Si EURALIUS dhe KLGJ po përgatisin Gjykatën e Lartë ‘ambulante’

Si EURALIUS dhe KLGJ po përgatisin Gjykatën e Lartë ‘ambulante’

214
0
Shares

Nga Megi Ndregjoni:

Shumica socialiste, përmes Këshillit të Lartë te Drejtësisë (KLGJ) po përgatitet që Gjykatën e Lartë të mbetur vetëm me dy nga 19 anëtarë ta mbushë me anëtarë të komanduar të përkohshëm, të ardhur nga gjykatat e shkallës së parë apo të apelit.

Nëse do të realizohet në praktikë, ky projekt do të jetë shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit që do të dëmtojë rëndë drejtësinë në vend.

Ideja ka filluar të testohet përmes disa mediave të afërta më qeverinë, të cilat kanë informuar se misioni Euralius do t’i propozojë Këshillit të Lartë Gjyqësor të emërojë gjyqtarë të përkohshëm në Gjykatën e Lartë, të marrë nga gjykatat e rretheve dhe të apelit.

Është e njejta skemë që u përdor për emërimin antikushtues të Arta Markut. Përdoret misioni Euralius për të bërë një opinion “ligjor” sipas interesit të qeverisë dhe pastaj ky opinion shitet si një zgjidhje e propozuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe si i tillë ai shitet si një gjë e shenjtë dhe e detyrueshme mbi Kushtetutën dhe ligjin.

Propozimi për të komanduar gjyqtarë të niveleve të ulta në Gjykatën e Lartë është tërësisht antikushtetues dhe antiligjor. Së pari, një propozim i tillë cënon kompetencat kushtetuese që ka Presidenti i Republikës, të cilit Kushtetuta i jep të drejtën e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Neni 136 i Kushtetutës përcakton se:

“Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi”

KLGJ mund të emërojë gjyqtarë vetëm në disa raste të kufizuara të cilat përcaktohen shprehimisht nga Kushtetuta, pa lënë hapësirë për asnjë interpretim. Neni 136 shprehet se KLGJ mund të emërojë anëtarë të Gjykatës së Lartë vetëm kur:

Presidenti nuk është shprehur brenda 10 ditëve, nga dorëzimi i kandidaturave.
Presidenti refuzon të emërojë kandidatin, por kundër dekretit të Presidentit voton shumica e anëtarëve të KLGJ.

Në gjendjen e tanishme nuk jemi në asnjë nga kushtet kur KLGJ mund të emërojë KLGJ anëtarë të Gjykatës së Lartë për faktin e thjeshtë se KLGJ nuk i ka dërguar Presidentit asnjë listë me kandidatë për anëtarë që ai të refuzojë apo mos shprehet.

Përtej këtyre dy rasteve të mësipërme Kushtetuta nuk i njeh KLGJ-së asnjë kompetencë apo të drejtë tjetër për emërime në Gjykatën e Lartë dhe aq më pak për komandime. Neni 147a i Kushtetutës përcakton të gjitha funksionet e KLGJ-së, por asnjëra prej tetë funksioneve nuk ka të bëje me asgjë që mund të intepretohet si e drejta e KLGJ-së për të bërë emërime të pavarura në GJL e aq më pak të komanduara apo të deleguara.

Së dyti, i gjithë kuadri ligjor që rregullon sistemin gjyqësor nuk lejon në asnjë rrethanë që KLGJ të bëjë emërime të çfarëdo lloji apo të mbushë vende bosh në Gjykatën e Lartë.

Ligji për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë, në Nenin 85, pika 2 përcakton qartësisht se KLGJ i propozon Presidentit kandidatë për Gjykatën e Lartë.

Nga ana tjetër, Ligji për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve përcakton procedurën teknike për plotësimin e vendeve të Gjykatë së Lartë. Sipas ligjit për plotësimin e këtyre vendeve ka dy mënyra:

Nëpërmjet ngritjes në detyrë së magjistrantëve. KLGJ hap thirrjen për magjistrantët e interesuar dhe harton një listë me kandidatët që plotësojnë kriteret që duhet të plotësojë një gjyqtar i lartë. Kjo listë i shkon Presidentit të Republikës, i cili dekreton ngritjen në detyrë të gjyqtarit me renditjen më të lartë.
Me kandidatë të ardhur jashtë gjyqësorit. Sërisht procedura është e njëjtë, KLGJ hap thirrjen, verifikon kandidatët dhe më pas listën me kandidatët që plotësojnë kushtet ia dërgon Presidentit, i cili dekreton gjyqtarin.

Natyrisht, sipas përcaktimit Kushtetues, në të dyja rastet emërimi i gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë është eksluzivitet i Presidentit.

Së treti, Kushtetuta nuk njeh dhe nuk lejon mandat të përkohshëm apo transferim të përkohshëm në Gjykatën e Lartë. Kushtetuta dhe kuadri ligjor i vendit përcaktojnë qartë se mandati i anëtari i Gjykatës së Lartë është 9 vjeçar, as më pak as më shumë dhe se ai nuk mund të transferohet.

Përtej antikushtetueshmërisë dhe paligjshmërisë të komandimit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, një veprim i tillë do të ndërlikonte dhe vështirësonte punën e një sistemi gjyqësor që ndesh vështirësi të mëdha, për shkak të boshllëqeve të mëdha që ekzistojnë në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Shumë gjykata të shkallës së parë dhe të apelit kanë shumë vende bosh dhe disa janë pothuajse pa anëtarë fare. Për këtë qëllim KLGJ në janar 2019 ka miratuar një skemë të delegimit të gjyqtarëve për t’i transferuar ata përkohësisht në gjykatat ku ka nevoja të mëdha.

Jo më pak e rëndësishme në këtë përpjekje antikushtetuese është sërish roli i misionit Euralius. Edhe pse askush nuk ka parë propozim e Euralius që i referohen mediat e kontrolluara nga qeveria, nuk është çudi që ndonjë opinion për të mbështetur skemën antikueshtetuese në diskutim mund të sajohet nga Euralius.

Misioni i raporton Ambasadorit të BE-së në Tiranë Luigji Soreka, i cili është përfshirë në një aktivitet të ethshëm për të sajuar zgjidhje të çfarëdo lloji për të arnuar institucionet e drejtësisë të shkatërruara nga një reformë e keqmenduar dhe keqplanifikuar nga shefat e Ambasadorit Soreca, një tufë eurokratësh pa asnjë përvojë dhe aftësi në reforma të tilla madhore.

Kontrata me qeverinë e Euralius V nuk është bërë publike sikurse nuk dihet asnjë e dhënë për këtë mision, përfshi stafin dhe ekspertët që punojnë në të. Por me gjasa nëse Euralius do të japë opinione ligjore ai do të jetë në shkelje ligjore, sikurse në rastin e opinionit famëkeq për zgjedhjen antikushtetuese të Arta Markut, sikurse kemi shpjeguar në një artikull të mëparshëm.

Megjithatë, çdo gjë mbetet për t’u parë në javët e ardhshme.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY