Artan Fuga letër publike Ramës edhe Metës: “Shkarkoni ministren Besa Shahini”

Artan Fuga letër publike Ramës edhe Metës: “Shkarkoni ministren Besa Shahini”

150
0
Shares

Akademiku Artan Fuga nëpërmjet një letër publike drejtuar presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama kërkoi shkarkimin e ministres Besa Shahini nga detyra.

Kjo kërkesë e Fugës erdhi pas deklaratës së sotme të Ministres, e cila u shpreh se do të ishte pjesë e debatit ku do të paraqiste idenë e saj për të vendosur në ligj bazat e fillimit të një përafrimi të akademive shqiptare në rajon me synim integrimin në një të vetme.

Sipas Akademikut Ideja e bërë publike sot nga Ministrja Shahini është një provokacion gjeopolitik.

Letër publike:

Presidentit të Republikës zotit Ilir Meta !
Kryetarit të Këshillit të Ministrave, zotit Edi Rama !
Kryetarit të Komisionit të Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë!

Po Ju drejtohem me shqetësim të thellë intelektual dhe qytetar lidhur me një deklaratë të papritur të Ministres të arësimit, rinisë dhe sporteve të Republikës të Shqipërisë, qytetares Besa Shahini, bërë sot, më datë 10 maj 2019, e cila në profilin e një rrjeti social deklaron se : “Do të jem edhe unë pjesë e këtij debati ku do të paraqes idenë time për të vendosur në ligj bazat e fillimit të një përafrimi të akademive shqiptare në rajon me synim integrimin në një të vetme.”

Eshtë e çuditshme sepse në asnjë platformë politike të partive parlamentare, të qeverisë, e së cilës ajo është pjesë, e Kushtetutës të Shqipërisë, nuk ekziston ndonjë platformë që t’a justifikojë qytetaren Besa Shahini si ministre e këtij shteti, të punojë për realizimin e një ideje të tillë!

Madje as në Bashkimin Europian nuk kërkohet shkrirja në një të vetme e agjencive publike të shteteve të veçanta anëtare!

Në këtë mënyrë, në pikën kulmore të punimeve të komisionit kuvendor për reformimin e akademisë të shkencave të Shqipërisë, qytetarja Besa Shahini, në funksionin e ministres, që ka për detyrë ligjore të zhvillojë identitetin e institucioneve të arësimit dhe të shkencës dhe të agjencive publike që funksionojnë ligjërisht në shtetin e Shqipërisë, deklaron se punon kundër kësaj mëvetësie, pra punon në të kundërt të betimit të saj si ministre!

Me megalomani kjo ide nënkupton se është qytetarja Besa Shahini që pa konsultuar komunitetin e akademikëve dhe universitarëve që janë qytetarë të shtetit të Shqipërisë, pa konsultuar as programin e qeverisë e së cilës ajo është pjesë, pa respektuar as Kushtetutën e Shqipërisë së cilës ka pranuar t’i shërbejë, po punoka për zhbërjen e mëvetësive të akademisë të shkencave të Shqipërisë, madje shkon edhe më larg, a thua se varet prej saj, edhe zhbërjen e mëvetësisë të akademisë të shkencave të Kosovës dhe më gjerë.

Duke synuar kthimin e tyre “në një të vetme”, qytetarja Besa Shahini flet edhe për të gjithë rajonin.

Ideja e bërë publike sot është një provokacion gjeopolitik.

Cilat janë akademitë e tjera të shkencave shqiptare në rajon veç asaj të Kosovës?

Akademikët shqiptarë në rajon kanë fituar të drejtën e të pasurit në mënyrë dinjitoze të vendeve në akademinë e shkencave të Maqedonisë dhe në atë të Malit të Zi. Si parim, edhe në Akademinë e shkencave të Serbisë. Cfarë nënkupton deklarata e qytetares Besa Shahini? Që akademikët shqiptarë të braktisin këto akademi shkencash dhe të krijojnë akademitë e tyre të shkencave në shtetet përkatëse duke u vetëizoluar? Apo nënkupton që në fund të procesit të ideuar prej saj, akademia e shkencave e Shqipërisë, ajo e Kosovës, të integrohen “në një të vetme” me atë të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi?! Apo ideja e saj është që shqiptarët në cilindo nga këto shtete të ish Jugosllavisë të krijojnë akademi shkencash mbi baza etnike dhe pastaj të integrohen me akademinë e Shqipërisë?!

Të gjitha mundësitë që mund të nënkuptojë ideja që e “lumturoka” qytetaren ministre Besa Shahini janë absurde, më së paku, por edhe të mbrapshta, dhe çojnë pikërisht në zhbërjen e akademisë të shkencave të Shqipërisë duke e çuar atë drejt shkrirjes të identitetit të vet institucional si bartëse e misionit për të cilën është krijuar.

Parë rrezikshmërinë dhe dëmin e këtyre pohimeve të shkruara të zezë mbi të bardhë, si edhe sabotimin që po i bën prej muajsh procesit të reformimit të akademisë të shkencave të Shqipërisë ministria e arësimit, lind dyshimi i qartë se shkaku më i thellë qenka pikërisht strategjia e zonjës qytetare ministre Besa Shahini.

Nisur nga këtej unë ju ftoj zotërinj të nderuar, si autoritete që keni përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e sovranitetit të institucioneve publike të vendit, ta thërrisni për sqarime publike këtë antare të qeverisë, dhe nëse ajo nuk akomodohet me Kushtetutën e Shqipërisë, me platformën ligjore të qeverisë, të realizoni shkarkimin e saj pa humbur kohë!

Bersa Shahini në punë të vet, Shqipëria, kombi shqiptar, Akademia e shkencave e Shqipërisë dhe e Kosovës në punën e tyre!

Me respekt qytetar,

Artan Fuga

Akademik

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY