Giovani Malafronte, italiani 49-vjeçar, nga Napoli dhe i arrestuar në Portin e Vlorës për trafik droge, ka fituar statusin e të penduarit të drejtësisë pasi ka rrëfyer bashkëpunëtorët dhe njerëzit që e paguanin dhe për këtë shkak pritet të përfitojë nga drejtësia ulje të dënimit.
Për shkak të statusit të tij gjatë shpalljes së pretencës, prokurori i kërkoi gjykatës ta dënojë me 4.5 vjet burgim, ndërsa të aplikohet edhe zbritja e një të tretës nga gjykimi i shkurtuar.
Malafronte u kap një vit më parë duke trafikuar nga Shqipëria drejt Italisë rreth 33 kilogramë drogë e llojit hashash. Gjatë hetimeve ai pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe ka rrëfyer identitetin e tre shtetasve të tjerë italianë që janë trafikantë droge dhe të një shtetasi shqiptar, që të katërt tashmë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
“Ishte hera e parë që vija në Shqipëri dhe për një rrugë transporti do të më paguanin 1500 euro. E mora drogën në Vlorë nga një shqiptar dhe do ta dorëzoja sa të mbërrija në Itali. Për llogari të trafikantëve në Itali punoja prej dy vitesh duke transportuar drogë nga Italia në Spanjë”, ka rrëfyer ai.
Pas dëshmisë së tij Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka përcjellë dosjen Italisë për trafikantët italianë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/