Emigrimi dhe numri në rënie i lindjeve kanë bërë që gradualisht shkollat 9-vjeçare në Shkodër pothuajse të boshatisen.
Për krijimin e kësaj situate në qytetin verilindor ka ndikuar edhe numri i madh i qytetarëve të larguar në vende të ndryshme të Bashkimit Europian për të kërkuar azil.
Shkolla e Ajasmës, edhe pse një nga më të vjetrat në Shkodër, e cila shumë shpejt feston edhe 100-vjetorin e krijimit të saj, jo vetëm se ka largim nxënësish, por edhe trendi nga viti në vit i numrit të fëmijëve që ulen në bankat e kësaj shkolle është në ulje.
Drejtoria Rajonale e Arsimit në Shkodër bën me dije se një gjë e tillë është shqetësim edhe për shkollat e tjera të Shkodrës. Kryemësuesi i shkollës 9-vjeçare të Ajasmës në Shkodër, Agron Kastrati, thotë se aktualisht këtë institucion arsimor e frekuentojnë vetëm rreth 40 nxënës.
“Emigrimi po bën punën e vet edhe në qytetin e Shkodrës. Jo vetëm në shkollën ku jam unë tani, por ky fenomen ka përfshirë pothuajse të gjitha shkollat e qytetit dhe shpesh është pjesë e diskutimeve tona që bëjmë për arsimin. Para 5 vitesh, në një shkollë tjetër ku kam qenë ishin 350 nxënës, ndërsa sot nuk janë më as 200 të tillë. Kjo vjen nga emigrimi i nxënësve dhe prindërve të tyre drejt shteteve europiane për një jetë më të mirë, por vjen edhe dhe nga rënia e numrit të lindjeve në vitet e fundit.
Rënia e lindjeve është bërë e ditur edhe nga statistikat e INSTAT-it vit pas viti, gjë e cila ka pasur ndjeshmëri edhe në shkollat tona. Them se për arsimin në përgjithësi rënia e numrit të nxënësve patjetër që është një alarm që duhet marrë parasysh. Fëmijët që largohen, pjesa më e madhe nuk kthehen më në shkollat tona.
Ky është një problem shumë serioz”, shprehet Kastrati. Emigrimi i nxënësve është shqetësues sepse, përveç reduktimit të mësuesve, fëmijët e moshave të ndryshme detyrohen të mësojnë në një klasë, ndërsa mësuesit përdorin dy tabela, duke mos pasur zgjidhje tjetër.
“Patjetër që ne si stafe në shkolla jemi të shqetësuar, sepse përveç largimit të fëmijëve në emigrim, i bie që të largohen nga puna edhe mësuesit se nuk ka shumë fëmijë. Aktualisht në shkollën tonë janë 7 mësues, ndërkohë që në rast se kjo situatë vijon të jetë e tillë, atëherë do të bjerë edhe numri i mësuesve, duke mbetur të papunë. Kështu ka ndodhur edhe me shumë mësues të shkollave të tjera. Shkolla jonë një vit më parë kishte 50 nxënës, ndërsa sot ka 41 të tillë dhe numri është gjithnjë në rënie.
Kjo them se ka të bëjë me ekonominë e dobët që familjet kanë në Shkodër, duke u detyruar kështu të emigrojnë masivisht. Kemi klasa që kanë nxënës të moshave të ndryshme, ndërsa kemi vendosur dy tabela për shkak se nuk i kanë lëndët e njëjta.
Them se institucionet duhet që të ndjekin mbase një politikë ndryshe për të krijuar kështu një stabilitet në shkollat tona, sepse po na largohen fëmijët dhe ata janë e ardhmja dhe pa ta një shtet nuk mund të zhvillohet ashtu siç duhet”, shton mësuesi i shkollës 9- vjeçare në Ajasmë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/