Qeveria nuk tërhiqet nga vendimi për prishjen e teatrit, reagojnë artistët: Historia...

Qeveria nuk tërhiqet nga vendimi për prishjen e teatrit, reagojnë artistët: Historia do gjykojë…

71
0
Shares

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka reaguar zyrtarisht pas vendimit të Qeverisë për  ngritjen e një komisioni që do të vlerësojë negocimin e kontratës me palën private, që do të realizojë projektin e zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar.

Në një njoftim për mediat, Aleanca shkruan se nuk tremben pasi ishin të bindur që në fillim të aksionit të tyre për mbrotjen e Teatrit se do të përballeshin edhe fizikisht me qeverinë.

NJOFTIMI I PLOTE

Me botimin dje në fletoren zyrtare të VKM-së për ngritjen e komisionit të negocimit sipas “ligjit special”, Edi Rama dhe Erion Veliaj i kanë shpallur luftën përfundimtare jo vetëm Teatrit Kombëtar dhe interesit publik, por Kushtetutës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.

Nuk mjafton fakti që “ligj special”, i miratuar në fund të vitit të shkuar mbas dy refuzimesh nga ana e Presidentit dhe pas kritikave nga ana e Komisionit Evropian, është tërësisht anti-Kushtetues.

Nuk mjafton fakti që në VKM-në e botuar dje qeveria ka përfshirë paturpësisht të drejtën të për të shpronësuar prona të tjera private ngjitur me Teatrin, në përftim të një kompanie tjetër private.

Nuk mjafton fakti që VKM-ja duhet të ishte botuar në fund të dhjetorit 2018, duke e bërë tashmë të pavlefshme ngritjen e komisionit.

Ngritja e këtij komisioni teksa vendi mbetet pa Gjykatë Kushtetuese dhe krijimi i saj mbetet një nga prioritetet kryesore edhe në komunikimet e të gjithë vëzhguesve të brendshëm e të huaj, tregon edhe njëherë dëshirën patologjike që kanë çifti Rama-Veliaj për të grabitur çdo aset publik në këtë vend, sidomos tani që nuk i kontrollon dot kush! Projekti për Teatrin e ri ka qenë e mbetet një përpjekje për të grabitur në çdo mënyrë truallin publik, dhe privat, e për t’ua falur atë klientëve të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, duke shkelur çdo parim minimal të një shteti ligjor.

E megjithatë, ne nuk trembemi! Kemi qenë të bindur që kur e nisëm këtë betejë, thuajse 18 muaj më parë, se një ditë do na duhej të përballeshim qoftë fizikisht me qeverinë. Sot, jemi të bindur më shume se kurrë se kemi me vete të gjithë ata qytetarë që kanë kontribuar ditë për ditë në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Sot, jemi shumë më shumë seç ishim kur filloi kjo histori, e prandaj jemi të vendosur ta mbrojmë Teatrin deri në fund.

Historia do e gjykojë këtë ngjarje si fundin e një tirani grabitqar, i verbër deri në limite në dëshirat e tij për të grabitur çdo gjë të shenjtë në këtë vend. Por historia do gjykojë edhe ata që heshtën, ulën kokë, dhe u bënë palë me veprimet apo mosveprimet e tyre. Nuk është e largët dita kur termi “artist” nuk do mund të përdoret më nga ata të cilët nuk ishin një ditë në mbrojtje të djepit të artit shqiptar. Nuk do mund kush të flasë për interesin publik nëse nuk shpenzoi të paktën një pasdite në protestën më të gjatë të këtyre 30 viteve. Ngjarja e Teatrit sot është një moment përcaktues në historinë e Shqipërisë, ndërmjet atyre që këtë vend donin ta grabisnin dhe atyre që e mbrojtën.

Sot më shumë se kurrë jemi të bindur se ne dhe të gjithë miqtë që na kanë mbështetur jemi në anën e duhur të historisë!

ALEANCA PËR MBROJTJEN E TEATRIT

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY