“Ministrja humbi nderin”, Ish-deputeti zbulon skemën ndaj rektorit: Çfarë e detyroi Besën…

“Ministrja humbi nderin”, Ish-deputeti zbulon skemën ndaj rektorit: Çfarë e detyroi Besën…

112
0
Shares

Ish-deputeti Luçiano Boçi në një analizë që i bën gjithë sagës që nga kërkesa për shkarkimin e rektorit Mynyr Konit dhe rikthimit të tij në detyrë, shkruan se vendimi i Presidentit ishte i drejtë dhe i pritur.

Boçi shkon më tej me analizën duke shpjeguar pse ministrja Shahini shkeli ligjin. Sipas tij, diçka tjetër qëndronte pas këtij veprimi. Ish-deputeti thotë se Shahini gjeti momentin për t’i çuar në tepsi Ramës me nxitim, kokën e kërkuar prej kohësh të Konit, vetëm për të marrë buzëqeshjen e tij.

REAGIMI I PLOTE

Vendimi i Presidentit për të mos miratuar kërkesën e Ministres së Arsimit për pezullimin e Rektorit, dëshmoi dhe njëherë batakun ligjor ku është katandisur qeverisja më e dështuar e të gjitha kohërave.

Rishtarja e Ramës në Ministrinë e Arsimit humbi dhe atë pak fije nder që i kish mbetur asaj, brenda kulturës së papërgjegjshmërisë e paaftësisë së instaluar aty që me Linditën.

Nën ethet e entuziazmit fillestar dhe të zellit të tepruar bindës ndaj shefit të madh,  Ministrja e Arsimit konsumoi jo vetëm tejkalim ligji me pezullimin e falsifikuar, por dhe e shkeli rëndë atë me komandimin e Rektorit të ri.

A thua se bëhej fjalë për një shkollë 9-vjeçare dhe jo për një institucion të lartë me autonomi të kërkuar, por ende të pagarantuar.

Shkelja ishte aq e trashë sa tronditi dhe studentët e vitit të parë të drejtësisë.

Shkelja ishte jo thjeshtë shkelje ligjore. Më shumë dukej si fyerje ligji.

Reagimi i Presidentit në këtë rast ishte i duhuri dhe i pritshmi.

Në fakt në vazhdën e të gjitha qëndrimeve të deritanishme të përplasjeve Presidencë-Qeveri.

Përplasje që kanë dëshmuar se sot Rama dhe profanët e tij nuk e përfillin ligjin, përkundrejt një stoicizmi presidencial për të lozur me çdo kusht rolin e gjykatës së munguar kushtetuese dhe për të qenë garant i Kushtetutës.

Por çfarë e detyroi Besën të bënte një akt të tillë?

Mund të thuhet shpejt se ajo gjeti momentin për t’i çuar në tepsi Ramës me nxitim, kokën e kërkuar prej kohësh të Konit.

Për të fituar sadopak buzëqeshjen e ngërdheshur të tij.

Sikurse mund të vërtetohet se gjithçka ka të bëjë me dëshirën e Kryeministrit shullazist, për të kontrolluar e bërë zap Universitetin në pragzgjedhje.

Njëkohësisht për të zbutur shpirtrat e trazuar studentorë, duke u hedhur atyre në mes fajtorin e krijuar dhe jo fajtorin real që është ai vetë.

Por këto hyjnë në rendin e arsyetimeve të thjeshta. Besa deri këtu shkon. Deri tek humbja e nderit. Ndërsa Rama ka dëshmuar që është më i thellë në instalimin e aplikimin e së keqes.

Qëllimi i tij dhe në këtë rast është akoma më diabolik.

Përpos arsyeve të parashtruara, lufta me Konin është mbi të gjitha një luftë trojesh ndërtimi e interesash financiare.

Këto përfshijnë territorin e kampusit dhe jo vetëm.

Por nuk mbaron këtu. Projekti goditës ndaj UT  është edhe më i thellë.

Me largimin e tij të konsideruar pengesë e jobashkëpunues, Rama kërkon të zbatojë kapitullin XII, të ligjit antikushtetues të Arsimit të Lartë.

Kërkon ta kthejë atë në Universitet Publik të Pavarur, duke ia dhënë çelësat në dorë të kësaj pasurie kombëtare, njërit prej klientëve të tij.

Kjo do të finalizonte dominimin pasuror e politik të botës Universitare.

Po Ministrja e Arsimit?!

Ajo e mbaroi tashmë misionin e saj me dështim.

Humbi nderin dhe së shpejti pret të humbasë dhe detyrën.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY