhur të vërtetën e 30 qershorit”, shkruan Patozi në rrjetet sociale përkrah kërkesës që i ka dërguar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Sipas tij,  e vetmja fitore nga zgjedhjet e 30 Qershorit ishte që ditën e votimit shqiptarët nuk u përplasën me njëri-tjetrin, ashtu siç kishin paralajmëruar sipas tij disa koka të nxehta udhëheqësish politikë.

Në deklaraten e tij, ai ka shpalosur dhe problemetikat e hasura sipas tij në këto zgjedhje, si dhe arsyet se përse partia që ai drejton mori pjesë në to.

Deklarata e plotë:

BINDJA DEMOKRATIKE DO T’I ANKIMOJË ZGJEDHJET E 30 QERSHORIT

E vetmja fitore e zgjedhjeve të 30 qershorit ishte që ditën e votimit shqiptarët nuk u përplasën me njëri-tjetrin, ashtu siç kishin paralajmëruar disa koka të nxehta udhëheqësish politikë. Ato ishin zgjedhje të këqija dhe të cunguara, ndaj nuk është rastësi që, pas përfundimit të tyre, zgjidhja e krizës nuk shikohet fare në horizont. Tani që është numëruar edhe vota e fundit, duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar mes palëve të vjetra ndërluftuese, të cilat ishin gati për ta çuar vendin në konflikt civil vetëm që të ruanin objektivat e tyre partiake.

BINDJA DEMOKRATIKE mori pjesë në to, e vetëdijshme se po hynte në një proces të vështirë dhe të paragjykuar, ku kishte pak ose aspak shanse që të votohej dhe numurohej normalisht. Por edhe pse tani është provuar qartë se këto ishin zgjedhje problematike, ne jemi sërish të bindur se kemi marrë vendimin e duhur për të garuar më 30 qershor. Madje do të kishim bërë të njejtën gjë, edhe sikur ta dinim që në fillim se zgjedhjet do të ishin edhe më të këqija se kaq. Sepse mendojmë që ato janë i vetmi instrument për të ndryshuar qeverisjen në një vend demokratik, sa kohë që nuk është shpikur ende ndonjë mënyrë tjetër.

Zgjedhjet e 30 qershorit u cënuan kryesisht nga bojkoti i partive kryesore të opozitës, por edhe nga menaxhimi i keq i njërës palë, të cilës i ngeli në dorë e gjithë tepsia e administrimit të tyre dhe ajo bëri çfarë deshi me të. Ndaj BINDJA DEMOKRATIKE ishte, jo vetëm pjesëmarrëse në këto zgjedhje, por edhe dëshmitare e deformimit të tyre. 
Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në të gjitha nivelet e trajtuan si ferrë nëpër këmbë BINDJEN DEMOKRATIKE, që nga dita e parë e fushatës, e deri sa u numurua vota e fundit. Ne nuk patëm mundësi të konkurronim në 61 bashkitë e vendit me këshilltarë, pasi në 20 prej tyre listat tona u rrëzuan arbitrarisht nga KQZ-JA dhe KZAZ-të socialiste me pretendimin aspak ligjor se duhet të ishin me numrin e plotë të këshilltarëve. Kjo do të thotë se në një të tretën e territorit, Partia Socialiste na e mori në tavolinë rezultatin, duke mos na lejuar të hynim në garë fare.

Por aspekti më i rëndë i këtyre zgjedhjeve ishte mospranimi nga ana e tyre që ne të kishim një sy në administrimin e zgjedhjeve, në kushtet e mungesës së Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kërkesës sonë të përsëritur për të pasur komisionerë dhe numurues në të gjitha qendrat e bashkive ku konkuronim KQZ-ja dhe KZAZ-të nuk iu përgjigjën kurrë, madje në kundërshtim flagrant me ligjin, as që denjuan ta marrin fare në shqyrtim.

Ndaj ne vendosëm t’i ankimojmë këto zgjedhje, sepse mendojmë që ato u drejtuan dhe administruan keq vetëm nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, të cilët, me sa duket, nuk hoqën dorë nga vesi i vjetër i tjetërsimit të votës, edhe në kushtet e mungesës së shumë partive opozitare më 30 qershor. 
Refuzimi i pranisë sonë nëpër komisionet e votimit dhe në tavolinat e numurimit është një argument i mjaftueshëm që ne të kemi dyshime të arsyeshme se rezultati i këtyre zgjedhjeve është trukuar nga profesionistët e vjedhjes së votës në Shqipëri. Ky ankimim mbështetet edhe nga të dhëna të besueshme që na sjellin përfaqësuesit dhe vëzhguesit tanë nga disa bashki të vendit, ku shkeljet kanë qenë më flagrante. 
Ne kemi dyshime se në shumë qendra votimi janë hedhur fletë votimi për të rritur fiktivisht numrin e mbështetësve të qeverisë, në shumë zona ka pasur haptazi votim familjar, ndërsa në tavolinat e numurimit janë ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve në favor të Partisë Socialiste ose aleatëve të saj.

Ky kontestim nuk ka lidhje me rezultatin e BINDJES DEMOKRATIKE, i cili mund të konsiderohet i mirë për kushtet dhe trysninë e jashtëzakonshme, që ushtruan palët mbi të gjithë procesin, por është një shërbim që kryhet për të nxjerrë dhe zbardhur të vërtetën e 30 qershorit. 

Shqipëria duhet të ndahet një herë e përgjithmonë nga zgjedhje të tilla të shëmtuara, që drejtohen nga militanë fanatikë partish, të cilët e prishin procesin edhe atëherë, kur nuk kanë shumë ose aspak nevojë, e jo më atëherë kur rivaliteti me kundërshtarët është i fortë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY