Pamjet e rënda nga vrasja e ish-policit, AMA: Të ndalohet transmetimi i...

Pamjet e rënda nga vrasja e ish-policit, AMA: Të ndalohet transmetimi i tyre

245
0
Shares

Autoriteti i Mediave Audiovizive kërkon nga mediat audiovizive ndërprerjen e menjëhershme të transmetimit të pamjeve të rënda filmike të vrasjes së ish-policit Arben Bilali.

Kërkesa është bërë nga bashkëshortja e të ndjerit, i vrarë në janarin e këtij viti. Në sqarimin që bën AMA thuhet se: “Transmetimi i pamjeve filmike të vrasjes së shtetasit Arben Bilali ka shkaktuar ankth dhe tronditje të thellë psikologjike, në veçanti, tek dy fëmijët e mitur të familjes Bilali, të cilët po përjetojnë situata traumatizuese, që dëmtojnë seriozisht zhvillimin fizik, mendor ose moral të tyre.”

Arben Bilali u ekzekutua me breshëri kallashnikovi përpara banesës së tij.Pista kryesore që po ndjek prokurori në hetimin e kësaj çështje është ajo e hakmarrjes. Atij më parë i janë vrarë edhe dy vëllezër të tjerë dhe motivi është po i njëjti.(kliko ketu)

Deklarata e plotë:

Këshilli i Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) ka marrë një ankesë nga shtetasja Matilda Bilali, bashkëshortja e të ndjerit Arben Bilali, i vrarë me armë zjarri më datë 30.01.2019, në Tiranë. Sipas ankesës, këto pamje, të transmetuara në mënyrë të përsëritur nga operatorët audiovizivë, përfshirë dhe ata kombëtarë, kanë shkaktuar stres tek bashkëshortja, familjarët e të ndjerit, por në veçanti, tek dy fëmijët e mitur të çiftit Bilali.

Këshilli i Ankesave, pasi shqyrtoi pamjet filmike përkatëse dhe transmetimet e deritanishme nga operatorët audiovizivë gjatë edicioneve informative, por jo vetëm, konstatoi se përmbajtja e tyre është e rëndë, sensitive dhe private. Transmetimi i tyre është në shkelje të normave ligjore dhe etike.

Autoriteti i Mediave Audiovizive u kujton OSHMA-ve parimet themelore të veprimtarisë së tyre: “… veprimtaria e transmetimeve audiovizive respekton paanshmërisht të drejtën për informacion, bindjet politike e besimet fetare, personalitetin, dinjitetin dhe të drejtat e liritë e tjera themelore të njeriut. Kjo veprimtari respekton në mënyrë të veçantë të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e të miturve” (neni 4, pika 1/b, ligji 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar).
Gjithashtu, edhe Kodi i Transmetimit për mediat audiovizive detyron OSHMA-të respektojnë të drejtën për privatësi dhe mbrojtjen e të dhënave personale:

“Shpërndarja e informacionit tek publiku, duke përfshirë këtu edhe fotografitë për jetën private të individëve pa pëlqimin e tyre, është e pranueshme vetëm nëse një interes i ligjshëm publik tejkalon të drejtën e tyre për privatësi ose kur materiali në fjalë duhet të publikohet në interes të publikut, duke e tejkaluar të drejtën e privatësisë. Gazetari duhet të sigurohet, për të zbatuar standardet më të larta profesionale që informacioni i dhënë të jetë i saktë, i paraqitur në mënyrë të drejtë dhe objektive, veçanërisht kur përfshin zbulimin e aspekteve të jetës private ose të të dhënave personale…” (Seksioni 3, “E drejta për privatësi dhe mbrojtjen e të dhënave personale”, pika 3.1).

Transmetimi i pamjeve filmike të vrasjes së shtetasit Arben Bilali ka shkaktuar ankth dhe tronditje të thellë psikologjike, në veçanti, tek dy fëmijët e mitur të familjes Bilali, të cilët po përjetojnë situata traumatizuese, që dëmtojnë seriozisht zhvillimin fizik, mendor ose moral të tyre.

Për sa më sipër, Autoriteti i Mediave Audiovizive ju kërkon ndërprerjen e menjëhershme të transmetimit të pamjeve filmike të vrasjes së shtetasit Arben Bilali.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY