ENVER BYTYCI/Kryeministri nuk e lexoi deputetin Krichbaum, po a do ta lexojë...

ENVER BYTYCI/Kryeministri nuk e lexoi deputetin Krichbaum, po a do ta lexojë zonjën Merkel?!

72
0
Shares

Në Kur’an është një sure me shumë rëndësi: – LEXO. Jam përpjekur gjithnjë ta zbërthej kuptimin e kësaj këshille aq të vlefshme të librit të shenjtë dhe besoj se ajo mund të përkthehet në shumë kuptime: Lexo që të bëhesh i ditur! Lexo që të kuptosh jetën! Lexo që të reflektosh e të bëhesh i dobishëm! Lexo dhe mëso nga gabimet e të tjerëve si dhe nga gabimet e tua! Lexo nevojat dhe dhimbjet e të tjerëve, sidomos të njerëzve në nevojë! Lexo të shkuarën që të ndërtosh të ardhmen! Leximi është dhunti e të diturit dhe të urtit. I dituri dhe i urti shpesh herë nuk kanë lidhje me shkollat që kryen, as me universitetet ku ks studiuar. I urti dhe i dituri e lexon dhe mendimin e të tjerëve, ndërkohë që mëson gjithashtu nga kundërshtari.

Të gjitha këto nocione m’u mbështollën në tru tek lexoj reagimet e kryeministrit tonë rreth asaj çfarë parashtroi më 24 nëntor “gjermani” i fundit që vizitoi Shqipërinë, Krichbaum. Në monologun e tij të faqes elektronike të FB zoti Rama sot ka lëshuar disa akuza të rënda kundër deputetit gjerman të partisë së Merkelit, pa harruar të sulmojë në stilin e tij inatçor opozitën e vendit. Në ballafaqim me kërkesën kuranore të fjalës “lexo”, do të doja të seleksionoja se cilat janë qëndrimet më të reja të kreut të ekzekutivit shqiptar.

Por le ta riprodhojmë dhe pastaj ta komentojmë çdo fjalë të deklaratës së djeshme të zotit Rama, duke e lexuar dhe rilexuar atë përmes të kuptuarit e të reflektuarit dhe duke iu rikthyer disa herë historisë së viteve të fundit në qëndrimet politike ndaj integrimit. Deklarata e tij është kjo: “Është mëse normale që në këtë proces të shfaqen deputetë në cdo parlament të BE-së që do dalin kundër Brukselit, do i vihen Saliut e Lulëzimit në krah për të bllokuar Shqipërinë në këtë proces. Ata thjesht shfrytëzojnë rastin për ta përdorur edhe vendin tonë si ushqim për populizmin e tyre te partive ne vendet ku jane, shpikin kushte të reja për Shqipërinë, shtrëmbërojnë hapur konstatimin e KE dhe mund të gjejnë në mediat shqiptare një akses që në vendin e tyre as e endërrojnë. Por përtej një grushti hiri që i japin me apo pa dashje Saliut dhe PD për t’ia hedhur në sy atyre që ende besojnë në gënjeshtrat e SHQUP-it, ata nuk kanë fare çfarë t’i bëjnë Shqipërisë, sepse nuk kane asnje mundesi ta ndryshojnë qasjen konstruktive te KE ndaj Shqipërisë në këtë proces. Për më tepër ata flasin në titull personal, nuk kanë asnjë mandat nga askush. Këto qëndrime mund të përkojnë me nevojën e PD për të justifikuar bllokimin e Vettingut, por nuk përkojnë gjekundi jo vetem me qasjen e përgjithshme të vendeve anëtare, por as me ndonje nveojë të parlamenteve të tyre për tu shprehur në këtë fazë në lidhje me celjen e negociatave. Deputetë populist që nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është për vetë BE ecuria jonë”, shprehet Rama.

Kjo deklaratë që i adresohet një deputeti me emër në Bundestagun gjerman u bë një ditë para se zoti Rama të takohet me zonjën Merkel. Ndoshta priste që përmes një presioni inatçorësh ta detyronte zonjën Merkel që në takimin e sotëm të ishte më bujare për ambicjet makialeviste të zotit Rama. Por u provua e kundërta. Merkel njihet si një politikane e ushtrimit të diplomacisë së hapur e të drejtpërdrejtë. Ajo e tillë u shfaq sot para mediave kur foli për plotësimin e kushteve të pranimit nga ana e qeverisë shqiptare, duke mos harruar të vlerësonte rolin konstruktiv të Shqipërisë në NATO, destinacion i cili nisi në vitin 1993 dhe u përmbyll më 2009-ën.

Duket qartë se kancelarja ka pësuar një zhgënjim të thellë përballë lidershipit të Ramës, kjo edhe për shkak të pritshmërive të saj përtej arësyes për të besuar aq shumë në një lider destruktiv si Rama në opozitë. Gjithashtu edhe për shkak të sjelljes prej bajraktari adoleshent të kryeministrit shqiptar, nëse kemi parasysh mburrjet dhe arrogancën e tij kundër opozitës dhe kritikëve të tij nën maskën e një “miqësie specifike” me zonjën Merkel.

E vërteta është se Berlini mendoi e besoi se me fitoren e Ramës gjeti tashmë një partner më të mirë e më të besueshëm sesa Berisha, i cili ishte i orientuar më shumë te politikat e NATO-s sesa të Bashkimit Europian. Kancelarja dhe politika gjermane e lexuan Edi Ramën si të ndryshëm nga ish-lideri demokrat në shumë raporte: Kryesore ishte raporti me nacionalizmin dhe mundësinë për kompromiset që i nevojiten Europës në raport me Rusinë dhe Serbinë. Zoti Rama e kapi këtë sinjal dhe shpalli i pari “aleancën dhe partneritetin me Republikën Federale të Gjermanisë”. Kjo e bëri atë favorit të përfaqësimit formal të kryeministrave të rajonit në konferencën e shtypit pas samitit të parë në Berlin dhe të lënë krejtësisht në hije në samitin e Vjenës.

Elokuenca e dëshiruar dhe e shtirur e Ramës e zhgënjeu Gjermaninë e Merkelit. U bënë pesë ditë që kur Krichbaum bëri deklaratën në emër të grupit parlamentar kristian e socialdemokrat në Bundestag dhe nuk ka asnjë përfaqësues të ndonjë grupi tjetër parlamentar që të shfaqë një qëndrim ndryshe sa i përket integrimit të Shqipërisë në BE. Shtatë kushtet e deputetit gjerman po elaborohen në kryeqytete të tjera të vendeve të BE-së dhe kjo e bën të pashmangshme faktin se rekomandimi i KE-së për plotësimin e një kushti që u lidhka me vetingun që “Saliu e Luli nuk e dashkan” lexohet tashmë si një null në renditjen e shifrave. Nga një, kushtet kanë shkuar në shtatë dhe ende nuk dihet se sa do të trashet zëri i liderëve në samitin e Brukselit të mesit të dhjetorit. Zonja Merkel sot nuk dha shpresë se Shqipëria do ta kapërcejë pragun e reklamuar me aq furi të vlerësimit të raportit të KE.

Sot në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar, zonja Merkel përsëriti në mënyrë më të moderuar të shtatë kërkesat e Krichbaum. Ajo përveç reformës gjyqësore dhe zgjedhjeve të lira e të drejta në Shqipëri theksoi se vendi duhet të plotësojë edhe pesë prioritetet e tjera si kërkesë për plotësimin e standardeve demokratike në rrugën e integrimit. Ndërsa dje presidenti I Republikës Federale Gauck kërkoi që asnjë vend tjetër të mos pranohet në BE pa plotësuar kushtet për një demokraci të zhvilluar dhe shtet të së drejtës.

Në deklaratën e djeshme të zotit Rama nuk ka refleksion, pra nuk ka as lexim të asaj çfarë kërkoi deputeti gjerman Guenther Krichbaum. Në këtë deklaratë ka vetëm akuza dhe mohim të problemeve që kalon Shqipëria dhe demokracia shqiptare. Me SHQUP-in, një përdorim ku pezhorativ e përbuzës për opozitën, sipas Ramës qenkan të lidhur deputetë dhe politikanë të shumtë europianë. Gati sa nuk I quan deputetë dhe politikanë të “kazanit”. SHQUP-I dhe kazani për zotin Rama janë sinonime të kritikës kundër tij. Sipas Ramës Krichbaum është populist, I përdorur nga SHQUP-I, I kapur prej Bashës, I orientuar për nevoja të brendshme në vendin e tij.

Ai shkoi sot te zonja Merkel me alternativën imponuese “Ose me mua (Ramën), ose me Krichbaum”, ndërkohë që hasi në murin gjerman të kërkesave të njëjta. Kryeministri nuk e lexoi deklaratën e deputetit gjerman, i cili erdhi në Shqipëri më 24 nëntor dhe nuk foli këtu me dijeninë e Merkel. Zoti Rama nuk i lexoi kërkesat dhe shtatë kushtet gjermane, sepse ai tashmë beson se ai nuk është aty për të lexuar e për të kuptuar të tjerët, por për të diktuar mbi të tjerët, madje edhe mbi politikanët e huaj. Ai jeton në eufori e nuk sheh ose nuk dëshiron të shohë se problemet që kalon vendi janë të shumta dhe shumë serioze. Ai jo vetëm nuk di e nuk do të lexojë shtatë kushtet gjermane e europiane, por nuk sheh e nuk do të shohë çfarë ndodh në këtë vend. Nëse vërtet ai beson se të gjitha kritikat kundër tij janë shpifje, atëherë duhet besuar gjithashtu se Shqipëria në mos sot, nesër do të shtyhet drejt greminës. Të bësh gabime serioze në qeverisje është deri diku normale. Por të mos i njohësh ato apo të përpiqesh të imponosh një realitet tjetër nga ai që ekziston, duke baltosur këdo tjetër përveç përgjegjësve kryesorë për gjendjen skandaloze të këtij vendi, rrezikon paqen sociale në vendin tënd, të cilin pretendon se e qeveris. Zoti Rama u përpoq që edhe në takimin me Merkel të largojë përgjegjësitë e tij dhe të qeverisë së tij, foli me zë të dridhur e madje indirekt kërcënoi se zvarritja e integrimit mund të destabilizojë rajonin. Këmbngulja e zotit Rama në mosleximin e deklaratës së Krichbaum jo vetëm është e rrezikshme, por edhe e frikshme, sepse ai me këtë qëndrim nuk garanton asnjë hap domethënës në zbatimin e parimeve të shtetit të demokracisë liberale e funksionale në Shqipëri. Këmbngulja e tij në konferencë shtypi me zonjën Merkel për ta lënë topin në fushën e europianëve sa i përket hapjes së negociatave është njëkohësisht një sinjal largimi të mëtejshëm nga BE.

Dëgjoj shpesh herë të thuhet se opozita “është armike e Shqipërisë”. Këtë e thotë gjithashtu kryeministri në deklaratën e tij. Ai, duke iu drejtuar opozitës, Rama thotë: “S’janë as të parët as të fundit që i bien në qafë këtij vendi, ndryshimi i vetëm se Levantinët e sotëm kanë tmerrin e frikës nga reforma në drejtësi, nga drejtesia që mund ta vonojnë por nuk mund ta beje kurre t’i harrojë ata dhe padrejtësitë e tyre ndaj ketij populli”.

Edhe në këtë rast kryeministri lexon arabisht, dmth mbrapsht dhe nga e djathta në të majtë. Së paku gjysma e shqiptarëve besojnë se ëshrë Rama ai që tenton të kapë sistemin gjyqësor përmes vetingut dhe kjo nga frika e e shkeljeve ligjore që ai ka bërë, ndërkohë që kreu i ekzekutivit dhe të tijët thonë se është opozita ajo që ka frikë nga reforma në drejtësi. Ndryshe nuk ka pse zoti Rama i kundërvihet çdo përpjekjeje për consensus me opozitën. Duke ia njohur këtë kryeneqësi Merkel i kërkoi që të bëjë reformën zgjedhore në konsensus me opozitën, si provë e respektimit nga ana e tij të parimeve demokratike të zhvillimit të vendit.

Zoti Rama thotë më lart, duke iu adresuar opozitës se këta nuk janë as të parët, as të fundit që i bien në qafë këtij vendi. Pa dashje në këtë pohim ai thotë një të vërtetë. I pari që i ka rënë në qafë këtij vendi më shumë se kushdo tjetër në një çerek shekulli është zoti Rama. A nuk ishte Rama që ngriti çadrat në bulevard dhe futi në grevë urie socialistët idealistë vetëm tri javë para se të jepej rekomandimi për liberalizimin e vizave për shqiptarët?! A nuk ishte Rama që bllokoi me protesta të gjitha rrugët dhe autostradat e Shqipërisë, ndërkohë që sot burgos pa fund protestues që bëjnë të njëjtën gjë për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Mbrostari është vetëm një rast nga këto të fundit. A nuk e bojkotoi zoti Rama për më shumë se dy vite parlamentin shqiptar? A nuk i blloki tri ligjet e reformave në Shqipëri, me qëllim që të bllokojë marrjen e statusit kandidat, sepse e donte si dekoratë për veten e tij? A nuk e bllokoi më pas integrimin për zgjedhjen e një kryetari qarku në Fier? Dhe të gjitha këto që të pengohej liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit kandidat për t’u pranuar në BE.

Opozita e sotme në raport me atë të Ramës është në kontrast të plotë. Ajo nuk akuzohet për mungesë gatishmërie për dialog e kompromis, e ndërkohë akuzohet si “armike e Shqipërisë” pse i drejtohet rrugës gjyqësore për të vënë në vend drejtësinë. Kjo do të thotë që të lexosh veten e të tjerët sipas interesit personal, jo në pajtim me interesat e vendit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY