Rüb: Skenari më i mirë për Shqipërinë – shtyrja e zgjedhjeve lokale...

Rüb: Skenari më i mirë për Shqipërinë – shtyrja e zgjedhjeve lokale me ujdi

93
0
Shares

Korrespondenti i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Matthias Rüb që mbulon Shqipërinë, ka deklaruar në një intervistë për Deutsche Wellen se ka mundësi për kompromis ku të gjithë aktorët politikë janë të thirrur ta kërkojnë atë.

Deutsche Welle: Në Shqipëri frontet janë ashpërsuar pas vendimit të presidentit, Ilir Meta për anulimin e 30 qershorit si datë zgjedhjesh. Si e shikoni ju këtë krizë?

Matthias Rüb: Shikoni, që frontet ashpërsohen nuk është diçka e re për fat të keq në Shqipëri. Kushdo kush ka qenë në pushtet, demokratët apo socialistët, gjithmonë ka pasur akuza të rënda nga partia që ka qenë në opozitë, që partia qeverisëse është e korruptuar, që shkel kushtetutën. Është e vështirë të gjykosh, cili pozicion është i drejti, kjo lidhet edhe me ngjyrimin politik: Nëse bëhet fjalë për një protestë legjitime popullore kundër një regjimi të korruptuar, apo për përpjekjen e opozitës që të arrijë në mënyrë jo parlamentare rrëzimin e një kryeministri të zgjedhur në mënyrë legjitime, kjo është çështje e kontestuar. E pakontestueshme është që kjo e dëmton Shqipërinë, që i pengon përpjekjet për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në këtë fazë kritike kjo është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë vendit.

Si e shihni vendimin për anulimin e datës së zgjedhjeve nga presidenti, Ilir Meta, vendim që ka zemëruar qeverinë. Presidenti Meta thotë, se bazohet në kushtetutë dhe ka përgjegjësi për paqen sociale në vend…

Nga pikëpamja kushtetuese ai është në rregull. Ai ka të drejtën e shtyrjes së zgjedhjeve, të paktën kështu e kuptoj unë nenin kushtetues, të cilit ai i referohet. Nëse është veprim i mençur politikisht, kjo varet nga cila anë e shikon.

Ka një rezolutë, mocion me debat presidentin Meta kundër çdekretimit të zgjedhjeve. Çfarë pasojash do të kishte një hap i tillë, nëse arrihet shkarkimi i tij?

Kriza kushtetuese do të bëhej më e thellë. Mund të ndodhë që kryeministri të kërkojë zgjedhjen e një presidenti të ri. Sido që të jetë të gjithë të pushtetshmëve në Tiranë u mungon legjitimiteti i nevojshëm. Edi Rama nuk ka legjitimitetin e opozitës, presidenti Meta nuk ka legjitimitetin apo mbështetjen e qeverisë, të socialistëve, pra është shumë e vështirë të gjendet një rrugëzgjidhje nga kjo krizë kushtetuese. Vetëm nëse të tre palët ulen në tryezë e gjejnë një kompromis. Kjo do të ishte më e mira për vendin. Vendi ka nevojë për qetësi, për pushtetarë me legjitimitet e jo për trazira e përplasje jashtë institucioneve demokratike.

Kryeministri, Edi Rama takoi në Bruksel para dy ditësh, kreun e Komisionit të KE, Jean-Claude Junkcer, ai mori mbështetje aty. Njerëzit nuk duhet të pengohen të votojnë, tha Juncker. Asnjë fjalë për pretendimet e opozitës, për lidhjet e PS e Ramës me mafian e drogës, se ai ka blerë zgjedhjet. Publikimet e gazetës “Bild” i dhanë një shtysë të re kësaj problematike. Mendon Brukseli se opozita po e ekzagjeron?

Këtë nuk e besoj. Për kryeministrin Rama është një problem që në Bruksel dhe në Berlin mbështetja për të po bie. Ai beson, se Merkelin e Junckerin e ka në anën e tij, por më duket se CDU/CSU nuk janë në anën e tij, ata duan ta shtyjnë vendimin e BE-së për hapjen e negociatave. Realisht duket, se po bëhet e vështirë për qeverinë Rama në Bruksel. BE është e zënë me veten, me Brexit. Tani do të shikohet me shumë vëmendje, se çfarë ka të vërtetë në akuzat për bashkëpunim me kartelet, me mafian e drogës. Duket se po mbyllet ajo dritare që shkonte në favor deri tani për qeverinë e Ramës.

A mund mbahen zgjedhjet lokale në këto kushte? Për Ramën ato janë legjitime, për Bashën janë moniste.

Më duhet të them, se edhe nëse do të mbaheshin tani zgjedhjet lokale ato nuk kanë shumë kuptim, kur ato i bojkoton partia më e madhe e opozitës. Edhe sikur të mbaheshin ato nuk çojnë në forcim të legjitimitetit të qeverisë e kryeministrit Rama.

Drejtësia që mund të thoshte fjalën e saj, duket e paralizuar në Shqipëri për shkak të vetingut. Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë vendime, po për këtë arsye. Ndërkohë kriza thellohet. Kush mund të ndihmonte në këtë situatë?

E vërteta është, se nuk shoh se si në këtë gjendje të kemi një rrugëdalje politike e sidomos që të mos ketë dhunë. Nuk shoh ndonjë palë që është e gatshme për kompromise. Nuk shoh as edhe një figurë të tretë nga jashtë apo brenda që mund të ndërmjetësojë. Në kuadër të reformës në drejtësi, drejtësia, sidomos instanca më e lartë është e paralizuar. Pra, as drejtësia, si një pushtet i pavarur në Shqipëri nuk ndërmjetëson dot vërtet në këtë konflikt, nuk e shoh këtë mundësi që drejtësia në një lloj mënyre ta çojë përpara këtë proces. Pra ose të thuhet qartësisht, bazuar në ligj, se nuk ka prova të qarta për bashkëpunimin e Partisë Socialiste me mafian e drogës, ose që ajo të tregojë qartë, se ka një bashkëpunim të tillë e të ngrejë akuzë kundër kryeministrit. Por siç e thashë drejtësia duket e paralizuar dhe jo e aftë të veprojë.

BE, në të shkuarën ka dërguar gjithmonë misione ndërmjetësuese, kësaj here ajo duket se është e rezervuar…

Edhe mua më duket kështu, por siç e thashë impulsi i BE për të vënë gjërat në vend në Shqipëri, apo për të përshpejtuar hapjen e negociatave, ky impuls po dobësohet gjithnjë e më shumë. Pra si nga brenda Shqipërisë zor se duket një rrugëdalje, ashtu edhe BE ka pak mundësi ndikimi. Pas zgjedhjeve europiane ajo ka halle brenda saj. Kush do jetë komisioneri i ri i zgjerimit, kush do jetë i ngarkuari për politikën e jashtme, si do të pozicionohen këta komisionerë të rinj kundrejt Shqipërisë. Gjithçka është pezull, e të shpresojmë që kjo gjendje të mos çojë në shpërthim dhune.

Por nëse nuk ndërhyn askush për të arritur një kompromis rreziku i shkallëzimit të situatës është i madh…

Për fat të keq është kështu. Edhe përvoja e tregon që ka pasur rrëzime qeverish me dhunë në Shqipëri, e që kanë pasur madje sukses për partinë që ka qenë në opozitë. Pra, joshja e partisë që nuk ka qenë në qeveri për të ndryshuar pushtetet me fuqinë e rrugës, madje me dhunë është e madhe, e kam frikë, se kjo joshje është e madhe edhe për Partinë Demokratike.

Por Shqipëria ka përvojë të hidhur në këtë drejtim, partitë duhet të kenë mësuar diçka nga e kaluara…

Do të dëshiroja që të thoja Shqipëria ka mësuar nga e kaluara, por për momentin shenjat janë për stuhi dhe jo për qetësim politik. Shpresoj që unë të gaboj dhe të që kemi një kompromis e një zgjidhje politike.

Cili do të ishte skenari më i mirë për vendin në këtë moment dhe çfarë mund të shkonte më keq?

Skenari më i mirë do të ishte që zgjedhjet lokale të shtyhen me ujdi, pra që Rama të mos këmbëgulë që të bëhen zgjedhje në fund të qershorit. Skenari më i keq do të ishte, nëse Partia Demokratike e forcon momentin e rrugës, kur mund të ketë trazira e ndoshta situata të ngjashme me një luftë civile. Ka ende mundësi që të gjendet një kompromis e të gjithë aktorët politikë janë të thirrur ta kërkojnë atë.

*Matthias Rüb është gazetar i njohur i Frankfurter Allgemeine Zeitung, me përvojë si korrespondent i saj për Europën Juglindore në vitet 1994-2002. Ai është kthyer sërish si korrespondent i FAZ për Europën Juglindore me qendër në Romë, duke mbuluar edhe zhvillimet në Shqipëri./DW

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY