Presidenti Nishani ka refuzuar t’i japë një mandat të dytë shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, Jeronim Bazos, për shkak të shkeljeve kushtetuese që ky i fundit ka kryer gjatë mandatit të tij 3- vjeçar, sipas gazetës panorama.
Motivacioni me të cilin kreu i shtetit ka refuzuar emrin e gjeneralmajor Bazos i cili ishte propozuar nga Kryeministri Rama është: Mosrespektimi i Kushtetutës dhe shkelje të ligjit të komandimit zinxhir të Forcave të Armatosura.
“Gjatë tri viteve nuk ka raportuar as edhe një herë të vetme te Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura (Bujar Nishani) dhe nuk ka dërguar asnjë informacion të vetëm apo realizuar një konsultë për dokumentet, planet e përhapjes, strukturat dhe FA-të”, janë disa nga arsyet përse Presidenti Nishani e ka refuzuar propozimin e Kryeministrit Rama për t’i dhënë një mandat të dytë gjeneralmajor Jeronim Bazos.
Gjithashtu, sipas Presidentit, “Shefi i Shtabit ka nxjerrë jashtë përdorimit nga Forcat e Armatosura me qindra prona, pa marrë miratimin e Komandantit të Përgjithshëm të FA-ve, detyrim që e la në fuqi edhe Gjykata Kushtetuese pas ankimimit që iu bë ndryshimeve në ligjin për zinxhirin komandues të FA-ve”, sqaron në arsyetimin e tij kreu i shtetit.
Mandati trevjeçar i Jeronim Bazes ka skaduar më 7 nëntor, ndërkohë që kërkesa e Kryeministrit Rama për një mandat të dytë për gjeneralmajorin mësohet të ketë mbërritur disa ditë më pas.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është autoriteti më i lartë ushtarak në gradë dhe në hierarkinë e drejtimit e të komandimit strategjik në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/